Të agjërosh, do të thotë të largohesh nga ngrënia, pirja, tymosja e duhanit dhe marrëdhëniet seksuale, duke filluar para agimit e deri sa të perëndojë dielli. Qëllimi i agjërimit, është vërtetimi i besnikërisë dhe përkushtimit ndaj Allahut (xh.sh.).

Çdo mysliman e myslimane që ka arritur moshën e pjekurisë dhe gëzon shëndet të mirë fizik e mendor, e ka farz (obligim) agjërimin e muajit të Ramazanit. Ata që i plotësojnë kushtet e mësipërme, por janë udhëtar ose janë gra me të përmuajshme dhe lehona, agjërimi i atyre ditëve nuk është farz për ta. Ditët që nuk agjërohen, duhet të plotësohen pas Ramazanit sapo të plotësohen kushtet e duhura. Nijeti për të agjëruar, është kusht i domosdoshëm i këtij adhurimi. Nijeti mjafton të bëhet me zemër. Madje, edhe ngritja në syfyr, përcakton nijetin.

“Syfyri”, është koha kur myslimani përgatitet për të agjëruar, duke ngrënë e pirë mjaftueshëm dhe duke plotësuar të gjitha nevojat e tjera, të cilat nuk mund t’i kryejë gjatë agjërimit.

“Imsak” quhet momenti i fillimit të agjërimit, ndërsa “iftar” është momenti, kur duhet të ndërpritet agjërimi. Agjërimi është shumë i dobishëm, si për shpirtin, ashtu edhe për trupin. Në sajë të agjërimit forcohet vullneti dhe disiplina. Gjatë agjërimit, duhet të ruhemi nga të gjitha veprat e këqija, sidomos nga fjalët e shëmtuara dhe thashethemet.

Share.

Leave A Reply