Ibrahimi (a.s.), shkoi në Babiloni dhe, prej atje, së bashku me Lutin, Saren dhe një grup besimtarësh, emigroi në qytetin Harran. Luti ishte nipi i tij, kurse Sara, vajza e xhaxhait.

Me urdhrin e Zotit, Ibrahimi (a.s.), u martua me Saren. Më pas, përsëri me urdhrin e Zotit, bashkë me Saren, kaluan në Damask e, prej atje, në Egjipt. Kurse Luti shkoi në Sodom si profet.

Egjiptin e administronte familja e Faraonit. Ata ishin njerëz mendjemëdhenj e mizorë. Kur në qytet hynte ndonjë femër e huaj dhe e bukur, njoftohej menjëherë Faraoni. Nëse ishte e martuar, i shoqi i vritej; nëse kishte vëlla, i kërkohej të vëllait.

Kur Ibrahimi (a.s.), me Saren hynë në qytet, u lajmërua pallati se një femër e bukur e huaj kishte hyrë në qytet. Ibrahimi (a.s.), u pyet për Saren, se çfarë e kishte. Dhe ai u përgjigj, është “motra ime”, duke nënkuptuar “motër në fe”. Për këtë arsye, ata nuk e prekën Ibrahimin (a.s.). Ndërsa Saren e morën dhe e çuan në pallat. Në lidhje me këtë çështje, në një hadith që përmendet tek Buhariu, thuhet:

Kur Sara hyri në pallat, menjëherë mori abdest dhe fali dy rekate namaz, ku iu lut Zotit për ndihmë. Dhe Zoti e mbrojti atë.

Faraoni deshi t’i afrohej Sares. Por menjëherë iu pre fryma dhe u paralizua, sepse Zoti ishte duke e mbrojtur Saren prej të keqes së tij.

Faraoni e la të lirë prej frike. Madje, i dha me vete si dhuratë edhe shërbëtoren e vet, Haxheren. Kur e pa se njerëzit përreth po habiteshin, u tha:

“Kjo grua është një xhind. Po të qëndronte edhe pak pranë meje, kisha për të marrë fund! Dhe, për t’u mbrojtur prej dëmit të saj, i dhashë si dhuratë edhe Haxheren!”

Allahu i Madhëruar, urdhëron:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اسْتَعِينُوا بِالصَّبْرِ وَالصَّلَاةِ ۚ إِنَّ اللَّـهَ مَعَ الصَّابِرِينَ

“O besimtarë! Kërkoni ndihmë për veten me durim dhe namaz! Në të vërtetë, Allahu është me të duruarit.” (Bekare, 153)

Në këtë mënyrë, edhe nëna jonë, Sara, e cila iu lut Zotit, shpëtoi në sajë të namazit që fali dhe strehimit tek Allahu.

*

Ibrahimi (a.s.), së bashku me Saren dhe Haxheren, dolën nga Egjipti dhe shkuan në Palestinë. Gjatë rrugës pushuan në një vend të pabanuar, të quajtur Seb’. Ibrahimi (a.s.), gërmoi një pus, prej të cilit doli ujë i kulluar.

Pas një farë kohe, kur nuk u mbeti më gjë për të ngrënë, Ibrahimi (a.s.), u nis për në qytet. Pasi eci pak, u kujtua se nuk kishte para me vete dhe u kthye pas. Kur u kthye, ai u shqetësua se mos Sara dhe Haxherja do të mërziteshin kur ta shihnin thesin bosh. Prandaj, e mbushi thesin me rërë dhe çakëll dhe ashtu u kthye. Kur arriti në vendin ku po pushonin, ndjeu lodhje. Për këtë arsye, e la thesin dhe ra në gjumë.

Sara i tha Haxheres:

“Hape thesin!”

Mirëpo, rëra dhe gurët ishin bërë grurë. Menjëherë e bluan dhe poqën bukë. Kur Ibrahimi (a.s.), u zgjua, u çudit shumë dhe e falënderoi Zotin për këtë.

Me kalimin e kohës, zona e Seb-ës, u begatua shumë dhe mirësitë e Allahut u shtuan. Për rrjedhojë, shumë njerëz filluan të vendoseshin dhe pas një farë kohe vendi u mbush me njerëz. Mirëpo më pas, ata u treguan mosmirënjohës dhe nuk deshën t’i jepnin Ibrahimit (a.s.), ujë nga pusi që kishte hapur vetë. Miku i Allahut u prek shumë prej kësaj. Për këtë arsye, ujërat nisën të tërhiqeshin dhe filloi një periudhë thatësire. Njerëzit u penduan që ishin sjellë keq me Ibrahimin (a.s.) dhe i kërkuan falje për injorancën që kishin treguar. Më pas, i kërkuan të lutej për ta që Allahu t’i falte. Ibrahimi (a.s.), që ishte një profet shumë zemërbutë, u lut për ta dhe ujërat nisën të vinin përsëri në sajë të mëshirës hyjnore.

Ngjallja e zogjve

Ibrahimi (a.s.), iu lut Allahut:

“O Zot, dëshiroj të shoh me sytë e mi se si i ringjall të vdekurit!”

Lidhur me këtë në Kuran thuhet:

“Kur Ibrahimi tha: «O Zoti im! Tregomë si i ngjall të vdekurit!» – Zoti i tha: «A nuk beson?» – «Besoj» – iu përgjigj Ibrahimi, «por dëshiroj të më kënaqet zemra.» Allahu i tha: «Merr katër zogj dhe copëtoji. Shpërndaj në çdo kodër nga një copë prej tyre pastaj thirri! Ata do të të vijnë me të shpejtë. Dhe ta dish se Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.»” (Bekare, 260)

Ibrahimi (a.s.), ishte kureshtar të dinte se si i ringjallte Allahu krijesat dhe për këtë i kërkoi Allahut t’ia tregonte. Ashtu siç përmendet edhe në ajetet e cituara në Kuran, Allahu i përgjigjet atij me një shembull konkret. Mirëpo, Allahu nuk ia tregoi të gjitha misteret e ringjalljes. Kjo, sepse kapaciteti mendor i njeriut nuk mund ta kuptojë plotësisht fenomenin e ringjalljes. Ashtu siç shihet edhe në ajetet e tjera, këto ngjarje të jashtëzakonshme u qenë dhënë profetëve si mrekulli. E rëndësishme është të besohet kategorikisht se Zoti ka për t’i ringjallur njerëzit e ka për t’i marrë në llogari.

Prova e kurbanit

Kur Ibrahimi (a.s.), ishte duke shkuar nga Babilonia për në Damask,  ishte lutur:

“…«Unë po shkoj te Zoti im. Ai do të më udhëzojë.”» «O Zoti im, dhuromë një fëmijë prej të mirëve!»” (Saffat, 99-100)

Këtu bëhet fjalë për një udhëtim shpirtëror, drejt Mikut më të Lartë.

Në vazhdimin e ajeteve fisnike, përmendet myzhdeja për Ismailin dhe ndodhia e kurbanit:

“Dhe Ne i dhamë lajmin e gëzuar për një djalë të mbarë!

Kur fëmija u rrit aq sa ta ndihmonte në punë, Ibrahimi i tha: «O djali im, kam parë ëndërr se duhet të të flijoj. Çfarë mendon ti?» – I biri i tha:

«O ati im, vepro ashtu siç je urdhëruar! Dashtë Allahu, unë do të jem i durueshëm!»

Pasi iu nënshtruan që të dy urdhrit, (Ibrahimi) e vuri (Ismailin) me ballë përtokë. Ne e thirrëm:

«O Ibrahim, ti e përmbushe ëndrrën.» Vërtet, Ne kështu i shpërblejmë punëmirët!

Kjo, me të vërtetë ka qenë një sprovë e qartë! Dhe Ne e zëvendësuam atë (Ismailin) me një kurban të madh, dhe i lamë atij (Ibrahimit) kujtim të mirë në brezat e mëvonshëm. «Paqja qoftë mbi Ibrahimin!» Ja, kështu, Ne i shpërblejmë punëmirët. Ai ka qenë vërtet një nga robërit Tanë besimtarë.” (Saffat, 101-111)

*

Pasi Ibrahimi (a.s.), i la në Mekë djalin me gruan e tij Haxheren, u kthye tek Sara. Dhe, herë pas here, shkonte dhe shihte Haxheren me Ismailin. Njëherë, kur ndodhej në Mekë, pa një ëndërr. Në ëndërr, ashtu siç përshkruhet edhe në Kuran, po bënte kurban te birin, Ismailin. Mirëpo, Ibrahimi (a.s.), u vu në dyshim: a ishte kjo një ëndërr hyjnore, apo djallëzore? Por ëndrra u përsërit tri net rresht.

Sipas një transmetimi, Ibrahimi (a.s.), para se t’i lindte djali kishte bërë një premtim, duke thënë:

“Nëse Allahu më jep një djalë, kam për ta bërë kurban!” Dhe pikërisht për këto fjalë Ibrahimi (a.s.), ishte vënë në sprovë!

