Besimi te Allahu është kushti i parë nga gjashtë kushtet e besimit. De­tyra e parë e çdo personi, që ka mendje të shëndoshë dhe ka mbushur moshën e pubertetit është të besojë në ekzistencën dhe njëshmërinë e Allahut.

Kur shohim përreth nesh kuptojmë se asnjë gjë nuk ekziston vetvetiu. Një vepër arti tregon ekzistencën e artistit që e ka pikturuar. Për shembull, a nuk është zejtari ai që ka bërë orën që përdorim, piktori ai që ka pikturuar tablotë me të cilat zbukurojmë dhomën apo mjeshtri i ndërtimit ai që ka ndërtuar apartamentin ku ne jetojmë? Nuk ka dyshim se po.

Atëherë, nuk ka dyshim se gjithësia që është ndërtuar në bazë të një pla­ni shumë të imët dhe një rregulli të përsosur, po ashtu edhe njeriu, që është kryevepra e kësaj gjithësie, janë të krijuara. Krijuesi i tyre është Allahu, i Gjithëfuqishmi. Gjithësia argumenton ekzistencën e Allahut, ndërsa rregulli dhe harmonia e përkryer e universit argumentojnë njësinë e Tij.

Detyra e parë e njeriut është të besojë te Allahu që e ka krijuar dhe i ka mundësuar mjedisin, që ai të jetojë dhe të lidhet shpirtërisht mbas Tij. Që të besojmë te Allahu ashtu siç e meriton Ai dhe të arrijmë të njohim ekzistencën e Tij, duhet që të njohim atributet e Tij.

ATRIBUTET E ALLAHUT

Allahu ka 14 atribute absolute. Gjashtë prej tyre përshkruajnë indivi­dualitetin e Tij, kurse tetë të tjerat përshkruajnë qenien e Tij, prandaj quhen atribute qenësore (thubuti).

Atributet individuale (dhati) :

1) Ekzistencë (vuxhud) : Allahu ekziston, nuk mund të konceptohet dot mosekzistenca e Tij.

2) Ekziston pa fillim (kidem) : Allahu nuk ekziston pas një momenti të caktuar. Ai ekzistonte që atëherë kur nuk kishte asgjë tjetër përveç Tij.

3) Ekziston pa mbarim (beka) : Allahu do të ekzistojë në amëshim edhe kur gjithçka të zhduket.

4) Njësia (vahdanijet) : Allahu është një. Ai nuk ka të barabartë, të ngjashëm me Të.

5) Pangjashmëri me qeniet e krijuara (muhalefetun li’l-havadith) : Allahu nuk ngjason me asnjë krijesë.

6) Ekzistencë pa pasur nevojë nga gjë tjetër, që ta kushtëzojë ekzis­tencën e Tij (kijam bi-nefsihi) : Allahu nuk ia ka nevojën asgjëje dhe çdo gjë ia ka nevojën Atij.

Atributet qenësore (thubuti) :

1) Jeta (hajat) : Allahu është i gjallë.

2) Dituria (ilm) : Allahu di të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Ai di gjërat e dukshme dhe ato fshehta. Ai di se çfarë rreh në zemra.

3) Dëgjimi (semi) : Allahu dëgjon gjithçka.

4) Shikimi (basar) : Allahu sheh gjithçka.

5) Vullneti (irade) : Allahu ka vullnet, Ai bën ç’të dëshirojë.

6) Fuqia (kudret) : Allahu ka fuqi dhe mund të bëjë ç’të dëshirojë.

7) Fjala (kelam) : Allahu flet dhe fjalët e Tij i ka shpallur nëpërmjet profetëve. Kurani është fjala e Allahut.

8) Krijimi (tekvin) : Allahu ka krijuar çdo gjë në gjithësi. Kur dëshiron një gjë, ai vetëm i thotë: “Bëhu” dhe ajo bëhet. Ai asgjëson një gjë kur të dëshirojë.

Myslimani beson në këtë mënyrë te Allahu:

Allahu ekziston dhe është një. Ai nuk ka as fillim dhe as fund. Allahu nuk ngjason me asnjë gjë tjetër. Allahu ekziston vetvetiu. Ai nuk ka nevojë për asgjë, kurse të gjitha krijesat ia kanë nevojën Atij.

– Allahu është i gjallë. Allahu di, dëgjon dhe sheh gjithçka.

– Allahu dëshiron dhe bën atë që do dhe askush nuk mund të ndërhyjë në punët e Tij.

– Allahu është i plotfuqishëm dhe i gjithëfuqishëm. Ai mund të bëjë çdo gjë që dëshiron.

– Allahu është Krijuesi. Ai krijon nga asgjëja dhe asgjëson atë që ekziston. Çdo gjë që ekziston në univers, ekziston falë krijimit të Tij. Çdo gjë që e ka krijuar, e ka krijuar me një urtësi.

Allahu flet dhe atë që dëshiron ua bën të ditur njerëzve nëpërmjet profe­tëve, të cilët u kanë sqaruar njerëzve urdhrat e Allahut. Libri i shenjtë i fesë sonë, Kurani, është fjala e Allahut.

Njeriu që beson në këtë formë te Allahu, ka zënë vendin e respektueshëm që i takon në mesin e krijesave dhe ka fituar vlerën e tij të vërtetë. Ky besim e pastron zemrën e njeriut nga çdo lloj mendimi të mbrapshtë dhe e stolis atë me mendime të vyera dhe shprehi të hijshme.

Njeriu besimtar nuk kryen veprime që bien ndesh me kriteret e moralit edhe kur gjendet në ambiente që nuk e sheh njeri tjetër, sepse ai beson se Allahu sheh dhe dëgjon gjithçka. Besimi te Allahu është burimi i çdo mirësie.

Share.

Comments are closed.