Profetët ua njoftojnë njerëzve urdhrat hyjnorë drejt, ashtu siç urdhërohen. Në kumtimin e tyre nuk ka as shtesë nga vetja, as heqje. Aftësia dhe cilësia kumtuese është një nga atributet e përbashkëta të profetëve dhe veprimtaria kumtuese, një nga detyrat e tyre më të rëndësishme. Në ajetin kur’anor thuhet:

 “O ti i Dërguar! Kumtoje atë që të është zbritur nga Zoti yt! Po s’e bëre këtë, do të thotë se nuk e ke zbatuar detyrën e përfaqësimit…” (el-Maide, 67)

Duke e kryer detyrën e kumtesës, profetët janë përballur me shqetësime të ndryshme, por asnjëherë s’kanë bërë lëshime në kauzën e tyre. Në këtë specifikë, jeta e tyre është plot ngjarje mësimdhënëse. Profeti ynë e filloi ftesën në Islam nga njerëzit e vet të afërt, u suall sipas vendit dhe kohës, mbajti parasysh gjendjen psikike-shpirtërore dhe nivelin mendor të bashkëbiseduesit, respektoi gradualitetin, e vlerësoi dhe përdori çdo rast dhe mundësi që gjeti, kurrë nuk shtrëngoi kënd, gjithmonë i lehtësoi gjërat, gjithmonë përgëzoi dhe kurrë nuk shkaktoi neveri dhe urrejtje.

Profeti (s.a.s.) i cili ia kushtoi gjithë jetën kumtimit të Islamit, edhe në hutben e lamtumirës iu drejtua sahabeve dhe i pyeti:

“A e kumtova fenë?”

Pastaj, pasi mori përgjigje miratuese prej tyre, përjetoi kënaqësinë e plotësimit të detyrës, duke iu drejtuar Allahut:

“Ji dëshmitar, o Zot!”

Të gjithë besimtarët duhet t’i njohin dhe zotërojnë metodat e kumtimit të Profetit me aq sa t’i kenë aftësitë dhe mundësitë, sepse kumtimi i Islamit është për muslimanët në nivelin e detyrimit fetar (farz).159

I Dërguari i Allahut (s.a.s.) thotë kështu:

“Kush sheh ndonjë të keqe, ta rregullojë me dorë; po të mos ketë fuqi, ta rregullojë me fjalë; po të mos ketë fuqi as për këtë, ta dënojë me zemër, gjë që është gjendja më e dobët e besimit.” (Muslim, Iman, 78)

Po qe se në një shoqëri nuk ka njerëz që të urdhërojnë për mirë dhe ta pengojnë të keqen, me kohë, punët e këqija e të shëmtuara shndërrohen në shprehi dhe fillojnë të priten si gjëra normale në jetë. E keqja që s’pengohet, pas një farë kohe bëhet e tillë që të mos pengohet dot edhe sikur të duhet ose të dëshirohet të pengohet. Duke u përzierë e drejta me të shtrembrën dhe e vërteta me gënjeshtrën, e drejta dhe e vërteta eliminohen dhe njerëzit e harrojnë Zotin. Atëherë, fundi i asaj shoqërie bëhet fatkeqësi e shkatërrim. Për të shpëtuar nga ky fund tragjik, është e domosdoshme t’i jepet rëndësi veprimtarisë kumtuese.

Share.

Comments are closed.