Feja Islame vjen duke u predikuar dhe zbatuar brez pas brezi që prej katërmbëdhjetë shekujsh. Çdo besimtar që nderohet me Islamin, është i detyruar ta mësojë dhe ta zbatojë librin e Allahut Teala (Kuranin) dhe jetën e të Dërguarit të Allahut (a.s.).

Besimtari është një thirrës… Besimtari është një predikues… Besimtari është një edukator… Ai është i ngarkuar me detyrën për ta mësuar Islamin e Kuranin Fisnik dhe për t’ua mësuar edhe të tjerëve. Kjo përgjegjësi u është dhënë vetëm besimtarëve si umeti i kohës së fundit.

Besimtar është ai njeri që jeton duke synuar ahiretin. Ai e di se kjo botë është provizore. Për këtë arsye, pasurinë, pozitën dhe jetën e përdor në shërbim të fesë së Allahut të Lartësuar. Nga njëra anë përpiqet vazhdimisht të pajiset me dije islame, nga ana tjetër përpiqet t’i zbatojë në jetë ato që ka mësuar. Besimtari përpiqet vazhdimisht që feja e Zotit (xh.xh.), së pari të zbatohet prej tij, pastaj prej familjes së vet. Ai është shembull për njerëzit që e rrethojnë me fjalët që thotë, me sjelljet që shfaq dhe me veprimet që bën. Ai jeton në gjurmët e Kuranit Fisnik dhe Sunetit të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Për shkak se jeton sipas këtyre rregullave, moralin e lartë të Islamit së pari e shfaq te vetja e tij. Si rezultat bëhet shembull për njerëzit e tjerë. Në këtë mënyrë e predikon Islamin.

Që nga Epoka e Lumturisë e deri në ditët e sotme Islami ka ardhur duke u përjetuar. Në jetën e Ebu’d-Derdasë (r.a.), ka shumë shembuj dhe mësime për ne në këtë kontekst.

I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë në lidhje me Ebu’d-Derdanë (r.a.): “Çdo umet ka një të urtë. I urti i umetit im është Ebu’d-Derda Uvejmiri.”

* * *

Ebu’d-Derda Uvejmir ibn Amr el-Hazrexhi (r.a.), ishte prej ensarëve të nderuar. Para hyrjes në Islam preokupohej me tregti. Në kohën e xhahilijetit pati formuar lidhje vëllazërore me Abdullah ibn Revahan. Por për të hyrë në Islam mbeti pas tij. Abdullah ibn Revaha (r.a.), u bë mysliman sapo dëgjoi se kishte ardhur një fe e re. Ndërsa Ebu’d-Derda u vonua pak për ta pranuar Islamin. Kjo vonesë e bëri atë të pendohej përgjatë gjithë jetës.

Ebu’d-Derda (r.a.), i cili u bë mysliman nëpërmjet Abdullah ibn Revahas (r.a.), jetoi gjithmonë i penduar për mirësitë që i ikën dhe për pjesën e jetës që e kaloi pa hyrë në Islam.

Për këtë arsye, iu përkushtua plotësisht dijes dhe iu drejtua Librit të Allahut. Ai e la tregtinë dhe filloi të merrte pjesë në kuvendet e dijes. Ebu’d-Derda (r.a.), thoshte se kënaqësinë që ndjente në këta kuvende, nuk e ndjente në asgjë tjetër. Pastaj bëri një jetë askete. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), e bëri vëlla me Selman el-Farisiun.

* * *

Në periudhën e Omerit (r.a.), pas insistimit të kalifit u bë prefekt i Shamit. Ebu’d-Derda (r.a.), vuri re se populli ishte i dhënë pas mirëqenies, komforit dhe shpërdorimit. Për këtë arsye, e mblodhi popullin e Shamit dhe u dha këto këshilla:

“O banorët e Shamit! Ju jeni vëllezërit tanë në fe dhe fqinjët tanë në këtë vend. Çfarë ju pengon nga dashuria ndaj meje dhe nga pranimi i këshillës sime? Ndërkohë unë nuk kërkoj asgjë prej jush. Atëherë, çfarë është kjo gjendje?

Unë po e shoh se po mblidhni gjëra që nuk keni për t’i konsumuar, po ndërtoni shtëpi në të cilat nuk keni për të banuar dhe po mendoni për gjëra dhe punë që nuk do t’i realizoni.

Edhe popujt para jush i mblodhën këto dhe patën shpresa të tilla. Pa kaluar shumë kohë, ata u shkatërruan. Shpresat e tyre dështuan. Ndërsa shtëpitë e tyre u shndërruan në varreza…”

Ebu’d-Derda (r.a.), u përpoq ta zgjonte popullin me këto këshilla. Që nga ajo ditë, filloi të qëndronte vazhdimisht ndërmjet njerëzve. Ai iu përgjigj pyetjeve të tyre. I qortoi dhe i paralajmëroi një nga një ata që kishin rënë në shkujdesje për sa i përket zbatimit të Islamit.

* * *

Kur një herë po ecte përgjatë tregut, vuri re një grup njerëzish që ishin mbledhur te koka e një burri. E godisnin dhe e ofendonin. Ai shkoi pranë tyre dhe i pyeti: “Çfarë po ndodh?” Ata iu përgjigjën:

“Ky ka rënë në një mëkat të madh.” Ebu’d-Derda (r.a.), tha:

“Mirë, por më thoni: Çfarë do të kishit bërë po të kishte rënë në një pus ky shoku juaj? A nuk do ta nxirrnit prej aty?” Ata thanë:

“Po, do ta nxirrnim.” Nisur nga kjo përgjigje, Ebu’d-Derda (r.a.), tha:

“Atëherë, mos e ofendoni dhe mos e rrihni, por edukojeni vetëm duke e këshilluar. Pastaj falënderojeni Allahun që ju ka mbrojtur nga rënia në atë mëkat.”

Kur ata përsëri thanë: “A nuk po i nxehesh atij për shkak të këtij mëkati?”, Ebu’d-derda (r.a.), u dha këtë përgjigje plot urtësi:

“Unë nxehem vetëm për mëkatin që ka bërë. Nëse e lë atë mëkat, atëherë është vëllai im.”

Kjo mëshirë dhe butësi e gjerë e Ebu’d-Derdasë (r.a.), kjo metodë e tij plot mëshirë dhe kjo dashuri që kishte për njeriun, u bë shkak që ai grup njerëzish të pendohej.

* * *

Një ditë përsëri kishte dalë ndërmjet njerëzve. Në treg pa disa të rinj që ishin ulur në qoshe të rrugës dhe po bisedonin. Edhe atyre u dha këtë këshillë:

“Bijtë e mi! Vendi ku ulëte qëndron njeriu mysliman, është shtëpia. Aty i mbron sytë dhe veten nga të këqijat. Andaj mos qëndroni ulur nëpër tregje, sepse këto vende e mashtrojnë njeriun duke e preokupuar me gjëra të padobishme.”

* * *

Ebu’d-Derda (r.a.), i cili ishte prej dijetarëve dhe të urtëve të sahabëve të nderuar, ndërroi jetë në vitin 32 hixhri përgjatë periudhës së kalifatit të Osman ibn Affanit (r.a.), ndërsa ishte prefekt i Shamit.

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

Allahu Teala na dhëntë edhe ne prej moralit, butësisë, mëshirës, dashurisë, asketizmit dhe devotshmërisë që kishte Ebu’d-Derda (r.a.)! Zoti na bashkoftë me të në xhenet! Amin!

Share.

Comments are closed.