Ebu Bekri (r.a.), ishte një njeri i madh i cili u quajt nga Zoti i Madhëruar “I dyti i dyshes” dhe “es-Siddik”… Ai ishte bashkudhëtari i të Dashurit të Allahut, shoku i tij i rrugës përgjatë hixhretit dhe shoqëruesi i tij në shpellën Theur… Ai ishte njeriu më i lartë pas pejgamberëve.

Ishte një mik i sinqertë që e aprovoi të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), duke thënë: “Nëse e ka thënë ai, është e vërtetë.” – edhe për ngjarjet që mendjet nuk i kuptonin. Ai gjithmonë e shfaqi nënshtrimin dhe besnikërinë e tij ndaj Pejgamberit (s.a.s.)… Ishte një njeri i devotshëm miqësia e të cilit është vërtetuar me Kuran…

Ai ishte myslimani i parë që fitoi lavdërimin e të Dërguarit të Allahut, alejhi’s-selam, i cili është shprehur: “Kur ia predikova Islamin, as nuk u tremb, as nuk hezitoi.” Emri i tij ishte Abdullah. Llagapi i tij ishte Ebu Bekr, es-Siddik dhe el-Atik. Emri i babait të tij ishte Osman, por ai ishte i njohur me emrin Kuhafe. Ndërsa emri i nënës së tij ishte Selma binti Sarh. Ajo ishte e njohur si “Ummu’l-Hajr”.

Ebu Bekri (r.a.), i cili ishte dy vjet e tre muaj më i vogël se Pejgamberi ynë i dashur, ka lindur në vitin 573 e.s. pas ngjarjes së elefantit. Në moshën 38 vjeçare u nderua me Islamin. Për shkak se ka qenë i pari prej atyre që e kanë aprovuar Miraxhin e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), duke thënë: “Nëse e ka thënë ai, padyshim që është e vërtetë.”, ka marrë llagapin “es-Siddik” (i sinqerti). Pasi ndërroi jetë i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, u bë kalifi i parë i tij. Kalifati i tij zgjati dy vjet, tre muaj e dhjetë ditë.

Ai ishte një njeri që duhej dhe respektohej prej popullit, sepse ai edhe në jetën para Islamit nuk kishte pirë asnjëherë alkool, nuk i adhuronte idhujt dhe ishte i njohur me moralin e tij të lartë. I ndihmonte të varfrit dhe i mbështeste nevojtarët. Ai ishte një tregtar i ndershëm që kishte fituar besimin e të gjithëve.

Kur u nderua me Islam, u bë miku më i afërt i të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Ai i shërbeu atij me pasurinë, jetën dhe çdo gjë që posedonte. Ebu Bekri, radijall-llahu anh, mori pjesë në të gjitha luftërat. Çdo veprim e bënte sipas Islamit. Ai u përpoq ta bënte çdo punë në mënyrën më të bukur. Ebu Bekri (r.a.), krahas epërsisë së moralit të lartë dhe aftësisë mendore, posedonte edhe ndërgjegje pastër dhe largpamësi të madhe.

Një ditë, kur i Dërguarit të Allahut, alejhi’s-selam, po qëndronte në xhami me sahabët, erdhi Aliu (r.a.). Dha selam dhe kërkoi një vend të lirë. Edhe Pejgamberi ynë i dashur (s.a.s.), hodhi një shikim rreth e rrotull për të parë se kush do t’i lironte vend. Ebu Bekri (r.a.), e kuptoi këtë. Andaj menjëherë u ngrit nga vendi duke thënë: “Eja këtu, o Ebu’l-Hasan!..”

Profeti (s.a.s.), ngeli shumë i kënaqur nga kjo sjellje e tij dhe tha: “O Ebu Bekr! Njerëzve të virtytshëm ua dinë vlerën vetëm njerëzit e virtytshëm.”

Largpamësia, ndërgjegjja dhe vigjilenca e tij kishin arritur deri në atë shkallë, saqë hyrjen në stomak të një kafshate që nuk e dinte se ku dhe si ishte fituar, e shikonte si shkatërrimtare. Nëse ndonjë kafshatë e tillë hynte në stomakun e tij pa e ditur, përpiqej për ta nxjerrë jashtë edhe nëse i nevojitej të jepte shpirtin.

