Allahu na ka krijuar me, sy që të shohim, me veshë, që të dëgjojmë, me gjuhë, që të flasim, me duar dhe këmbë, që të kryejmë punë të shumëllojshme. Ai na ka krijuar dhe na ka bërë krijesën më superiore në mesin e krijesave të tjera, duke na pajisur me logjikë dhe me mendje.

Ai e ka pajisur tokën me begati të shumëllojshme, në mënyrë që të jetojmë të shëndetshëm dhe të lumtur, duke përmbushur të gjitha nevojat e njeriut, që nga ajri që thithim deri te uji që pimë. Njeriu që nuk ka ajër të thithë nuk mund të jetojë dhe brenda një kohe të shkurtër, vdes. Po ta mendojmë çdo moment këtë begati, që është kaq e nevojshme për ne, kuptojmë se sa të shumta dhe të mëdha janë mirësitë e Allahut për ne.

Allahu i madhëruar thotë:

“Po të numëroni begatitë e Allahut, nuk do të arrini t’i përfundoni dot duke i numëruar.”

Njeriu do atë që i bën mirë atij. Atëherë Ai që duhet të duam më shumë është Allahu, sepse mirësitë e Tij ndaj nesh janë të panumërta. Ne duhet ta duam shumë Allahun. Dashuria nuk duhet të jetë vetëm me fjalë. Njeriu e respekton atë që do dhe nuk kryen veprime që nuk i pëlqejnë atij. Dashuria ndaj Allahut shprehet duke e përmendur emrin e Tij me respekt, duke përm­bushur me dëshirë ibadetet që na ka urdhëruar dhe duke u distancuar nga gjërat që na ka ndaluar.

Në qoftë se veprojmë kështu, duke vërtetuar dashurinë tonë për Të edhe Allahu do të na dojë dhe do të na japë edhe më shumë begati në jetën tjetër, sesa na ka dhënë në këtë jetë.

Lumturia më e madhe për një njeri është të fitojë dashurinë e Allahut.

Share.

Comments are closed.