“Dobiprurës për të tjerët”, cilësi kyçe e myslimanit - Mirësia Islame

“Dobiprurës për të tjerët”, cilësi kyçe e myslimanit

Nga cilësitë më të rëndësishme të muslimanit është që t’u bëjë njerëzve sa më shumë mirë që mundet, qoftë kjo mirësi monetare, si lëmosha, ushqimi, uji për të pirë, shlyerja e borxheve, etj., ose mirësi morale, sikurse pajtimi midis dy…


Publikuar:

Nga cilësitë më të rëndësishme të muslimanit është që t’u bëjë njerëzve sa më shumë mirë që mundet, qoftë kjo mirësi monetare, si lëmosha, ushqimi, uji për të pirë, shlyerja e borxheve, etj., ose mirësi morale, sikurse pajtimi midis dy të grindurve, ndërmjetësimi, ndërhyrja dhe privilegjimi, përdorimi në dobi të njerëzve i prestigjit që ke, dhënia e diturisë, si dhe mbarë dobitë dhe interesat për të cilat njerëzit kanë nevojë si mirëtrajtimi, mënjanimi i dëmit dhe lëndimit, vizita e të sëmurit, ndihmesa e të shtypurit dhe të dhunuarit, lidhja dhe raportet e mira me familjarët dhe fisin, fqinjësia e mirë, etj.

Allahu i Lartësuar ka thënë: “O ju që besuat, falni namazin me ruku e sexhde, vetëm Zotin tuaj adhurojeni dhe bëni punë të mira (të dobishme), se do të gjeni shpëtim” [Haxh: 77]; fjala e Tij “bëni punë të mira (të dobishme), është një urdhër që përmbledh çdo të mirë, pra adhurimi shpërthen në zemër mëshirën dhe argumenti i mëshirës është bamirësia.

Gjithashtu Allahu i Lartësuar ka thënë: “Në shumë biseda intime të tyre nuk ka kurrfarë dobie, përveç kujt këshillon për lëmoshë, për bamirësi ose pajtim midis njerëzve…” [Nisa: 114]  Ndërsa për të përzgjedhurit e Tij, profetët, Allahu i Lartësuar ka thënë: “…dhe atyre u shpllaëm (i orientuam në) kryerjen e punëve të mira…” [Enbija: 73]; ashtu që ndihmesa e njeriut në nevojë, është nga traditat dhe zakonet e profetëve fisnik, shohim për shembull veprimin e Musait [paqja qoftë mbi të], siç e ilustron Kurani fisnik, me thënien e Lavdiplotit: “E kur arriti tek uji i Medjenit, aty gjeti një grumbull njerëzish që po i jepnin ujë bagëtisë, e pak më larg prej tyre vërejti dy gra që po i mbanin bagëtitë e tyre larg ujit, e u tha: ‘Si është puna juaj?’ Ato të dyja i thanë: ‘Ne nuk u japim ujë deri sa të largohen barinjtë, e përsa i përket babait tonë ai është i thyer në moshë!’ Atëherë ai u dha ujë (kafshëve) të tyre, pastaj u largua anash nën një hije e tha: ‘O Zoti im, unë kam nevojë për çfarëdo që të më japësh!’” [Kasas: 23-24]

Dijetari i famshëm islam, Ibnul Kajimi [Allahu e mëshiroftë] thotë: “Arsyeja, transmetimet fetare, natyrshmëria njerëzore dhe eksperiencat e njerëzve në nivel grupesh dhe kombesh anekënd…, dëshmojnë se afrimi tek Zoti i botëve dhe bamirësia e mirëtrajtimi i krijesave të Tij, janë nga shkaqet më të mëdha ndjellëse të çdo të mire, dhe se e kundërta me këtë (largimi nga Zoti dhe keqtrajtimi i krijesave të Tij), është nga shkaqet më të mëdha ndjellëse të çdo të keqeje. Nuk arrihet të ndillen mirësitë e Allahut dhe të dëbohen ndëshkimet e Tij, sikurse përmes bindjes ndaj Tij dhe mirëtrajtimit të krijesave të Tij”.