Ibrahimi (a.s.), për të zbatuar urdhrin hyjnor, i tha Haxheres ta lante djalin dhe ta lyente me erëra të mira, sepse do ta çonte te një mik. Kurse Ismailit i tha që të merrte me vete një litar dhe një thikë duke i thënë:

“O bir, do të pres një kurban për hir të Zotit!”

Dhe u nisën at e bir në drejtim të atij vendi ku sot haxhinjtë bëjnë vakfe në Arafat. Ndërkohë, shejtani i maskuar si njeri, i shkoi Haxheres dhe i tha:

“A e di se ku po e shpie Ibrahimi tët bir?”

Haxherja: “Te një miku i tij po e shpie!”

Shejtani: “Jo, po e shpie për ta therur!..”

Haxherja e kundërshtoi: “Ai e do shumë të birin!”

Shejtani vazhdoi: “Do ta therë se ashtu e ka urdhëruar Zoti!”

Dhe Haxherja: “Nëse e ka urdhëruar Zoti, kjo është një gjë e mirë! Ne Atij i mbështetemi!”

Pasi s’e bindi dot Haxheren, shejtani shkoi pranë Ismailit (a.s.). Dhe e pyeti:

“A e di se ku po të shpie yt atë?”

Ismaili: “Për vizitë tek miku i tij.”

Shejtani: “Jo, po të shpie për të të therur! Ai pandeh se kështu e ka urdhëruar Zoti!”

Ismaili: “Nëse e ka urdhëruar Zoti, urdhrin e Tij e zbatojmë me gjithë dëshirë!”

Kështu Ismaili i vogël e dëboi shejtanin dhe e gjuajti me gurë.

Shejtani, i cili nuk bindi dot as Ismailin, kësaj radhe iu drejtua Ibrahimit (a.s.):

“O plak! Ku po e shpie tët bir? Ty të ka gënjyer shejtani në ëndërr! Ato ëndrra janë prej shejtanit!”

Ibrahimi (a.s.): “Ti je shejtani! Largohu prej nesh!”

Më pas, Ibrahimi (a.s.), mori në çdo dorë nga shtatë gurë dhe e qëlloi shejtanin në tre vende të veçanta. Në këtë mënyrë filloi goditja e shejtanit me gurë, si një nga elementët e adhurimit në haxh, që do të vazhdojë gjer në kiamet. Vendosmëria, dorëzimi dhe nënshtrimi i tyre u bë model për besimtarët.

Ndërkohë që Ibrahimi (a.s.), me Ismailin shkonin për në Arafat, engjëjt në qiell u entuziazmuan shumë dhe nisën t’i thoshin me habi njëri-tjetrit:

“Subhanallah! Një profet po shpie një profet tjetër për ta bërë kurban!”

Ibrahimi (a.s.) ia rrëfeu të birit, Ismailit (a.s.), të vërtetën e kësaj pune:

“O bir, në ëndërr u urdhërova të të bëj kurban!”

Ismaili: “O im atë, Allahu ta urdhëroi këtë?”

Ibrahimi: “Po”

Ismaili: “O im atë! Bëj ashtu siç je urdhëruar! Do Zoti e më gjen mua ndër ata që durojnë!”

Ismaili ia bëri të ditur të atit se ishte gati ta flijonte jetën. Dhe, pas këtyre fjalëve që e qetësuan të atin, Ismaili shtoi:

“O im atë! Kur Nemrudi të hodhi në zjarr, ti durove. Dhe Allahu mbeti i kënaqur prej teje. Edhe unë jam gati të bëhem kurban. Do Zoti e duroj! Pasi të ndahem prej teje, do të bashkohem me Zotin tim; pasi të ndahem nga të mirat e kësaj bote, do të shkoj në Xhenet! Ajo që më hidhëron mua, është se ke për të vuajtur gjithë jetën pse e there tët bir me duart e tua! Eh, mor im atë! Sikur të ma kishte thënë që më parë e të isha përqafuar me nënën!”

Ibrahimi i tha: “O bir, u druajta prej kundërshtimit të nënës tënde!”

Në atë kohë, Ismaili ishte diku tek shtatë apo trembëdhjetë vjeç!

Aliu (r.a.), transmeton një hadith të tillë prej Profetit tonë (a.s.):

“Kur Allahu i Lartë i tregoi Ibrahimit qiejt dhe tokën, Ibrahimi (a.s.), pa një njeri që po e kundërshtonte Allahun. Prandaj, iu lut Allahut ta shkatërronte atë njeri. Dhe Allahu e shkatërroi atë njeri. Ibrahimi (a.s.), pa edhe një njeri tjetër të tillë. Edhe atë e mallkoi dhe, edhe ai u shkatërrua. Pa edhe një të tretë me të cilin ndodhi po e njëjta gjë. Kështu u shkatërruan disa vetë. Pas kësaj, Allahu i tha Ibrahimit:

“O Ibrahim! Pa dyshim, ti je një njeri që i shkon lutja në vend! Mos M’u lut Mua për shkatërrimin e robërve të Mi! Sepse tek Unë, ata kanë tri mundësi:

  1. Robi pendohet për ato që bën dhe Unë ia pranoj pendesën;
  2. Prej pasardhësve të tij del një brez që do të më përmendë Mua;
  3. Ndërsa në Ditën e Kiametit, po të dua e fal, po të dua e ndëshkoj!

Në një transmetim tjetër thuhet kështu:

“Sipas shprehjes së Kuranit, “Dhe kështu, Ne ia treguam Ibrahimit mbretërinë e qiejve dhe të Tokës, që ai të bëhej nga ata që besojnë vendosmërisht.” (En’am, 75), Ibrahimi (a.s.), ngrihej në qiell çdo natë. Një natë, kur ishte ngritur në qiell, pa një njeri që bënte punë të këqija dhe tha kështu:

“Zoti ynë! Ky njeri ha nga furnizimi Yt, ecën në vendin që është prona Jote dhe prapë nuk i çon në vend urdhrat e Tua! Shkatërroje atë!”

Dhe Zoti e shkatërroi atë njeri. Pastaj Ibrahimi (a.s.), pa një mëkatar tjetër për të cilin dëshiroi të njëjtën. Atëherë Ibrahimi dëgjoi t’i thuhej kështu:

“O Ibrahim! Hiq dorë prej mallkimit të robërve të mi! Jepu kohë atyre dhe mos u nxito! Sepse Unë vazhdimisht e shoh kundërshtimin e tyre, por prapë nuk i ndëshkoj!”

Kur Ismaili, me bindje dhe nënshtrim të plotë, i tha të atit; “Bëj ashtu siç urdhërohesh”, Halilullahu, u përgatit për të bërë kurban të birin e tha:

“Zoti im! Ky është biri im! Është fryti i zemrës sime dhe më i dashuri ndër njerëzit për mua!..”

Ndërkohë dëgjoi një zë:

“A të kujtohet ajo natë kur ti kërkove shkatërrimin e robërve të mi? A nuk e di se, ashtu siç të dhimbset ty biri yt edhe Mua më dhimbsen robërit e mi? Ti pate kërkuar prej Meje të vras robin Tim. Edhe Unë po të kërkoj të therësh djalin tënd!..” (Ramazanogllu, M. Sami, Ibrahim alejhisselam, f.44-46)

Ismaili, i cili do të bëhej kurban sipas urdhrit të Zotit, i tha kështu të atit:

“O im atë! Kam disa porosi:

  1. M’i lidh mirë duart e këmbët që të mos përpëlitem kur të jap shpirt dhe të bëj diçka të papërshtatshme!
  2. Mblidhe fundin e rrobës që të mos spërkatet me gjak.
  3. Thikën ta kesh të mprehtë që edhe ti të mbarosh punë shpejt, edhe unë të jap shpirt lehtë!
  4. Kur të më vësh thikën, mos më shih në sy se ndien dhimbje e kjo të pengon për ta zbatuar urdhrin.
  5. Këmishën time dërgoja nënës që të ngushëllohet me të e thuaji asaj: “Yt bir shkoi te Allahu!..”

Ndërkohë që po dëgjonte këto fjalë, Ibrahimit (a.s.), nga sytë i rrodhën lot. Më pas i thotë Ismailit: “Biri im sa bukur po më ndihmon për atë që më ka urdhëruar Allahu!”. Pastaj ngriti duart dhe tha:

“O Zot! Më jep durim për këtë gjendje ku ndodhem! Më mëshiro mua për shkak të moshës që kam!”

Po ashtu edhe Ismaili u lut: “O Zot! Më jep durim dhe qëndresë në këtë çështje!”

Pastaj Ismaili i tha të atit:

“O im atë! Dyert e qiejve u hapën! Melekët të habitur, po i bëjnë sexhde Allahut duke u lutur: “O Zot, një profet po e flijon profetin tjetër për kënaqësinë Tënde! Mëshiroji ata!..”

Më pas, Ismaili i dha guxim të atit:

“O im atë! Kushti i dashurisë, është të mos vonohet urdhri!.. Hajde, zbatoje atë për të cilën je urdhëruar!”

Ibrahimi (a.s.), e shtriu të birin në tokë duke i thënë:

“O bir! Të mirupafshim në Ahiret. Vetëm atje do të mund të shihemi përsëri!..”

Pastaj e kaloi thikën fort mbi qafën e djalit. Atë çast, Allahu i Lartë i tha Xhebrailit (a.s.):

“Shko e ktheje thikën!”

Xhebraili (a.s.) arriti dhe e ktheu thikën nga ana tjetër. Ibrahimi (a.s.), e kaloi thikën edhe njëherë fort, por thika përsëri nuk preu!

Atëherë Allahu i Lartë urdhëroi:

“Pa dyshim, Ibrahimi e zbatoi ëndrrën e u tregua besnik!”

Pas këtyre fjalëve, Xhebraili (a.s.), me urdhër të Zotit, zbriti një dash nga Xheneti dhe bëri tekbir[1]:

“Allahu Ekber! Allahu Ekber!” “Allahu është më i Madhi! Allahu është më i Madhi!”

Ibrahimi iu përgjigj këtij tekbiri:

“La ilahe il’lallahu v’Allahu Ekber!” “Nuk ka zot tjetër veç Allahut, Allahu është më i Madhi!”

Kurse Ismaili e vazhdoi tekbirin kështu:

“Allahu Ekber ue lil’lahil hamd!” “Allahu është më i Madhi, falënderimi i takon vetëm Allahut!”

Kështu, ky tekbir, i cili fillon në namazin e agimit të ditës arife, vazhdohet e plotësohet në namazin e pasdites (ikindisë) së ditës së katërt të Bajramit të Kurbanit.

At e bir u kthyen në shtëpi të mbushur plot falënderim për Zotin. Nëna jonë Haxheri dhe i biri Ismaili u përqafuan fort. Kurse Ibrahimi u kthye sërish pranë Sares.

*

Kur u hodh në zjarr, Ibrahimi (a.s.), u sprovua me jetën dhe egon e vet. Ndërsa kur u urdhërua për ta bërë kurban djalin, u sprovua në lidhje me bindjen ndaj urdhrit të Allahut dhe me fëmijën e vet. Si përfundim, dorëzimi dhe mbështetja tek Allahu, e bëri t’i fitojë të dyja sprovat!

Pas këtyre, i erdhi radha sprovës me pasurinë. Sipas një transmetimi, Ibrahimi (a.s.), kishte 12 mijë kokë bagëti dhe shumë qen roje. Madje si për t’i përçmuar ata që jepen pas kësaj bote dhe bukurive të saj, qenëve u kishte vënë qafore prej ari.

Një ditë, Xhebraili (a.s.),  shkoi tek Ibrahimi (a.s.), në formën e njeriut dhe e pyeti:

“Të kujt janë këto tufa?”

Ibrahimi (a.s.), iu përgjigj: “Të Zotit tim! Kurse unë i kam amanet!”

Xhebraili (a.s.), e pyeti: “A po m’i shet mua?”

Ndërsa Ibrahimi (a.s.): “Përmende Zotin tim një herë, të ta jap një të tretën, përmende tri herë, të t’i jap të tëra!”

Xhebraili tha:

“Subbuhun kuddusun Rabbuna ue Rabbul melaiketi ue’r-ruhi”, “Zoti i Madh e i Shenjtë, Zoti i melekëve dhe i shpirtit!”

Atëherë, Ibrahimi (a.s.), i tha: “Merri! Të gjitha janë të tuat!”

Ndërsa Xhebraili (a.s.), i tha: “Unë jam melek, nuk mundem t’i marr!”

Ibrahimi (a.s.), tha: “Në se ti je melek, edhe unë jam “Halilullah”. Nuk mund ta marr prapë atë që kam dhënë një herë!”

Si përfundim, Ibrahimi (a.s.), i shiti bagëtitë. Me paratë e tyre bleu një truall të gjerë që e dha si vakf për të përfituar besimtarët prej saj.

Në këtë mënyrë, Ibrahimi (a.s.), që ishte mik i Zotit, e flijoi në një çast tërë pasurinë e vet, e fitoi edhe sprovën me pasurinë duke vërtetuar, se ishte një mik i vërtetë.

 

[1]Tekbir: Allahu Ekber

Share.

Leave A Reply