Ebu Hurejre Abdurrahman Ibni Sahr (r.a.), ka transmetuar se i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë:

“Allahu i Madhëruar nuk sheh trupat dhe fytyrat, por zemrat tuaja.” (Muslim, Birr, 33. Shih. Ibni Maxhe, Zuhd, 9.)

 

Ebu Hurejre (r.a.).

Para se të pranonte Islamin, quhej Abdushems. Pasi u bë mysliman mori emrin Abdurrahman. Një ditë, ishte duke mbajtur një mace brenda rrobës së vet. Kur e pa i Dërguari i Allahut (a.s.), e pyeti:

“Çfarë është ajo?”

“Mace!” – u përgjigj ai. Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut (a.s.), filloi ta thërriste si me shaka, Ebu Hurejre, që do të thotë “babai i koteles”. Që prej asaj dite, ai u njoh me këtë llagap dhe emri i tij i vërtetë u harrua. Madje, atij i pëlqente shumë të thirrej me këtë emër që i vuri i Dërguari i Allahut (a.s.).

Ebu Hurejre (r.a.), u bë mysliman në vitin e shtatë Hixhri. Ai jetonte në një pjesë të Xhamisë së Profetit (a.s.), që quhej “sofa” dhe ishte një prej myslimanëve të varfër që quheshin “As’hab-i Suffe”. Ai nuk ndahej nga Profeti (a.s.), as natën, as ditën dhe përherë mundohej të mësonte hadithet që dëgjonte prej tij. Së bashku me përsëritjet e tyre, ai ka transmetuar 5374 hadithe, të cilat i ka dëgjuar personalisht nga Profeti ynë (a.s.), tre vitet e fundit të jetës së tij (Profetit) dhe prej sahabëve të mëdhenj. Kështu, ai ka transmetuar më shumë hadithe se çdo sahab tjetër. 609 prej transmetimeve të tij, gjenden edhe në “Sahihun” e Buhariut, edhe në atë të Muslimit.

Atyre që i thoshin se ka transmetuar shumë hadithe, u është përgjigjur duke thënë:

“Vëllezërit tanë prej muhaxhirëve merreshin me tregti dhe shit-blerjet në treg, ndërsa vëllezërit tanë prej ensarëve merreshin me bujqësi dhe plantacionet e hurmave. Kurse unë mjaftohesha me mbushjen e barkut dhe nuk ndahesha prej Profetit (a.s.). Unë gjendesha pranë të Dërguarit të Allahut (a.s.), kur ata nuk ishin dhe mësoja përmendësh ato që ata nuk i mësonin.”

Prej Ebu Hurejres (r.a.), kanë transmetuar hadithe më shumë se 800 sahabë dhe tabiinë. Në kohën e kalifatit të Omerit (r.a.), ai kreu detyrën e valiut të Bahrejnit për një farë kohe dhe më pas ka jetuar në Medinë, duke mos pranuar asnjë detyrë administrative. Ai ia dorëzoi shpirtin Allahut në Medinë, në vitin 59 Hixhri kur ishte në moshën 78 vjeçare.

Allahu qoftë i kënaqur me të!

 

Shpjegime

Në përgjithësi, njerëzit i japin rëndësi pamjes së jashtme. Njerëzit e bukur, të pashëm dhe të pasur janë më të respektuar në shoqëri. Ndërsa të shëmtuarit dhe të varfrit nuk kanë shumë vlerë. Mirëpo, këto kritere janë të atyre njerëzve të cekët, që nuk e njohin botën e shpirtit dhe të zemrës.

Ndërsa Allahu i Madhëruar, në vlerësimin e sjelljeve, qofshin të mira apo të këqija, nuk sheh as bukurinë trupore, e as pasurinë, sepse këto janë kritere të përkohshme. E rëndësishme është bukuria shpirtërore dhe pasuria e zemrës. Por, edhe më e rëndësishme, është reflektimi i kësaj bukurie shpirtërore dhe pasurie të zemrës në sjellje të bukura dhe adhurime të sinqerta… Të jetosh me entuziazmin e bamirësisë ndaj njerëzve dhe pasionin e devotshmërisë ndaj Allahut… Këto pra janë aftësitë e rëndësishme që nxjerrin në pah vlerën e vërtetë të njeriut.

Në një transmetim tjetër të këtij Hadithi fisnik që shënohet tek “Sahihu” i Muslimit, Allahu i Madhëruar i bën të ditur Profetit tonë (a.s.), se përveç zemrës, i jep vlerë edhe sjelljeve dhe adhurimeve:

“Allahu i Madhëruar nuk sheh fytyrat dhe pasurinë, por zemrat dhe veprat tuaja!” (Muslim, Birr, 34.)

Kjo do të thotë se, nëse zemra dhe sjelljet janë të mira, ato do t’i sjellin shpërblime të zotit. Në një ajet fisnik, Allahu i Madhëruar shprehet se Ai nuk i jep vlerë pamjes së jashtme, por bukurisë shpirtërore të njeriut:

“As pasuria juaj, as fëmijët tuaj nuk do t’ju afrojnë më shumë te Ne, por vetëm ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira (e meritojnë këtë). Ata do të kenë shpërblim të shumëfishtë për atë që kanë bërë…” [Sebe’, 37.]

Ndërsa i Dërguari i Allahut (a.s.), duke bërë me shenjë kraharorin e vet, ose më saktë, zemrën e vet, tha tre herë: “Takuaja (devotshmëria) është këtu!” (Muslim, Birr, 32; Tirmidhi, Birr, 18.) Po ashtu, edhe kjo tregon se vlera e vërtetë e njeriut qëndron në zotërimin e një zemre të sinqertë.

Në fund të Hadithit të njohur, ku bëhen të qarta në mënyrë të prerë hallallet dhe haramet dhe domosdoshmëria e ruajtjes edhe nga sjelljet që duken të dyshimta, Profeti ynë (a.s.), e ka theksuar kështu rëndësinë e zemrës:

“…Në trup ndodhet një copë mishi, e cila nëse është e mirë, i gjithë trupi është mirë. Por, nëse ajo është e prishur, i gjithë trupi prishet. Bëni kujdes! Ajo (copë mishi) është zemra!” (Buhari, Iman, 39, Muslim, Musakat, 107, 108.)

 

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Në vlerësimin e adhurimeve dhe sjelljeve të mira, Allahu i Madhëruar merr për bazë nivelin e sinqeritetit dhe qëllimin e mirë.
  2. Zemra është një qendër, e cila ka vlerë të madhe tek Allahu dhe kontrollohet vazhdimisht nga Ai. Për këtë arsye, është e domosdoshme që ajo të pastrohet nga ndjenjat e këqija dhe të pajiset me ndjenja dhe sjellje të bukura që këshillohen nga feja.
  3. Zemra është ajo që i bën adhurimet të pranueshme dhe të vlefshme. Për këtë arsye, pikësëpari, zemra duhet pastruar prej sëmundjeve shpirtërore si urrejtja dhe smira, e më pas duhet bërë përpjekje për ta përsosur atë.
Share.

Comments are closed.