Gjithsecili prej nesh, me lindjen e çdo dite të re, ka detyrim të shlyejë treqind e gjashtëdhjetë (360) lëmosha, në përkatësi me treqind e gjashtëdhjetë (360) kyçet që ai ka, sikurse e thotë këtë gjë Profeti [lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të]: “Çdo njeri, për çdo ditë në të cilën lind dielli, ka detyrim të japë sadaka (lëmoshë) për veten e tij.” Ebu Dheri i tha: O i dërguar i Allahut, nga ku të japë lëmoshë unë, kur ne nuk kemi para? Profeti [lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të] tha: “Porse prej dyerve të sadakasë (lëmoshës) është “tekbiri” (të thuash “Allahu Ekber-Allahu është më i madhi”), “Subhan Allah-Lavdiplotë është Allahu”, “Elhamdu li Lahi-Falënderimi i takon Allahut”, “La ilahe il Allah-Nuk ka hyjni veç Allahut”, “Estegfiru Llah-i falem Allahut”, të urdhërosh në të mirë, të ndalosh nga e keqja, ta izolosh ferrën nga rruga e njerëzve dhe po kështu edhe kockat dhe gurët, ta drejtosh të verbrin, të komunikosh me shurdhmemecin që të kuptojë, ta orientosh mbi nevojën që ka atë që ta kërkon një gjë të tillë kur e di vendin e kërkuar, të nxitosh sa të mbajnë këmbët që të ndihmosh nevojtarin i cili të kërkon ndihmë, të mbash sa të mbajnë krahët në shërbim të njeriu të dobët, që të gjitha këto janë prej dyerve të sadakasë (lëmoshës) që ti i bën vetvetes. E edhe në marëdhëniet e tua intime me tët shoqe, ti merr shpërblim.” Ebu Dheri tha: Si, marrkam shpërblim kur kryej epshin tim? Profeti [lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të] i tha: “Më thuaj, nëse do kishe një fëmijë të arrirë dhe për të cilin shpreson mirë, pastaj vdes, a do prisje të të shpërblente Allahu për të?!” Thotë Ebu Dheri: Thashë: Po. Profeti [lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të] tha: “A ti e krijove atë?!” Ebu Dheri tha: Përkundrazi, është Allahu Ai që e krijoi. Profeti [lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të] tha: “A ti e udhëzove atë?!” Ebu Dheri tha: Përkundrazi, është Allahu Ai që e udhëzoi. Profeti [lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të] tha: “A ti e furnizove atë?!” Ebu Dheri tha: Përkundrazi, është Allahu Ai që e furnizonte atë. Profeti [lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të] tha: “Njëjtë është me pllenimin e tij në në hallallin e tij dhe mënjanimin e haramit të tij. Pastaj, Allahu nëse do i jep atij jetë, e nëse do ia merr jetën, dhe ty të jep shpërblim.” [Konfirmuar si hadith i saktë, nga Albaniu]

Shpërblimi, për shkak të të sjellurit dobi muslimanëve, është madhështor, ashtu që në “Sahiheni-Dy të saktët-Hadithet e sakta të Bukhariut dhe Muslimit)” ka ardhur se Profeti [lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të] ka thënë: “Kush ka qenë në ndihmë të vëllait të tij për nevojën që ka, Allahu është në ndihmë të tij për nevojën që ka, kush e çliron një musliman nga brenga (vuajtja), Allahu në sajë të kësaj, çliron nga ai një breng prej brengave të tij të Ditës së Gjykimit dhe kush e mbulon (nuk e demaskon) një musliman, atë Allahu do ta mbulojë Ditën e Gjykimit”; transmetim për të cilin Ibn Ebi Dunja sjell shtesën: “Dhe kush rend me një të dhunuar derisa t’ia konsolidojë (përmbush) të drejtën e tij, atij Allahu do t’ia përforcojë dy këmbët e tij mbi Sirat, atë ditë kur këmbët rrëshqasin”. [Konfirmuar si hadith i saktë, nga Albaniu]; kuptimi është: kush çliron nga besimtari një brengë apo vuajtje nga ato të dynjasë, atij Allahu do t’ia çlirojë (eliminojë, mënjanojë) një brengë apo vuajtje nga ato të Ditës së Gjykimit, duke qenë se “shpërblimi është sipas sojit të punës së bërë”, kush i bën lehtësira atij që është në vështirësi, Allahu do t’i bëjë lehtësira në dynja dhe Amshim; gjithashtu Allahu do ta mbuloj (nuk do t’ia vërë në dukje të metat) në dynja dhe Amshim, atë që e mbulon muslimanin duke mos ia shfaqur të metat e tij, pra kemi të bëjmë me një mbulim metaforik, ose kuptimi është ia mbulon të metën duke mos lejuar askënd ta shajë atë dhe të flas për të pas shpine; dhe kush e mbron nderin e vëllait të tij, atij Allahu do t’ia mbrojë fytyrën nga zjarri në Ditën e Gjykimit; gjë që presupozon t’i thuash në bisedë atij që cenon vëllanë tënd musliman: Hesht, nuk dimë për të vetëmse mirë. Kush e bën një gjë të tillë, atë Allahu do ta mbulojë në dynja dhe Amshim, ashtu që nuk do e demaskojë duke ia shfaqur të metat dhe mëkatet e tij. Kur thuhet “kush ia çliron (mënjanon) muslimanit një brengë, fjala “brengë” sillet kushtëzore dhe në trajtën e pashquar, pra e pa specifikuar, e përgjithshme dhe në trajtën e kushtëzimit, që nënkupton se bëhet fjalë për çdo brengë dhe vuajtje, të vogël dhe të madhe. Po kështu “Allahu është në ndihmë të robit përderisa robi është në ndihmë të vëllait të tij” dhe “Kush ka qenë në ndihmë të vëllait të tij për nevojën që ka, Allahu është në ndihmë të tij për nevojën që ka”; vijnë me kuptimin se kush rend në kryerjen e nevojës së vëllait të tij, Allahu ka për t’ia kryer nevojën e vet.

Hadithi na tërheq vëmendjen mbi mirësinë e ndihmesës së vëllait në çështjet dhe preokupimet që ai ka, si dhe na orienton në faktin se shpërblimi dhe ndihmesa hyjnore për të tillë gjë është në të njëjtën monedhë. Po kështu hadithi hedh dritë mbi mirësinë dhe vlerën që ka rendja pas përmbushjes së nevojave dhe preokupimeve të muslimanëve, si dhe për dobiprurjen atyre brenda kapaciteteve të mundshme duke i mësuar, dhënë ndihmë monetare, ndihmë materiale, dhënie këshille, përvijim të një interesi etj. Po kështu në hadith vjen merita dhe vlera e mbulimit dhe mosdemaskimit të muslimanëve, të bëmurit lehtësira atij që është në vështirësi dhe vlera e rendjes pas nevojës së muslimanëve.

Në një tjetër hadithi vjen: “Njeriu më i dashur tek Allahu është më dobiprurësi, puna më e mirë tek Allahu Lavdiplotë dhe i Lartëmadhërishëm është t’i fusësh gëzim muslimanit, ose t’i mënjanosh atij një brengë (vuajtje), ose t’ia likuidosh borxhin, ose t’ia përzësh urinë. Që të ecë në përmbushje të nevojës që ka vëllai im musliman është më e dashur për mua sesa të qëndroj një muaj i ngujuar (në itikaf) në xhami. Personit që e përmban zemërimin, Allahu ka për t’ia mbuluar intimitetin (auretin) e tij, personit që e përmban mllefin të cilin është i mundur ta çliroj po deshi, atij Allahu Ditën e Gjykimit ia mbushë zemrën me gëzim. Kush ecë me vëllanë e tij musliman pas nevojës që ai ka derisa t’ia konsolidojë (përmbushë) atë, atij Allahu i Lartësuar ka për t’ia përforcuar këmbët në ditën kur këmbët rrëshqasin. E morali i keq i prish punët siç e prish uthulla mjaltin.” [Kurfirmuar si hadith hasen (i mirë) nga Albaniu]

Ndoshta ai që u shërben agjëruesve (në rrugëtim e që vetë nuk agjëron) ka avantazhe kundrejt këtyre agjëruesve dhe e merr për vete shpërblimin dhe meritën, sepse dobiprurja e tij është një bamirësi që u sjell dobi agjëruesve dhe të tjerëve veç tyre, sikurse në rastin kur personat që nuk ishin agjërueshëm në rrugëtim, u morën me punët e rrugëtimit, i stisën dhe ngrehën çadrat, u dhanë të pinë deveve etj, teksa agjëruesit u përplasën përtokë dhe nuk kishin pikë takati; me ç’rast Profeti [lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të] tha: “E morën për vete sot shpërblimin ata që s’kanë agjëruar (në rrugëtim); thelbi këtu qëndron në dobinë që u erdhi të tjerëve prej tyre.

Selefët (gjeneratat e para të besimtarëve) kishin një këndvështrim të tillë kundrejt hallexhiut kur e ndihmonin, që: “nuk e konsideronin veten se i kishin bërë nder hallexhiut, por e konsideronin hallexhiun se ai u kishte bërë nder, dhe për këtë ata i ndjeheshin borxhli atij”.

Ibnul Kajimi [Allahu e mëshiroftë] e përshkruante dijetarin e madh të islamit, Ibn Tejmijen, duke thënë: “Dijetari i Islamit (Ibn Tejmije) rendte së tepërmi pas kryerjes së nevojave të njerëzve.”

Ali Zejnul Abidine ibnul Husejni [Allahu e mëshiroftë], mbante bukë të cilën e çonte në errësirë në shtëpitë e të vobektëve. Kur ai vdiq të vobektët e humbën këtë shërbim. Ata nuk e morën vesh se kush ua bëntë këtë të mirë, vetëmse kur kjo bamirësi u ndërpre me vdekjen e tij.

Është mjaft për ne fakti se rendja në dobi të njerëzve ishte prej atributeve dhe moraleve të Profetit [lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të]. Kur atij i ndodhi ngjarja e shpellës së Hirasë, Khadixhja u argumentua se e tillë gjë nuk mund të ishte në dëm të tij, nisur nga moralet e Profetit [lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të], duke i thënë: “Jo jo, për Allahun, Allahu kurrë nuk do të të poshtërojë ty. Për Allahun, ti ke raporte të përsosura me farefisin, e mban barrën e të tjerëve, i jep atij që s’ka, e nderon mikun dhe ndihmon në fatkeqësi”; “ti ke raporte të përsosura me farefisin”, pra i trajton mirë ata me fjalë dhe vepra; “e mban barrën e të tjerëve”, këtu hyn shpenzimi dhe kontributi për të dobëtin, jetimin, të varfrin, etj, dhe me barrën këtu nënkuptohet pamundësia dhe paaftësia; “i jep atij që s’ka”, i jep lëmoshë, para, atij personi që është në hall nga gjendja ekonomike; “e nderon mikun”, e respekton me ushqimin enkas për të; “ndihmon në fatkeqësi”, ndihmon njerëzit kur ata i godet fatkeqësia.

