Drejt lumturisë, objektivi optimal
Njeriu në këtë jetë është në një udhëtim dhe objektivi optimal që ai bart në shpirtin e tij është arritja e lumturisë, një jete e lumtur për të dhe mbarë dashamirët e tij. Ndërkaq kudo rreth e rrotull, teksa hedh…
Publikuar:

Njeriu në këtë jetë është në një udhëtim dhe objektivi optimal që ai bart në shpirtin e tij është arritja e lumturisë, një jete e lumtur për të dhe mbarë dashamirët e tij.
Ndërkaq kudo rreth e rrotull, teksa hedh sytë, njeriun befasohet ta rrethojnë bijtë e sojit të tij që vuajnë nga stresi, ankthi dhe depresioni, që i ka kapluar brenga dhe trishtimi; dikush nga halle reale e dikush nga halle të sajuara.
Në këtë situatë unin e njeriut e pushtojnë një sërë pyetjesh gjigante:
A ekziston apo jo lumturia? E nëse jo, pse atëherë njerëzit rendin si të marrë pas saj?
Në botën tonë plot halle, a është e mundur që njeriu të jetojë i lumtur?
A ekziston ndonjë çelës apo formulë magjike për ta bërë tonën lumturinë?
Si mund të ndihemi të lumtur në këtë botë, pra cilat janë mënyrat dhe rrugët që çojnë drejt lumturisë?
A mund të arrijë njeriu tek lumturia i vetëm, pa ia shtrirë dorën askujt, pa e futur në hesap askënd dhe pa ia vënë veshin askujt?
Cili është roli i i prindërve, familjarëve, shokëve, kolegëve, fqinjëve dhe mbarë individëve të shoqërisë, në lumturimin tonë? E përderisa zemra na thotë se për njerëzit paska rol në lumturimin tonë, po për Krijuesin dhe të dërguarit e Tij fisnik, ç’rol gjen zemra të kenë, në lumturimin tonë?
A mundet të arrihet lumturia pa besimin tek Krijuesi i njeriut dhe pa udhëzimin e Tij përmes rrezeve ndriçuese të profetëve të Tij fisnik?
Të gjitha pyetjet në fjalë qëndrojnë, dhe këto pyetje përgjigjen e tyre, e bartin brenda vetes. Të koncentruarit tek këto pyetje zbulon përgjigjen se lumturia, është e mundur të arrihet vetëm duke përparuar, nën moton “Një popull që lexon, përparon”.
Pa dyshim rendin e parë në botëformimin tonë e përbën literatura që na njeh me Krijuesin tonë. Një hap tjetër i rëndësishëm drejt lumturisë qëndron tek të kuptuarit se problemi më i madh është mënyra se si i mendojmë dhe trajtojmë problemet tona.
Po kështu, dinamizmi në rrugën drjejt lumturisë ruhet duke rinovuar forcën tonë shpirtërore mbi moton hyjnore “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata ta ndryshojnë vetveten”.
Kuptimi i drejtë i këtyr principeve do na ndihmojnë me siguri në kapërcimin e barrierave, e pse jo dhe në sheshimin dhe përdorimin e tyre mbi moton “Ji njeriu që me gurët që i hidhen, ndërton tabanin dhe themelin e kështjellës së tij të lumturisë”…
– “Drejt lumturisë”, frazë e mrekullueshme dhe shumë e ëmbël, që bart dy fjalët më të ndritura, që bart orientimin që thith dhe zimpon brenda tij mbarë jetën e njeriut…
“Drejt” është vektori, shigjeta e kahut të jetës tënde, por dhe të jetës së mbarë njerëzve të tu të dashur… Ajo të fton të njohësh drejtimet e tua një nga një, segment për segment, sepse janë pikërisht ato, që përbëjnë jetën tënde të shkurtër o njeri…
Të ftoj të marrësh një laps e një letër dhe të shkruash përkufizimin më të bukur që ti mendon për jetën tënde… Pasi ta kesh shkruar, krahasoje atë me përkufizmin brilant të të Dërguarit të Zotit, mbi “njeriun dhe jetën” se kemi të bëjmë me një “Shtegëtar të ulur të pushojë në hijen e një peme, në një ditë zhegu, pastaj niset…”; gjë në lidhje me të cilën Profeti [Paqja qoftë mbi të!] thotë:
“Nuk jam unë dhe dynjaja përveçse si një udhëtar që ka qëndruar nën hijen e një peme dhe pastaj ka ikur dhe e ka lënë atë” {Transmetuar nga Et Tirmidhi}.
