Ebu Dherr el-Gifari (r.a.), ishte njeriu i ditëve të vështira… Ai ishte një sahab që mbante sekretet e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.)… Ishte një njeri adhurues, asket dhe bujar… Ishte një trim që mbartte gjithmonë mirësi në zemër…

Ebu Dherri (r.a.), po priste ardhjen e një pejgamberi që do t’i ndriçonte mendjet dhe zemrat e njerëzve. Ai çuditej se si njerëzit e shkretë i konsideronin zota idhujt dhe thoshte se diçka e tillë ishte e pakuptimtë. Në fisin e tij njihej për trimërinë, iniciativën dhe urrejtjen ndaj idhujve.

Ishin ditët e para që kishte ardhur shpallja hyjnore. Kur i shkoi lajmi për ardhjen e fesë së re, filloi ta hetonte dhe studionte këtë çështje pa humbur kohë. Së pari çoi në Mekë vëllain e tij, Unejsin. Të dhënat që i solli vëllai, nuk ia qetësuan zemrën. Për këtë arsye, shkoi vetë atje.

Ibn Abbasi (r.a.), e transmeton pikërisht nga vetë ai takimin e tij me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.):

“Unë i përkisja fisit Gifar. Dëgjova se në Mekë kishte dalë një pejgamber i ri. Vëllain tim, Unejsin e dërgova për të marrë informacione në lidhje me të. Kur u kthye, më tha: “Pashë një njeri që i urdhëronte njerëzit për mirë dhe i ndalonte nga e keqja.”

Zemra dëshironte që ta shikonte vetë. Për këtë arsye, shkova në Mesxhidu’l-Haram në Mekë. Të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), nuk e njihja, por as të tjerët nuk i pyesja dot për të. Edhe pse ra nata, unë nuk u largova nga Qabeja. Ali ibn Ebi Talibi erdhi pranë meje dhe tha: “Më sa duket ky burrë është i huaj.” Edhe unë thashë: “Po, i huaj jam.” Aliu më tha: “Atëherë urdhëro te ne.” Shkova bashkë me Aliun. Atë natë as ai nuk më pyeti për udhëtimin, as unë nuk i thashë ndonjë gjë.

Kur erdhi mëngjesi, shkova përsëri te Qabeja. Koha kaloi dhe erdhi nata e dytë. Aliu erdhi përsëri pranë meje dhe më tha: “Eja të shkojmë te shtëpia ime.” Shkuam në shtëpi. Edhe atë natë nuk folëm për ndonjë gjë. Natën e tretë Ali ibn Ebi Talibi më pyeti: “Çfarë të ka ndodhur? Përse ke ardhur në këtë qytet?” Unë i thashë: “Do të të tregoj nëse nuk i thua kujt dhe nëse më çon te ai që po kërkoj.” Aliu më tha: “Mund të jesh i sigurt për këtë.” Nisur nga kjo siguri që më dha, i thashë: “Me sa kemi dëgjuar, këtu ka dalë një person që thotë se është pejgamber. Unë kam ardhur për t’u njohur dhe takuar me këtë person.” Aliu ma ktheu: “Për Zotin! Ai me të vërtetë është i Dërguari i Allahut dhe pejgamber i vërtetë. Në mëngjes do të shkoj te ai. Edhe ti eja pas meje.” Kur erdhi mëngjesi, Aliu më tha:

“Më ndiq kudo që shkoj. Nëse përgjatë rrugës shoh ndonjë që mund të të bëjë keq, do të ndaloj në ndonjë qoshe. Ndërsa ti mos ndalo, por shko. Unë do të vij pas teje. Pastaj hyr aty ku do të hyj unë.” Të dy së bashku shkuam te i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Kur e pashë, i thashë: “Es-selamu alejkum, o i Dërguari i Allahut!” Mendja dhe zemra mu mbushën me dritën e tij. Bota ime e brendshme u ndriçua e tëra. Pa pasur nevojë që të më pyeste Resulullahu (s.a.s.), thashë menjëherë shehadetin dhe iu dorëzova atij.

I Dërguari i Allahut (s.a.s.), më tha: “O Ebu Dherr! Fshihe këtë çështje dhe kthehu në vendin tënd.” Ndërsa unë thashë: “O i Dërguari i Allahut! Betohem në Allahun i Cili të ka dërguar si pejgamber të vërtetë, se do ta them shehadetin në mes të politeistëve më të tërbuar.” Për këtë arsye, shkova te Qabeja dhe bërtita me të madhe, duke thënë:

“O Kurejshë! Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut. Vetëm Allahu meriton të adhurohet. Gjithashtu dëshmoj me plot sinqeritet se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Allahut.”

Politeistët kurejshë filluan të më rrihnin. Xhaxhai i Pejgamberit (r.a.), Abbasi erdhi të më mbronte. Ai u tha atyre: “U shkatërrofshi! Po vrisni dikë prej Gifarit. Mos harroni se Gifari është vendi ku bëni tregtinë dhe vendi nga i cili kaloni.” Kurejshët u tërhoqën. Kur erdha në vete, shkova te i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Kur pa se më kishin rrahur, më tha:

“O Ebu Dherr! A nuk të pata thënë ta fshihje këtë çështje dhe të ktheheshe në vendin tënd? Hajt tashmë, shko te njerëzit e tu! Lajmëroji ata për atë që ke parë dhe dëgjuar! Ftoji ata te Allahu! Kur ta shpall thirrjen, eja te unë!”

* * *

Ebu Dherri (r.a.), deri në hixhret u preokupua me thirrjen e njerëzve të tij. Prej Gifarit shumë veta u bënë myslimanë nëpërmjet tij. Edhe pas hixhretit u preokupua me të njëjtën detyrë. Ebu Dherr el-Gifari (r.a.), mori pjesë në luftën e Bedrit, Uhudit dhe Hendekut. Pastaj shkoi për të banuar në Medine, me qëllimin për t’i shërbyer të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) dhe për të qëndruar me të. Kurdo që Resulullahu, alejhi’s-selam, takohej me të, i buzëqeshte, e lavdëronte dhe e nderonte.

Myslimanët qenë nisur për në luftën e Tebukut. Ebu Dherri (r.a.), pati mbetur mbrapa për shkak se deveja e tij ishte e dobët. Ai i mori gjërat e veta në kurriz dhe filloi të ecte në këmbë për ta arritur Pejgamberin tonë të nderuar. Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.), e pa në atë gjendje, tha:

“Allahu e mëshiroftë Ebu Dherrin! Ai ecën vetëm, do të vdesë vetëm dhe do të tubohet vetëm.”

Ebu Dherri (r.a.), nuk i jepte aspak vlerë kësaj bote. Në shtëpinë e tij nuk mbante gjë tjetër përveçse ushqimit ditor. Kështu që çdo gjë ua jepte të varfërve. Ai bëri një jetë shumë askete. Asnjëherë nuk pati kursyer ndonjë gjë me mendimin se mund t’i duhej më vonë. Ai gjithmonë thoshte: Miku im, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, më ka këshilluar:

“Florinjtë dhe argjendet që mbështillen dhe u lidhet gryka, janë pjesë e zjarrit. Ato e djegin poseduesin e tyre derisa t’u jepen nevojtarëve për hir të Allahut.”

Ebu Dherr el-Gifari (r.a.), i cili preferoi këtë jetesë kaq askete deri në fund të jetës së tij, pasi ndërroi jetë Resulullahu (s.a.s.), nuk qëndroi dot në Medine dhe shkoi në Sham. Prefekti, për ta provuar atë, i dërgoi një natë një mijë florinj me një njeri të besueshëm. Ebu Dherri (r.a.), nuk fjeti atë natë, por ua shpërndau ato njerëzve të varfër. Në mëngjes njeriu i besueshëm i prefektit i tha Ebu Dherrit: “Aman i nderuar. Prefekti më kishte dërguar në një vend tjetër. Ndërsa unë erdha gabimisht te ti dhe t’i dhashë florinjtë. Ebu Dherri (r.a.), i kërkoi ndjesë dhe i tha:

“Bir! Ata florinj u janë shpërndarë fukarenjve përgjatë natës. Asnjë nuk mbeti në mëngjes. Andaj kërko tri ditë leje, në mënyrë që t’i siguroj ata florinj.” Në këtë mënyrë, prefekti i Shamit e pa edhe një herë sinqeritetin dhe pastërtinë e Ebu Dherrit (r.a.).

Ja pra, njeriu bëhet yll me këto lloj sjelljesh. Njeriu i Epokës së Lumturisë është bërë i përhershëm pikërisht me këto cilësi. Ata patën hequr dorë nga pasuria dhe jeta. Ata qenë tretur në dashurinë ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Për këtë arsye, u shndërruan në kala që synonin ahiretin.

Ebu Dherri (r.a.), mori lavdërimin e Pejgamberit tonë të nderuar i cili u shpreh: “Toka nuk ka mbartur njeri më të drejtë se Ebu Dherri. Qielli nuk ka mbajtur nën vete një njeri tjetër si ai.” Ebu Dherr el-Gifari (r.a.), në kohën e Osmanit (r.a.), u vendos për të banuar në një fshat që quhej Rebeze afër Medines. Aty ndërtoi një xhami dhe ua shpjegoi njerëzve Islamin deri në fund të jetës. Ai u mësonte të tjerëve Kuran dhe Hadith. Ebu Dherri (r.a.), ka transmetuar 281 hadithe fisnike. Ai ndërroi jetë në vitin 652 në fshatin Rebeze.

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

Allahu i Lartësuar na e mundësoftë një jetë askete si të Ebu Dherrit, duke u shkrirë në dashurinë e Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe na bashkoftë në xhenet me këtë sahab asket e të devotshëm! Amin!

 

Share.

Leave A Reply