Durim (sabr) do të thotë ta ruash maturinë, të tregosh lejueshmëri (tolerancë), ta durosh dhimbjen, të qëndrosh me gjakftohtësi ndaj shqetësimeve dhe vështirësive, të jesh i vendosur në rrugën e treguar nga arsyeja dhe feja. Imam Neveviu bën këtë shpjegim: “Durimi është detyrimi i nefsit (frymës, vetes, egos) për të bërë gjërat që urdhërohen, gjë që realizohet me anë të lejueshmërisë (tolerancës) ndaj vështirësive të adhurimeve,ndaj ngatërresave si dhe ndaj dëmeve me përjashtim të mëkateve!”

Durimi është një atribut moralo-etik dhe shpirtëror i nxitur dhe inkurajuar  nga feja. Eshtë një shfaqje e besimit te Allahu. Synimi i durimit është që, përballë ngjarjeve të papritura dhe vështirësive mes të cilave ka rënë, njeriu të mos shqetësohet, por të tregojë lejueshmëri dhe të mos bëjë veprime

të papërshtatshme i shtyrë nga paniku. Ndërkaq, durim s’do të thotë që njeriu ta miratojë dënimin, nënvleftësimin dhe poshtërimin, ta pranojë dhunimin e pamerituar, sulmin që hedh

hije mbi dinjitetin e njeriut dhe të mos e ngrejë zërin kundër këtyre. Sepse fetarisht s’është xhaiz (e miratueshme, e lejueshme) që njeriu të durojë përballë ngjarjeve dhe trajtimeve jolegjitime. Fetarisht, përballë ngjarjeve dhe trajtimeve jolegjitime duhet kundërshtuar dhe luftuar praktikisht dhe

verbalisht dhe, nëse është e pamundur kjo, të paktën duhet mbajtur qëndrim përbuzës me zemër. Pranimi nga njeriu i vuajtjes së të këqijave të cilat mundet t’i kundërshtojë me vullnetin dhe fuqinë e vet ose qëndrimi indiferent i tij ndaj nevojave që mund të plotësohen, nuk është durim, por

dobësi dhe dembelizëm. Durimi është një mjet qetësimi dhe ngushëllimi i cili e pengon njeriun që, në çastin e një ngatërrese ose fatkeqësie që i bie në krye, të rrëmbehet menjëherë nga zemërimi dhe tërbimi dhe, për pasojë, të kryejë veprime për të cilat do të pendohej më vonë. Prandaj, durim i vërtetë është ai që tregohet në çastin e parë të ngatërresës ose fatkeqësisë. Siç tregon Enes bin Maliku (r.a.), Profeti (s.a.v.s.) kaloi pranë një gruaje e cila po qante me kuje në kokë të varrit të të birit, dhe i tha: “Ki frikë Allahun dhe duro!” Kurse gruaja iu përgjigj kështu: “Hiqmu qafe, se ajo që më ka rënë mua në kokë, s’të ka rënë ty!” Gruaja s’e kishte njohur dot Profetin! Pastaj asaj i thanë se ai kishte

qenë i Dërguari i Allahut. Sapo e mori vesh këtë, gruaja vrapoi te shtëpia e Profetit. Meqë në derë apo përreth nuk kishte kush që ta pengonte, ajo hyri drejt e brenda dhe, duke i kërkuar ndjesë, i tha Profetit:

“O i Dërguari i Allahut, nuk të njoha dot!” Kurse i Dërguari i Allahut i tha: “Durimi i vërtetë është ai që tregohet në çastin e parë të fatkeqësisë!” (Buhari, Xhenaiz, 32) Në një hadith ku ka bërë të ditura llojet dhe virtytet e durimit, i Dërguari i Allahut është shprehur kështu: “Durimi është tre llojesh: Durimi ndaj fatkeqësive, durimi në kryerjen e detyrave dhe urdhrave fetare dhe durimi për të mos kryer mëkate. Kujt e duron mirë fatkeqësinë gjersa të largohet, Allahu i shkruan treqind gradë. Mes çdo dyve prej tyre ka distancë sa mes qiellit dhe tokës. Kujt bën durim në kryerjen e detyrave dhe urdhrave fetare, Allahu

i shkruan gjashtëqind gradë. Mes çdo dy grade prej tyre ka distancë sa mes tokës dhe qiellit të shtatë. Dhe kujt bën durim ndaj shtytjes për të kryer mëkat, Allahu i shkruan nëntëqind gradë. Mes çdo dy gradëve prej tyre ka distancë sa mes tokës dhe Arshit, Fronit Hyjnor!” (Sujuti, II, 42; Dejlemi, II, 416)

