Dispozitat e subjektit të së drejtës në sheriatin Islam - Mirësia Islame

Dispozitat e subjektit të së drejtës në sheriatin Islam

Mr.sci. Flamur Sofiu Bindja e prerë është se vetëm Allahut i përket sundimi dhe marrja  e vendimeve. Ai është i pastër prej çdo të mete dhe se vetëm Atij i përket që të urdhëroj dhe ndaloj. Ai është i vetmi…


Publikuar:

Mr.sci. Flamur Sofiu

Bindja e prerë është se vetëm Allahut i përket sundimi dhe marrja  e vendimeve. Ai është i pastër prej çdo të mete dhe se vetëm Atij i përket që të urdhëroj dhe ndaloj. Ai është i vetmi që përcakton se çka është hallall dhe çka është haram: “vendimi (në çështjen e adhurimit) nuk i takon askujt pos Atij”[1], “Ja, vetëm Atij i takon krijimi dhe sundimi”[2], “Mos i thuani asaj rrenës së gjuhëve tuaja: “Kjo është hallall e kjo është haram” e të shpifni ndaj All-llahut rrenën. Vërtet, ata që shpifin rrenën ndaj All-llahut, nuk kanë shpëtim.”[3].

Ne besojmë me besim të plotë se Legjislacioni i Allahut është i drejtë dhe se nuk ka asnjë të metë: “Ne me urtësi e zbritëm atë (Kur’anin) dhe me urtësi është zbritur”[4], “Pas të vërtetës nuk ka tjetër pos iluzione”[5].

Ne si myslimanë kemi bindje të prerë se i vetmi legjislacion që ne duhet t’i nënshtrohemi është sheriati i Allahut pavarësisht se a i pëlqen prijësit apo jo. Po ashtu ne kemi bindje të prerë se i vetmi legjislacion që duhet ta zbatojmë është sheriati i Allahut dhe se çdo mysliman e ka obligim të prerë që të veproj vetëm sipas tij me aq sa ka mundësi, pavarësisht se këtë sheriat e zbaton prijësi apo e braktisë atë: “Kur All-llahu ka vendosur për një çështje, ose i dërguari i Tij, nuk i takon (nuk i lejohet) asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të tyre personale të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetërfare. E kush e kundërshton All-llahun dhe të dërguarin e Tij, ai është larguar shumë larg së vërtetës.”[6].

Bindja jonë e prerë është se ne nuk guxojmë të lypim gjykim tjetër pos gjykimit me sheriat, se vetëm sheriati përcakton atë që është haram , atë që është hallall, atë që është obligim i prerë (farz), atë që është vepër e rekomanduar (mendua), atë që është vepër e papëlqyer (mekruh) dhe ajo që është vepër e lenë në dëshirën e myslimanit nëse do e vepron e nëse do e braktisen (mubah): “Për Zotin tënd. Jo, ata nuk janë besimtarë (të asaj që të zbriti ty as të asaj para teje) derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt mes tyre, e pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe (derisa) të mos binden sinqerisht.”[7].

Atë që e ka lejuar Allahu ajo do të jetë e lejuar deri në ditën e kiametit dhe se nuk ka të drejtë askush që atë ta bëjë si të ndaluar (haram). Ndërsa atë që e ka ndaluar Allahu, do të jetë e ndaluar deri në ditën e kiametit dhe se askush nuk ka të drejtë që atë ta bëjë si vepër të lejuar (hallall).          “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe.”[8], “Fjalët e Zotit tënd janë plot të vërteta (çka lajmërojnë) dhe plot të drejta (çka gjykojnë). S’ka kush që të ndryshojë fjalët (vendimet) e Tij. Ai është që dëgjon e di.”[9].

Dispozitat e Allahut  xh.sh. dikush duhet t’i kryej, e ai i cili është i obliguar për t’i kryer është njeriu. Pra vetë njeriu është subjekt i të drejtës اَلْمَحْكُومُ عَلَيْهِ  i cili ka mundësi i cili i plotëson kushtet të jetë i ngarkuar me obligimi dhe se ky ka mundësi për t’i zbatuar.

Aftësitë për kryerjen e kësaj të drejte është  dy lloje;

1.     أَهْلِيَّـةُ اْلأَداَءِaftësia e të drejtës në pikëpamje në pikëpamje të obligimeve, e kjo është aftësia e njeriut, që ndonjë detyrë juridike qoftë në leverdi të tij ose jo, mund t’i përkas atij.

2.         أَهْلِيَّةُالوُجُوب:  aftësia e të drejtës në pikëpamje të obligimeve për kryerjen e puneve juridike, thenë shkurt aftësia për punë.

   Shumica e dijetarëve muslimanë jetën e  njeriut e kanë ndarë në katër perioda-etapa dhe sipas tyre periodave janë të vërtetuara të drejtat dhe detyrat e secilit person. E ato perioda-etapa janë;

1.             دَوْرُاْلجَنِينَ:  periudha e jetës në barkun e nënës. Kur fëmija gjendet në barkun e nënës ka vetëm të drejta e jo detyra. Ato të drejta janë në pikpamje të mundesisë së testamentit (vasijjetit) të fëmijës, të drejtën për trashëgim, e para se gjithash të drejtën për jetë. Vasijeti dhe trashëgimia janë të plotfuqishme vetëm atëherë kur femija të lind i gjallë. Edhe pse fëmija është i lidhur shumë me nënën kur gjendet në mitrën e saj, e drejta islame e konsideron të pavarur.

2.         دَوْرُ اْلإِنْفِصَالِ اِلَى التَّمْيِّيزِ:; kjo është periudha nga lindja deri në moshën shtatë vjeçare. Në ketë moshë fëmija ka të drejta, por edhe detyra, por, ato detyra mund t’ia kryej edhe dikush tjetër në vend të tij; siç është vurja e kontratës, pagimi i zekatit, sadakatul-fitrit, kompensimi i gjërave të shkatërruara etj. Për fëmijën në këtë periodë nuk mund të zbatohet kurrfarë dënimi fizik për veprimin e bërë, si psh; për vjedhje, vrasje etj.

3.         دَوْرُ التَّمْيِّيزِ اِلِىَالْبُلُوغِ       : kjo periudhë është ajo në të cilën ka të drejta dhe detyra. Etapa nga mosha shtatë vjeçare e deri në pjekuri është periudha kur fëmija mund ta kryej namazin, agjërimin dhe obligimet tjera fetare, dhe të pranoje dhurata  e edhe atë nga e cila mund të ketë dobi. Megjithatë anëtarësimi në vakf, dhënia e dhuratave e të ngjashme është e pa drejtë dhe nuk ka kurrfarë fuqie ligjore, edhe nese kujdestari i tij e ka pranuar. Vëna e kontratës ku ekziston mundësia e fitimit, por edhe e humbjes është e lejuar, nëse me të pajtohet edhe kujdestari i tij.

4.     دَوْرُ مَا بَعْدَ االْبُلُوغِ  :; kjo është periudha e pjekurisë, ka të drejta por edhe të gjitha detyrat. Në çështjen e tij materiale dhe në punësimin e tij është i fuqishëm dhe i pavarur nga askush, por,me kusht që të jetë i aftë dhe i vetëdijshëm.   

Krahas aftësive mendore dhe pjekurisë që një person të jetë i ngarkuar me obligime   مُكَلَّفٌ  , është e domosdoshme liria (fizike) si dhe e drejta e zgjedhjes dhe vendosjes së lirë.

Pengesat për moskryerjen e detyrave dhe obligimeve mund të jenë të karakterit natyror اَلْعَوَارِضُ السَّمَاوِيَّةُ , por mund të paraqiten edhe vetë nga veprimet e njeriut اَلْعَوَارِضُ اْلأَهْلِيَّةُ.

a.   اَلْعَوَارضُ السَّمَاوِيَّةُ: dukuritë natyrore e të cilat kufizojnë kryerjen e obligimeve dhe detyrave të sheriatit janë;

1.              اَلْجَنُونُ çmenduria,

2.              اَلصِّغَرُ  vegjëlia,

3.اَلْعَتَهُ                matufosja,

4.اَلنِّسْيَانُ             harresa,

5.                اَلنَّوْمُ  gjumi,

6.             اَلأَغْمَاءُ  alivanosja,

7. اَلْحَيْضُ وَ النِّفَاسُ  hajzi dhe nifasi,

8.              اَلْمَرَضُ smundja,

9.                    اَلْمَوْتُ vdekja.

1. ÇMENDURIA

I çmenduri nuk konsiderohet si mukel-lef. Nëse i kthehet mendçuria atëherë edhe ai konsiderohet mukel-lef, dhe se për ato obligime që i kanë kaluar pa i kryer, nuk është i obliguar për t’i zëvendesuar (kaza), ngase ka qenë i marrë. Për këtë çështjeje Pejganeri s.a.v.s. ka thenë; رُفِعَ الْقَلَمُ عَنْ ثَلاَ ثَةٍ؛اَلنَّائِمُ حَتَّى يَسْتَيْقِظَ وَ عَنِ الصَّبِىِّ حَتَّى يَحْتَلِمَ وَ عَنِ الْمَجْنُونِ حَتَّى يَعْقِلَ  “Ngritët lapsi ( nuk shkruhen mëkatet) për tre veta; për atë i cili është në gjumë derisa të zgjohet, për fëmijën derisa të arrijë moshën madhore (bulug), dhe për të çmendurin derisa të përmendet”.

Sa i për ketë dhënies se zeqatit, sigurisë se pasurisë dhe furnizimit të çmendurit nuk ka kurrfarë obligimi, mirëpo këtë obligim duhet ta kryej kujdestari i tij.

2. VEGJËLIA

Ai i cili ende nuk ka hyrë në moshën madhore nuk konsiderohet mukel-lef, e këtë duke u bazuar në hadithin e Pejgamberit s.a.v.s. i cili u përmend pak më parë.

Njeriu në vegjëli nuk konsiderohet mukel-lef ngase nuk i plotëson kushtet për të qenë mukel-lef. E kushtet për të qenëe mukel-lef janë dy.

a. aftësia për ta kuptuar dispozitën obliguese,

b. aftësia për ta zbatuar atë (dispoziten).

Sa i përket dhënies së zeqatit, sigurisë së pasurisë dhe furnizimit, fëmija nuk ka kurrfarë obligimi, mirëpo këtë obligim duhet ta kryej kujdestari i tij.

Nëse fëmija e kryen namazin, agjëron dhe largohet nga haramet meriton shpërblim për shkak se vullnetarisht ka vepruar اَجْرُ تَطَوُّعٍ, e ky shpërblim nuk konsiderohet si shpërblim i atij personi që është mukel-lef, e që meriton shpërblimin për shkak të obligimit të kryer  أَجْرُ وَاجِبٍ . Por mund të ndodhë që fëmija ta kryej ndonjë vepër që është e ndaluar, mirëpo për të s’ka ndëshkim. Pejgamberi s.a.v.s. ka thenë;  رُفِعَ الْقَلَمُ عَنِ الصِّغَرِ حَتَّى يَكْبُرَ   “Është ngritur lapsi (nuk shënon veprat) për fëmijën derisa të rritet”.

3. MATUFOSJA

I matufosuri konsiderohet jo i obliguara, ngase me matufosjen e mendjes mënjanohet obligimi, edhe nëse personi është i fuqishëm dhe i shëndosh.

4. GJUMI

Në kohën derisa gjendet në gjumë njeriu nuk konsiderohet mukel-lef, mirëpo nëse i ka kaluar ndonjë ibadet pa e kryer gjersa ka qenë në gjumë, ai është i obliguar për ta e bërë kaza atë ibadet. Se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:   مَنْ نَامَ عَنْ صَلاَتِهِ اَوْ نَسِيَهَا فَلْيُصَلِّهَا إِذَا ذَكَرَهَا   “Kush ka qenë fjetur dhe i ka kaluar namazi pa e falur, ose ka harruar për ta falur, le ta falë kur kur t’i kujtohet”.

Pra nuk konsiderohet mëkatar robi në momentin e gjumit nëse kalon pa e kryer ndonjë ibadet të obligueshëm.

5. ALIVANOSJA

Në kohën derisa gjendet njeriu i alivanosur nuk konsiderohet mukel-lef. Nëse robit gjatë kohës së alivanosjes i kalon ndonjë obligim pa e kryer, ai duhet ta  bëjë kaza.

6. HARRESA

Nëse robi harron për ta e kryer ndonjë obligim për arsye të harresës nuk konsiderohet mëkatar, mirëpo duhet atë obligim që i ka kaluar të bëj kaza. Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:   رُفِعَ عَنْ أُمَّتِى الْخَطَأُ وَالنِّسيَانُ   “Nuk konsiderohet mëkat për ymmetin tim ajo vepër që bëhet pa qëllim dhe nga harresa”.

7. HAJZI dhe NIFASI

Hajzi dhe nifasi janë dukuri që paraqiten vetëm te femra. Femra gjatë kohës së hajzit dhe nifasit* konsiderohet për disa obligime jo e ngarkuar   غَيْرُ مُكَلَّفَةٍ . Femra gjatë hajzit dhe nifasit nuk guxon të falë namaz, të agjërojë, të lexojë Kur’an etj. Gruaja me hajz dhe nifas ka për detyrë ta bëj kaza agjërimin, ndërsa namazin jo.

8. SËMUNDJA

I sëmuri nuk konsiderohet mukel-lef për disa obligime. Sëmundja është pengesë për robin që disa obligime t’i kryejë, si p.sh.: i sëmuri nuk mund të agjërojë, mirëpo ka për obligim ato ditë që nuk i ka agjëruar t’i agjëroj më vonë.

9. VDEKJA

I vdekuri nuk konsiderohet mukel-lef asnjëherë, ngase banorët e botës së amshueshme, xhennetlit apo xhehnnemlit nuk konsiderohen mukel-lefa. Të gjithë të vdekurit besojnë, ngase besimi i tyre është i dhunshëm, dhe askush nuk mund të vdes pa besuar. Mirëpo njeriu në agoni të vdekjes nuk konsiderohet mukel-lef se edhe nëse beson në ato momente besimi i tij është i pavlefshëm. Për ketë çështje si shembull mund të marrim rastin e Firaonit, i cili në momentin kur po përmbytej besoi, mirëpo besimin e tij Allahu xh.sh. nuk e pranoi, Kur’ani tregon:  {حَتَّى إِذَا اَدْرَكَهُ الْغَرْقُ قَالَ آمَنْتُ اَنَّهُ لاَ اِلَهَ اِلاَّالَّذِىآمَنَتْ بَنُوااِسْرائِيلَ وَاَنَا مِنَ

الْمُسْلِمِينَ آلآنَ وَقَدْ عَصَيْتَ مِنْ قِبْلُ وَ كُنْتَ مِنَ الْمُفْسِدِينَ } “ . . . derisa e përfshiu atë përmbysja, e ai tha: “Besova se nuk ka Zot tjetër pos Atij që i besuan Beni Israilet, edhe Unë jamë nga muslimanët! Ti tani beson, ndërsa më parë kundërshtove dhe ishe njeri prej shkatërruesëve!” (Junus: 90,91)

Pasi që njeriu në momentet e vdekjes nuk konsiderohet mukel-lef atëherë edhe besimi i tij në këto momente nuk pranohet. Gjithashtu robi nuk konsiderohet mukel-lef edhe në momentet kur paraqiten shenjat e mëdha të kijametit, dhe besimi i tij nuk vlen në ato momente nëse nuk ka besuar më parë, Allahu në Kur’an thotë:{ يَوْمَ يَأْتِى بَعَضُ آيَاتِ رَبِّكَ لاَ يـَنْفَعُ نَفْسًا إِيمَانُهَا لَمْ تَكُنْ آمَنَتْ مِنْ قَبْلُ اَوْكَسَبَتْ فِى اِيمَانِهَا خَيْرًا }“. . .ditën kur do të vijnë disa nga shenjat e Zotit tënd, asnjë njeriu nuk i vlen besimi i tij nëse nuk ka besuar më parë ose nuk ka berë në besimin e tij kurrfarë të mire . . .” (el-Enam: 158)

Rrethanat të cilat shkaktohen nga puna e njeriut, e të cilat ndikojnë në mos kryerjen e obligimeve dhe detyrave fetare janë:

a.اَلْجَهْلُ              : injoranca,

b. اَلسَّكَرُ            : dehja,

c. اَلْهَزْلُ             : tallja,

ç. اَلسَّفَهُ              : naiviteti,

d.  اَلسَّفَرُ           : udhëtimi,

e.  اَلْخَطَأُ   : gabimi pa qëllim,

ë.اَلإِكْرَاهُ             : dhuna.

