Disequilibrium - Mirësia Islame

Disequilibrium

Nuredin Nazarko Njeriu është qenia që shqetësohet për fatin e tij, mbi sipërfaqen e tokës. Natyrshëm që ky shqetësim buron prej pasigurisë se çfarë pret ai t’i ndodhë në të ardhmen e panjohshme. Edhe pse i trazuar nga shqetësimi për…


Publikuar:

Nuredin Nazarko

Njeriu është qenia që shqetësohet për fatin e tij, mbi sipërfaqen e tokës. Natyrshëm që ky shqetësim buron prej pasigurisë se çfarë pret ai t’i ndodhë në të ardhmen e panjohshme. Edhe pse i trazuar nga shqetësimi për qetësi, faqeza tij, qëndron mundësia e zgjedhjes, mbi mënyrën e jetësimit të ekzistencës së tij, mbi mënyrën e jetësimit të modus vivendi-t. I gjendur përballë së ofruarës njeriut i duhet të përcaktojë sipas kujt rendi gjërash duhet të jetësojë ekzistencën e tij, pasiqë përkundruall tij përvijohet realiteti i të kundërtave; mirë-keq, drejtë-gabim, morale-jomorale, etike-joetike, trup-shpirt, shëndet-sëmundje, vuajtje-lumturi, jetë-vdekje.

Në këtë gjendje, vendimi dhe përgjegjësia mbi vendimin e të zgjedhurit mbetet të jetë personale dhe e tillë është. Njerëz të moshave të ndryshme, të karaktereve të ndryshme, të formimeve të ndryshme realizojnë zgjedhjen e tyre, në bazë të së cilës fillon e përvijohet jetësimi i ekzistencës.

Duke marrë të mirëqenë faktin se zgjedhja si akt i një ngjarje madhore dhe dramatike, është bërë përputhshmërisht me parimet e epërme, të cilat në thelb janë universale, të mbarëkohëshme dhe të pandryshueshme, ne ngrejmë shqetësimin se në çfarë mënyre përjetohet ky ndryshim dramatik i mënyrës së të jetuarit, tek njeriu që ka marrë këtë vendim dhe se çfarë impakti ka ky përjetim në përvijimin e mëpasshëm të modus vivendi.

Natyrisht që do të ishte fare pa vend që ne t’i vendosnim të gjithë njerëzit që kanë vendosur t’i përkasin së njëjtës përkatësi, në të njëjtin rrafsh përjetimi dhe emocionaliteti. Çdocili njeri përjeton autentikisht dhe në mënyrë krejt origjinale ndjesinë e ndryshimit përbrendësor të tij. Nuk ka shkallë matëse që të na ofrojë përmasën e ndryshimit të përjetuar, përderisa ky ndryshim është metafizik, por është Koha (në thelb metafizike) gjykatësi që zbulon vërtetësinë e përkatësisë sonë të pretenduar, në erën e pasndryshimit. Kalimi nga një gjendje në një gjendje tjetër shtron përpara nesh një trajektore lëvizjeje që mbart në vetvete vendin prej nga ku filloi ndryshimi, rrugën nëpër të cilën kaloi dhe vendin ku synon të arrijë.

Çdocili që ka prekur truallin e ndryshimit, e ka prekur në një stad të caktuar kohor dhe në kontekstin e rrethanave të caktuara të realitetit me të cilin dhe në të cilin jetojmë. Kjo do të thotë se pakkush mund të ketë patur fatin, që trajektorja e lëvizjes së tij të jetë shenjuar dhe frymëzuar nga një model i gjallë i jetësimit të parimeve të epërme qysh nga fëmijëria e tij.

Trajektorja e lëvizjes për shumë njerëz ka qenë dhe është një miksaturë mes pasojave të tranzicionit postkomunist, kuptimit personal të asaj çfarë ka lexuar dhe interpretimit e ligjërimit religjioz të një kaste të caktuar njerëzish, të cilët në vetvete janë produkt i kësaj miksature, duke i shtuar dhe një përbërës të rëndësishëm, të jetuarit e tyre për njëfarë kohe në kontekste dhe rrethana të ndryshme nga realiteti me të cilin dhe në të cilin jetojmë.

