E gjithë bota është fushë e davetit islam. Profeti a.s, sipas kushteve të kohës, duke dërguar dikë prej njerëzve të vet, është futur në një lloj dialogu me mbretërit e shumë vendeve. Ndërsa shokët e Profetit a.s, me vullnet të hekurt dhe pa u lodhur, kanë shkuar nga Kina e deri në Semerkand.

Në ditët e sotme, ku pothuajse nuk ekziston më pengesa e largësisë, kemi për detyrë të shpjegojmë dhe të përhapim mësimet e Islamit në çdo vend. Veçanërisht në këtë kohë, kur Islami po përballet me padrejtësitë më të mëdha dhe shpifjet për terrorizëm, e kemi për detyrë t’i tregojmë botës se Islami nuk është i tillë dhe se vetë Profeti a.s, e ka kaluar një pjesë të mirë të detyrës së tij profetike prej 23 vitesh, duke luftuar me terrorin. Prandaj është kusht që, me një vetëdije të plotë, të zhvillohet një dialog i frytshëm me jomyslimanët. Gjatë këtyre dialogjeve duhet pasur kujdes në disa pika:

  1. Kurrë nuk duhet të harrohet se Islami është feja e vetme e pranuar tek Allahu. Hebraizmi dhe Kristianizmi, në themelin e tyre janë fe të vërteta. Mirëpo, me kalimin e kohës, kanë devijuar. Në sajë të këtyre devijimeve, Kristianizmi është bërë fe që pranon trininë (tre zota), ndërsa Hebraizmi është kthyer në një fe antropomorfe. Ndërsa Islami është fe e teuhidit.
  2. Një çështje tjetër është edhe “ruajtja e sinqeritetit”. Si shembull mund të përmendim dialogun e Musait u, me faraonin, që na jepet edhe në Kuranin Kerim. Musai a.s, shkon tek faraoni për ta ftuar në rrugën e drejtë dhe zhvillon një dialog me gjuhë të ëmbël (të butë). Megjithatë, gjatë dialogut ai (Musai) nuk lëshon pe në asnjë prej çështjeve të fesë. Si rezultat i këtij sinqeriteti, Musai a.s, nderohet me udhëzimin e magjistarëve, të cilët ishin thirrur nga faraoni për t’u përballur me të.
  3. Për të arritur një qëllim të lejuar, Islami përdor mëny­ra të lejuara. Një qëllim jo i lejuar nuk mund të arrihet me mënyra të lejuara. Edhe kjo është një nga çështjet më delikate të Islamit.

Shembulli më i mirë i kësaj është jeta profetike prej 23 vitesh e Profetit a.s. Për të predikuar Islamin, Pejgamberi a.s nuk ka përdorur asnjë mënyrë, të cilën nuk e ka aprovuar Allahu i Lartmadhëruar. Në lidhje me këtë, mund të përme­ndim luftën e Bedrit:

Siç e dimë, në luftën e Bedrit, numri i myslimanëve ishte sa një e treta e numrit të mushrikëve. Gjatë rrugës për në fushën e betejës, Profeti a.s, bashkë me Aliun dhe Ebu Lubaben r.a, përdorën të njëjtën deve, së cilës i hipnin me radhë. Dy mushrikë prej Medinës, që erdhën nga pas, e arritën ushtrinë dhe dëshiruan që të luftonin përkrah myslimanëve. Profeti i Allahut a.s, i pyeti:

-Ju dolët bashkë me ne për udhë?

Mushriku, që quhej Hudejb, u përgjigj:

– Jo!

Profeti a.s, tha:

– Atëherë kthehuni! Ne nuk kemi nevojë për ndihmën e një mushriku!..

Hudejbi nguli këmbë duke thënë:

– Unë njihem nga gjithë fisi im për trimëri dhe bëma.

Profeti a.s, tha:

– Jo, më parë bëhu mysliman, pastaj lufto!

Pak më vonë, Hudejbi erdhi përsëri dhe i kërkoi të njëjtën gjë. Mirëpo përgjigjja nuk ndryshoi. Ky veprim i vendosur i Profetit a.s, duke e ditur gjendjen e ushtrisë së tij përballë ushtrisë së mushrikëve, ndikoi thellë në shpirtin e Hudejbit. Më në fund, Hudejbi, me një emocion të papërshkrueshëm, deklaroi se u bë mysliman. Profeti a.s, i cili u gëzua jashtë mase, tha:

– Tani bëj çfarë të duash! (Shih. Muslim, Xhihad, 150) Shkurtimisht, në marrëdhëniet me jomyslimanët nuk duhet lëshuar pe në urdhrat e Allahut, sunetin e Profetit a.s dhe në parimet delikate të davetit (ftesës për në fenë islame). Nuk duhet harruar se një lëshim i vogël në këtë çështje, mund të shkatërrojë besimin. Në Kuranin fisnik urdhërohet:

“Kush i bindet të Dërguarit, i është bindur Allahut…” (Nisa, 80)

“O ju që keni besuar! Mos nxitoni para (urdhrit të) Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe kijeni frikë Allahun!..” (Huxhurat, 1)

Nuk duhet harruar se lëshimi pe në disa çështje, gjatë dialogut me jomyslimanët, kufizohet vetëm për ata persona që e bëjnë këtë gabim. Prandaj, për shkak të këtyre mendimeve individuale, nuk duhet paragjykuar një bashkësi e tërë, e cila mund të jetë në rrugë të drejtë. Këto veprime të tepruara mund të cënojnë zemrat e besimtarëve, që mundohen dhe punojnë brenda rregullave dhe normave Islame.

Share.

Leave A Reply