INJORANCA

Injoranca njeriut i pamundëson njohjen e normave të sheriatit, e derisa t’i njohë ato norma ai nuk konsiderohet i obliguar-mukel-lef. Nëse injorantit i jepet mundësia me i mësuar normat e sheriatit (se çka është obligim për te), atëherë i ka për detyrë të gjitha obligimet e lëna nga injoranca t’i bëj kaza. Ai mysliman që nga mosdija se prostitucioni është i ndaluar e kryen këtë akt, mbi të ekzekutohet dënimi sipas sheriatit; nëse nuk e ka falur namazin nga injoranca ai duhet ta bëjë kaza. Ndërsa ai njeriu që nuk ka pasur mundësi për t’i njohur ligjet e sheriatit, ai person nuk konsiderohet mukel-lef duke u bazuar në ajetin e Kur’anit: { وَ مَا كُنَّا مُعَذِّبِينَ حَتَّى نَبْعَثَ رَسُولاً } “Ne nuk e dënojmë (askënd) para se t’ia dërgojmë të dërguarin” (El-Isra: 15)

Ai njeri që e pranon islamin në vendet jo islame, ai nuk duhet ta bëjë kaza namazin, agjërimin dhe tjerat obligime. Ose, nëse ai ka bërë zina, mbi të nuk ekzekutohet dënimi për zina.

DEHJA

Me shprehjen (dehje) nënkuptohet humbja e logjikës brenda një kohe për shkak të alkoolit, apo ndonjë produkti tjetër qe e deh njeriun.

 Dehja e personit mund të jetë dy llojesh;

1. Ndodhë që njeriu të dehet prej nevojës së jashtëzakonshme ( kur është i etur dhe nuk ka çfarë për të pi tjetër pos alkoolit), ose dehet gjatë përdorimit të barërave. Norma e kësaj dehje është e njëjtë sikurse e alivanosjes, obligimet të cilat i kanë kaluar pa i kryer duhet t’i bëjë kaza.

2. Kur njeriu pi alkool (apo ndonjë produkt tjetër që të dehë) nga dëshira (pa qenë i detyruar në asnjë mënyrë), konsiderohet si mukel-lef dhe se çdo normë duhet të kryhet ndaj tij, si; nëse ai ka bërë ndonjë kontratë për shitblerje, për huamarrje etj. Norma e sheriatit kryhet ndaj këtij personi ngase të logjika është prezentë por ajo nuk është në gjendje për të kuptuar, ngase nuk i është përmbajtur ligjeve të Ligjdhënësit. Ai person i cili dehet në këtë mënyrë konsiderohet mëkatar, dhe është i obliguar që ibadetet t’i bëj kaza.

  Të gjithë fukahat janë të mendimit se dehja e tillë nuk e benë njeriun të lirë nga obligimet, por ai konsiderohet mukel-lef.

TALLJA 

Me fjalën tallje kuptohet ajo shprehje që e shpreh dikush për t’u tallur. Tallja njeriun nuk e largon nga obligimet që duhet t’i kryej.

Tallja është tri llojesh;

1. Tallja në çështjet e koekzistences.

2. Tallja në çështjet e ndonjë lajmi.

3. Tallja në çështjet e besimit.         

Si tallje në çështjet e koekzistences mund të cekët kjo; nëse dikush duke u tallur e shkurorëzon gruan, sipas disa dijetarëve ai shkurorëzim është i ligjshëm. Ose, nëse dy veta mes vetë gjatë shitblerjes tallen duke bërë aktin e kontratës dhe ia vlerësojnë çmimin mallit dyfish më tepër, ose më pak se sa  e ka vlerën, sipas Ebu Hanifes ky akt konsiderohet i ligjshëm, e sipas disa tjerëve ky akt është jo i ligjshëm, ngase qëllimi nuk ka qenë shitblerja e vërtetë.

Tallja që ka të bëjë më çështjet e koekzistences është dy llojesh;

a. tallja e cila mund të përmirësohet,

b. tallja e cila nuk mund të përmirësohet.

            Tallja e cila mund të përmirësohet është ajo tallje që ka të bëjë më çështjet e shitblerjes dhe shpërblimit.

            Tallja e cila nuk mund të përmirësohet është në çështjet e kurorëzimit, faljes së hakmarrjes, lirimit të robit, në betim, në premtim etj.

            Tallja në çështjet e besimit është shumë e dëmshme, ngase nëse dikush duke u tallur fletë fjalë që e hedhin në mosbesim (kufer) e sjellin në pozitë të pa lakmueshme atë person.

NAIVITETI

            Me fjalën  naivitet nënkuptohet vepra e atij njeriu eë e benë nga naiviteti dhe mendjelehtësia, duke mos logjikuar. Naiviteti nuk e liron njeriun nga obligimet dhe të drejtat që i ka ndaj Allahut dhe njerëzve. Mirëpo sheriati islam ia ruan interesat, duke mos i lejuar naivit që ta harxhojë pasurinë e tij si të dojë.

GABIMI PA QËLLIM

Me gabimin pa qëllim nënkuptohen ato gabime që i ben njeriu pa dashje dhe pa qëllim. Që nëse robi e bën ndonjë mëkat pa qëllim, ai nuk ndeshkohet për të, ngase Pejgamberi s.a.v.s. ka thenë:   رُفِعَ عَنْ أُمَّتِى الْخَطَأُ وَ النِّسْيَانُ             “Nuk konsiderohet mëkat për ummetin tim ajo çka ta bejnë nga mosdashja dhe harresa . . . “, ose hadithi tjetër: إِنَمَّا الأَعْمَالُ بِالنِّيَّاتِ          “Me të vërtetë veprat çmohen sipas qëllimit ( që ka robi) . . . “.

Si shembull të gabimit pa qëllim mund të përmendim këtë; nëse dikush gjuan me armë për ta mbytur gjahun, por e godet njeriun; ose agjëruesi futë ujë në gojë për ta shpërlarë gojën dhe uji i shkon brenda në organizëm etj.

Gabimet pa qëllim janë dy llojesh;

a. gabimet pa qëllim që i ka robi ndaj Allahut xh.sh.

b. gabimet pa qëllim që i ka robi ndaj njerëzve.

Sa i për ketë gabimeve pa dashje në obligimet ndaj Allahut xh.sh. njeri nuk do të jetë përgjegjës para Allahut dhe nuk do të ketë kurrfarë dënimi. Nëse muxhtehidi gabon dhe nuk ia qëllon shpjegimit të ndonjë çështjeje të sheriatit, ai nuk do të konsiderohet përgjegjës para Allahut xh.sh.

Ndërsa sa u përket gabimeve pa dashje ndaj njerëzve, njeriu gabimin e tillë të bërë ndaj dikujt duhet ta kompensojë. Si p.sh. nëse besimtari e mbyt besimtarin pa qëllim, duhet ta bëjë kompensimin, e jo të bëhet kisas(të mbytet). .

DHUNA

Me fjalën dhunë  në këtë kontekst nënkuptohen ato vepra apo fjalë që njeriu ka qenë i detyruar për t’i bërë-thënë pa vullnetin e tij.

Hanefitët dhunën e ndajnë në dy lloje:

1.       إِكْرَاهٌ مَلْجِئٌ          : është ai lloj i dhunës që njeriut ia rrezikon jetën, e që njeriu domosdo duhet ta kryej këtë urdhër.

2.  إِكْرَاهٌ غَيْرُ مَلْجِئٍ        : është ai lloj i dhunës që njeriut nuk ia rrezikon jetën por njeriu është i kërcënuar për burgosje ose rrahje, nëse nuk e kryen-zbaton urdhrin e dhënë.

Në llojin e parë njeriu duhet t’i nënshtrohet urdhrit përkundër dëshirës së tij, ndërsa dhunës së llojit të dytë njeriu nuk duhet t’i nënshtrohet.


[1] Jusuf: 40

[2] El-E’araf: 54

[3] En-Nahl: 116

[4] Isra: 105

[5] Junus: 32

[6] El-Ahzab: 36

[7] En-Nisa: 65

[8] El-Maidetu: 3

[9] El-En\amu: 115

* Hajzi është perioda e menstruacioneve, ndërsa nifasi është i ngjashëm me menstruacionet por paraqitet pas lindjes së fëmijes.

Copyright © 2026 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim