Ebu Hurejre (r.a.), transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë:

“Allahu e godet me vështirësi atë që i do të mirën!”

(Buhari, Merda, 1.)

Shpjegime

Në këtë Hadith, theksohet se ndonjëherë, vështirësitë mund të bëhen shkak i mirësive. Vështirësitë dhe fatkeqësitë për të cilat bëhet fjalë këtu, shpjegohen në ajetin 155 të sures Bekare, ku Allahu i Madhëruar urdhëron:

“Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit!”

Ashtu siç u vu re edhe në dy hadithet e mëparshme, nëse bëhet durim ndaj problemeve dhe fatkeqësive, ato bëhen shkak i faljes së gjynaheve. Ndërsa këtu , na bëhet e ditur se me durim, vështirësitë kthehen në mirësi dhe shpërblime. Imam Gazaliu, e ka interpretuar në tre mënyra këtë çështje:

  1. Fatkeqësitë dhe sëmundjet që godasin hipokritin: Për shkak se hipokriti nuk bën durim në rast vështirësishë dhe ankohet e qahet, këto vështirësi janë padyshim një dënim për të.
  2. Fatkeqësitë dhe sëmundjet që godasin besimtarin: Besimtari bën durim ndaj këtyre, duke qenë i vetëdijshëm se këto janë prej Allahut. Në këtë mënyrë, fatkeqësitë që e godasin, bëhen shkak i faljes së gjynaheve të tij.
  3. Fatkeqësitë dhe sëmundjet që godasin besimtarët e pjekur që falënderojnë dhe janë të kënaqur me caktimin e Allahut: Në raste të tilla, besimtarët e falënderojnë Allahun. Në këtë mënyrë, problemet e tyre bëhen shkak i ngritjes së gradës së tyre tek Allahu.

Si përfundim, duhet të mos harrohet se, kjo botë është vendi i sprovave. Dhe, një nga mënyrat për të qenë në grada të larta tek Allahu, është kalimi prej fatkeqësive dhe vështirësive. Ajo që duhet të bëhet në këtë rast, është ta përballosh me durim dhe dorëzim çdo gjë që të godet. Këtu qëndron edhe fitorja e vërtetë e myslimanit. Pra, në një farë kuptimi, durimi është një mundësi që myslimani ka për të kthyer në favorin e vet çdo vështirësi dhe fatkeqësi.

Mësimi që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Jo çdo fatkeqësi dhe vështirësi që të godet, është pa tjetër një dënim.
  2. Myslimani ka mundësi ta ngrejë gradën e vet tek Allahu, duke bërë durim ndaj fatkeqësive dhe vështirësive.
Share.

Leave A Reply