Enes ibn Maliku (r.a.), ishte një dhuratë për hixhretin. Ai ishte një djalosh dhjetë vjeçar të cilin nëna e tij e kapi për dore, e solli te i Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam dhe ia bëri dhuratë atij kur Hz. Pejgamberi bëri hixhret në Medine… Enesi ishte një fëmijë fatlum që u rrit dhe u edukua nga i Dërguari i Allahut (s.a.s.)… Ai ishte një besimtar i devotshëm që njihej si “shërbëtori i Resulullahut”…

Nëna e tij ishte prej myslimanëve të parë dhe quhej Ummu Sulejm. Nëna e Enesit brengosej shumë ngaqë bashkëshorti i saj, Maliku ndërroi jetë pa e pranuar dot Islamin. Ummu Sulejmi (r.anha), e cila e ndriçoi botën e saj me dritën e Islamit, dëshironte që edhe fëmija i saj të rritej dhe mbushej me atë dritë. Ajo e konsideroi si mundësi të vyer hixhretin e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), në Medine. Prandaj e mori Enesin dhe e çoi menjëherë te Pejgamberi ynë i nderuar. Ajo ia paraqiti Enesin (r.a.),  Profetit (a.s.), duke i thënë: “O i Dërguari i Allahut! E kam sjellë birin tim me dëshirën që t’ju shërbejë juve. Unë nuk kam asgjë tjetër që t’ju dhuroj përveç këtij fëmije. Andaj pranojeni dhe bëni dua për të. Enesi është biri im dhe shërbëtori juaj.” Rasulullahu, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, u lut për Enesin: “O Allah! Begatoja pasurinë dhe fëmijët! Jepi jetë të gjatë dhe falja mëkatet!..”

Enes ibn Maliku (r.a.), me begatinë e kësaj lutjeje arriti të shikonte mbi tetëdhjetë fëmijë, nipër dhe mbesa. Pasuria iu shtua. Ai bëri një jetë të gjatë rreth njëqind e tre vjeçare. Edhe pse kishte shumë pasuri, prapë se prapë bëri një jetë modeste. Ai nuk u dha rëndësi stolive dhe kënaqësive të kësaj bote. Asnjëherë nuk e kurseu pasurinë, por ua shpërndau të varfërve dhe skamnorëve. Nevojat e nxënësve të tij i plotësonte vetë.

* * *

Enesi (r.a.), ishte njohësi më i mirë i gjendjes, fjalëve, moralit dhe punëve të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Në të njëjtën kohë, ai ishte edhe transmetuesi më i mirë i këtyre, sepse ai ishte edukuar me shpalljen hyjnore që në moshë të re. Ky sahab i ri asnjëherë nuk qe ndarë nga Resulullahu (s.a.s.). Ai ka transmetuar 2230 hadithe.

Enes ibn Maliku (r.a.), e transmeton si më poshtë një rregull shumë të rëndësishëm që duhet të merret parasysh përgjatë edukimit të njeriut. Këtë rregull e transmeton duke paraqitur një pjesë prej moralit të lartë të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.):

“Dhjetë vjet i kam shërbyer të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Përgjatë kësaj kohe as më ka rrahur, as më ka qortuar. Qoftë edhe një herë të vetme nuk e ka vrenjtur fytyrën duke më thënë: Pse e bërë këtë? Apo: “Pse nuk e bëre?” Ai ishte njeriu me karakterin më të bukur dhe më i mëshirshmi.”

* * *

Enes ibn Maliku, Zoti qoftë i kënaqur prej tij, ishte jashtëzakonisht shumë i sjellshëm, fliste me fjalë të bukura dhe gjithmonë buzëqeshte. Në shumë vende formoi hallka dijeje. Në Mekë, Medine, Basra, Kufe dhe Sham dha mësim Tefsiri, Hadithi dhe Fikhu. Qoftë prej njerëzve të thjeshtë apo prej burrave të shtetit, të gjithë dëshironin me gjithë zemër të shkonin në kuvendet e Enes ibn Malikut (r.a.), sepse përgjatë fjalimeve që mbante, i tregonte me një gjuhë të ëmbël kujtimet që kishte përjetuar me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Ai bënte mësim me plot kënaqësi sikur po i përjetonte përsëri ato ditë. Në zemrat e atyre që dëgjonin Enesin (r.a.), shkëlqente dashuria ndaj Resulullahut (s.a.s.).

Kurdo që i jepej mundësia, Enesi (r.a.), fliste për sunetin e Pejgamberit tonë të nderuar. Ai i kushtonte shumë rëndësi parimit el-emru bi’l-ma’ruf / urdhërimit për të mirë. Ai thoshte se kjo ishte cilësia që e ka bërë këtë umet umetin më të mirë. Enesi (r.a.), siç e vlerësonte mbi çdo gjë shërbimin ndaj Hz. Pejgamberit kur ishte gjallë, edhe të folurit për të pasi ndërroi jetë dhe të jetuarit me kujtimet e tij i konsideronte lumturi të madhe. Enesit (r.a.), akoma i jehonte në veshë zëri i Pejgamberit (a.s.), kur i thoshte: “Bir!”, për t’i dhënë ndonjë këshillë. Kjo thirrje ndriçonte si një dritë në zemrën e tij.

