Të dashurin e Tij që do ta dërgonte si mëshirë për botët, Allahu i Lartë e solli në botën e qenies duke e kulluar, nga fleta e parë e kalendarit të njerëzimit, nëpër gjenealogjinë më të pastër e më fisnike. Duke e bërë këtë brez të veçantë e të papërsëritshëm epror në shumë aspekte në krahasim me brezat e tjerë, të gjithë të parët e të Dashurit të Tij i ka bërë personalitete të kohëve të tyre të denjë për lavdërim. Sa bukur e ka shprehur poeti këtë:

Origjina e trëndafilit është trëndafil,

Brezi i Pejgamberit është trëndafil…

Qysh nga njeriu dhe profeti i parë, Hz. Ademi (a.s.), nga të gjithë profetët është marrë fjalë se do ta besojnë dhe do ta lajmërojnë ardhjen e profetit Muhammed (s.a.s.) dhe kanë ndodhur shumë ngjarje që kanë paralajmëruar ardhjen e tij.

Kështu, Allahu i Lartë ia ka bërë të njohur me të gjitha shenjat pejgamberin (lajmëtarin) e shquar që do të kishte mirësinë t’ia dërgonte njerëzimit dhe ua ka lehtësuar robve me arsye të shëndoshë njohjen e tij.

Duke e lënë atë jetim pa nënë e pa babë, Allahu i Lartë e ka marrë në dorën e fuqisë së vet edukimin e tij dhe e ka edukuar atë në mënyrën më të mirë. Duke e bërë atë ta shijojë kulmin e gjendjes së dobësisë për sa i përket aspektit ekonomik dhe pozitës shoqërore, ka dëshiruar në mënyrë volitive që ai të lartësohet cilësisht në kulm për sa i përket ndjenjave të dhembshurisë, mëshirës dhe ndihmës ndaj njerëzve që do t’i liheshin amanet në të ardhmen.

Duke e mbrojtur njeriun e Tij të dashur nga të gjitha llojet e të këqijave dhe shëmtive të periudhës së injorancës pagane e politeiste paraislame, Allahu i Lartë nuk ka lejuar kurrë t’i vihet edhe njolla më e vogël jetës së tij dhe ka bërë që tek ai të gjejë shfaqjen e vet të plotë përkryerja e moralit të lartë.

Njerëzit e kanë njohur Profetin me vetitë morale, si besnikëria, sinqeriteti dhe principialiteti, mëshira, ndihma, ndjenja e ngopjes dhe mbajtja e fjalës, si dhe me epërsi të tilla, si mençuria dhe zgjuarsia, dhe kanë pasur besim tek ai në të gjitha veprimet dhe punët e tij. Allahu i Lartë ka mbledhur dhe bashkuar tek ai çdo gjë të mirë e të bukur, të gjitha vetitë e larta. As armiqtë, madje, nuk kanë mundur ta vënë në dyshim moralin e tij të lartë! Për më tepër, kanë qenë vetë ata që ia patën dhënë atij atributin el-Emin, i Besueshmi, para se t’i vinte mesazhi hyjnor dhe profetësia. Edhe gjykimi në Qabe i Profetit tonë, Krenarisë së Gjithësisë, e shpalos në mënyrë tejet të qartë pozitën krejt të veçantë dhe përjashtimore të tij mes parësisë fisnike të Kurejshve. Kur fliste i Dërguari i Allahut (s.a.s.), njerëzit kurrsesi nuk dyshonin për drejtësinë e fjalës së tij, kur bënin një punë së bashku me të, kurrsesi nuk dyshonin për bukurinë e moralit të tij të lartë dhe, kur i kërkonin ndihmë dhe kur i bindeshin atij, kurrsesi nuk e vinin në dyshim sinqeritetin e tij të lartë!

Allahu i Lartë e krijoi dhe i dha jetë profetit Muhammed (s.a.s.) si njeriu më i përsosur edhe për sa i përket karakterit. Sepse ai do të bëhej një shembull dhe model i bukur për njerëzit dhe do t’i fuste ata në rrugën e drejtë dhe sepse njerëzit bëhen më tepër admirues dhe pasionantë ndaj karakterit sesa pozitës dhe postit. I vlerësojnë gjenitë, por ndjekin vetëm ata me karakter të lartë!

Share.

Comments are closed.