Një ditë hëngri një kafshatë nga ushqimi që i solli shërbëtori. Kur shërbëtori e pyeti: “Çfarë ju ka ndodhur? Çdo natë më pyesnit se nga e sillja ushqimin. Pastaj e hanit.”, Ebu Bekri (r.a.), ia ktheu: “Mos, uria më detyroi ta bëja këtë… Nga e solle këtë?” Shërbëtori iu përgjigj: “Është një familje të cilën e njoh që prej kohës së xhahilijetit. Unë shkova për ta vizituar. Kjo familje kishte pasur dasmë. Këtë ushqim ma dhanë ata me mendimin se ndoshta mund ta hani.” Nisur nga kjo përgjigje Ebu Bekri (r.a.), i tha: “Për pak do të më shkatërroje.” Pastaj e nxori atë kafshatë me gishta. Kur shërbëtori i tha: “O njeri që të ka mbuluar mëshira e Allahut! A për një kafshatë të vogël e torturove veten kështu?” Ebu Bekr es-Siddik (r.a.), iu përgjigj:

“Po të dilte ajo kafshatë qoftë vetëm me shpirtin tim, përsëri do ta nxirrja.”

Ja pra, kjo ishte ndjeshmëria e Ebu Bekrit (r.a.)… Jo vetëm largimin nga haramet, por edhe hallallin e studionte në këtë mënyrë dhe qëndronte larg gjërave të dyshimta. Ai bënte jashtëzakonisht shumë kujdes ndaj kafshatave që hante. Nëse hante ndonjë kafshatë të dyshimtë pa e ditur, përpiqej për ta nxjerrë edhe nëse kjo do t’i kushtonte jetën. Kjo përpikëri e lartëson njeriun. Sahabët u lartësuan me këtë vendosmëri dhe vullnet të tillë.

I Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, herë-herë i pyeste sahabët se çfarë mirësish kishin bërë. Një ditë pas namazit të mëngjesit i pyeti:

“Cili prej jush ka hyrë në mëngjes agjërueshëm?” Përgjigjen për këtë pyetje e mori nga Ebu Bekri (r.a.). Pastaj bëri edhe pyetje të tjera:

“Cili prej jush ka vizituar ndonjë të sëmurë?” “Cili prej jush ka dhënë sot lëmoshë?”

Omeri, radijall-llahu anh, nuk rezistoi dot dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Sapo kemi falur namazin e mëngjesit. Si mund të kemi vizituar ndonjë të sëmurë dhe si mund të kemi dhënë lëmoshë?” Ndërsa Ebu Bekri (r.a.), u përgjigj ndaj këtyre pyetjeve:

“O i Dërguari i Allahut! Më thanë se vëlla Abdurrahman ibn Aufi është sëmurë rëndë. Para se të vija në xhami, shkova te ai. E pyeta për gjendjen. Kur erdha te xhamia, një lypës më kërkoi diçka. Djali i birit tim, (pra, djali i) Abdurrahmanit kishte në dorë një copë bukë. Ia mora atij dhe ia dhashë lypësit.”

Nisur nga këto përgjigje, i Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, i tha: “Të përgëzoj me xhenet… Të përgëzoj me xhenet…”

Kur Omeri (r.a.), i dëgjoi këto përgjigje, nuk e përmbajti dot veten dhe tha: “Në çdo mirësi që kam garuar me Ebu Bekrin, ma ka kaluar patjetër.”

Edhe Aliu (r.a.), e aprovoi se Ebu Bekri (r.a.), ishte një shëmbëlltyrë në virtyt duke thënë: “Ai gjithmonë është i pari në çdo garë. Betohem në Allahun, i cili ka në dorë jetën time, në çdo mirësi që kemi garuar, Ebu Bekri na e ka kaluar.”

Ali ibn Ebi Talibi (r.a.), e pyeti Ebu Bekrin: “Me çfarë e ke fituar këtë shkallë të lartë?” Ebu Bekri (r.a.), iu përgjigj: “Me pesë gjëra:

  1. Njerëzit i kam parë dy llojesh. Dikush dëshiron këtë botë dhe dikush tjetër botën e përtejme. Ndërsa unë dua vetëm Zotin.
  2. Pasi kam hyrë në Islam, nuk kam ngrënë ushqim të kësaj bote derisa jam ngopur, sepse marifetull-llahu/njohja e Zotit nuk më lejoi të jepem pas kënaqësive të ushqimit të kësaj bote.
  3. Pasi kam hyrë në Islam, nuk kam pirë derisa jam ngopur prej gjërave të pijshme të kësaj bote, sepse dashuria ndaj Allahut nuk më lejoi ta ndjeja një nevojë të tillë.
  4. Pasi kam hyrë në Islam, gjithmonë u kam dhënë përparësi veprave për botën tjetër sesa veprave për këtë botë.
  5. Nga i Dërguari i Allahut (s.a.s.), nuk jam larguar qoftë edhe një orë. Asnjë ligjëratë e tij nuk më ka ikur.

Ebu Bekri (r.a.), i cili u dëlir në dashurinë që është burim i dashurive, pra, në dashurinë e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij, gjithmonë ishte i pari në çdo garë për shërbimet islame dhe mirësitë.

Ai ishte një njeri që kishte zemër të butë e të ndjeshme. Kur e lexonte Kuranin Fisnik, nga sytë i rridhnin lot. Atë e donin të gjithë, sepse dashuria që ai kishte ndaj njerëzve, nuk mbetej vetëm në gjuhë. Ai i ndihmonte të varfrit, jetimët dhe skllevërit. Bujaria e tij u aprovua me këtë ajet fisnik nga Allahu Teala: “Ai e jep pasurinë e tij, duke pastruar veten dhe duke mos pritur shpërblim prej dikujt tjetër për këtë, por vetëm për të kërkuar Fytyrën (kënaqësinë) e Zotit të tij, më të Lartit.” (Lejl, 18-20)

Ai ishte një shembull aq i shkëlqyer në çështjen për të dhënë në rrugë të Zotit (xh.xh.), saqë e bleu Bilalin që gjendej i shtrirë mbi rërën e nxehtë, Ammarin që e rrahën derisa i ra të fikët dhe Ebu Fukejhen që e zvarrisnin mbi gurët e çakllit duke e lidhur me litar për këmbësh. Ai i bleu ata dhe u dha lirinë. Ebu Bekri (r.a.), e dha çdo gjë që posedonte në rrugën e Allahut të Lartësuar. Ndërsa vetë shkonte në xhami duke veshur një pelerinë të grisur. Kjo bujari e lartësoi atë dhe e bëri të fitonte kënaqësinë e Zotit (xh.xh.).

Ai ishte një njeri me dinjitet që i jepte rëndësi të veçantë mbrojtjes së personalitetit. Për këtë arsye, asnjëherë nuk ka pirë verë edhe para se të bëhej mysliman. Një ditë e pyetën se përse nuk kishte pirë verë. Ai u përgjigj: “Mbroj nderin, dinjitetin dhe personalitetin tim, sepse ai që pi verë, e humbet mendjen dhe personalitetin e tij.”

Po!.. Ai ishte njeri që kishte kaq shumë dinjitet, pjekuri dhe modesti. Ai nuk shfaqte asnjëherë mendjemadhësi. Kur Hz. Aishja, radijall-llahu anha, fliste për cilësitë e babait të saj, thoshte: “Ai ishte një njeri që sytë i rridhnin lot, zemrën e kishte të brengosur e plot me emocion dhe jepte vazhdimisht në rrugë të Allahut.”

Ebu Bekri (r.a.), bënte gjithmonë kujdes që të mos thoshte ndonjë fjalë të padobishme dhe pa nivel. Ai nuk fliste përderisa të mos kishte ndonjë shkak të rëndësishëm apo përderisa të mos thoshte ndonjë fjalë të rëndësishme. Ndërsa kur e ndjente të nevojshme për të folur, thoshte vetëm të vërtetën. Ai i këshillonte komandantët dhe prefektët: “Kur t’i flisni popullit, flisni shkurt dhe në mënyrë të përmbledhur, sepse një pjesë e fjalimit të gjatë e bën ta harrojë pjesën tjetër.” Hytbja që mbajti kur u zgjodh kalif, është shembulli më i qartë për këtë. Ai i tha kështu popullit si kalif:

“O myslimanë! Edhe pse nuk jam më i miri prej jush, gjendem si prijësi juaj. Nëse e kryej siç duhet detyrën, më ndihmoni. Nëse gaboj, më tregoni rrugën e vërtetë. Drejtësia është amanet, ndërsa mashtrimi është tradhti. I dobëti prej jush është i fortë te unë derisa të marrë hakun e tij. Edhe i fuqishmi prej jush është i dobët te unë derisa t’i merret haku që ia ka marrë dikujt tjetër.

