Abdullah Ibni Abas (r.a.), tregon:

Ujejne Ibni Hisn, erdhi (në Medinë) dhe bujti tek nipi i tij Hurr Ibni Kajs (r.a.), i cili ishte edhe një nga anëtarët e këshillit të Omerit (r.a.). Në fakt, qofshin të rinj apo të moshuar, në përgjithësi, dijetarët merrnin pjesë në këshillin e Omerit (r.a.). Për këtë arsye, Ujejne i thotë nipit të tij, Hurr Ibni Kajsit (r.a.):

“O nip! Ti ke një pozitë të rëndësishme pranë kryetarit të shtetit, prandaj më tako me të!” Hurri (r.a.), mori leje nga Omeri (r.a.) dhe, kur Ujejne hyri tek Omeri (r.a.), tha:

“O biri i Hatabit! Betohem në Allahun se nuk po na jep mjaftueshëm dhe nuk po gjykon me drejtësi ndër ne!” Omeri (r.a.), u zemërua dhe deshi ta ndëshkonte Ujejnen. Për këtë arsye, Hurri (r.a.), tha:

“O prijësi i besimtarëve! Allahu e ka urdhëruar të Dërguarin e Vet: «Trego mëshirë, urdhëro vepra të mira dhe shmangu nga të paditurit!» Edhe ky xhaxhai im është prej të paditurve.”

Betohem në Allahun se, kur Hurri (r.a.), lexoi këtë ajet, Omeri (r.a.), hoqi dorë nga ndëshkimi i Ujejnes. E në fakt, Omeri (r.a.), ishte shumë i ndjeshëm në lidhje me Librin e Allahut.

(Buhari, Tefsiru sure (7) 5, I’tisam, 2.)

Shpjegime

Islami është fe shteti, disipline dhe rregulli. Durimi dhe respektimi i parimeve, në radhë të parë i takon udhëheqësve më shumë se kushdo tjetër. Durimi ndaj shqetësimeve që të sjellin të paditurit, është i mundur vetëm duke e ndjerë veten përgjegjës ndaj Allahut.

Ky Hadith , i cili na tregon se çfarë duhet të durojnë kryetarët e shtetit, në të njëjtën kohë pasqyron edhe qasjen e sahabëve ndaj kësaj çështjeje.

Siç e pamë edhe në një nga hadithet e mësipërme në lidhje me ndarjen e plaçkës së luftës së Hunejnit, Ujejne Ibni Hisn, ishte një kryetar fisi i vrazhdë. Por, në të njëjtën kohë ishte edhe prej atyre që u duhej ngrohur zemra me Islam. Madje, për një farë kohe, Ujejne e braktisi Islamin, por më vonë u pendua dhe u kthyer përsëri në Islam.

Mënyra se si iu drejtua prijësit të myslimanëve, Omerit (r.a.), dhe fjalët që foli, tregojnë qartë se sa i vrazhdë ka qenë ky beduin. Madje, përveç tij, askush tjetër nuk e ka akuzuar Omerin (r.a.), për padrejtësi. Në fakt, Ujejne pandehte se do të përfitonte shumë të mira, ashtu siç kishte përfituar në kohën e Profetit (a.s.). Mirëpo, Omeri (r.a.), tha se, Allahu i Madhëruar e kishte forcuar Islamin dhe nuk kishte më nevojë që t’i ngrohje zemrën dikujt për fenë. Për rrjedhojë, ai nuk i trajtoi ata ndryshe nga të tjerët. Me shumë mundësi, për këtë arsye edhe Ujejne ka shprehur pakënaqësi, duke thënë: “Nuk po jep në mënyrë të bollshme dhe nuk po sillesh me drejtësi!”.

Fakti që Omeri (r.a.), u zemërua dhe dëshiroi ta ndëshkojë Ujejnen, i cili foli fjalë të ashpra dhe të pabaza për prijësin e myslimanëve, është i natyrshëm, duke njohur edhe temperamentin e atij beduini të vrazhdë e të paditur. Mirëpo, Hurri (r.a.), i cili e kuptoi situatën dhe i njihte pikat e ndjeshmërisë së Omerit (r.a.), ndërhyri duke i kujtuar Omerit (r.a.), ajetin, “…shmangu nga të paditurit!”, që do të thotë, “të mos i marrësh në konsideratë injorantët” dhe se pikërisht xhaxhai i tij, Ujejne, ishte njëri prej tyre. Për shkak se Omeri (r.a.), ishte një mysliman shumë i ndjeshëm ndaj Kuranit Fisnik, nuk i kaloi kufijtë e vendosur nga ajeti, bëri durim dhe nuk e ndëshkoi Ujejnen.

Ky Hadith do të përsëritet edhe në atë  me numër 358.

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Dija nuk është sipas moshës, por në mendje.
  2. Njeriu i ditur i ruan njerëzit përreth nga padrejtësitë dhe të këqijat.
  3. Një drejtues i mirë është i durueshëm dhe tolerant edhe ndaj vrazhdësive të njerëzve që drejton.
  4. Një drejtues i mirë i merr në konsideratë mendimet e këshilltarëve të tij.
  5. Durimi është një virtyt që i duhet drejtuesve më shumë se kujtdo tjetër.
Share.

Leave A Reply