Në Kur’anin e Shenjtë ka shumë ajete lidhur me durimin. Allahu i Lartë e shpreh në këtë mënyrë faktin që durimi është një nga gjërat me të cilat do të vihen në provë njerëzit për ta fituar jetën e pasme, ahiretin:

“Pa dyshim, juve ju provojmë me pak frikë, me pak uri, me pak mungesë malli, jete dhe prodhimi! Përgëzoji ata që durojnë!” (el-Bakara, 2/155)

Zoti i vë në provë robtë e Tij me qëllim për t’i dalluar ata që bëjnë durimdhe për t’i shpërblyer: “Gjithsesi, juve do t’ju provojmë gjersa të dallohen ata ndër ju që luftojnë dhe bëjnë durim!” (Muhammed, 47/31) Allahu i do robtë e tij që bëjnë durim, bën të ditur se është me ta dhe premton se do t’ua japë shpërblimin pa llogari! Në ajetin kur’anor thuhet:

 

“Vetëm atyre që bëjnë durim do t’ua japim shpërblimin pa llogari!” (edh-Dhumer, 39/10)

Një ndër emrat e bekuar të Zotit tonë të Lartë është edhe “es-Sabur” që do të thotë “Durimtar i Madh”. I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) e ka shpjeguar në mënyrë shumë koncize këtë emër të bukur të Zotit tonë me hadithin e tij ku shprehet kështu: “Nuk ka më durimtar se Allahu i Lartë përballë mundimit të një fjale të dëgjuar! Se politeistët i ngarkojnë fëmijë Atij, kurse Ai përsëri vazhdon t’u japë rizk dhe shëndet!” (Buhari, Edeb, 71) Që një besimtar të bëhet i durueshëm, duhet ta përmendë shumë emrin e nderuar

“es-Sabur” dhe të meditojë mbi të! Për dobinë e durimit, Profeti ynë, i Dërguari Bujar, ka thënë kështu:

“Ka shumë dobi në durimin ndaj gjësë që s’të pëlqen!” (Ibni Hanbel, I, 307) Sepse, siç ka thënë Jahja Dukagjini: Më e mira, të mos heqësh prej durimit dorë, Se ashtu piqet aguridhja e bëhet ëmbëlsirë…

Dhe, duke u shprehur si në një hadith tjetër, Profeti ynë (s.a.v.s.) ka bërë të ditur se cilësia dalluese e muslimanit është durimi dhe falenderimi:

“Gjendja e besimtarit e vlen të kihet zili e të admirohet, sepse çdo gjendje e tij është shkak për një dobi dhe mbarësi. Një veçori e tillë ndodhet vetëm te besimtari. Po të gëzohet, falenderon dhe kjo i bëhet shkak për dobi dhe mbarësi. Po t’i bjerë ndonjë fatkeqësi në kokë, duron dhe kjo i bëhet përsëri shkak për dobi dhe mbarësi!” (Muslim, Zuhd, 64) Durimi që e ka përkufizuar dhe e ka rekomanduar i Dërguari i Allahut,

është cilësia e përbashkët e të gjithë profetëve. Duke e kumtuar fenë e Allahut, që të gjithë kanë pësuar shqetësime dhe mundime të ndryshme, janë përzënë nga vatrat, janë hedhur në qeli nga sundimtarët. Për më tepër, një numër i madh i tyre kanë rënë dëshmorë në këtë rrugë. Por të gjithë, pa përjashtim, kanë vazhduar, sa kanë qenë gjallë, ta plotësojnë detyrën me durim. Kurse jeta e Profetit tonë, të Dërguarit Bujar, është e mbushur nga kreu në fund plot e përplot me shembujt më të bukur të durimit. Tarik bin Abdullah el-Muharibi e tregon kështu një vëzhgimin e tij lidhur me vështirësitë që pati përballuar Profeti ynë i dashur gjatë kumtimit të fesë islame: “E pata parë të Dërguarin e Allahut (s.a.v.s.) në panairin Dhulmexhaz me një rrobë të kuqe të hedhur mbi trup. Ai u fliste njerëzve me zë të lartë këto fjalë:

“O njerëz! Thoni “la ilahe il’lallah” (nuk ka zot tjetër veç Allahut) dhe shpëtoni!” Ndërkaq, një burrë e ndiqte me një gur në dorë dhe u thoshte njerëzve: “O njerëz! Kurrsesi mos i besoni atij, mos iu bindni atij, sepse ai është gënjeshtar!”

