Ibni Abasi dhe Enes Ibni Maliku (r.anhum), transmetojnë se i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë:

“Nëse biri i njeriut ka një luginë plotë me ar, ai do të dëshirojë edhe një tjetër. Gojën e tij nuk e mbush asgjë tjetër përveç dheut. Mirëpo, Allahu e pranon teuben e atij që pendohet.”

-Muttefekun alejhi-

(Buhari, Rikak, 10; Muslim, Zekat, 116-119. Shih. Tirmidhi, Zuhd, 27, Menakib, 32, 64; Ibni Maxhe, Zuhd, 27.)

Shpjegime

Gabimet, të cilat kërkojnë pendimin e njeriut, nuk përbëhen vetëm prej sjelljeve të këqija që gjithkush i konsideron gjynah apo që tregojnë mosrespekt ndaj Allahut. Edhe pangopësia dhe lakmia janë po aq të shëmtuara sa edhe gjynahet e tjera. Për rrjedhojë, në këtë Hadith theksohet se njeriu duhet të bëjë teube edhe për shkak të këtyre gjynaheve.

Ashtu siç e tronditin gjynahet botën shpirtërore të njeriut, edhe gjynahet si lakmia e tepërt për pasurinë e kësaj bote, e vënë në rrezik të ardhmen e tij. Në fakt, pangopësia është në natyrën e njeriut. Tek ai mbizotëron prirja për të mos u mjaftuar me atë që ka dhe ndjenja për të pasur sa më shumë. Kjo është edhe arsyeja që ai nuk mjaftohet me një luginë plot me ar, por kërkon edhe një tjetër. Madje, sipas një transmetimi tjetër: “Nëse i ka dy lugina me ar, ai do të kërkojë edhe të tretën”.

Ndërsa, me anë të këtij Hadithi fisnik, Profeti Muhamed (a.s.), ka vënë në pah shkakun kryesor të kësaj pangopësie:

“Edhe kur plaket, dy ndjenja të njeriut mbesin gjithmonë të reja: Njëra është lakmia për të fituar shumë, ndërsa tjetra është dëshira për të jetuar shumë.” (Buhari, Rikak, 5; Muslim, Zekat, 115.)

Me shprehjen “gojën”, ose sipas një transmetimi tjetër, “barkun e njeriut e mbush vetëm dheu”, Profeti ynë (a.s.), dëshiron të thotë se, e vetmja gjë që mund ta shpëtojë njeriun nga problemi i lakmisë, është vdekja. Pra, pa u futur në dhe, syri i tij nuk ngopet kurrë. Kjo pangopësi e birit të njeriut, buron prej koprracisë së tij. Mbledhja e pasurisë pa e shpenzuar, është një nga cilësitë më të spikatura të koprracit. Këtë dobësi tonën, Allahu i Madhëruar e shpreh duke thënë:

“Thuaj: «Sikur ju të zotëronit thesaret e mëshirës së Zotit tim, edhe atëherë ju do të rrudhnit dorën nga droja, se do të shpenzoheni. Njëmend, njeriu rëndom është koprrac!»”. [Isra, 100.]

Nëse ndjenja për të fituar shumë është e ekuilibruar dhe nuk e largon njeriun prej qëllimit të krijimit, ajo mund të bëhet e dobishme, sepse një mysliman që fiton shumë, do të bëjë më shumë mirësi me pasurinë që fiton. Për të dhënë zekatin dhe sadakanë që parashikohet në urdhëresat e Islamit dhe për të bërë shpenzimet e kërkuara në rrugën e Allahut, duhet të jesh i pasur. Dhe, për t’u bërë i pasur, njeriu duhet të zotërojë edhe dëshirën për të fituar shumë. Por, nëse ndjenja për të fituar shumë që zë vend në zemrën e tij, e bën atë të harrojë botën tjetër, e nëse dashuria për këtë botë e merr peng dhe i pushton zemrën, atëherë, kjo ndjenjë është bërë jashtëzakonisht e rrezikshme për të.

Falënderimi i takon Allahut të Madhëruar, i Cili i ka dhënë njeriut edhe forcën për t’i frenuar ndjenjat e dëmshme dhe dëshirat ekstreme. Një njeri që e mbizotëron vullnetin e vet, e ka shumë të lehtë t’i marrë nën kontroll këto lloj dobësish. Në momentin kur ai e ndjen se është lidhur tepër pas pasurisë së kësaj bote dhe kënaqësive të saj, ai kthehet nga Zoti i vet, i hap duart dhe kërkon ndihmë prej Tij. Dhe, siç e kemi përmendur edhe në hadithet e mësipërme, Allahu do ta ndihmojë një njeri të tillë.

Në këtë Hadith fisnik, vihet re edhe një hollësi e tillë:

Për shkak se njeriu është krijuar nga toka, në natyrën e tij gjenden edhe cilësitë e tokës. Herë-herë, toka thahet, digjet nga i nxehti dhe ka nevojë për ujë. Atë mund ta ringjallë vetëm Allahu i Madhëruar me shirat e bollshëm që do t’i falë. Ja pra, pikërisht atëherë kur toka ringjallet përsëri, ajo nxjerr njëmijë e një bukuri që të përkëdhelin shpirtin. Kështu është edhe njeriu. Kur egoja dhe lakmitë e tij që nuk kanë fund e marrin peng dhe ai humbet cilësitë njerëzore, e vetmja mënyrë që ai të vijë në vete, është t’i kthehet Allahut dhe të kërkojë ndihmë prej Tij. Përndryshe, uria që ai ndjen ndaj pasurisë së kësaj bote, do të vazhdojë duke u shtuar. Atëherë, përveç dheut të varrit, asgjë tjetër nuk ia mbush syrin kësaj qenieje të krijuar nga toka.

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Të qenit i kënaqur me mirësitë që të jep Allahu, është një virtyt shumë i bukur.
  2. Lakmia dhe pangopësia, e stresojnë njeriun në këtë botë dhe e shkatërrojnë atë në botën tjetër, nëse ai bën padrejtësi për shkak të tyre.
  3. Zgjidhja e vetme për të shpëtuar prej pangopësisë, është që në fillim, t’i lutesh Allahut të të shpëtojë prej saj dhe më pas të kërkosh falje për gjynahet që janë bërë për shkak të pangopësisë.
  4. Allahu i Madhëruar e pranon teuben e robit, i cili pendohet për veset e tij të këqija.

*

(txt arb)

  1. Ebu Hurejre (r.a.), transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë:

“Allahu i Madhëruar qesh (kënaqet) me dy njerëz të cilët luftojnë mes vete; njëri e vret tjetrin dhe të dy hyjnë në Xhenet! Njëri prej tyre lufton në rrugë të Allahut, vritet dhe hyn në Xhenet. Ndërsa vrasësi bën teube tek Allahu për vrasjen, e pranon Islamin e më pas bie edhe vetë dëshmor (në rrugë të Allahut).”

-Muttefekun alejhi-

Shpjegime

Në këtë Hadith fisnik, bëhet e ditur se Allahu i Madhëruar, i Cili i përfshin me mëshirë të gjithë robërit e Tij, mund t’i pastrojë edhe mohuesit me anë të teubes dhe t’i vendosë në Xhenetin e Tij.

Teubeja për gjynahet, është një rrugë shpëtimi për të gjithë njerëzimin. Të gjithë ata që dëshirojnë një lumturi të pafundme, mund ta garantojnë të ardhmen e tyre duke bërë teube. Madje, nëse dikush vret një luftëtar, i cili lufton për të përhapur fenë e Allahut në të gjithë botën, duke rënë kështu në gropën e gjynahut, e më pas e kupton se është në rrugë të gabuar dhe kthehet në Islam, duke bërë teube për të gjitha gjynahet që ka bërë, edhe ai do të shkojë në Xhenet bashkë me atë që ka vrarë më parë dhe të dy do të shohin bukurinë e Allahut. Ja pra, në këtë Hadith, Profeti ynë (a.s.), na bën të ditur kënaqësinë e Allahut ndaj gjendjes së habitshme të këtyre dy robërve, njëri prej të cilëve e vret tjetrin dhe të dy hyjnë në Xhenet.

Në tekstin e Hadithit, kënaqësia e Allahut të Madhëruar me këta dy njerëz, është treguar në mënyrë metaforike, duke u shprehur se: “Allahu i Madhëruar qesh me gjendjen e këtyre dy robërve”. Në fakt, është e pamundur të mendohet se Allahu i Madhëruar përjeton gjendje të tilla si qeshja apo qarja. Prandaj, mund të themi me siguri se me këtë fjalë, është dashur të tregohet kënaqësia e Allahut.

Siç shihet, mëshira dhe butësia e Allahut të Madhëruar është shumë e madhe. Këtë e tregon edhe ajeti fisnik, ku urdhërohet, “…Zoti yt është i Gjerë në falje!..” [Nexhm, 32.] Ashtu siç është e gjerë mëshira e Allahut, ashtu është i gjerë edhe Xheneti i Tij. Ai është aq i gjerë, sa mund të mbajë të gjithë njerëzimin. Madje, siç tregohet në një Hadith fisnik, njeriu i fundit që do të hyjë në Xhenet, do të zotërojë një vend sa e gjithë toka, madje dhjetëfish sa toka. (shih. hadithet 1887-1888.)

Nëse njeriu e mëson se sa të gjera janë mëshira dhe Xheneti i Allahut dhe nuk përpiqet të fitojë mëshirën dhe Xhenetin e Tij, duke zgjedhur rrugën e teubes që këshillon Ai, atëherë ai gjendet në një shkujdesje shumë të madhe!..

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Mëshira dhe falja e Allahut janë jashtëzakonisht të mëdha.
  2. Sado i madh të jetë gjynahu i bërë, njeriu nuk duhet të humbasë shpresat tek Allahu dhe patjetër duhet të bëjë teube për gjynahet e tij.
  3. Ashtu si pranimi i Islamit e pastron njeriun nga të gjitha ndyrësitë e të qenit i pa fe, ashtu edhe teubeja e pastron atë nga të gjitha gjynahet e mëparshme.
  4. Të gjithë ata që japin jetën në rrugën e Allahut, do të shkojnë në Xhenet.
  5. Ne nuk e dimë se kush dhe si do të vdesë. Edhe një mohues mund të udhëzohet dhe të bëhet mysliman, duke fituar kështu Xhenetin dhe shikimin e bukurisë Hyjnore.
Share.

Leave A Reply