Ejke, i thonë vendit të mbuluar me pyll të dendur. Ejke është zona që shtrihet prej bregut të Detit të Kuq e deri në Medjen. Banorët e këtij vendi janë quajtur ejkeas.

Shuajbi (a.s.), ishte ngarkuar edhe me detyrën për t’u treguar rrugën e drejtë ejkeasve, të cilët jetonin mes të gjitha të mirave, ashtu si populli i Medjenit, por që ishin shkëputur prej besimit monoteist dhe rrugës së drejtë.

Edhe ejkeasit e quajtën gënjeshtar Shuajbin (a.s.). Allahu i Madhëruar urdhëron:

“Edhe banorët e Ejkës i quajtën gënjeshtarë të dërguarit.” (Shuara, 176)

“Por edhe banorët e Ejkës ishin keqbërës.” (Hixhr, 78)

“Kujto kur Shuajbi u tha atyre: “Vallë, a nuk i frikësoheni ju Allahut? Pa dyshim, unë jam një i dërguar i besuar për ju. Prandaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua! Për këtë, unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi. Mua do të më shpërblejë vetëm Zoti i botëve.” (Shuara, 177-180)

Të dërguarit e Allahut dilnin para njerëzve me dy atribute:

  1. Ata nuk kërkonin asnjë lloj pagese apo shpërblimi prej njerëzve dhe ua bënin të ditur atyre se shpërblimi i tyre është vetëm në dorë të Allahut!
  2. Ata ishin model virtyti për të gjithë njerëzit. Fjalët dhe veprat e tyre përputheshin plotësisht me njëra-tjetrën.

Lidhur me rëndësinë e këtyre dy atributeve, flitet edhe në suren Jasin. Një njeri i ardhur nga larg, duke dëshiruar t’i ftonte të logjikonin, e pyet popullin në lidhje me të dërguarit e Allahut që u kishin ardhur:

“O njerëz! A kërkojnë ndonjë pagesë prej jush këta që kanë ardhur tek ju? A janë të udhëzuar këtë persona? Nëse këta nuk ju kërkojnë ndonjë pagesë dhe bëjnë një jetë të virtytshme në udhën e drejtë, atëherë bindjuni atyre!..”

Shuajbi (a.s.), vazhdoi t’i këshillojë ejkeasit me këto fjalë:

“Bëjeni drejt matjen dhe mos u bëni nga ata që hanë (në matje). Peshoni drejtësisht me peshore të saktë. Mos ua pakësoni njerëzve gjërat e tyre, mos bëni ngatërresa në Tokë dhe frikësojuni Atij, që ju ka krijuar ju dhe brezat e mëparshëm!

Ata thanë: «Ti je vetëm një i magjepsur. Ti je vetëm një vdekatar, si ne. Në të vërtetë, Ne mendojmë se ti je gënjeshtar; andaj, lësho mbi ne një copë nga qielli, nëse thua të vërtetën!»” (Shuara, 181-187)

 

Ndëshkimi i ardhur nga qielli: Flaka përvëluese!

Si përgjigje ndaj kërkesës arrogante për ndëshkim që bëri populli, Shuajbi (a.s.), tha:

“Zoti im e di më së miri atë që punoni ju!..” (Shuara, 188)

Pastaj Shuajbi (a.s), iu lut Allahut, që të dërgonte ndëshkimin që ata kërkonin vetë!

Pas kësaj, papritmas filluan të fryjnë erëra të nxehta. Tufa mizash ngjyrë blu iu vërsulën ejkeasve dhe mohuesit nuk dinin ç’të bënin përballë kësaj fatkeqësie. Moti, sa vinte bëhej edhe më i nxehtë. Njerëzit vrapuan të strehoheshin në vendet me ujë të rrjedhshëm, me pemë dhe me hije.

Kur nxehtësia u bë e padurueshme, Xhebraili (a.s.), solli një re dhe e mbajti jashtë qytetit. Sapo e panë renë, mohuesit pandehën se do të ishte një hije e freskët për ta dhe vrapuan të gjithë drejt saj. Kur u mblodhën të gjithë nën re, u erdhi një zë:

“O ejkeas! Shijojeni pra ndëshkimin për të cilin përgënjeshtruat profetin tuaj, duke pandehur se nuk vjen! U thoni edhe idhujve tuaj, para të cilëve përuleni në sexhde, të vijnë e t’ju shpëtojnë nëse kanë fuqi!..”

Menjëherë pas kësaj, nga reja nën të cilën ishin mbledhur, filloi të bjerë zjarr mbi mohuesit. Çdo gjë e tyre u dogj. Madje edhe gurët, edhe drurët!”

“Ata vazhduan të mos e besojnë, prandaj i goditi dënimi i Ditës së Errësirës. Njëmend, ky ishte dënimi i një dite të madhe. Sigurisht, në këtë ka këshillë, por shumica e tyre nuk janë besimtarë. Në të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë.” (Shuara, 189-191)

Në këtë mënyrë, të dy popujt ku Shuajbi (a.s.), u dërgua si profet, u shkatërruan plotësisht. Medjeni, u shkatërrua me ushtimë dhe termet, kurse Ejke, u shkatërrua me zjarrin e rënë nga reja që e pandehën si hije.

Pas shkatërrimit

Pas shkatërrimit të këtyre popujve të pabindur, Shuajbi (a.s.), u vendos në Medjen, ku u martua dhe i lindën dy vajza.

Shuajbi (a.s.), kishte një oratori të jashtëzakonshme dhe dinte të jepte përgjigje bindëse ndaj pyetjeve që i bëheshin nga populli i tij kur i ftonte në besim. Për këtë arsye, ai është quajtur edhe “Hatibu’l-Enbija”, pra Oratori i Profetëve. Përveç kësaj, Shuajbi (a.s.), ishte një profet që qante shumë nga frika e Allahut. Kur u plak, iu pre fuqia e trupit dhe iu dobësua shikimi. Edhe pse ishte në këtë gjendje, njëherë ai qau derisa e humbi fare shikimin. Mirëpo, Allahu i Madhëruar, ia ktheu shikimin dhe e pyeti:

“O Shuajb! Ç’është kjo e qarë? A është prej dëshirës për Xhenetin, apo prej frikës nga Xhehenemi?”

Shuajbi (a.s.), u përgjigj:

“O Zot! Ti e di se, nuk është as prej dëshirës për Xhenetin dhe as prej frikës nga Xhehenemi! Shkaku është se, në zemrën time ka zënë vend dashuria për Ty dhe kam frikë se nuk do të mund ta shoh bukurinë Tënde. Nëse do të kem mundësi ta shoh bukurinë Tënde në botën tjetër, nuk hidhërohem për asgjë.”

Allahu i Madhëruar, urdhëron e thotë:

“Meqë je kaq fjalëdrejtë, të qoftë i bekuar shikimi i bukurisë Sime, o Shuajb! Për këtë shkak, po ta jap si shërbyes edhe Musa bin Imranin.”

Kjo pra është gjendja e atyre që janë të afërt me Allahun. Ata, ndryshe nga indiferentët, para së gjithash kanë menduar kënaqësinë e Allahut. Ndërsa kënaqësinë e njerëzve e kanë lënë për në fund. Dashuria hyjnore ua kishte pushtuar aq shumë zemrat, saqë nuk i kanë parë mirësitë e kësaj bote dhe të botës tjetër, as me bishtin e syrit.

Allahu i Madhëruar, profetët -paqja qoftë mbi ta!-, i ka dërguar për t’u hequr injorancën njerëzve dhe për t’u hapur sytë e zemrës, me qëllim që të pajisen me moral të bukur dhe të takohen me Allahun duke e adhuruar Atë me dashuri.

Ata që kanë aftësi dhe dëshirë për të hapur sytë e zemrës, e duan me gjithë shpirt edukimin dhe udhëzimin dhe përpiqen shumë për të përparuar në udhën e Allahut. Mirëpo, ata që nuk e dëshirojnë një gjë të tillë, që kundërshtojnë dhe tregohen mendjemëdhenj, që s’ua vënë veshin paralajmërimeve të profetëve dhe nuk duan të shohin të vërtetën e qartë, mbeten në errësirë dhe mjerim, duke u zhytur në gjynahe. Ata nuk ndryshojnë aspak prej të verbërve që nuk dinë se ku shkojnë, duke u bërë për të ardhur keq. Në suren el-A’raf, 93. Shuajbi (a.s.), e shpreh me këto fjalë gjendjen e tyre të mjerueshme:

“O populli im, unë ju solla shpalljet e Zotit tim e ju këshillova, prandaj pse të hidhërohem për popullin e pafe?!”

 

Share.

Leave A Reply