Edukimi i brezit të ri në Islam - Mirësia Islame

Edukimi i brezit të ri në Islam

Altin Torba Dituria e edukimit të brezit të ri është një dituri ku edhe vetë hoxhallarët kanë shumë çfarë të marrin dhe të japin. Mësimi i psikologjisë së fëmijës është një detyrë primare për çdo prind dhe edukator musliman. Përkufizimi…


Publikuar:

Altin Torba

Dituria e edukimit të brezit të ri është një dituri ku edhe vetë hoxhallarët kanë shumë çfarë të marrin dhe të japin. Mësimi i psikologjisë së fëmijës është një detyrë primare për çdo prind dhe edukator musliman.

Përkufizimi i edukimit: Edukimi është gjetja e sjelljes së dëshiruar, mbjellja e saj, kultivimi i saj dhe konfirmimi i produktivitetit të saj. Sjellje e dëshiruar në Islam konsiderohet ajo sjellje të cilën Islami e ka vlerësuar si të dëshiruar dhe që për pasojë gjen vlerësim dhe konsiderohet e dëshiruar tek edukatori, i edukuari dhe mbarë shoqëria.

Psikologët myslimanë na thonë, se tre parimet kryesore që duhet të ketë në kokë prindi mysliman në procesin fisnik të edukimit të fëmijës së tij, janë: një: dashuria e fëmijës; dy: vlerësimi i drejtë i sjelljes së fëmijës dhe tre: procesi bindës i fëmijës.

Parimi i parë: dashuria e fëmijës:

Procesi ynë i edukimit në themelin e tij duhet të ketë dashurinë e pakushtëzuar për fëmijën tonë.

Në kuptimin e sa më sipër, hedh dritë fakti se në një sondazh, pasi u morën në pyetje njëmijë prindër dhe njëmijë fëmijë, ndodhi sa vijon:

Kur prindërve iu drejtua pyetja: “A i doni fëmijët tuaj?”, të gjithë u përgjigjën me “Po”, madje një pjesë e tyre e konsideruan pyetjen në fjalë si një pyetje naive. Në krahun tjetër, kur fëmijëve të pashoqëruar me prindërit iu drejtohet pyetja: “A mendoni se prindërit tuaj ju duan?”, përgjigja e tyre ishte befasuese, rreth 80 – 90 % e tyre u përgjigjën me “Jo”. Dikush prej fëmijëve thoshte: “Babi im më shumë do punën”, dikush “sportin”, dikush këtë e dikush atë dhe të njëjtën gjë thoshin edhe për mamanë: “Ajo do më shumë orenditë e shtëpisë, punët, etj”.

E vërteta qëndron se ai i që i jep përgjigje faktit se sa e do prindi fëmijën e tij, është vetë fëmija.

Parimi i dytë: vlerësimi i drejtë i sjelljes së fëmijës:

Ta vlerësosh drejt fëmijën tënd, do të thotë të mos shikosh se çfarë të shkakton ty sjellja e tij, por të shikosh se nga cili tipar i fëmijës buron kjo sjellje, nga tiparet e tij pozitive apo nga ato negative.

Parimi i tretë: bindja e fëmijës:

Ne prindërit,siç thonë psikologët, duhet të jemi si shenjat e qarkullimit rrugor. Gjithsecili nga ne që ec me makinë, i sheh shenjat e qarkullimit rrugor dhe nuk vihet fare në siklet teksa po u nënshtrohet atyre. Ai thotë se po i zbaton udhëzimet e këtyre shenjave me dëshirë, por e vërteta qëndron se ai është i imponuar t’i zbatojë këto shenja. Një pyetje që lind natyrshëm është se: Si shpjegohet bindja e vullnetshme e njeriut në rastin në fjalë? Përgjigjja është se e tillë gjë vjen nisur nga fakti se shenja nuk flet, por orienton në heshtje. Kështu duhet të jemi edhe ne prindërit me fëmijët tanë.

Kanë thënë: “Prindi duhet të jetë si elefanti, me gojë të vogël dhe vesh të mëdhenj, pra i flet pak fëmijës dhe e dëgjon shumë atë”. Psikologët myslimanë në shpjegim të rëndësisë së këtyre parimeve, japin dy qëndrimet në vijim: 

Qëndrimi i parë: Qëndrimi i prindit joparimor:

Fëmija sapo ka hedhur mbi tapet një lëvozhgë bananeje:

Prindi: Çfarë bëre kështu more?! Ke apo s’ke tru ti?! Kam thënë unë, se ti nuk merr vesh. Pse aty hidhet ajo?! Ajo hidhet në koshin e plehrave more pleh, por gjithmonë kështu bën ti… Dhe të tjera ofendime, bërtitje dhe sharje.

E si mund të pritet paskëtaj që fëmija të ndihet mirë. Përkundrazi, ai së pari: do mendojë se prindi i tij nuk e do; dhe së dyti: do e bazojë sjelljen e tij tek frika prej prindit, jo tek bindja.

Pra duket qartë, se parimi i parë, dashuria, nuk është realizuar, prandaj as që mund të mendohet nga ana fëmijës se prindi i tij që po sillet me të në këtë mënyrë, e do atë. Madje fëmija, faktin se prindi i tij nuk e do, e argumenton duke thënë: “E si më dashka prindi mua, kur për një lëvozhgë bananeje bën hatanë… Jo, jo, ai më shumë do tapetin sesa mua…”. Madje kjo bindje përforcohet më tej tek fëmija, kur prindi arrin deri aty sa veç britmës, sharjes dhe ofendimeve, vë dhe dorë mbi fëmijën… Është më se normal, që ky të jetë konkluzioni për fëmijën dhe në fakt po ky është konkluzioni i drejtë ku do arrinte çdo njeri i logjikshëm..

Në krahun tjetër, le të shohim sesi ka influencuar tek fëmija qëndrimi prindëror joparimor në fjalë sa i përket parimit të dytë, atij të drejtë-vlerësimit të sjelljes së fëmijës. Pra pyetja që shtron vetveten në këtë kontekst është: A është vlerësuar drejtë sjellja e fëmijës përmes këtij qëndrimi të prindit?

Përgjigja sërish është “Jo”. Kur fëmija hedh një lëvozhgë bananeje mbi tapet apo bën diçka tjetër të kësaj natyre, ai këtë nuk e bën ngaqë do të shkaktojë probleme, por e bën sepse ndihet se është lënë pas dore. Gjithashtu fëmija e bën një veprim të tillë, sepse sjellja e prindërve të tij i ka treguar atij, se vetëm kur të bëjë të tilla veprime, ai do ta marr vëmendjen e prindërve.  Po kështu kjo sjellje e fëmijës tregon dëshirën e tij për autonomi. Ai me këtë sjellje sikur do që të thotë: “Jam edhe unë këtu”…

Në fakt, nga veprimet fëmijërore të këtij lloji mund të nxirren shumë konkluzione të kësaj natyre. Është  vërtetuar, se një fëmijë i moshës 1-7 vjeç, i cili u bindet pa hezitim prindërve të tij dhe nuk i kundërshton ata asnjëherë, ky fëmijë gjatë jetës së tij do të jetë ai që quhet “qole”, pra do të jetë njeriu të cilin të tjerët e komandojnë dhe e çojnë nga të duan.

Kush nga ne prindërit do të dëshironte që të kishte një fëmijë të tillë, robot të telekomanduar.

Për hir të së vërtetës duhet thënë se shumë prej nesh nuk i kanë punët mirë me vlerësimin e drejtë të sjelljes së fëmijës, pasi siç duket ne prindërit ende nuk e kemi hetuar faktin se: “Drejtë-vlerësimi i sjelljes së fëmijës nuk arrihet duke u bazuar në problemet që shkakton sjellja e fëmijës, por arrihet duke parë tiparet pozitive fëmijërore prej ku buron sjellja në dukje problematike e fëmijës sonë”.  

Qëndrimi i dytë: Qëndrimi i prindit parimor:

Më tej psikologu mysliman na jep shembullin model të një prindi parimor, i cili e edukon fëmijën e tij sipas rregullave dhe principeve islame, duke na treguar se si vepron një prind i tillë me fëmijën e tij, që sapo ka hedhur në tapet një lëvozhgë bananeje:

Me ta parë fëmijën e tij që e ka hedhur lëvozhgën e bananes, pikë së pari ai thotë me vete: “Obobo, e paskam harruar fare fëmijën tim. Shumë keq që u kujtova vetëm kur ai e hodhi këtë lëvozhgë bananeje”. Paskëtaj ai shkon e merr fëmijën, e puth, e ledhaton, ia bën qejfin, e bën të ndihet rehat dhe vetëm pas kësaj e dërgon atë tek vendi ku e ka hedhur bananen dhe i thotë: “O, po kjo lëvozhgë bananeje këtu? Po kjo është problem babi, se në qoftë se ty, ose babit, ose mamit, ose vëllait, ose motrës, i rrëshqet këmba mbi këtë lëvozhgë bananeje, atëherë rrëzohemi, vritemi dhe mund të përfundojmë në spital. Nëse babi ose mami vritet, atëherë kush do të punojë për ty, kush do kujdeset për ty, kush do të të bëjë për të ngrënë, kush do të të sjellë lodra…?! Kështu pra xhan!”.

Nëse ti si prind vepron kësisoj me fëmijën tënd, ajo që ke bërë në këtë rast është: E para: i tregove fëmijës tënd se ti e do shumë atë, pikërisht duke e përkëdhelur dhe duke i shprehur dashurinë para se ta udhëzosh dhe këshillosh; e dyta: e binde atë se përse veprimi  i tij është i gabuar.

Më tej, prindi parimor, e merr lëvozhgën, e merr edhe fëmijën për dore, e dërgon tek koshi i plehrave, ia jep lëvozhgën në dorë dhe i thotë: “Këtu shpirti im, këtu hidhe lëvozhgën, këtu është vendi ku hidhen mbeturinat. Pra i thua fëmijës që ai vetë me dorën e tij ta hedhë në kosh mbeturinën dhe teksa ai po e hedh lëvozhgën i thua se ky është një veprim shumë i bukur. Pastaj e merr sërish për dore, e dërgon tek vendi ku qe hedhur banania dhe i thua: “A tani duket më e bukur dhe më e pastër shtëpia, apo kur ishte hedhur mbi tapet lëvozhga e bananes?!“

Pas këtij procesi, i cili përfshin dashurinë për fëmijën, drejtë-vlerësimin dhe bindjen, ti i ke ushqyer këtij fëmije rregullin, se çdo gjë tjetër që është njëlloj me veprimin në fjalë dhe shkakton të njëjtat probleme, duhet trajtuar në të njëjtën mënyrë.

Nga sa thamë nuk duhet kuptuar kurrsesi se fëmija duhet lënë i lirë të bëjë veprime të dëmshme, por le ta shohim në shembullin në vijim, qëndrimin e psikologut mysliman në sqarim të sa më sipër:

Më merr në telefon një nënë fëmije dhe më thotë: “E kam tepruar”. “Pse?, – i them: si është puna?” Më tha: “Ia kam djegur dorën vajzës sime pesë vjeçare. Vajza ime është shumë e pabindur”. I them: “Se si është vajza jote, këtë do ta vlerësoj unë, por më thuaj fillimisht se çfarë ka bërë vajza jote, që paska arritur puna deri këtu?”  Më tha: “Vajza ime ka një ves shumë të keq. Ajo kur e sheh se asnjë nga ne të rriturit nuk e ka mendjen, merr një qese dhe sendet më me vlerë, celular, unazë, çelës, pult televizori etj, i fut në qese dhe i fsheh në një vend, që edhe me dajak nuk e tregon se ku ndodhet; gjë e cila na ka sjellë shumë probleme. I kam bërtitur, madje edhe kam vënë dorë në të, por pa rezultat, ajo vazhdon në të sajën. Një ditë, pasi e kishte përsëritur për të disatën herë këtë veprim, e thirra dhe i thashë: Me kë dorë e bën ti këtë veprim? Ma nxori dorën e djathtë duke u mburrur. Unë mora një çakmak dhe ia dogja dorën, duke i thënë se kështu e meritonte kjo dorë, që bën një rrëmujë të tillë. Problemi është se ajo edhe pas kësaj sërish vazhdon në të sajën. (Psikologu thotë) I thashë: “Mos, çfarë ke bërë? Kjo sjellje që ti e ke quajtur të gabuar, është prej sjelljeve që i veprojnë vetëm fëmijët që janë gjeni”. “Si ka mundësi?” – më tha. I thashë: “Në këtë që më the dalin në pah shumë prej tipareve të gjeniut të ardhshëm: I pari: është se fëmijët që janë gjeni, jepen shumë pas sendeve me vlerë; i dyti: ata interesohen t`i grumbullojnë sendet me vlerë në një vend të vetëm; i treti: ata i mbajnë këto sende në një vend të cilin s’e dinë askush tjetër përveç tyre; i katërti: gjeniu i ardhshëm është shumë këmbëngulës, sakrifikues, i durueshëm dhe sfidues; si dhe një sërë cilësish të tjera të gjeniut, që unë shoh të gjenden tek fëmija yt. Ti, – i thashë kësaj nëne – me këtë sjellje tënden po i sakaton këto tipare të gjeniut të ardhshëm, që për më tepër është fëmija yt, për të cilin ti pretendon me të drejtë, se po mundohesh dhe rropatesh. Ajo që ne duhet të bëjmë në rastet kur tiparet gjeniale të fëmijës sonë bëhen burim dëmi për ne, është thjesht t’i orientojmë këto tipare në drejtime që nuk na dëmtojnë, t’i ushqejmë dhe to mos i sakatojmë këto tipare. Por është vërtet krim, që ne sillemi në forma të tilla që i gjymtojmë këto tipare të mrekullueshme të fëmijëve tanë…”.

Në rastin në fjalë psikologu musliman e porositi këtë prind të konsultohej me tregtarin e dyqanit të lodrave dhe t’i blinte vajzës së saj të mençur disa lodra që do mund t’i ushqenin tiparet gjeniale të saj. Këtu mundimet e këtij prindi morën fund, ndërsa tiparet e fëmijës filluan të ushqeheshin më së miri. Prindi në fjalë, vetëm pas pak ditësh, shumë i kënaqur, e kontakton psikologun dhe i thotë se tani, pasi i kishte blerë lodrat, çdo gjë ishte në rregull, edhe ajo si nënë kishte rënë rehat e edhe vajza e saj ishte shumë e kënaqur dhe e relaksuar… Ndërsa pas disa kohësh ky prind e kontakton sërish psikologun dhe lidhur me vajzën e saj, tanimë në klasë të dytë, i thotë, se ajo është një gjeni me kuptimin e vërtetë të fjalës dhe është thuajse e paarritshme nga bashkëmoshatarët e saj; di përmendësh emra shtetesh, kryeqytetesh, lumenjsh, liqenesh, detesh e oqeanesh, di gjëegjëza të shumta, mban mirë mend numra celularësh etj, si dhe është përfaqësuesja e qytetit në olimpiadat e ndryshme në rangun e moshës së saj, me pak fjalë i ka mrekulluar të gjithë…

Pra një rregull shumë i rëndësishëm i drejtë-vlerësimit, është hetimi i sjelljeve të fëmijës me synimin e zbulimit të tipareve pozitive të këtyre sjelljeve, pastaj orientimi i drejtë i këtyre tipareve e jo kundërshtimi dhe rrënimi i tyre…

– Së fundi lidhur me edukimin e fëmijëve na vijnë në ndihmë edhe faktet e rëndësishme në vijim:

Shkencëtarët përmendin, se mosha 1-7 vjeç e njeriut është mosha, në të cilën realizohet 90% e formimit të personalitetit të njeriut, bindjeve, vlerave dhe aftësive të gjeniut të ardhshëm; nga  7 – 14 vjeç formohen vetëm 10% e vlerave të mbetura; ndërsa nga 14-21 vjeç formohet orientimi i njeriut, thënë ndryshe kahu i tij në jetë. Bazuar në këto fakte, nëse duam që personaliteti i fëmijës sonë të jetë sa më i formuar, koha vendimtare është deri në 7 vjeç; nëse duam një fëmijë të kompletuar koha është nga 7-14 vjeç dhe nëse duam një fëmijë në rrugë të mbarë, jo rrugë pa krye, duhet treguar kujdes me të nga 14-21 vjeç.

Imam Aliu [Allahu qoftë i kënaqur me të!], nxënësi i profetit Muhamed [lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të], ka thënë: “Lozni me fëmijët tuaj deri në shtatë vjeç, edukojini ata deri në 14 vjeç dhe pas kësaj moshe trajtojini si shokë”. Bazuar në këtë thënie të imam Aliut [Allahu qoftë i kënaqur me të!], për një formim sa më të denjë të temperamentit të fëmijës sonë, fillimisht duhet të formojmë tek ai vlerat dhe principet e duhura përmes zbavitjes, pastaj përmes edukimit të denjë dhe së fundi përmes trajtimit të fëmijës si shok.

Ndërsa sa i përket adoleshencës, psikologët myslimanë na thonë se mosha 14 – 28 vjeç përbën moshën kur njeriu konsiderohet sikurse sendet që kanë përsipër shenjën “fragile-lehtësisht i thyeshëm”, prandaj duhet të tregohet shumë kujdes me ta në procesin e mbartjes së tyre për në “vendet” që dëshirojmë. Psikologët na ftojnë, që vazhdimisht ta kemi në kokë këtë realitet të adoleshentit.

Sigurisht psikologjia islame posedon shumë material lidhur me çështjen në fjalë dhe të gjithë jemi të ftuar të studiojmë sa më shumë në këtë lëmi. Psikologët myslimanë, studimin e psikologjisë së fëmijës, e vlerësojnë me të drejtë si një detyrë obliguese, pasi një nga përgjegjësitë më të rëndësishme me të cilat na ka ngarkuar Allahu i Lartësuar, janë pikërisht fëmijët tanë. 

Psikologët myslimanë na ftojnë që të sillemi me fëmijët tanë si edukatorë dhe jo si gjykatës, policë apo xhelatë. Për fat të keq shumica jonë janë po i bëjnë të gjitha rolet e lartpërmendura përveç atij të edukatorit; jemi kthyer në gjykatës e policë të fëmijëve tanë, duke i gjykuar ata me “keq e mirë” dhe jo rrallë herë edhe duke i ndëshkuar.

Për të qenë një edukator i mirë, prindi ka nevojë për dituri, durim dhe orientim. Të gjithë ne prindërit i kemi besuar shprehjes që thotë se “të edukosh një fëmijë është art më vete”; dhe dihet se është thuajse e pamundur  të bësh art pa studim dhe përkushtim. 

E lusim Allahun e Lartësuar që të na jap sukses në edukimin islam të fëmijëve tanë. Amin!

Copyright © 2026 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim