– Duke agjëruar, fitojmë pëlqimin dhe dashurinë e Allahut.

– Kujtohemi për të mirat që Allahu (xh.sh.) na dhuron dhe e falënderojmë Atë.

– Mësojmë të jemi të durueshëm.

– Mbrohemi nga zjarri i xhehenemit duke qëndruar larg të këqijave dhe gjynaheve.

– E kuptojmë më mirë varfërinë dhe urinë duke i përjetuar ato.

– Mbrojmë shëndetin tonë.

Gjatë agjërimit ne i braktisim ushqimet dhe pijet e ndryshme vetëm për hirë të Allahut. Ne nuk duhet ta prishim agjërimin në vende ku mendojmë se nuk na sheh kush, sepse Zoti (xh.sh.) sheh kudo. Me këtë ne fitojmë pëlqimin dhe dashurinë e Allahut.

Në një hadith kudsi Allahu ( xh.sh. ) thotë:

“Robi im agjërues ka braktisur të ngrënët dhe të pirët për të fituar dashurinë Time. Vetëm unë do të jem shpërblyesi i agjërimit të tij.” (Buhari, Sam, 4)

Shpesh ne nënvlerësojmë begatitë që na dhuron Allahu (xh.sh.). Vetëm atëherë kur na mungojnë,  kujtohemi  për  rëndësinë e tyre. Gjatë agjërimit, ne qëndrojmë  larg ushqimeve dhe pijeve të ndryshme dhe kjo na shton vetëdijen mbi rëndësinë dhe domosdoshmërinë e tyre. Kështu që kujtohemi për të mirat që na jep Allahu në përditshmëri dhe e falënderojmë me gjithë zemër Atë.

Allahu (xh.sh.) thotë:

“Më përmendni Mua, që unë t’iu përmend ju. Më falënderoni e mos më mohoni.” (Bekare, 152)

Në jetë ne do të përballemi me vështirësi të ndryshme. Që të mund t’i përballojmë ato, duhet të bëjmë durim. Durimi është çelësi kryesor i suksesit. Gjatë agjërimit ne mësojmë të durojmë urinë dhe etjen, pra, kështu ne mësojmë të durojmë.

Profeti ( a.s.) thotë:

“Agjërimi është gjysma e imanit.” (Ibn Maxhe, Sijam, 44)

Gënjeshtra, përgojimi, debatet e kota, shkelja e të drejtave të njerëzve, thyerja e zemrës janë mëkate që shpien në xhehenem. Ne mund të ruhemi nga këto mëkate duke kontrolluar egon tonë. Në muajin e madhërishëm të Ramazanit ne hyjmë në një atmosferë edukimi shpirtëror. Ne qëndrojmë larg veprave të këqija dhe mëkateve, dhe me këtë stil jetese, ruhemi nga zjarri i xhehenemit.

Profeti ynë i dashur thotë:

‘‘Agjërimi është mburojë ndaj gjynaheve. Agjëruesi të mos thotë fjalë të liga dhe të mos zihet me kënd. Po qe se e fyejnë, le të përgjigjet: Unë sot kam agjëruar.” (Buhari, Savm, 9)

Asnjë njeri nuk mund ta kuptojë si dhe sa duhet gjendjen e  të  varfrit, pa e provuar sadopak në jetën e tij. Ato që kanë njërën dorë në gjalpë e tjetrën në mjaltë, nuk do të mund të përjetojnë asnjë vështirësi të fukarait. Gjatë agjërimit, ne mësojmë se çfarë është varfëria dhe uria. Në këtë muaj zhvillohen ndjenjat e dhembshurisë dhe mëshirës. Ne i zgjasim dorën e ndihmës dhe të bashkëpunimit njëri-tjetrit duke ndarë çdo gjë që kemi në zotërim.

Profeti ynë i dashur thotë:

‘‘Shikoni ato që bëjnë një jetë në kushte më të vështira se ju dhe mos shihni ato që kushtet e jetesës i kanë më të larta se ju. Kështu ju do t’i kuptoni më mirë begatitë që ju dhuron Allahu (xh.sh.) dhe nuk do t’i përçmoni ato.’’ (Muslim, Zuhd, 9)

Stomaku së bashku me organet e tjera punojnë vazhdimisht, mëngjes e mbrëmje gjatë gjithë vitit. Ato që kanë probleme  të ndryshme, e sidomos me stomakun kurohen nëpërmjet dietave të ndryshme. Edhe agjërimi është një lloj diete. Në muajin e Ramazanit stomaku së bashku me sistemin e tretjes bëjnë relativisht pushim. Pra, nëpërmjet agjërimit mbajmë në formë edhe shëndetin tonë.

Profeti ynë i dashur thotë:

“Agjëroni që të keni shëndet.” (Taberani, Mu’xhemu’l-evsat, VIII, 174)

Share.

Leave A Reply