Pra kjo jetë është vetëm një udhëtim i cili ka një distancë fare të shkurtër. E vërtet qëndron se “udhëtimi jetë” është i mbushur me sfida dhe vështirësi, por pas tij çfarë vjen?…
Pas tij vjen destinacioni “Lumturi” ose ai “Dështim”.
Kjo duhet të na bëjë që jetën tonë, ta shohim në përmasat e saj të vërteta, pa e ekzagjeruar por edhe pa e neglizhuar. Gjithsesi fakt është se udhëtimi “jetë”, është shumë i shkurtër, përfundon shumë shpejt, e që të bindesh hidhi sytë në jetën tënde të shkuar, të cilën të sfidoj ta mbash për freri, e cila vetëm të merr dhe nuk të jep asgjë, ajo është siç thotë populli “hy në këtë derë e dil në tjetrën”.
Në fakt pyetja më e madhe që shtron veten e saj para njeriut është pyetja:
Cili është qëllimi optimal, rendja pas të cilit i mundëson njeriut të arrijë tek lumturia?
Psikologët musliman na ftojnë ta zbulojmë dhe vendosim Objektivin tonë Optimal përmes dy mënyrave në vijim…
Mënyra e Parë: Zbulimi i Objektivit Optimal përmes Rrugës Ngjitëse:
Fillon duke i vendosur vetes një objektiv normal, për shembull do jem më i miri në punën time, dhe pasi të jesh bindur për rëndësinë e këtij synimi, në vijim pyete veten: Ja, e arrita këtë, po tani çfarë? Pas objektivit apo synimit të dytë vijo ta pyesësh veten sërish: E arrita edhe këtë objektiv, po tani çfarë? E kështu me rradhë…
Kështu do fashiten para teje objektivat flakëkashtë duke të dhënë mundësi të depërtosh në horizontet e paanë, drejt lumturisë, përmes gjetjes së Objektivit Optimal…
Shiko se çfarë kërkon dhe çfarë të ofrohet, dhe në fund gjej se cili objektiv i kënaq ambiciet e tua… Pikërisht ky objektiv optimal është ai të cilit duhet t’i shërbejnë të gjithë objektivat e tua…
Gjithsesi, në kuadrin e gjetjes së objektivit optimal, të ftoj t’ia vësh veshin kësaj oferte dhe ta klasifikosh atë. Të siguroj se ke për të gjetur se ajo është oferta e vetme e mundshme për të qenë Objektivi Optimal…
E kam fjalën për ofertën e Zotit të gjithësisë:
“‘Hyni në të (Xhenet) me paqe e siguri. Kjo është Dita e amshimit!’ Aty do të kenë çfarë të duan – e prej Nesh (do të kenë) edhe më shumë (se ajo që ata duan)” {Kaf: 34-35}.
Mënyra e Dytë: Zbulimi i Objektivit Optimal përmes Rrugës Zbritëse:
Mendoje veten brenda sekuencave dramatike të faktit se doktori pas një sëmundje të befasishme që të ra, të verifikon dhe të ndërgjegjëson se të mbeten vetëm rreth dy muaj jetë… Pas kësaj mendo, nga planet e shumta që kishe, cilët janë ato plane që do t’i anullosh dhe cilët janë ato plane të cilave do u japësh prioritet…
Tani mendo se doktori të tha se ke vetëm një jave jetë… Tani se ke vetëm dy ditë jetë… E së fundi se ke vetëm pak momente jetë…
Këtu qëndron edhe thelbi i thënies së urtë profetike: “Shpeshtoni, përkujtimin e rrënuesit të kënaqësive!” {Transmetuar nga Ahmedi}.
Sigurisht që Profeti ynë fisnik [Paqja qoftë mbi të!], nuk na urdhëron që ta kujtojmë vdekjen për të rënë në demoralizim, por na e bën këtë apel me qëllim që në këtë mënyrë të zbulojmë objektivin optimal, e më tej jetën tonë ta drejtojmë në këtë kahje… Madje e tillë kujtesë, na kumtohet përmes udhëzimit profetik, në çdo namaz që falim, nën jehonën: “Kur të ngrihesh të falësh namazin, fale si të jetë namazi i lamtumirës (ndjarjes nga kjo botë)!” {Transmetuar nga Ibën Maxhe}.
– Në fakt ti, unë dhe njerëzit mbarë, bëjmë pjesë tek speciet humane, të cilat i takojnë tre ekzistencave:
Një: Modelimi i parë që përfshin tre etapa:
Etapa e parë: Mosekzistenca, gjë në lidhje me të cilën Allahu i Lartësuar thotë:
“Vallë, a nuk ka kaluar një periudhë kohore, kur njeriu nuk ka qenë qenie e denjë për t’u përmendur?!” {Insan: 1}.
Etapa e dytë: Ekzistenca në botën e “kodeve gjenetikë të paraardhësve”, para ardhjes konkrete në këtë botë, gjë në lidhje me të cilën Allahu i Lartësuar thotë:
“Kur Zoti yt nxori nga kurrizi i bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri të dëshmojnë përkundër vetes së tyre, u tha: ‘A nuk jam Unë Zoti juaj?’ Ata u përgjigjën: ‘Po, dëshmojmë se Ti je’” {Araf: 172}.
Etapa e tretë: Ekzistenca në barkun e nënës, gjë në lidhje me të cilën Allahu i Lartësuar thotë:
“Allahu ju ka nxjerrë nga barku i nënave tuaja e ju nuk dinit asgjë dhe ju dha të dëgjuarit, të parët dhe zemrat, që të jeni falënderues” {Nahl: 78}.
Dy: Ekzistenca e Dynjasë, që përfshin dy etapa:
Etapa e parë: Jeta e zgjimit – dhe – Etapa e dytë: Jeta e gjumit;
Tre: Ekzistenca e Amshimit, që përfshin gjtihashtu dy etapa:
Etapa e parë: Jeta e Varrit – dhe – Etapa e dytë: Jeta e pasosur.
Etapa jetike më e shkurtër e ekzistencës së njeriut, është jeta e kësaj bote, mesatarja e së cilës është gjashtëdhjetë vite. Kurse jeta më e gjatë e tyre, është ajo e Amshimit, që në fakt është jetë e pambarim.
Megjithëse “udhëtim dynja” është kaq i shkurtër, shpërblimi për të është infinitiv.
Përjetimet e kësaj bote, sado e sido qofshin, dhe sado zgjatshin e u jetofshin, po të viheshin përballë atyre të Amshimit të përjetshëm, nuk kanë asnjë vlerë.
Faktit se jeta e kësaj bote është shumë e shkurtër, kur i bashkëngjitet edhe fakti tjetër se ajo përbëhet nga malore dhe tatëpjeta të shumta, sjellin tek njeriu reflektimin kritik kundrejt vektorit “drejt Lumturisë”.
U kuptua tani se përse tek Zoti, kjo dynja nuk ka vlerë as sa krahu i një mushkonje; gjë në lidhje me të cilën Profeti [Paqja qoftë mbi të!] thotë:
“Nëse dynjaja do kishte tek Allahu vlerë sa një flatër mushkonje, qafiri (mosbesimtari) nuk do të pinte prej saj as edhe një gllënjkë ujë” {Transmetuar nga Et Tirmidhi}.
Që të reflektosh mbi çmimin e dynjasë të ftoj që të marrësh një krah mushkonje dhe të dalësh ta shesësh?! Pas këtij realiteti, të ftoj që sado të mëdha të jenë hallet dhe problemet e tua të kësaj bote, të mos i ekzagjerosh ato, por t’i shohësh në dimensionet reale të tyre, pra në ato të krahut të një mushkonje.
– “Drejt lumturisë”, frazë e mrekullueshme dhe shumë e ëmbël, që bart dy fjalët më të ndritura, që bart orientimin që thith dhe zimpon brenda tij mbarë jetën e njeriut…
Realiteti i parë i vektorit “drejt” të frazës “Drejt Lumturisë” është se vuajtjet dhe gëzimet në udhëtimin jetë, janë shumë të shkurtra, madje shumë më të shkurtra se jeta vetë. Kjo na fton që veten tonë ta programojmë mbi logjikën “Kur të ndihesh i lodhur dhe i dërmuar, dije se gjithçka do të përfundojë shumë shpejt”.
Njëqind vite më parë, asnjë nga njerëzit që të rrethojnë, bashkë me ty, nuk ekzistonte. Njëqind vite më pas, asnjë nga njerëzit që na rrethojnë, me ne bashkë, nuk do të ekzistojë. Teksa qielli, malet dhe stolitë pa garanci të tokës do ngelen po ato dhe prej saj do ndryshoj vetëm komponenti i saj “pjesë ndërrimi” i quajtur “njeri”.
– “Drejt lumturisë”, frazë e mrekullueshme dhe shumë e ëmbël, që bart dy fjalët më të ndritura, që bart orientimin që thith dhe zimpon brenda tij mbarë jetën e njeriut…
Realiteti i dytë i frazës “Drejt Lumturisë” gjendet tek nocioni apo kuptimi i fjalës “Lumturi” që na fton të mendojmë mbi realitetin e lumturisë, se ku gjendet lumturia e plotë, se cila është rruga për tek lumturia optimale?
Po të pyesësh edhe njeriun më të thjeshtë rreth kësaj pyetje, ai pa hezitimin më të vogël do të thotë se në këtë botë askush nuk mund të jetojë i lumtur përgjithmonë, edhe pse çdo lëvizje që njeriu bën në këtë botë, e bën me qëllim që të fitoj lumturinë. Madje edhe vlerën e parave njeriu e mat nga lumturia dhe gëzimi që i falin, gjë që përbën standardin matës edhe për dashurinë, fëmijët, karrierën etj, që të gjitha i konsiderojmë me vlerë dhe i duam vetëm ngaqë mendojmë dhe ndiejmë se ato na bëjnë të lumtur.
Por, në daç besoje në daç jo, lumturia e plotë dhe perfekte nuk ekziston në këtë botë. Atë nuk e gjeti edhe pse me gjak dhe dhunë ekstreme, as Faraoni dhe as faraonët pas tij, as Enveri dhe as enverët pas tij…
Lumturia e plotë dhe perfekte ekzsiton vetëm në Xhenetin e Amshimit. Kjo botë nuk është gjë tjetër veçse një testim, me anë të të cilit përzgjidhen njerëzit që e meritojnë Lumturinë Optimale, Parajsën, vijueshmëri e lumturisë së limituar të kësaj bote.
“Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë…” {Mulk: 2}.
– Ejani të imagjinojmë së bashku fundin e udhëtimit “drejt lumturisë“, me qëllim që t’i vendosim me bindje këmbët, në fillimet e vërteta të udhës drejt saj!
Jemi në udhëtim e sipër për të mbërritur në Xhenet. Kaluam testin e peshimit të veprave dhe përpara nesh shtrihet panorama gjigante e Urës Madhështore të Siratit… Allahu na ndihmon dhe arrijmë ta kalojmë edhe Urën e Siratit.
A e dini se çfarë na pret paskëtaj? Përpara nesh shpaloset gjigante dhe brilante, Dera e Xhenetit.
Kur e pyetën një njohës të Zotit, se kur do të ndihet njeriu i qetë Ditën e Kiametit, ai u përgjigj: “Kur ta ketë lënë Siratin pas shpine”.
Para se të hysh në Xhenet, vetë Zoti i Lartëmadhëruar do t’u flasë njerëzve në mesin e të cilëve ti gjendesh, do ta dëgjosh zërin e Zotit që thotë:
“O banorët e Xhenetit, nga Unë keni katër gjëra:Do të jetoni përjetësisht dhe nuk do të vdisni, do të jeni të shëndetshëm dhe nuk do të sëmureni, do të jeni të rinj dhe nuk do të plakeni dhe do të jeni të lumtur dhe nuk do të hidhëroheni”.
– Le të futemi me tërë qenien tonë në sekuencat brilante të kësaj panorame!
A e sheh sa e madhe është dera e Xhenetit? A i sheh ngjyrat e saj të bukura? A po e këqyr tubimin madhështor që po drejtohet të hyjë në të, në kreun e të cilit ke profetin Muhamed [Paqja qoftë mbi të!], Ebu Bekrin, Umerin, Uthmanin dhe Aliun [Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë!], pranë e pranë me babanë e profetëve, Ibrahimin, me Musain dhe Isain [paqja qoftë mbi ta].
Ja, profeti Muhamed [Paqja qoftë mbi të!] i avitet portës së Xhenetit.
Ti që ke patur mundësi të shohësh ndonjë prej festimeve përralore të kësaj bote, ç’mund të thuash për festën e kësaj dite?
“Ndërsa ata që i janë frikësuar Zotit të tyre, do të çohen grupe-grupe në Xhenet. Kur t’i afrohen atij, dyert e tij do të hapen e rojtarët e tij do t’u thonë atyre: ‘Shpëtimi qoftë mbi ju! Ju keni qenë njerëz të mirë, andaj hyni në të dhe qëndroni përgjithmonë!’” {Zumer: 73}.
O vëlla musliman, që në dynja u ofrove ndihmë jetimëve, shpërblimi i kësaj vepre është që tani të qëndrosh pranë Muhamedit [Paqja qoftë mbi të!].
Oj motër myslimane, që pasi dëgjove hadithin profetik: “Njeriu që do jetë më pranë meje, është ai që ka pasur moralin më të lartë”, u pasurove në dynja me moralet më të larta; shpërblimi i kësaj vepre është që tani të qëndrosh pranë Muhamedit [Paqja qoftë mbi të!]. Mendo o motra ime besimtare sesi në ato momente të mrekullueshme do e gjesh veten të rrethuar nga gratë më të lavdishme dhe më të ndershme, gratë e Profetit [Paqja qoftë mbi të!], të sahabëve dhe nga mbarë gratë e tjera të devotshme.
Ja, tani të gjithë vështrimet janë drejtuar tek profeti Muhamed [Paqja qoftë mbi të!], i cili ka arritur tek porta e Xhenetit. Ai troket dhe nga brenda dëgjohet zëri i engjëllit rojtar: “Kush është?” Profeti a.s përgjigjet: “Muhamedi, biri i Abdullahut”. Engjëlli nga brenda përgjigjet: “Ekskluzivisht ty më ka urdhëruar Zoti që të ta hap këtë portë”.
Teksa hapet kjo portë gjigande e stolisur prej pllakash madhështore prej floriri e prej vargu margaritarësh të kuq, del në pah distanca supergjigande e portave të çelura të saj, e megjithatë besimtarët hynë në të duke u ngjeshur sup më sup.
Atë ditë, ti sheh melekët dhe vetë Xhibrilin [paqja qoftë mbi të] dhe teksa po hynë në portën e Xhenetit, vetë melekët të urojnë mirëseardhjen.
Vallë çfarë do të bësh me të hyrë në xhenet?
Një herë Kajsi, një shoku ynë nga Iraku, na e drejtoi pikërisht këtë pyetje… Pasi të gjithë ne u përgjigjëm, iu drejtuam atij të na jepte përgjigjen e tij dhe ai me përmallim tha: Ndërsa unë, me lejen e Allahut të Madhëruar, me tu akomoduar në Xhenet, do i kërkoj Zotit tim të më mundësoj të shoh në “teknollogjinë 3D (tredimensionale) hyjnore”, historinë e mbarë njerëzimit, nga njeriu i parë e deri tek ai i fundit…
Allahu i Lartësuar në një thënie të shenjtë thotë: “Kam përgatitur për robërit e Mi të ndershëm, gjëra që syri nuk i ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe as në mendje kujt i kanë shkuar”.
Nëse drejtori i një banke të thotë se do të japë një shpërblim, menjëherë mendja të shkon tek milionat. Nëse vetë presidenti i shtetit është ai që të premton një shpërblim të madh, ti menjëherë mendja të shkon tek qindra milionat.
Por çfarë mendon për shpërblimin e Zotit të gjithësisë, i Cili po na thotë: “Kam përgatitur për robërit e Mi të ndershëm, gjëra që syri nuk i ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe as në mendje kujt i kanë shkuar”.
Vallë sa vende të bukura kemi parë? Sa vende kemi vizituar? Sa gjëra të bukura kemi dëgjuar? Secili prej nesh e di se sfera e gjërave që kemi dëgjuar është më e madhe dhe më e gjerë se e atyre që kemi parë. Mbi sa gjëra të bukura kemi fantazuar? Padyshim që sfera e imagjinatës dhe fantazisë është akoma më e madhe.
Të gjitha këto nuk kanë aspak vlerë para asaj që ka përgatitur Allahu i Madhëruar për besimtarët në Xhenet.
Nëse e vëmë re me kujdes, hadithi i mësipërm, fillon me foljen “kam përgatitur”, koha e shkuar, veta e parë. Koha e shkuar e foljes tregon se Xheneti tanimë është i përgatitur dhe është në pritje të besimtarëve për ta populluar, teksa veta e parë e foljes “kam”, tregon se Xhenetin e ka përgatitur vetë Zoti i Lartëmadhëruar dhe nuk i ka urdhëruar melekët që ta përgatisin.
Ja tani arrite tek çifligu yt, dhe po mbetesh gojëhapur… Tani që po e sheh është edhe më e mrekullueshme, edhe pse paraprakisht ti kishe dëgjuar dhe besuar mbi mrekullinë e Xhenetit nisur nga fjalët e të Dërguarit të Zotit [Paqja qoftë mbi të!]: “Në të(Xhennet) një tullë (e ndërtesave) është prej ari, një tullë prej argjendi dhe llaçi i tyre është misku më i mirë. Guralecat e tij (Xhennetit) janë perla dhe margaritarë. Dhéu i tij është (për nga aroma si) Ze’aferani (parfumi) aromëmirë”.
Në dynja kishe dëgjuar thënien e Profetit [Paqja qoftë mbi të!] mbi banorin e Xhenetit sesi:
“… lëshohet (ky person) duke ecur lehtë në Xhenet derisa lartohet para tij një pallat luksoz prej diamanti të ndriçueshëm. Menjëherë lëshohet përdhé duke e vendosur ballin në tokë. I thuhet: ‘Ngrije kokën! Çfarë ke?’ Thotë: ‘Pashë Zotin tim (sepse për vegimin e ndritshëm që pa kujton se është nuri i Zotit të vet)’. I thuhet: ‘Ngrije kokën! Është një shtëpi prej shtëpive tua’… Ecën përpara derisa hapet para tij një pallat luksoz që është i tëri një diamant i ngrënë përbrënda (dhe në brendi të tij janë ambientet e mrekullueshme të këtij pallati të mahnitshëm). Tavanet, dyert, kanatet dhe bravat (e këtij pallati) janë po prej diamanti. E pret (këtë person teksa hyn në këtë pallat) një brendi prej xhevahiri të gjelbër. Secilën brendi të stolisur e pason një tjetër me tjetër ngjyrë… I thuhet (këtij personi): “Vështro jashtë rreth e rrotull! Ky është çifligu yt. I duhet (vështrimit të) syrit tënd 100 vjet që ta kaptojë atë” {Transmetuar nga Ibn Ebi Dunja, Tabaraniu dhe Hakimi}.
“Ngado që të hedhësh sytë, do të shohësh (aty në Xhenet) lumni dhe një mbretëri të madhe” {Insan: 20}.
Përgatiti: Altin Torba