Dhe me gurët që e qëllonte ia kishte gjakosur nyjet e këmbëve. “Kush është ky njeri?” – I pyeta unë të pranishmit përreth.

“Eshtë një i ri nga të bijtë Abdylmuttalib!” – Më thanë.

“Po ai që e ndjek dhe e qëllon me gurë, kush është?” – Pyeta përsëri unë.

“Eshtë ungji i tij, Ebu Lehebi!” – Më thanë. (Darekutni, III, 44-45) Këto ngjarje dëshpëruese që ia copëtojnë zemrën një besimtari patën ndodhur jo vetëm një herë, por qenë përsëritur shumë herë me radhë gjatë tërë jetës së tij profetike 23-vjeçare. Njërën prej tyre e tregon kështu edhe

Mudrik el-Ezdi: “Po bëja haxh së bashku me tim atë. Kur arritëm në Mina dhe u

shtruam të rrimë, u takova me një grup njerëzish. E pyeta tim atë: “Pse janë mbledhur këta?”

“Për atë person që ka braktisur fenë e fisit!” – Më tha. Kur e hodha vështrimin nga ajo anë që ma bëri me shenjë im atë, pashë Profetin i cili po u bënte zë njerëzve: “O njerëz! Thoni “la ilahe il’lallah” dhe shpëtoni!” Ndërkaq, disa njerëz e pështynin në fytyrë, disa i hidhnin dhé në kokë,

kurse disa të tjerë e shanin dhe e fyenin. Kështu vazhdoi gjer në drekë. Atëherë, erdhi një vajzë me jakën të hapur, me një enë me ujë dhe me një shami në dorë. Po qante. Profeti e mori enën dhe piu ujë, pastaj lau fytyrën. Kur e ngriti kokën, i tha vajzës: “Bija ime, mbuloje jakën me shaminë e kokës! Dhe mos ki frikë për tët atë se mos bie në kurth dhe e vrasin, apo turpërohet!” Pyetëm se kush ishte ajo vajza dhe na thanë se ishte e bija Zejneb! (Hejsemi, VI, 21) Durimi i të Dërguarit të Allahut përballë këtyre lloj mundimesh e torturash që pësonte në rrugën e kumtimit të Islamit, ishte aq i lartë e i paarritshëm,

saqë ta linte të çuditur edhe poetin që ka thënë se “sado i pambaruar që të duket durimi, edhe ai e ka një fund”! Qysh nga fëmijëria e gjer në vdekje, Profeti (s.a.v.s.) u përball vazhdimisht me hidhërime të mëdha! Ai i përcolli për tek Zoti një e nga një të atin, nënën, gjyshin, ungjin Ebu Talib, bashkëshorten e dashur Hz. Hatixhe, zotërinë e dëshmorëve Hamza dhe të bijtë! Shumë nga sahabet që i deshi fort, i futi në varr me duart e veta! Mirëpo asnjëra nga këto nuk ia prishi dot vendosmërinë dhe ekuilibrin, nuk ia sosi durimin. Megjithëse vetë ai dhe sahabet iu nënshtruan torturave më të rënda, u treguan të vendosur në durim ashtu siç e kërkonte urdhri i Allahut. Herë pas here, Profeti i shquar ua rinovonte qëndrueshmërinë sahabeve që u sosej durimi u jepte shpresë dhe lajme përgëzuese. Habbab bin Eret (r.a.)

tregon: “Shkova pranë të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s.) ndërkaq që ishte shtrirë nën hijen e Qabes duke vënë nën kokë një byrde të mbledhur si jastëk. Ishte koha kur politeistët na mundonin dhe torturonin. Unë iu ankova të Dërguarit të Allahut: “A nuk po na ndihmon ne, a nuk po i lutesh Allahut për ne?”

I Dërguari i Allahut u ngrit me fytyrën e bekuar të skuqur, u ul ndenjur dhe tha kështu: “Para jush kishte të tillë që, kur kapej dikush prej tyre, futej në gropën e përgatitur më parë dhe pastaj ndahej me sharrë përgjysmë nga koka e poshtë, të gjitha këto kurrë s’e bënin dot atë të kthehej nga feja! Gjithashtu, kishte të tillë që kriheshin me krëhra hekuri dhe mbi kockat s’u mbetej tjetër veç mishit dhe nervave. Por, prapëseprapë, tërë këto s’e bënin dot të kthehej nga feja! Betohem se Allahu do ta plotësojë këtë fe dhe, atëherë, udhëtari do t’i hipë devesë në Sana dhe do të shkojë i vetëm gjer në Hadramevt pa pasur frikë prej tjetërkujt veç Allahut! Edhe për dhentë, nuk do të ketë frikë përveç ujkut! Mirëpo ju nxitoheni!” (Buhari, Menakib, 25; Menakibu’l- Ensar, 29)

Ndërsa bënte luftë me armiqtë e fesë, krahas mundimeve të tyre,Profeti pati përballuar edhe shumë shqetësime që buronin nga mungesatdhe pamundësitë. Por ai kurrë s’i pati përdorur këto si justifikim. Edhe nëkohët kur papasja dhe zija e bukës arrinin kulmin, ai i pati vazhduar zellin

dhe përpjekjet në rrugën e Allahut dhe pati treguar durim së bashku mesahabet përballë çdo lloj vështirësie të shkaktuar nga pamundësitë. Një shembull të kësaj, Ebu Musa el-Esh’ariu (r.a.) e tregon kështu:“Kishim dalë në fushatë së bashku me të Dërguarin e Allahut (s.a.v.s.). Gjashtë vetë hipnim me radhë në një deve. Këmbët na u çanë. Edhe mua më ishin çarë këmbët dhe më kishin rënë thonjtë. Këmbët i mbështillnim me copa bezesh. Prej atyre copa bezesh e mori emrin “Dhaturrika” (Copërat e Bezes) ajo fushatë!”

Ebu Byrde i cili e transmeton hadithin, thotë: “Pasi i tha këto, Ebu Musai mbeti i pakënaqur me veprimin e vet dhe e shprehu pendimin duke thënë: “S’bëra aspak mirë që i thashë këto fjalë!” Siç duket, ai u hidhërua që e përfoli një trimëri që kishte bërë për hir të Allahut!” (Buhari, Megazi, 31)

Pavarësisht nga vështirësia, Profeti (s.a.v.s.) pati ndarë të njëjtat kushte me sahabet dhe kurrë s’e pati parë veten në pozitë të dallueshme prej tyre. Nëse njerëzit vuanin nga uria, para të gjithëve vuante Profeti dhe familja e tij. Kurse nga ana e Zotit i qe propozuar Profetit t’i jepeshin thesaret e tokës, të shndërroheshin për të në flori të gjitha malet e Mekës. Kurse

Profeti, duke mos i pranuar këto, pati thënë: “Unë, një ditë mbetem i uritur dhe duroj, një ditë ngopem dhe falenderoj. Sepse besimi përbëhet prej dy gjysmash që e përplotësojnë njëratjetrën: njëra gjysmë është falenderimi, kurse gjysma tjetër, durimi. Allahu i Lartë urdhëron kështu: “Pa dyshim, në këtë ka mësime për çdo besimtar që duron shumë dhe falenderon shumë!” (Ibrahim, 14/5) (Hakim, II, 484) Edhe pasi e arriti fitoren dhe e ngriti shtetin, Profeti vazhdoi të tregohej tolerant ndaj sjelljeve të trasha të beduinëve dhe mundimeve që i shkaktonin hipokritët, duke i përballuar ata në mënyrën më të mirë. Duke kërkuar edhe nga ummeti, bashkësia e tij, që ta merrnin për shembull atë vetë, t’i qeverisnin njerëzit me të mirë dhe t’u shërbenin atyre, Profeti ka porositur:

“Muslimani i cili futet mes njerëzve dhe merr pjesë në vështirësitë e tyre, është më i dobishëm e më i mbarë se muslimani që nuk futet mes njerëzve dhe nuk merr pjesë në vështirësitë e tyre!” (Tirmidhi, Kiamet, 55) Abdullah bin Mes’udi (r.a.) e transmeton kështu një ngjarje që përbën shembull për këtë:

“Gjatë kohës kur i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) po përpjesëtonte në Xhirane plaçkën e luftës të Hunejnit, iu mblodhën përsipër dhe e shqetësuan aq shumë, saqë, më në fund, duke bërë fjalë mbi profetët e mëparshëm, u tha të pranishmëve: “Allahu i Lartë e pati dërguar një robin e vet te fisi i tij. Fisi e rrahu dhe ia çau kokën. Kurse ai edhe e fshinte me dorë gjakun që i rridhte nga koka, edhe i lutej Zotit: “O Zot! Fali njerëzit e mi se s’dinë ç’bëjnë!” (Ibni Hanbel, I, 456; Muslim, Xhihad, 105)

Profeti ynë i dashur edhe i sëmurë ka shpalosur shembuj durimi që janë modele për ne. Ebu Said el-Hudriu i pati shkuar për vizitë të Dërguarit të Allahut kur pati qenë i sëmurë dhe e pati parë me sytë e vet se ç’dhimbje të mëdha përballonte ai! Ai e vazhdon kështu tregimin e vet:

“Ia vura duart sipër dhe ia ndjeva nxehtësinë që sipër jorganit. “O i Dërguari i Allahut, paske shumë nxehtësi!” – I thashë. “Kështu jemi ne, profetët!” – M’u përgjigj ai dhe vazhdoi: “Ngatërresat na vijnë shumëfish, edhe shpërblimet e tyre na jepen shumëfish!” “O i Dërguari i Allahut! Kush janë ata nga njerëzit që u janë nënshtruar më shumë ngatërresave?” – E pyeta unë.

“Profetët!” – Më tha. “Pastaj, kush?” – E pyeta përsëri. “Pastaj njerëzit e mirë (salih)!” – Më tha dhe më bëri këtë shpjegim: “Njëri prej tyre bie në një varfëri të tillë, saqë të mos gjejë tjetër gjë përveç një zhguni për t’u mbuluar! Siç gëzoheni ju për bollëkun, ata gëzohen për ngatërresën dhe fatkeqësinë!” (Ibni Maxhe, Fiten, 23)

 

I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka dëshiruar që njerëzit të bëjnë durim ndaj ngatërresave dhe fatkeqësive të mëdha apo të vogla që mund t’u bien në kokë në jetë dhe ta shpresojnë shpërblimin nga Zoti. Ai ka bërë të ditur se personat që bëjnë durim kur provohen me verbimin nga të dy sytë do të marrin si shpërblim xhennetin (Buhari, Merda, 7), se kur një njeri i cili e lavdëron dhe e falenderon Zotin kur sëmuret, do të hyjë në xhennet nëse vdes, kurse, nëse shërohet, mishi do t’i ndërrohet me një mish tjetër më të dobishëm, gjaku do t’i ndërrohet me një gjak tjetër më të dobishëm dhe mëkatet do t’i falen. (Muvatta, Ajn, 5) Prandaj duhet bërë durim ndaj sëmundjeve, ngatërresave dhe fatkeqësive duke e pritur shpërblimin nga Allahu. Poeti Mehmet Akif Ersoj, duke e ngushëlluar dhe qetësuar personin i cili dëshpërohet dhe e shkatërron veten për një të sëmurë, në të njëjtën kohë, duke parashtruar logjikën e durimit dhe faktin që durimi është ai çka e bën njeriun njeri, thotë kështu: I thashë: Ç’është kjo që bën, pa mendo, o bir! Lëre të sëmurin pak të rrijë edhe vetë. S’ka shpëtim kur vjen çasti i fatit të shkruar një herë! Ç’vlerë ka se e ke kthyer vetennë kufomë, o i shkretë? Kjo që bën ti, është ndaj Allahut kundërshtim; Njeri i vërtetë është ai që në fatkeqësi bën durim!.. Durimi ndaj sëmundjeve dhe fatkeqësive i përfton njeriut xhennetin.

Një ngjarje e cila e parashtron këtë të vërtetë haptazi, është kështu:

Ibni Abbasi (r.a.) i tha Atá bin Ebi Rabah-ut: “A të të tregoj një grua nga gratë e xhennetit?” Ai iu përgjigj: “Po, tregomë!” Atëherë, Ibni Abbasi vazhdoi: “Ajo gruaja zezake shkoi te i Dërguari i Allahut dhe i tha: “Unë kam sëmundjen e tokës. Kur më kapin krizat, zbuloj kokën dhe trupin. Lutiu Allahut për mua!” Profeti i tha: “Po deshe, bëj durim, të të jepet xhenneti; po deshe, t’i lutem Allahut të të japë shërim!” Gruaja i tha: “Në është kështu, do të bëj durim, vetëm se lutu që të mos zbulohem!” Dhe i Dërguari i Allahut u lut për të!” (Buhari, Merda, 6)

Profeti (s.a.v.s.) ka treguar edhe se si duhet të luten ata që pësojnë fatkeqësi të tilla. Ummu Seleme (r.anha) thotë kështu: Një herë, e pata dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thoshte: “Po qe se një musliman që i bie në kokë ndonjë fatkeqësi thotë siç ka urdhëruar Allahu, Allahu ia heq patjetër atë fatkeqësi dhe i jep diçka të dobishme e të mbarë:

 “Ne i përkasim Allahut dhe te ai do të kthehemi! Allahu im! Shpërblemë mua për këtë fatkeqësi dhe më jep një gjë të dobishme në vend të saj!” Kur më vdiq im shoq, Ebu Seleme, unë thashë: “E kush musliman është më i dobishëm se Ebu Seleme? Shtëpia e tij ishte e para që bëri hixhret me urdhrin e të Dërguarit të Allahut!” Krahas kësaj, e këndova edhe lutjen e mësipërme. Allahu i Lartë, në vend të Ebu Selemes, më dha të Dërguarin e Allahut (s.a.v.s.). (Muslim, Xhenaiz, 3)

Le të përcjellim një shembull të bukur të kuptimit të vërtetë të durimit edhe nga sahabet bujarë: Pas luftës së Uhudit, e bija e Abdylmuttalibit, Safije, u drejtua nga ana ku ndodheshin dëshmorët me qëllim për ta parë të vëllanë, Hz. Hamza. I biri, Zubejr, i doli para dhe i tha: “I Dërguari i Allahut urdhëron të kthehesh pas!” Ajo i tha: “Pse? A të mos e shoh tim vëlla? Unë e kam marrë vesh se atë e kanë therur e bërë copa-copa. Ai e pësoi këtë fatkeqësi në rrugën e Allahut! Eshtë pikërisht kjo që na ngushëllon ne, ndryshe, asgjë nuk do të na ngushëllonte dot! Në dashtë Allahu, do të bëj durim dhe do ta pres shpërblimin nga Allahu!”

Zubejri shkoi dhe ia tha fjalët e nënës të Dërguarit të Allahut. Atëherë, Profeti ynë, i dërguar si mëshirë për botët, iu përgjigj: “Mirë, pra, lëre ta shohë!” Dhe Safija shkoi pranë kufomës së të vëllait dhe u lut.” (Ibni Haxher, el- Isabe, IV, 349)

Ç’shembull i madh durimi! Fatkeqësia tragjike që pësoi një hero i tillë i cili duhej nga të gjithë, i cili i pati bërë aq shumë shërbime Islamit dhe i cili kishte merituar atributin “Luani i Allahut”, është një nga ngjarjet më të vështira për t’u duruar në botë. Por fakti që i vëllai e kishte pësuar atë fatkeqësi tragjike në rrugën e Allahut, pati mjaftuar për ta ngushëlluar Hz. Safijen. Ajo pati bërë durim për hir të Allahut dhe shpërblimin prej Allahut e pati pritur!

Pa dyshim, për muslimanët, dhimbja më e madhe dhe ngjarja më e vështirë për t’u duruar dhe përballuar, ka qenë vajtja e Zotërisë së Botëve pranë Shokut të Lartë duke e lënë jetim ummetin, bashkësinë e tij. Siç shprehet Hz. Enesi, atë ditë në Medinë çdo gjë ishte nxirë. Sahabet bujarë e patën varrosur pa dëshirë, kundër dëshirës dhe vullnetit, atë trup të bekuar, duke mos besuar se kishte vdekur! (Ibni Hanbel, III, 221, 268, 287; Tirmidhi, Menakib, 3) Megjithëkëtë, muslimanët bënë durim edhe përballë vdekjes së Profetit duke e groposur dhimbjen në gjoks. Pas saj, për ata s’mund të kishte ngatërresë ose fatkeqësi që të mund të merrej në konsideratë!

Për muslimanët u bë shumë më e lehtë të tregonin durim duke e kujtuar vdekjen e Profetit. Se ashtu kishte thënë edhe vetë Profeti: “Muslimanët që pësojnë ndonjë fatkeqësi, të ngushëllohen dhe qetësohen duke menduar fatkeqësinë që u ka rënë në kokë me vdekjen time, dhe të bëjnë durim!” (Muvatta, Xhenaiz, 14)

Shkurt, durimi është rruga më e sigurt për të shpëtuar nga ankthi dhe ngushtica dhe për t’u qetësuar. Sepse ilaçi durim edhe perdet e syve i heq, dhe personin e qetëson dhe e lehtëson. Zoti ka krijuar qindramijëra ilaçe të efektshme dhe të dobishme, por njeriu nuk ka parë ilaç më me dobi se durimi!

Share.

Leave A Reply