Profeti [lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të], çdo musliman, e ka urdhëruar që t’i bëjë dobi sa të mundet vëllait të tij musliman, me çdo formë prej formave të dobisë, gjë lidhur me të cilën ai thotë: “Kush mundet prej jush që t’i bëjë dobi vëllait të tij, le ta bëjë këtë!” [Publikuar nga Muslimi]

Vëllezër të nderuar, s’ka dyshim se nga adhurimet më madhështore që janë të karakterit kapërcyes, pra që kapërcejnë jashtë individit, në mos qoftë absolutisht më madhështori, është mësimi i njerëzve, t’u mësojmë atyre dituri të përgjithshme, t’u mësojmë fenë dhe sheriatin (ligjin islam). Merita për personin që i mëson njerëzit për mirë, është shumë e madhe, ku theksojmë meritën se “ky person merr shpërblim si shpërblimi i atij që punon i stimuluar nga dituaria që ky person ia mësoi”, më konkretisht Profeti [lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të] ka thënë: “Atij që i mëson një personi një dituri, i takon shpërblimi i atij që punon me të, duke mos e pakësuar fare shpërblimin e vepruesit”. [Ibn Maxhe e konfirmon për hadithi hasen (të mirë)]

Në transmetimet e imam Bukhariut qëndron: “Më i miri prej jush është ai që e mëson Kuranin dhe ua mëson atë të tjerëve”; pra ai që tubon midis mësimit të Kuranit për vete dhe të mësuarit e tij të tjerëve, ka kompletuar edhe veten edhe të tjerët, duke i bërë dobi vetes dhe duke qenë dobia e tij kapërcyese, ndaj dhe ky person hyn tek fjala e Lavdiplotit: “E kush është në rrugë më të mirë se ai që thërret në rrugën e Allahut, që bën vepra të mira dhe që thotë: ‘Unë jam prej muslimanëve?!’” [Fusilet: 33]; thirrja në rrugë të Allahut ka shumë forma, prej të cilave është edhe të mësuarit e Kuranit fisnik.

Shpërblimi për atë që u mëson njerëzve mirë, është shumë i madh, aq sa Allahu i Lartësuar ka bërë që banorët e qiellit dhe të tokës të kërkojnë falje për kë i mëson njerëzit për mirë, si dhe u ka inspiruar gjallesave të mëdha e të vogla, nga milingona e deri tek balena, të kërkojnë falje për dijetarin e dobishëm, gjë lidhur me të cilën Profeti [lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të] ka thënë: “Fakt është se Allahu, engjëjt e Tij, banorët e qiejve dhe të tokave, deri dhe milingona në strehëzën e saj e edhe balena, luten për atë që u mëson njerëzve mirësinë.” [Hadith hasen (i mirë)]

I nderuar musliman, sa e sa specie peshqish gjenden në dete dhe oqeane? Sa peshq? Sa specie e soje kafshësh e gjallesash gjenden? Sa specie shpendësh, sa e sa? Që të gjitha këto specie i luten Zotit për atë person që i mëson njerëzit për mirë. Përse? Kjo sepse bamirësia dhe dobia e tyre arrin tek të tjerët, pra është dobi kapërcyese.

Nëse një person thotë se përse gjallesat kërkojnë falje për dijetarin e dobishëm, thuhet:

Së pari: Ky është një nderim për atë që ka bartur mbi supe diturinë islame.

Së dyti: Dobia e dijetarit është kapërcyese, ashtu që nga ajo përfitojnë edhe gjallesat, pasi dijetari u thotë njerëzve: “Mprehe tehun e hanxharit, të mos e bësh të vuaj bagëtinë që do therësh”, “mos e ther atë në prani të bagëtive të tjera, shuaja asaj etjen dhe sillu butësisht me të”, “kur (duhet) të ekzekutoni, bëjeni ekzekutimin në formën më të mirë dhe kur të therni, therni në formën më të mirë”, u thotë njerëzve: “Në të mirën që i bëhet çdo gjallese me mëlçi, përfitohet shpërblim”, madje edhe nëse ia shuan etjen një maceje. Gjallesat ndihen falënderuese në saj të këtij mësimi në dobi të tyre, ndaj dhe Allahu u inspiron banorëve të qiejve dhe të tokës, që të kërkojnë në vijimësi falje për këtë dijetar.

Prej dobisë më të madhe kapërcyese tek të tjerët, është pajtimi midis dy të grindurve, siç ka thënë Allahu Lavdiplotë: “Në shumë biseda intime të tyre nuk ka kurrfarë dobie, përveç kujt këshillon për lëmoshë, për bamirësi ose pajtim midis njerëzve…” [Nisa: 114], ndërsa Profeti [lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të] për sa në fjalë thotë: “A doni t’u tregojë për më mirë se grada e agjërimit, namazit dhe sadakasë (vullnetare)?!” Thanë: Posi jo, o i Dërguar i Allahut. Tha: “Pajtimi midis palëve, teksa prishja e palëve është rruesja (rrënuesja). [Ebu Daudi e konfirmon hadith të saktë]; në një transmetim tjetër thotë: “Ju është gëluar sëmundja e popujve para jush, smira dhe urrejtja, teksa urrejtja është rruesja, ama unë nuk them rruesja që rruan flokët, pro që rruan fenë”. [Bezari konfirmon se zinxhiri i transmetimit ëshë i mirë]

Gjithashtu lidhur me pajtimin, në një transmetim tjetër profetik vjen: “Sadakaja (lëmosha) më e mirë është pajtimi midis palëve”. [Hadith i saktë]

Aspektet dhe format e dobiprurjes janë të shumta:

Profeti [lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të], që t’na mësojë lëmenj të tjerë që na shërbejnë gjithashtu në çështjen e dobisë së njerëzve dhe krijesave në përgjithësi, ka thënë: “’Kush disponon një hajvani transporti shtesë, le t’ia kalojë kujt nuk ka, kush ka pajime (furnizime, rezerva) shtesë le t’ua kalojë atyre që s’kanë…’,– dhe vijoi të përmendë kategori malli të sa në fjalë, aq sa, pamë se askush prej nesh s’kishte të drejtë të kishte shtesë”. [Publikuar nga Muslimi]

Prej çështjes së dobiprurjes është edhe t’i japësh borxh muslimanit, Profeti [lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të] ka thënë: “Nuk ka musliman që t’i jap dy herë borxh muslimanit, përveçse është si një herë sadaka”. [Konfirmuar hadithi i saktë nga Albaniu]

Nëse muslimani është në telashe dhe vështirësi, bëji tolerime dhe lehtësime, pasi Allahu do të bëj ty lëshime në Ditën e Gjykimit dhe u thotë engjëjve: Ne jemi me të denjë me të (t’i bëjmë lëshime atij) sesa ky me atë (të cilit i bëri lëshime). Thotë Profeti [lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të]: “Kush pëlqen që Allahu ta shpëtoj nga vuajtjet e Ditës së Gjykimit, le t’i japë frymëmarrje (ta lehtësojë, tolerojë dhe t’i bëj lëshime) atij që është në vështirësi ose le t’ia shlyejë ato!” [Publikuar nga Muslimi], dhe thotë: “Kush do që lutja e tij të marrë përgjigje dhe brenga (vuajtja) e tij të evitohet, le t’i bëj lëshime njeriut në vështirësi!” [Publikuar nga Ahmedi me transmetues të besueshëm], po kështu: Kur Profeti [lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të] u pyet se cila prej punëve është më e mirë, ai tha: “Që t’i fusësh gëzim besimtarit, duke e ngopur urinë e tij, veshur vendin intim të trupit të tij ose t’i kryesh atij një nevojë që ka”. [Hadith hasen]

Kështu pra, dyert e dobisë dhe bamirësisë janë vërtetë shumë, e lusim Allahun që t’na bëj në vazhdimësi njerëz të dobishëm, të na përdor dhe mos të na ndërrojë.

Pohimi ynë i fundëm është “Vërtet falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!”.

Copyright © 2026 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim