Cat Stevens - Ish-ylli i muzikës pop - Mirësia Islame

Cat Stevens – Ish-ylli i muzikës pop

Nga Jusuf Islam (Cat Stevens) Çfarë kam për të thënë është gjithçka që ju e dini tashmë, për të vërtetuar atë për të cilën jeni tanimë në dijeni, mesazhin e Profetit, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, si…


Publikuar:

Nga Jusuf Islam (Cat Stevens)

Çfarë kam për të thënë është gjithçka që ju e dini tashmë, për të vërtetuar atë për të cilën jeni tanimë në dijeni, mesazhin e Profetit, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, si të dhënë prej Zotit, fenë e së vërtetës. Si krijesa njerëzore, ne na është dhënë një vetëdije dhe një detyrë që na ka vendosur në majë të krijimit. Eshtë e rëndësishme të kuptojmë detyrimin për t’i zhdukur iluzionet dhe për t’i bërë jetët tona përgatitje për jetën tjetër. Çdokush që nuk e shfrytëzon këtë mundësi, nuk ka të ngjarë t’i jepet një tjetër, për t’u kthyer pareshtur, sepse në Kur’anin e lavdishëm thuhet se kur njeriut do t’i kërkohet llogari, ai ka për të thënë, “O Zot, na kthe dhe na jep një mundësi tjetër. Zoti do të thotë, ‘Do të bëni të njëjtën gjë nëse ju kthej.’”

Edukimi im i hershëm fetar

Unë u rrita në botën moderne të luksit dhe ekstravagancës së industrisë së spektaklit. U linda në një shtëpi kristiane, por ne e dimë se çdo fëmijë lind me natyrën e tij fillimore; janë prindërit ata që e kthejnë atë nga kjo apo jo fe. Mua më ishte dhënë kjo fe (Krishterimi), dhe mendoja në këtë mënyrë. Më qe mësuar se Zoti ekzistonte, por nuk kishte lidhje të drejtpërdrejtë me të, kështu që lidhjen do ta bënim nëpërmjet Jezusit; ai ishte në fakt dera për te Zoti. Kjo u pranua pak a shumë nga unë, por nuk e gëlltita të tërën.

U hidhja sytë ca prej shtatoreve të Jezusit; ato ishin thjesht gurë pa jetë. Dhe kur ata thanë se Zoti është tresh, u çorodita dhe më keq, por nuk mund të diskutoja. E besova deri diku, se më duhej të kisha respekt për besimin e prindërve të mi.

Yll i muzikës pop

Dalëngadalë u ftoha nga ky edukim fetar. Fillova të merresha me muzikë. Doja të bëhesh një yll i madh. Më mbërthyen të gjitha ato gjëra që pashë në filma dhe në media, e mbase mendoja se ky ishte Zoti im, synimi për të bërë para. Kisha një ungj me një makinë të bukur. “Në rregull”, thashë, “ka qenë i suksesshëm. Ka goxha para”. Njerëzit rreth meje ndikuan tek unë që të mendoj se kjo ishte çështja; kjo botë ishte Zoti i tyre!

Atëherë vendosa se kjo qe jeta për mua; të bëj shumë para, të kem një “jetë të madhe”. Tashmë shembujt e mi ishin yjet e popit. Fillova të bëj këngë, por thellë kisha një ndjenjë për njerëzinë, një ndjenjë se nëse bëhesha i pasur do t’i ndihmoja nevojtarët.

Kështu, ajo çka ngjau qe se u bëra shumë i famshëm. Isha ende një adoleshent, dhe emri e fotografia ime zinin vend në përmasa të mëdha në tërë mjetet e informimit. Ato më bënë më të madh se jeta, prandaj doja të jetoja më i madh se jeta. Dhe e vetmja mënyrë për ta bërë këtë ishte të dehesha, me pije alkoolike dhe drogë.

Në spital

Pas një viti suksesi financiar dhe jete të “lartë”, u sëmura rëndë, mora tuberkulozin, dhe do të shtrohesha në spital. Pikërisht atëherë fillova të mendoj. Çfarë do të ngjiste me mua? Isha veç një trup, dhe qëllimi im në jetë ishte thjesht ta kënaqja këtë trup? Kuptova tani se kjo fatkeqësi ishte një bekim prej Zotit, një mundësi për të hapur sytë. Pse jam këtu? Pse jam në shtrat? Dhe nisa të kërkoj përgjigjet. Në atë kohë kishte interes të madh për misticizmin lindor. Fillova të lexoj, dhe gjëja e parë për të cila nisa të bëhem i vetëdijshëm qe vdekja, dhe se shpirti bën përpara; ai nuk ndalon. Ndjeja se po merrja rrugën për nga lumturia dhe arritja e lartë. Fillova të përsias. Ajo çka besoja tani në veçanti qe se unë nuk isha thjesht një trup. Kjo vetëdije më erdhi në spital.

Më pas kuptova se kisha një vullnet, një dhuratë të dhënë nga Zoti: ndiq vullnetin e Zotit! Isha i magjepsuar nga terminologjia e re që po mësoja në fenë lindore. Tani isha i ngopur me Krishterimin. Fillova të merrem përsëri me muzikë, dhe këtë herë nisa të reflektoj mendimet e mia. U bëra edhe më i famshëm në botën e muzikës. Në të vërtetë, pata një kohë të vështirë, sepse po pasurohesha dhe po merrja famë, e në të njëjtën kohë isha sinqerisht në kërkim të së vërtetës. Erdhi një moment kur vendosa se Budizmi është fisnik dhe i duhuri, por nuk isha i gatshëm ta lija botën. Qeshë shumë i dhënë pas botës, dhe nuk isha përgatitur të bëhesha murg apo të izolohesha nga shoqëria.

Provova Zenin dhe Çingun, numerologjinë, kartat tarot dhe astrologjinë. U përpoqa të ktheja sytë nga Bibla, por nuk mund të gjeja asgjë. Në atë kohë nuk kisha asnjë njohuri mbi Islamin, dhe atëherë ngjau ajo që unë e quajta një mrekulli. Im vëlla kishte vizituar xhaminë në Jerusalem, dhe ishte i prekur thellë nga fakti se ndërsa, në njërën anë, ajo gjëmonte nga jeta, ndryshe kishave dhe sinagogave që ishin bosh, në anën tjetër, mbizotëronte një atmosferë paqeje dhe qetësie.

Kur’ani

Kur erdhi në Londër, ai solli një përkthim të Kur’anit, të cilin ma dha mua. Dhe kur e mora librin, një udhëzim që do të më shpjegonte gjithçka – kush isha, cili ishte qëllimi i jetës, ç’ishte realiteti dhe ç’do të qe realiteti, nga vija – kuptova se kjo ishte feja e vërtetë. Fe jo në domethënien që e kupton Perëndimi, jo lloji vetëm për pleqërinë tuaj. Në Perëndim është quajtur fanatik kush dëshiron ta përqafojë një fe dhe e bën atë mënyrë të tij të jetesës. Unë nuk isha fanatik; fillimisht isha i pështjelluar midis trupit dhe shpirtit. Atëherë kuptova se trupi dhe shpirti nuk janë të ndarë, dhe se nuk është e nevojshme të shkosh në mal për të qenë fetar. Ne duhet të ndjekim vullnetin e Zotit. E para gjë që doja tani ishte të bëhesha musliman.

Kuptova se gjithçka i përket Zotit, se gjumi nuk e zë Atë. Ai krijoi gjithçka. Në këtë çast fillova të humb krenarinë për veten, sepse deri atëherë kisha menduar se madhështia ime ishte arsyeja e qenies sime këtu. Kuptova se nuk u krijova vetë, dhe se i tërë qëllimi i qenies sime këtu ishte t’u nënshtrohesha mësimeve të përsosura nga feja që ne e njohim si Islam. Në këtë kohë fillova të zbuloj besimin tim. E ndjeva se isha musliman. Me leximin e Kur’anit kuptova se të gjithë profetët e dërguar prej Zotit sollën të njëjtin mesazh. Pse atëherë hebrenjtë dhe krishterët ishin ndryshe? Mësova tani si hebrenjtë nuk e pranuan Isain si Mesinë, dhe se e kishin ndryshuar Fjalën e Tij. Edhe krishterët e kuptuan gabim fjalën e Zotit, dhe e quajtën Jezusin bir të Tij. Gjithçka kishte aq shumë kuptim! Kjo është bukuria e Kur’anit; ai u kërkon të reflektoni dhe të arsyetoni, e jo të adhuroni diellin dhe hënën, por të Vetmin, që ka krijuar gjithçka. Kur’ani i kërkon njeriut të reflektojë mbi diellin dhe hënën, mbi krijimin e Zotit në përgjithësi. A e kuptoni sa i ndryshëm është dielli prej hënës? Ato janë në largësi të ndryshme nga toka, por shfaqin të njëjtën madhësi për ne; nganjëherë ngjan që njëri ta mbulojë tjetrin.

Kur e lexova më tej Kur’anin, ai fliste mbi namazin, mirësinë e bamirësinë. Nuk isha ende një musliman, por e ndjeja se e vetmja përgjigje për mua ishte Kur’ani. Por Kur’ani flet në nivele të ndryshme. Fillova ta kuptoj atë në një tjetër nivel, ku thotë, “Ata që besojnë të mos i marrin jobesimtarët për miq, dhe besimtarët janë vëllezër”. Kështu, tani dëshiroja të takoja vëllezërit e mi muslimanë.

Konvertimi

Vendosa të udhëtoj për në Jerusalem, siç kishte bërë im vëlla. Atje hyra në xhami dhe u ula. Dikush më pyeti se çfarë doja. I thashë se isha musliman. Kërkoi të dijë emrin tim. “Stivënz (Stevens)”, u përgjigja. Ai u çorodit. Pastaj iu bashkova namazit, edhe pse jo me aq sukses. Në Londër takova një motër të quajtur Nefise. I tregova se doja të përqafoja Islamin, dhe ajo më drejtoi te xhamia Nju Rixhënt (New Regent Mosque). Kjo qe në 1977-n, rreth një vit e gjysmë pasi mora Kur’anin. Tani e kuptova se duhej ta hiqja qafe krenarinë, djallin, dhe të shihja në një drejtim. Kështu, një të premte, pas faljes së xhumasë, shkova tek imami dhe i deklarova besimin tim, thashë shehadetin.

Ju keni para jush dikë që pati siguruar famë e pasuri. Por udhëzimi ishte diçka që më bishtnoi, pak rëndësi sa fort u përpoqa, gjersa më treguan Kur’anin. Tani e kuptoj se mund të kem lidhje të drejtpërdrejtë me Zotin, ndryshe Krishterimit, apo ndonjë feje tjetër. Siç më tha një zonjë hindu, “Ju nuk i kuptoni hindutë. Ne besojmë në një Zot; këto objekte (idhujt) i përdorim vetëm për t’u përqendruar.” Çfarë po më thoshte ajo ishte se duhen krijuar bashkëshoqërues për të arritur Zotin, që janë idhujt. Por Islami i heq të gjitha këto pengesa. Gjëja që i ndan besimtarët nga jobesimtarët është namazi. Ky është procesi i pastrimit.

Së fundi, dëshiroj të them se gjithçka që bëj është për kënaqësinë e Zotit, dhe lutem që ju të frymëzoheni nga përvoja ime. Veç kësaj, do të doja të theksoj se nuk pata lidhje me ndonjë musliman para se të përqafoj Islamin. Lexova Kur’anin së pari, dhe kuptova se asnjë njeri nuk është i përkryer. Islami është i përsosur, dhe ne do të jemi të suksesshëm nëse imitojmë sjelljen e Profetit.

Zoti na udhëzoftë për të ndjekur udhën e ummetit të Muhammedit, mëshira dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të! Amin!

Copyright © 2026 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim