Neslihan Nur Turk

Nëse ke thënë: “Dëgjova dhe besova!”, çohu!

Nëse po lodhesh për të dëshmuar besimin, mundohu!

Me të vërtetë, kush kërkon gjen. Çdo të eturi që kërkon ujë, i djegur, i përmalluar e i tharë, i jepet ujë. Çështja është të arrish të falënderosh siç duhet pasi ke arritur tek uji. Dhe falënderimi nuk tregohet duke përsëritur thjesht fjalën “faleminderit”, por duke u përpjekur të kesh frikë Allahun ashtu siç duhet. (shih. Al-i Imran, 3/123.)

Meqenëse falënderimi i vërtetë është i mundur vetëm me bindjen ndaj urdhrave të Allahut dhe ruajtjen nga ndalesat e Tij, atëherë duhet hequr dorë nga sjellja sipas qejfit dhe duhet besuar pa kushte.

Njeriu i beson më tepër atij që do. Ndërsa ndaj atij që nuk do, mban distancë dhe është i kujdesshëm. Shprehjet, si vallë, por, pse, apo vështirësia dhe ngurrimi në të besuar janë shenja të dyshimeve. Ndërsa besimi i vërtetë nuk bart asnjë ngurrim.

Besim do të thotë të pranosh në mënyrë të prerë vërtetësinë e dikujt, ta konsiderosh atë një qenie të lartë, pas të cilit mund të lidhesh dhe t’i drejtohesh atij me një respekt të palëkundshëm. Për çfarë nevojitet një besim kaq i fortë? Për të arritur përsosmërinë në zemër dhe për rrjedhojë edhe në sjellje dhe fjalë. Me çfarë mund të arrihet ky synim? Natyrisht që me dashurinë e një besimtari të përkryer…

Dikush që nuk të do aq sa të mund të thotë “dëgjova dhe besova”, nuk mund as të të imitojë. Përngjasimi i atij që dashuron me atë që dashurohet, është për shkak se ai e pranon atë si qenien më ideale. Kur besojmë se tek dikush janë mbledhur të gjitha virtytet e larta, dëshirojmë t’i ngjajmë atij. E ndjekim, mundohemi të jetojmë si jeton ai dhe të jemi pranë tij sa herë që të kemi mundësi. Kur e duam dikë aq sa bëhet ideali ynë, ne marrim shembull mënyrën e jetesës së tij dhe përvetësojmë parimet e tij. Dashuria e vërtetë nuk është një fjalë e cila përsëritet vetëm me gjuhë, por ajo që bëhet shkak i një ndryshimi që shihet me sy dhe ndihet me zemër.

*

Në këtë pikë, po tregojmë një histori:

Në një fshat jetonte një djalë i ri, i cili donte një vajzë nga fshati, e cila quhej Aishe. Ai i shkonte poshtë shtëpisë së saj, i këndonte serenata, e lëvdonte me poezi dhe gjithmonë i shprehte dashurinë.

Kjo vazhdoi për një kohë të gjatë. Aq sa Aisheja filloi të mendonte: “Vallë, kur do vijë në shtëpi e të më kërkojë dorën?” Ndërkohë që ajo ishte zhytur në këto mendime, djali ia beh përsëri. Aisheja po priste t’i thoshte ndonjë gjë të tipit: “Sot do vijmë nga ju për një sebep”,  kurse djali i thotë:

– Aishe të dua shumë! Por do të martohem me Fatimen. Të pres në dasmë. Do vish apo jo?

– …!!…??…

*

Kur njeriut nuk i përputhen fjalët me veprat, do të dalë në pah një tablo e tillë. Duhet të pyesim veten: “Vallë, po ne, kështu si ky djali sillemi kundrejt atyre që themi se i vlerësojmë dhe i duam?” Si është gjendja jonë kur bëhet fjalë për besnikëri, bindje apo veprim; kur duhet të sakrifikojmë dhe të dëshmojmë?

Në fakt, fjalët e dashurisë që nuk janë dëshmuar me vepra dhe nuk kanë kaluar përtej fjalëve, nuk kanë asnjë vlerë. Por më e rëndësishme është të pyesim veten: “Vallë, po ne, të njëjtën gjë bëjmë kundrejt njeriut me moralin më të bukur, Pejgamberit tonë të dashur (a.s.).”

Sa i kemi ngjarë atij në mendime, fjalë apo punë? A mundëm të bëhemi sa thoi i tij në sakrificë? Sa e morëm shembull atë në lidhje me përjetimin me moslëkundje, dashuri dhe vendosmëri në atë që beson? Sa i ndoqëm gjurmët e të dashurve të Allahut, që janë edhe trashëgimtarët e tij? Kur themi, “e dua!”, të bëjmë kujdes se me çfarë e kemi lidhur zemrën tonë, me të vërtetën apo me të kotën?

Nëse një mysliman thotë, “besova!”, pastaj ndihmon jahuditë, të krishterët ose idhujtarët me paratë e veta, këtu ka një kontradiktë serioze. Një besimtar, në dukje dëshiron të marrë dije; por, nëse ai e shpenzon kohën, vëmendjen dhe pasionin e tij në gjëra të padobishme, kjo është shumë e çuditshme. Një nënë, e cila thotë se dëshiron që fëmijën e saj ta edukojë si vajzën e Pejgamberit (a.s.), por shkon dhe e edukon për gjëra të kësaj bote, edhe këtu del në pah në çudi. Nëse dikush agjëron gjithë ditën dhe në mbrëmje bën iftar me ushqim haram ose, nëse i fal pesë kohët e namazit, duke qëndruar përpara Allahut, pastaj lë mënjanë fenë në kohën më të nevojshme dhe thotë “jam rob i robit”, kjo është me të vërtetë e pakuptimtë. E njëjta gjë është edhe me atë që, pasi thotë se është i mahnitur me karakterin e Omerit (r.a.), shkon e blen edhe një veshje tjetër pa pasur nevojë, duke shpërdoruar pasurinë.

Mirëpo edhe gjella që është duke zier edhe trëndafili që është duke çelur, madje edhe kufoma që është duke u kalbur, e kanë erën e tyre të veçantë. Prej çdo zjarri përhapet tym, nxehtësi dhe erë. Zjarri i vërtetë lëshon shkëndija. Zjarri i vërtetë të djeg e të pjek. Atëherë, të hedhësh slogane dashurie artificiale, si “U dogja nga malli për ty, o Rasulallah!” dhe të mos ketë asnjë shenjë tymi, zjarri apo shkëndije, është diçka shumë e çuditshme.

Po ashtu edhe femrat besimtare, që pasi thonë “besova”, shpenzojnë një mal me para për të blerë veshje ekstremisht të ngushta, duke u futur kështu në kategorinë e “të veshurve lakuriq” (shih. Muslim, Xhennet 52.), janë shumë të çuditshme. E njëjta gjë ndodh edhe me meshkujt besimtarë që, megjithëse sytë i kanë të krijuar me kapakë, vazhdojnë me këmbëngulje të shohin haramin. (shih. en-Nur, 30.) Çudi është edhe me ata, që pasi thonë “jam mysliman elhamdulilah”, vazhdojnë të hanë kamatën, të mashtrojnë njerëzit dhe të tradhtojnë amanetin; apo edhe me ata që thonë, “jemi prej umetit të Muhamedit” dhe e konsiderojnë veten të drejtë e të pafajshëm pas çdo lloj gjynahu, madje përpiqen edhe ta shfajësojnë veten.

Ndërkohë që duhet të merremi me verifikim, ne kemi probleme edhe në imitim; nëse themi “besova” dhe na ikin namazet, këtu ka diçka që s’shkon. Sa e çuditshme është që tashmë edhe vetë myslimanët nuk e respektojnë edukatën e Ramazanit, por hanë në mes të ditës në sy të të gjithëve.

Ndërkohë që mirësitë duhet t’i bëjmë vetëm për hir të Allahut, është e pakuptimtë që t’i bëjmë ato për hir të humanizmit me logjikën e pëlqimit nga të gjithë. Sa e trishtueshme është gjendja e egove tona që prodhojnë arsyetime pas arsyetimesh. Sa e hidhur është gjendja e njeriut, që e humbet mirësinë e namazit me xhemat, ndërkohë që dera e shtëpisë së tij është përballë derës së xhamisë.

Ejani, pa u bërë ende vonë të kthehemi me gjithë qenien tonë në gjurmët e njeriut me moralin më të bukur, në gjurmët e të Dashurit të Allahut (a.s.). Sa herë që themi “shehadetin”, deklarojmë me gjuhë se Allahu është Një i Vetëm dhe se Muhamedi (a.s.), është i Dërguari i Tij. Tashmë, këtej e tutje, le ta vendosim Kuranin dhe sunetin në qendër të jetës sonë. Çështjet e çuditshme le të ndërrojnë vend në sajë të faljes e të bëhen mëshirë.

O Allah! Çështjet dhe zemrat tona merri në anën e kënaqësisë Tënde. Bëj që të kuptuarit, të mësuarit dhe besimi ynë të jenë të fortë. Na pajis me dashurinë që dashuron Ti dhe na fut në radhët e fatlumëve, që i ngjajnë të Dashurit Tënd dhe takohen në xhenet me atë të cilit i ngjajnë! Amin!

Përktheu: Ilir Hoxha

Share.

Leave A Reply