Kësisoj rrugëtimi i trajektores së lëvizjes mbetet një sfidë e hapur në përpjekjet e vazhdueshme për jetësimin e ekzistencës sipas parimeve të  epërme. Por këto përpjekje nuk mund të jenë të imunizuara nga influenca e të jetuarit në shpellën platoniane në stadin e parandryshimit. Por si përjetohet ky ndryshim dramatik në trajektoren e lëvizjes për jetësimin e ekzistencës? Pranimi i parimeve të epërme dhe përkatësia në të vërtetën që na shfaqet nëpërmjet tyre, është ndryshim epokal për qenien njerëzore.

Pas këtij ndryshimi nuk do të thotë që ndryshimi mbetet konstant dhe nuk vazhdon të ndryshojë. Fillet e këtij ndryshimi epokal janë tmerrësisht emocionante dhe idealistike. Emocionante, sepse po shkel në një rrugë të re, po lëviz në një terren të pashkelur më parë në pritje të surprizimeve që do të rrjedhojnë nga njohja me të panjohshmen e deridjeshme. Idealistike, sepse beson se tashmë e ardhmja e tij e pasndryshimit do të jetë një e ardhme e ndritur e imunizuar ndaj çfarëdolloj rravgimi kontraversal në interioritetin e tij. Ky njeri idealistik dhe me frymëzim të lartë beson se tashmë duhet të japë gjithçka dhe asgjë. Gjithçka për botën, asgjë për veten.

Po përse gjithçka për botën dhe asgjë për veten? Pikërisht sepse beson se, duke pranuar përkatësinë tek parimet e epërme, qenia e tij është plotësuar njëherë e përgjithmonë dhe jetësimi i ekzistencës për të është përsosmëri e këtij plotësimi. Dhe meqënëse ndihet i plotësuar njëherë e përgjithmonë, çfarë do t’i duhej t’i jepte vetes më së shumti? Atëherë beson se fusha e misionit të tij është shpëtimi i përbotshëm i botës, duke e ndryshuar atë dhe jo vetvetja. Nisur nga kjo premisë bazike për veprimtarinë e mëtutjeshme përpiqet me mish e me thonj të jetësojë deri edhe detajet më të imta të parimeve të epërme, sepse vetëm kështu nuk ndihet i kërcënuar nga rravgimet kontraversale të interioritetit.

Duke u përkapur pas jetësimit të detajeve të imta, trajektorja e lëvizjes fillon e shformohet në thelbin e vet, duke ofruar tashmë një panoramë të përmbysur të këtyre parimeve. Detajet kthehen në bosht qëndror, ndërsa boshtimi përreth thelbit të këtyre parimeve, zhvendoset drejt periferisë. Kjo përmbysje raportesh nuk mund të mos japë impaktin e saj, tek njeriu që zë vend kjo përmbysje. Ekstremizimi është pasoja e menjëhershme dhe qendërlëkundëse e këtij njeriu. Ngjyrat që sheh optika e tij janë bardh e zi. Ai fillon e ndërton në përfytyrimet dhe imagjinatën e tij një realitet idealistik dhe përpiqet të jetësojë ekzistencën sipas këtij realiteti të ngritur mbi ekstremizimin dhe interpretimin e njëanshëm, selektiv, fragmentar të parimeve të epërme.

Ndërkohë që ai jeton në kështjellën e tij “të pamposhtur”, realiteti jashtë kësaj kështjelle është tjetërfarë. Që të mos molepset nga ky realitet i zi dhe i kobshëm, mosdalja nga kështjella është gjëja që do të dëshironte më së shumti. Mirëpo njeriu është qenie që jeton në botë dhe bota nuk është as standarte, as njëdimensionale dhe as që mund të jetë ndonjëherë, pasiqë ajo është botë për të jetuar njeriu pikërisht sepse përvijohet mbi realitetin e të kundërtave. Ky njeri që jeton në kështjellën e tij, themelisur përmbi shenjtërimin e detajizimeve, sa herë që hedh vështrimin tej bedenave ndjen neveri dhe pështirosje për realitetin jashtë kështjellës.

Mirëpo kështjella e tij nuk është vetëprodhuese dhe herë pas here i duhet të bëjë ndonjë shkëmbim jashtë kështjelle. Këto dalje ia përforcojnë bindjen e patundëshme se ai ka gjithmonë e kurdoherë të drejtë, sepse ai është i frymëzuar, sipas pretendimeve të tij, nga parimet e epërme. Dalëngadalë universalitetin dhe gjerësinë e parimeve të epërme fillon dhe e zvogëlon aq sa, për të jetësimi i ekzistencës prej tjetrit është i drejtë dhe i vërtetë vetëm në qoftë se realizohet sipas modelit të kështjellës së tij. Çdo model jashtë kështjellës së tij është vetëm se anatemë, madje edhe kur këto modele ndajnë të njëjtën përkatësi. Mirëpo siç thonë edhe latinët non semper erit aestas (jo gjithmonë do të jetë verë).

Përballë sfidës së hapur të jetësimit të ekzistencës në muret brenda kështjellës, përkundruall qëndron një realitet që nuk mund të ndryshohet në tërësishmërinë e tij. Kjo vështirësi e ndryshimit të realitetit jashtë kështjellës edhe pse koha rrjedh, prodhon frikë, pasiguri, pafuqishmëri dhe entuziazmi revolucionar i ndryshimit të botës fillon e fashitet rrëshqanthi. Përballë dështimeve dhe mossuksesit, në vend që t’i kërkojë shkaqet në vetvete fillon e tjerr alibi me furkën e akuzës, përmes të cilave fajëson destruktivitetin e faktorit të jashtëm dhe  mbron kështjellën e themelisur keqas. Por a mund të fajësohet shiu pse pikon çatia?

Ky moskthim drejt vetes dhe moskritikim i saj, është produkt i drejtpërdrejtë i edukimit në shpellën platoniane, ku besohen për të vërteta dukjet dhe shmanget soditja dhe veshtimi ndaj thelbit të gjërave. Dogmatizimi i detajeve të parimeve të epërme është simptomë dukshme e qartë, e pakuptimësisë së thelbit të parimeve të epërme. Pafuqia e ndryshimit të rrjedhës së gjërave dhe dështimet e revolucionarizimit mesianik, mund të derivojnë me përfundje në shtjellat e humnerave të fundbotëshme, degdisje në zgrip të humnerave të fundbotëshme, shtrembërime dhe deformime të personalitetit, ose reflektim për kuptimësi të thelbit të parimeve të epërme. E natyrisht që nuk përfundon me kaq. Po aq sa nuk janë të imunizuar ata që ekstremizojnë përkatësinë e tyre ndaj parimeve të epërme, po aq nuk janë të imunizuar as ata të cilët duke dashur t’i shpëtojnë ekstremizimit në ngurtësi, bien në ekstremizim në përshtatshmëri.

Edhe trajektorja e lëvizjes në rastin e përshtatshmërisë, gati-gati të tërësishme, paraqitet në thelbin e saj e shformuar dhe e përmbysur. Njeriu që përshtatet shformohet në thelbin e vet dhe bosht qëndror i përkatësisë së tij ndaj parimeve të epërme, është përshtatja e këtyre parimeve sipas dobësive të preferencave të tij individuale, edhe pse përdor si alibi pamundësinë e ndryshimit të realitetit në të cilin dhe me të cilin jetojmë. Kjo pamundësi është reale, por ai e përdor pamundësinë si mbulojë të dobësisë së personalitetit të tij dhe përkundrejt përshtatshmërisë nuk bën më dallim se çfarë është qëndrore dhe çfarë është periferike, çfarë është thelbësore dhe çfarë është detaj, madje dhe thelbësoren mund ta kthejë në një detaj të përshtatshmërisë, duke lundruar kësisoj me anije pa direk në detin plot shkulme dhe tallaze.

Përshtatshmëria si shformim i thelbit të parimeve të epërmve, tregon dobësi, pasiguri, frikë në vetvete dhe kompleks inferioriteti. Ky njeri “e ka shndërruar veten e tij në mall, i privuar nga të gjitha cilësitë e qëndrueshme dhe të përcaktuara, përveç nevojës që të pëlqehet dhe gadishmërisë sa duhet shpesh, për të këmbyer rolet e veta. Përderisa përpjekjet e tij sjellin sukses ai në një farë shkalle e ndien veten në siguri, por humbja e gjithçkaje të mirë nga vetja, heqja dorë nga të gjitha vlerat njerëzore shpien në një zbrazëti të brendshme dhe pasiguri të cilat zbulohen gjatë çdo disfate të tij.”[1] Nevoja për tu pëlqyer është diçka së cilës nuk mund t’i ikësh lehtësisht.

Por kjo nevojë është prezente më së shumti tek i përshtaturi, ndryshe nga ngurtësuesi, që pranon të marrë mbi vete shigjetimet e të tjerëve, si rezultat i përkatësisë së tij. I përshtaturi duhet të ndrydhë përkatësinë e tij ndaj parimeve të epërme, duke u sjellë në një masë të konsiderueshme si bashkëkohor, për të përftuar pëlqimin dhe miratimin e shumicës. I përshtaturi, nisur nga nevoja për pëlqim mund të rrëshqasë drejt reklamimit, spektaklit, fanfarizimit, banderolizimit, të parimeve të epërme, pra drejt një forme pa përmbajtje, drejt një përjashtësie pa brendësi. Në këtë gjendje kahja poshtërorizuese, mund të godasë përçdoanshëm, të përshtaturin dhe këto goditje mund të jenë aq qendërlëkundëse, saqë mund të përdorë si mbulojë parimet e epërme, për përmbushjen e dimensionit materialistik, sepse i shenjtë për të mund të jetë tashmë pragmatizmi.    

Por çfarë duhet të synojë njeriu, për t’i shpëtuar disequilibrium? Nuk është e lehtë, por as e pamundur, pasiqë njeriut nuk mund t’i kërkohet realizimi i së pamundurës. Përkatësia ndaj parimeve të epërme, nuk do të thotë engjëllizim për njeriun. Ato i dëftojnë qartë njeriut, se është vetëm njeri dhe si i tillë duhet ta jetësojë ekzistencën e tij. Njeriu nuk mund të jetë kurrsesi i përsosur edhe pse në opinionin e njerëzve, ata që i përkasin parimeve të epërme nuk duhet të bëjnë qoftë dhe një gabim të vetëm. Njeriu duhet të ndërgjegjësohet së është njeri dhe si i tillë, do të gabojë, por ai duhet të ngrihet më gjithë fuqinë e personalitetit të tij, përmbi këto gabime, duke u përpjekur të ekuilibrojë dikotominë e tij. Ky ekuilibrim nuk nënkupton mesatare aritmetike, por kuptimësi të thelbit të parimeve të epërme, kuptimësi që buron nga thellësia e thellësisë së zemrës, pastërtisht e sinqertë, prej nga buron urtësia, shpirtmadhësia dhe mençuria e njeriut.

“Njeriu duhet të synojë të njohë të vërtetën dhe ai mund të bëhet në kuptimin e plotë njeri, vetëm në atë shkallë në të cilën del mbanë në zgjidhjen e kësaj detyre. Njeriu duhet të jetë i pavarur dhe i lirë, ai duhet të jetë qëllim dhe të mos shërbejë si mjet i realizimit të qëllimeve të njerëzve të tjerë”[2], sepse siç thonë edhe latinët nemo liber est qui corpori servit (nuk është i lirë askush që skllavërohet nga dëshirat e trupit).


[1] Fromm. E, “Psikoanaliza dhe feja”, Tiranë 2002, Plejad, faq. 72

[2] Fromm. E, “Psikoanaliza dhe feja”, Tiranë 2002, Plejad, faq. 72-73

Copyright © 2026 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim