I Dërguari i Allahut (s.a.s.) po iu këndonte në Qabe të pranishmëve me zë të lartë suren “Nexhm” që porsa ish zbritur. Në fund të sures, pas këndimit të ajetit të sexhdes, Profeti (s.a.s.) ranë sexhde para Zotit. Së bashku me të ranë në sexhde të gjithë, besimtarë e mohues, njerëz e xhindë. (Buhari, Tefsir, 53/4)

Ndërkaq, politeistët nuk i bënin sexhde Allahut, por idhujve të tyre që përmendeshin kalimthi në këtë sure.

Ja, kjo është e gjithë ngjarja e cila është dashur të bëhet mbështetje për pretendimin e ulët të sajuar më pas e të hedhur në shesh si “Çështja Garanik”!

Ja, pra, kryerja e këtyre dy sexhdeve të veçanta të muslimanëve dhe politeistëve në të njëjtën kohë qe bërë shkak për përhapjen e fjalës se politeistët mekas kanë hyrë në fenë islame.

Megjithëse e vërteta e kësaj ndodhie ishte vetëm kaq, më pas u hodh në shesh shpifja e quajtur “Çështja Garanik”. Sikur djalli paskej futur tinëzisht mes ajeteve një pëshpërimë me kuptimin “shpresohet në ndërhyrjen për falje nga ana e idhujve” dhe politeistët, të kënaqur nga kjo shprehje, kishin rënë në sexhde. Por gabimi ishte kuptuar më pas.

Në këtë rrëfenjë kanë krijuar krijuar iluzionin e së vërtetës vetëm një sërë personash që kanë ndjekur armiqësi kundër Islamit, si disa orientalistë. Kurse dijetarët më të mëdhenj islamë të tefsirit, hadithit, biografisë profetike dhe historisë e kanë shqyrtuar këtë ngjarje të sajuar si nga ana e hadithit, ashtu dhe nga ana e marrëdhënieve të këtij pretendimi me besimin islam dhe e kanë hedhur poshtë me një gjuhë kategorike.

Së pari, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) është mbrojtur nga pakujdesia dhe gabimi në detyrën e kumtimit njerëzve të revelacionit hyjnor. Ndërhyrja e shejtanit në detyrën e kumtesës profetike të profetëve ka qenë krejtësisht e pamundur. Ndërsa Allahu i Lartë ka deklaruar se shejtani nuk ka ndonjë sovranitet as mbi robtë besimtarë233, nuk mund të mendohet që ai të ketë ndërhyrë në kumtesën e profetit Muhammed!

Siç është Profeti (s.a.s.) i pafajshëm dhe i pastër nga çdo e metë, pakujdesi, gabim dhe mëkat në kumtesën e tij, ashtu dhe Kur’ani i sjellë prej tij ka qenë dhe është nën mbrojtjen hyjnore!

Në ajetet kur’anore thuhet: “Atij (Kur’anit) nuk mund t’i afrohet gënjeshtra as nga para, as nga pas. Ai është zbritur pjesë-pjesë nga ana e një zotëruesi urtësie që e lavdëron tërë gjithësia!” (Fussilet, 42)

 “Pa dyshim, Ne e kemi zbritur Kur’anin dhe, pa dyshim, Ne do ta mbrojmë atë!” (el-Hixhr, 9)

Rivajeti ku përmbahet çështja Garanik është e pambështetur nga pikëpamja e dokumentimit. Lidhur me këtë specifikë, Ibni Huzejme ka thënë:

“Rrëfimi Garanik është nga gënjeshtrat e ateistëve!”234

Fakti që asnjë tekst që përcjell hadithet autentike (sahih), që asnjë rrëfyes i besueshëm nuk e ka përcjellë këtë me një dokumentim autentik dhe të vijueshëm, është i mjaftueshëm për të treguar falsitetin e tij!235

Pretendimi Garanik duket i pamundur edhe logjikisht. Sepse në Garanik ka një pretendim herezie (shirk). Kurse feja islame, qysh nga çasti i parë ka kumtuar Fjalën e Tevhidit. Përballë besimit monoteist tevhid që është specifik për Islamin, këto lloj pretendimesh nuk kanë asnjë aspekt logjik. Në suren Nexhm për të cilën bëhet fjalë, nga kreu në fund përbuzen idhujt dhe bëhet e ditur se idhujt s’janë gjë tjetër veçse emra të kotë dhe se politeistët shkojnë thjesht sipas dëshirave dhe pasioneve të tyre. Edhe sikur brenda një sureje të tillë të ishte përzjerë një thënie që do ta miratonin politeistët dhe për të cilën do të binin në sexhde, në fund të fundit do të ishte e pamjaftueshme për t’i bindur përfundimisht ata. Gjithashtu, nuk ta pranon arsyeja që mes kaq shumë ajeteve ku politeistët e Mekës shahen e poshtërohen, këta të jenë zbutur me dy fjali të futura – mos qoftë e thënë – nga shejtani e të kenë rënë në sexhde. Përgjigjja më e bukur kësaj shpifjeje i jepet në krye të vetë kësaj sureje:

 “Shoku juaj (Muhammedi) nuk u hutua e nuk rrëshqiti. Ai nuk flet sipas dëshirës së tij. Fjalët që thotë ai nuk janë gjë tjetër përveç se ajo që i është zbritur!” (en-Nexhm, 2-4)

Nga shumë dijetarë islamë është provuar nga shumë aspekte se kjo çështje është hedhur në mes si vepër e një armiqësie të sëmurë kundër Islamit. Periudha trembëdhjetëvjeçare e Mekës ka kaluar me luftën dhe përpjekjet për ta shkatërruar politeizmin dhe për ta forcuar ndër zemra besimin tevhid. Sepse besimi tevhid nuk pranon kategorikisht që ndonjë qenie çfarëdo t’i bëhet partner Allahut!

Share.

Comments are closed.