Një natë, faraoni pa një ëndërr, ku një zjarr që doli prej një tempullit të Jeruzalemit (Bejti Makdis), dogji shtëpitë e koptëve, por nuk u shkaktoi asnjë dëm shtëpive të Izraelitëve.

Kur kërkoi t’ia shpjegonin ëndrrën, i thanë:

“Prej bijve të Izraelit, do të dalë një fëmijë, i cili do ta shkatërrojë mbretërimin tënd!”

Pas kësaj, faraoni i urdhëroi ushtarët e vet, që të vrisnin të gjithë foshnjat djem që do të lindnin nga bijtë e Izraelit. Për këtë arsye, ata bënë disa mjete prej kallami, me anë të të cilave i detyronin gratë pranë lindjes të bënin lindje të detyruar dhe, nëse lindte djalë, e vrisnin në vend.

Ndërkohë, prej brezit të Jakubit (a.s.), erdhi në jetë Musai, biri i Imranit. Kur lindi Musai, njëra prej mamive, që ishte e afërmja e tij, pa një dritë në ballin e tij dhe mbeti e mahnitur.

Kur mbaroi lindja, mamitë dolën jashtë. Pa kaluar shumë, erdhën njerëzit e faraonit dhe hynë në shtëpi. Me ta kuptuar rrezikun që po afrohej, nëna e Musait (a.s.), e hutuar dhe e frikësuar, me shpejtësi e fsheh fëmijën në furrën e zjarrit. Pasi kontrolluan për njëfarë kohe dhe nuk e gjetën atë që kërkonin, ushtarët dolën jashtë dhe u larguan. Nëna e Musait (a.s.), ishte e shqetësuar dhe e hidhëruar, sepse mendonte se fëmija do të ishte djegur në furrë. Mirëpo, kur e hapi furrën, pa se djali i saj qëndronte mes flakëve i qetë dhe pa u djegur, ashtu si Ibrahimi (a.s.). Ajo u gëzua shumë dhe menjëherë e mori djalin e saj në gji, duke falënderuar Allahun. Më pas, i erdhi një frymëzim nga Allahu, me anë të të cilit urdhërohej që t’i jepte gji fëmijës dhe, në çast rreziku, ta lëshonte atë në Nil. Po ashtu, ajo u përgëzua me lajmin se, një ditë, ai do t’i kthehej përsëri dhe do të bëhej një profet i madh!

“Kështu, Ne e frymëzuam nënën e Musait: “Jepi gji atij dhe, kur të trembesh për sigurinë e tij, hidhe në lumë, pa pasur frikë dhe as dëshpërim. Me siguri që Ne do të ta kthejmë ty atë dhe do ta bëjmë të dërguar.” (Kasas, 7)

Për këtë arsye, nëna e Musait (a.s.), shkoi tek marangozi dhe bëri një arkë, ku vendosi Musain, të cilin më pas e lëshoi në lumin Nil. Arka, e cila po notonte në ujërat e Nilit, qëndroi në bahçen para pallatit të faraonit. Shërbëtoret që e pikasën, e morën dhe ia çuan Asijes.

 

Share.

Leave A Reply