Enes ibn Maliku (r.a.), këto këshilla që do t’i ndriçojnë zemrat tona e zemrat e brezave që do të vijnë më vonë dhe që do të jenë dritë për t’i dhënë drejtim jetës së cilit prej nesh, i transmeton si më poshtë:

 “Bir! Qëndro me abdest sa të kesh mundësi, sepse atij që vdes me abdest i jepet grada e dëshmorit.

O Enes! Në ruku kapi gjunjët me duar. Ndaji gishtat nga njëri-tjetri. Mos i ngjit anash bërrylat. Kur të ngrihesh nga rukuja, çdo organ le të shkojë plotësisht në vendin e vet. Allahu Teala nuk do ta shikojë ditën e gjykimit atë që nuk e drejton belin ndërmjet rukusë dhe sexhdes. Kur të bësh sexhde, vendosi mirë në tokë ballin dhe duart. Mos i bëj sexhdet shpejt dhe me nxitim si gjeli kur ha ushqim. Përgjatë sexhdes mos i shtri krahët përtokë siç shtrihen qentë apo dhelpra. Ki kujdes dhe mos shiko majtas e djathtas në namaz.

Bir! Mos mendo keq për askënd. Përpiqu ta arrish mëngjesin dhe mbrëmjen në këtë mënyrë. Nëse arrin t’ia dalësh mbanë në këtë çështje, do të kesh një llogari shumë të lehtë.

O Enes! Respektoji të mëdhenjtë dhe mëshiroji të vegjlit. Bëj shumë lutje, sepse lutja patjetër që i parandalon fatkeqësitë.”

Ja këshillat plot butësi të Pejgamberit të mëshirës!.. Këto këshilla nuk janë vetëm për Enesin (r.a.), por janë për të gjithë ne… Sa këshilla të vlefshme, elhamdulil-lah!.. Këto këshilla përfshijnë çështje që shumica prej nesh i di, por që i neglizhon…

Të gjendurit vazhdimisht me abdest. Kalimi i çdo momenti me adhurim… Pajisja me armë shpirtërore… Dhe së fundi, grada e dëshmorit… Sa mirësi e madhe!.. Sa gradë e lartë!..

Respektimi i rregullave të namazit… Përpjekja për të arritur frikërespektin dhe prehjen shpirtërore në adhurim… Një vepër që bën të mundur marrjen e shijes prej namazit… Një shenjë që tregon se jemi në audiencën e Zotit…

Të mos mendosh keq për asnjë… Sa moral i lartë!.. Sa pjekuri e madhe!..

Respekt për të mëdhenjtë dhe mëshirë për të vegjlit… Sa edukatë e bukur!.. O Allah! Na e jep të gjithëve një moral të tillë!.. Amin!

* * *

Disa prej haditheve që ka transmetuar Enes ibn Maliku, radijall-llahu anh, janë si më poshtë:

  • “Lehtësoni dhe mos vështirësoni! Përgëzoni dhe mos i bëni të tjerët ta urrejnë (Islamin).”
  • “Nuk mund të jesh besimtar i vërtetë përderisa të mos duash edhe për vëllanë mysliman atë që do për vete.”
  • “Mos e urreni, mos e keni smirë dhe mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit. O robërit e Allahut! Bëhuni vëllezër! Lënia e vëllait (në besim) apo zemërimi me të më shumë se tri ditë, nuk është hallall.”
  • “O Enes! A e di se njëra prej çështjeve që bëhet shkak për faljen (e Zotit) është të gëzuarit e vëllait mysliman!”

Enesi (r.a.), na njofton se bërja e kësaj lutjeje është e dobishme për sëmundjet nervore:

“Bismil-lahi’rr-Rrahmani’rr-Rrahim ve la havle ve la kuvvete il-la bil-lahi’l-alijji’l-adhim.”

Enes ibn Maliku (r.a.), ka jetuar periudhën e të katër kalifëve. Në periudhën e Ebu Bekrit (r.a.), u ngarkua me detyrën për të mbledhur zekatin e popullit. Në periudhën e Omerit (r.a.), u zgjodh në Komisionin e Konsultimit. Në këtë kohë formoi edhe hallkat e mësimit për hadith dhe fikh. Enesi (r.a.), mori pjesë në çlirimin e Iranit. Ai u ngarkua me detyrë për sjelljen e komandantit Hurmuzan në Medine. Pastaj shkoi në Basra.

Vdekjen e Omerit (r.a.) dhe të Osmanit (r.a.), e mësoi ndërkohë që ishte në Basra. Enesi (r.a.), arriti edhe periudhën e parë të Emevive. Ai ndërroi jetë në vitin 93 hixhri / 712 e.s. Enes ibn Maliku (r.a.), ishte sahabi i fundit që vdiq në Basra. Ai u varros në lagjen Taf.

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

Zoti (xh.xh.), e bëftë shembull për ne në edukim këtë sahab të ri që i shërbeu Hz. Pejgamberit (s.a.s.)! Allahu na bashkoftë në xhenet me Enes ibn Malikun (r.a.), i cili ishte dhuratë e hixhretit për Resulullahun (s.a.s.)! Amin!

 

Share.

Leave A Reply