Nëse një popull qëndron larg xhihadit në rrugën e Allahut, ai popull bie në poshtërim. Nëse një ligësi përhapet në një popull, atëherë të gjithë këtij populli i zbret fatkeqësi. Nëse e kundërshtoj Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ju nuk e keni detyrim të më bindeni mua. Hajt të falim namazin tashmë! Allahu Teala na mëshiroftë të gjithëve!”

Ebu Bekri (r.a.), edhe kur përcolli ushtrinë e Usamës që u përgatit në ditët e fundit të jetës së të Dërguarit të Allahut, alejhi’s-selam, u dha këto këshilla ushtarëve:

“Mos shfaqni barbarizëm. Mos lidhni askënd me zinxhirë për qafe. Mos bëni padrejtësi. Mos ia prisni askujt gjymtyrët. Mos i vrisni fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe gratë. Mos i prisni pemët frutore. Mos i digjni të mbjellat. Mos prisni ndonjë dele, lopë apo deve më tepër përveç sa keni nevojë. Mos i prekni njerëzit që janë strehuar nëpër manastire. Lërini ata në hallin e tyre.”

I gjithë ai kalif i madh ishte aq shumë modest në jetën e tij, saqë, nëse i binte në tokë shkopi apo litari kur ishte mbi deve, nuk urdhëronte asnjë që t’ia jepte, por zbriste dhe e merrte vetë. Gjithmonë e mbante vetë ngarkesën e tij dhe nuk dëshironte që t’i bëhej barrë askujt. Kur dëgjonte se dikush e kishte lavdëruar, i kërkonte mbrojtje Zotit (xh.xh.), nga mendjemadhësia e mburrja duke thënë: “O Zot! Ti më njeh mua më mirë seç e njoh unë veten time.” Ai nuk i toleronte aspak ata që mburreshin.

Një ditë shkoi te vajza e tij, Aishja. Në ato momente Aishja (r.anha), ecte nëpër shtëpi me një rrobë që i prekte në tokë. Ai i tha: “O Aishe! A e di se Allahu Teala tani nuk të shikon?” Ajo e pyeti e habitur: “Pse baba?!” Ebu Bekri, radijall-llahu anh, i tha: “A nuk e di se njeriut i vjen në zemër ndjenja e mburrjes dhe pëlqimit të vetes për shkak të prirjes ndaj stolive të kësaj bote? Allahu e urren atë derisa ai ta lërë atë stoli.” Nisur nga këto fjalë, Hazreti Aishja e hoqi atë rrobë të stolisur që i pëlqente shumë dhe e dha menjëherë si lëmoshë.

Figurat e Epokës së Lumturisë posedonin një sinqeritet dhe nënshtrim të tillë ndaj Allahut Teala… Për ata e drejta dhe e vërteta ishte mbi çdo gjë… Stolitë e kësaj bote nuk mund ta kalonin dashurinë që ata kishin për Allahun dhe të Dërguarin e Tij… Ata jetuan me një sinqeritet të tillë përgjatë gjithë jetës së tyre… Pastaj shkuan te Zoti me këtë sinqeritet dhe nënshtrim…

I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë në lidhje me Ebu Bekrin:

 “Askujt nuk kemi mbetur pa ia dhënë shpërblimin e ndonjë mirësie që na ka bërë, përveç Ebu Bekrit. Ai na ka bërë mirësi të atilla shpërblimin e të cilave do t’ia japë Allahu Teala në ditën e kiametit.” Në këtë mënyrë, Pejgamberi (s.a.s.), na njoftoi se virtytet dhe mirësitë e Ebu Bekrit (r.a.), ishin aq të shumta, saqë nuk mund të numëroheshin.

Ebu Bekri (r.a.), i cili u sëmur për shkak të mallëngjimit për të Dashurin tonë (s.a.s.), ndërroi jetë në vitin e 13-të të hixhretit (634 e.s.). Pasi iu fal namazi i xhenazes nga Omeri (r.a.), e çuan te vendi ku ishte i varrosur i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Kur u dëgjua zëri: “Hyni dhe varroseni!”, u varros pranë Pejgamberit tonë të dashur.

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

I lutem Allahut të Madhëruar që të na e japë edhe neve sinqeritetin e nënshtrimin e Ebu Bekrit dhe të na e mundësojë të bëjmë një jetë të artë si sahabët! Allahu na bashkoftë me ta në xhenet!

Amin!

Share.

Comments are closed.