Është një e vërtetë e pamohueshme se prirja për ta dashur dikë e për të ndjerë admirim ndaj personalitetit dhe karakterit të tij si dhe përpjekja për ta imituar atë janë të natyrshme. Prandaj, për njeriun është tejet e rëndësishme që, duke gjetur modelet më të përsosur, të mund të shkojë në gjurmët e tyre. Është për këtë arsye që Zoti, me favorin dhe bujarinë e Tij të pasosur, i ka dërguar njeriut jo vetëm libra, por edhe personalitete model, profetë të pajisur me një mijë e një veti të larta, shprehje të gjalla të atyre librave, të tillë personalitete që paraqesin përkryerje si në aspektet fetare, diturore dhe moralo-etike, ashtu dhe në të gjitha aspektet e tjera. Kështu, secili nga profetët, duke ngritur në kulm një model të caktuar sjelljeje në historinë e njerëzimit, i kanë kryer njerëzimit shërbime të shquara!

Për shembull, po të shihet jeta e profetit Nuh (a.s.), në personalitetin dhe karakterin e tij para së gjithash bien në sy ftesa në besim, toleranca, durimi dhe, më në fund, një përbuzje e fuqishme si ndaj mohimit dhe herezisë, ashtu dhe mohuesve dhe heretikëve!

Jeta e profetit Ibrahim (a.s.) kaloi në kushtim të një lufte të pa kompromis kundër politeizmit dhe herezisë dhe me synimin për ta asgjësuar idhujtarinë. Veç kësaj, jeta e tij është bërë model i shquar i nënshtrimit, dorëzimit dhe bindjes ndaj Zotit, veti, këto, që i shndërruan zjarret e Nemrudit në trëndafilishte.

Jeta e profetit Musa (a.s.) kaloi në luftë me mizorin Faraon dhe përkrahësit e tij; ndërkaq, me legjislacionin (sheriat) që solli ai më vonë, ngriti një rend shoqëror për besimtarët.

Cilësia shquese e kumtesës së profetit Isa (a.s.) është një delikatesë afektive e mbushur plot me dhembshuri dhe mëshirë ndaj njerëzve. Tek ai tërheqin vëmendjen gjendje të larta, si trajtimi indulgjent i njerëzve dhe modestia.

Eshtë mahnitës lartësimi sublim i profetit Sulejman (a.s.) në adhurimin ndaj Zotit duke ruajtur qëndrimin afektiv modest dhe falenderues përkundër atij shkëlqimi syverbues e legjendar të pasurisë dhe sundimit të vet.

Në jetën e profetit Ejub (a.s.) mbisundojnë shfaqjet e larta e sublime të durimit ndaj kokëçarjeve e fatkeqësive dhe të falenderimit ndaj Allahut në të gjitha rrethanat.

Jeta e profetit Junus (a.s.) është shembull i përkryer i orientimit ndaj Allahut dhe lidhjes pas Tij, si dhe i kapjes fort pas pendesës duke treguar pendim për gabimet dhe të metat Profeti Jusuf (a.s.) e pati përjetuar kulmin e lidhjes ndaj Zotit dhe ftesës tek Ai edhe në kushtet e robërisë. Ai pati shpalosur një virtyt të lartë edhe atëherë kur një grua e bukur, e pasur, e famshme dhe epshore i pati bërë ftesën sensuale tërheqëse “eja tek unë”! Zemra e tij e stolisur me një devocion të lartë pati qenë si një burim i shkëlqyer i përsosmërive të sjelljes.

 

Jeta e profetit Daud (a.s.) është e mbushur plot me faqe mësimdhënëse përballë madhështisë hyjnore. Janë tejet domethënëse përmendja dhe madhërimi i Zotit prej tij përmes ndjenjës së impresionimit të fuqishëm dhe duke derdhur lot, orientimi drejt Allahut me përulje dhe përgjërim.

 

Kurse karakteri i profetit Jakub (a.s.) është një shembull i madh i domosdoshmërisë për të mos rënë në pesimizëm edhe kur bota të të nxihet para syve, përkundrazi, duke u lidhur pas Allahut me një durim të përkryer, të mos e këpusësh shpresën nga mëshira e Tij!

Kurse profeti ynë, kryeprofeti Hz. Muhammed (s.a.s.), pati zotëruar më shumë se të gjitha vetitë dalluese të mbi 124 mijë profetëve të njohur e të panjohur të ardhur para tij, pati përbërë kulmin e moralit dhe cilësive të bukura. Figura e tij e bekuar është pothuaj si një det i gjerë, kurse figura e profetëve të tjerë, si lumenjtë që derdhen aty!

Share.

Comments are closed.