Robi i liruar nga Profeti (a.s.), miku dhe biri i mikut të tij, Ebu Zejd Usame Ibni Zejd Ibni Harithe (r.anhuma), tregon:

Vajza e Profetit (a.s.), (Zejnebja) më dërgoi tek Profeti (a.s.), me porosinë se djalin e ka të sëmurë për vdekje dhe duhet të vijë tek ajo. Profeti (a.s.), ia kthen selamin dhe i thotë:

«Vërtet, e Allahut është gjithçka që merr dhe jep! Çdo gjë ka një kohë të caktuar tek Ai. Prandaj le të bëjë durim dhe të presë shpërblimin prej Allahut!» Vajza e Profetit (a.s.), e dërgoi përsëri dhe i betohet që të vijë. Profeti (a.s.), u ngrit në këmbë, e me të ishin: Sa’d ibn Ubade, Muadh ibn Xhebel, Ubej ibn Ka’b, Zejd Ibn Thabit dhe të tjerë (r.anhum). Kur Profeti (a.s.), arriti tek vajza e tij, ia dhanë fëmijën në duar, e ai e mori në prehrin e vet. Fëmija mezi merrte frymë, e Profetit (a.s.), i rrodhën lotët rrëke. Sa’di (r.a.), i tha: «Ç’është kjo, o i Dërguari i Allahut?» Ai tha:

«Kjo është mëshirë, të cilën Allahu e vendos në zemrat e robërve të Tij.»

Sipas një transmetimi tjetër (ai thotë):

“Kjo është një mëshirë, që Allahu e vë në zemrat e robërve që Ai dëshiron. E në fakt, Allahu mëshiron vetëm robërit e Tij të mëshirshëm.”

-Muttefekun alejhi-

(Buhari, Xhenaiz 33; Muslim, Xhenaiz 11. Shih. Buhari, Ejman 9, Merda 9, Teuhid 25; Ebu Daud, Xhenaiz 24; Nesai, Xhenaiz 22; Ibni Maxhe, Xhenaiz, 53.)

Usame Ibni Zejd (r.a.).

Transmetuesi i këtij Hadithi, Usame Ibni Zejd (r.anhuma), njihet edhe me llagapin “hibbu Resulullah” (njeriu i dashur i Profetit). Tregohet se njëherë, i Dërguari i Allahut (a.s.), mori në prehër Usamen dhe Hasanin (r.anhuma) dhe tha: “O Allah! Unë i dua këta të dy, prandaj duaji edhe Ti!”.

Usame (r.a.), nuk është përzierë asnjëherë me mohimin, idhujtarinë dhe ndyrësitë e injorancës. Kur filluan luftërat pas emigrimit, ai nuk  mori dot pjesë në betejat e para për shkak të moshës së vogël. Mirëpo, pas një kohe të shkurtër, ai ishte pjesëmarrës nëpër ekspedita ushtarake si ushtar dhe si komandant. Ndërsa pas çlirimit të Mekës, ai mori pjesë në të gjitha luftërat.

Usame (r.a.), e tregon kështu një ngjarje që i ndodhi gjatë një beteje:

Bashkë me një prej myslimanëve të Medinës, filluam të ndjekim një idhujtar. Kur ai e kuptoi se do të kapej, tha menjëherë: “La ilahe il-lallah”. Myslimani i Medinës e uli menjëherë armën. Kurse unë, me qëllim që të shpëtoja jetën e tij (shokut) dhe të mos e toleroja (armikun) me mendimin se shqiptoi, “shprehjen e teuhidit”, e vrava në vend atë. Kur u kthyem, ia tregova gjithçka të Dërguarit të Allahut (a.s.), i cili tha:

“O Usame! E vrave një njeri që tha La ilahe il-lallah?” Profeti (a.s.), e përsërit aq shumë këtë fjali, sa atë ditë dëshirova që të mos e kisha vrarë. Më pas u betova në Allahun se, “që prej asaj dite nuk do të vrisja askënd që thoshte La ilahe il-lallah”. I Dërguari i Allahut (a.s.), tha:

“Edhe pas meje o Usame?” Ndërsa unë u përgjigja:

“Po, edhe pas jush!”

Me sa duket, ky vendim ka ndikuar edhe në faktin që Usame (r.a.), nuk ka mbajtur asnjë anë dhe nuk është përzier fare në ngjarjet që filluan me martirizimin e kalifes Osman (r.a.).

Që kur ishte një djalosh 18 vjeçar, Profeti (a.s.), e ka caktuar Usamen (r.a.), si komandant të ushtrisë, ku shumica e ushtarëve përbëhej nga sahabët e mëdhenj. Por, për shkak të sëmundjes së Profetit (a.s.), ushtria e Usames (r.a.), nuk doli nga Medina. Pas varrosjes së Profetit (a.s.), ushtria u kthye në krye të detyrës me urdhrin e Ebu Bekrit (r.a.). Usame e kreu me sukses detyrën e tij dhe u prit në Medinë me gëzim dhe nderim të madh.

Kur Omeri (r.a.), takohej me Usamen (r.a.), i thoshte:

“Selam alejke, o udhëheqës! Kur ndërroi jetë i Dërguari i Allahut (a.s.), ti ishe udhëheqësi ynë.”

Njëzetë vite të jetës së tij, Usame (r.a.), i kaloi shumë afër Profetit (a.s.). Për këtë arsye, ai transmetoi 128 hadithe prej tij. 15 prej këtyre haditheve janë shënuar në “Sahihun” e Buhariut dhe të Muslimit.

Ky sahab i guximshëm, për të cilin i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë, “Kush e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij, le ta dojë Usamen!”, ndërroi jetë në vitin 54 Hixhri, në moshën 60 vjeçare.

Allahu qoftë i kënaqur me të!

Shpjegime

Ky Hadith, do të përsëritet edhe në hadithet me numër 925 dhe 928. Vajza e Profetit (a.s.), për të cilën bëhet fjalë në Hadith, është Zejnebja (r.anha.). Kjo bëhet e qartë në transmetimin e Ibni Ebu Shejbes, i cili njihet me librin e madh të Hadithit të titulluar, “Musannef”. Ndërsa emri i fëmijës që po jepte shpirt, ishte Ali Ibni Ebu’l-As. Ebu’l-As, ishte bashkëshorti i Zejnebes (r.a.).

Fakti që i Dërguari i Allahut (a.s.), nuk shkoi menjëherë kur dëgjoi se e kishte thirrur vajza, por shkoi vetëm kur Zejnebja (r.a.), i dërgoi përsëri fjalë duke u betuar, mund të shpjegohet me disa arsye:

Në atë moment, Profeti (a.s.), ose mund të ketë qenë i zënë me ndonjë çështje shumë të rëndësishme, ose ka dashur t’i mësonte Zejnebes (r.a.), se duhej t’i mbështetej plotësisht Allahut të Madhëruar, ose ka dashur të tregojë se kur merren lajme të tilla, nuk është e rëndësishme të shkosh menjëherë.

Transmetuesi i këtij Hadithi, Usame Ibni Zejd (r.anhuma), tregon se kur ai i solli lajmin Profetit (a.s.), fëmija ishte duke dhënë shpirt dhe merrte frymë me vështirësi. Po ashtu, në një transmetim tjetër në “Sahihun” e Buhariut, kjo ndodhi tregohet në mënyrë më të qartë dhe më prekëse. Për rrjedhojë, në këto çaste të vështira, Profetit (a.s.), i rrodhën lot nga sytë. Kur e pa këtë, kryetari i fisit Hazrexh, sahabi i madh Sa’d Ibni Ubade (r.a.), tha i habitur:

“Ç’janë këto lot, ndërkohë që ju e keni ndaluar vajtimin e të vdekurit, o i Dërguari i Allahut!?” Kjo pyetje, ishte për shkak se ai ka pandehur se çdo lloj hidhërimi dhe derdhje lotësh për të vdekurin, bën pjesë në ndalesën e vajtimit me kujë, duke bërtitur e duke grisur rrobat. Mirëpo, i Dërguari i Allahut (a.s.), i shpjegoi se qarja pa zë dhe e qetë, është rezultati më i natyrshëm dhe më i bukur i ndjenjës së mëshirës dhe dhembshurisë që Allahu i Madhëruar u ka falur robërve të Tij. Po ashtu, duke i thënë se, Allahu i Madhëruar do të mëshirojë vetëm ata që janë mëshirues, ai i tregoi se një hidhërim i tillë, jo vetëm që nuk është i ndaluar, por nuk është as në kundërshtim me trimërinë dhe burrërinë.

Ndërsa fjala që i dërgon Profeti (a.s.), vajzës së tij Zejnebes (r.a.), është një shembull i vërtetë ngushëllimi: “E Allahut është gjithçka që merr dhe jep. Çdo gjë ka një kohë të caktuar tek Ai. Prandaj le të bëjë durim dhe të presë shpërblimin prej Allahut!”. Ja pra, kjo gjendje është kuadri i të qenit në paqe me gjithçka që të ndodh në jetë. E në fakt, edhe durimi, më tepër në këto lloj situatash kërkohet.

Këtu dëshirojmë t’i lëmë vend një shembulli ngushëllimi, që është përkthimi i një letre, të cilën Profeti (a.s.), ia ka dërguar Muadh Ibni Xhebelit (r.a.). Në fakt, edhe pse ky është një transmetim me tre zinxhirë të ndryshëm, ai është konsideruar si “i dobët”, për shkak se dy prej zinxhirëve janë me të meta:

“Bismil-lahi’r-Rahmani’r-Rahim!

Drejtuar Muadh Ibni Xhebelit nga i Dërguari i Allahut!..

Eselamu alejkum!..

E falënderoj Allahun e Madhëruar, përveç të Cilit nuk ka zot tjetër. Allahu të shpërbleftë dhe të dhëntë forcë për të duruar. Ai na e bëftë të mundur neve dhe juve të jemi falënderues, sepse jetët tona, pasuria dhe fëmijët tanë, janë dhurata të ëmbla të Allahut të plotfuqishëm dhe amanete të cilat Ai na i ka lënë për një kohë të shkurtër. Allahu të gëzoi me atë fëmijë që të dha. Ndërsa tani, ta mori në këmbim të një shpërblimi të madh. Nëse në këmbim të tij pret mëshirë, falje dhe udhëzim prej Allahut, atëherë bëj durim!.. Hidhërimi dhe dhimbja mos të ta humbë shpërblimin, sepse më pas do të bëhesh pishman.

Dije se, vaji dhe ankimi nuk sjellin asgjë mbrapsht, nuk e largojnë as hidhërimin, e as dhimbjen, sepse tashmë ajo që ka ndodhur, ka ndodhur!” (Hakim, el-Mustedrek, III, 273.)

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Vajtimi i të vdekurit pa bërtitur dhe pa bërë gjeste anormale, është i lejuar.
  2. Derdhja e lotëve për dikë që vdes, tregon mëshirë dhe dhembshuri.
Share.

Leave A Reply