Besimi është një xhevahir me të cilin njeriu gjen fuqi. Të gjitha mirësitë dalin prej tij. Çdo lloj heroizmi, trimërie dhe burrërie shfaqet me fuqinë që merret nga besimi.

Besimtari është trim. Ndërsa hipokriti është frikacak. Besimtari i beson vetes. Ai nuk frikësohet prej asgjëje përveç Allahut Teala, ngaqë ka arritur prehjen shpirtërore në botën e tij të brendshme. Ndërsa hipokriti është gjithmonë frikacak, i shqetësuar dhe i trembur ngaqë përjeton kontradikta së pari në botën e brendshme të tij.

Historia jonë që ka rrjedhur nga Epoka e Lumturisë e deri më ditët e sotme, është e mbushur me heroizmat e këtij besimi. Heronjtë e parë të Islamit janë sahabët e Pejgamberit tonë të nderuar. Për shkak se patën hequr dorë prej jetës dhe pasurisë, të gjithë luftuan pa iu trembur syri në mejdanin e luftës dhe shfaqën heroizma që do të ishin shembull për ne. Edhe Hz. Enes ibn Nadri (r.a.), ishte njëri prej këtyre heronjve të mëdhenj. Ai ishte një sahab që e shkroi emrin e tij në Uhud me gjakun dhe jetën e vet…

Enes ibn Maliku (r.a.), i tregon kështu heroizmat e xhaxhait të tij:

“Xhaxhai im, Enes ibn Nadri nuk pati marrë dot pjesë në luftën e Bedrit. Për këtë arsye, i pati dhënë fjalën të Dërguarit të Allahut, paqja dhe begatia e Allahut qoftë mbi të: “O i Dërguari i Allahut! Në luftën e parë që bëre me mushrikët, nuk mora pjesë dot. Nëse Allahu do ma mundësojë të gjendem në mejdan të luftës me politeistët, kanë për ta parë të gjithë heroizmin që do të shfaq.”

Kur Enes ibn Nadri (r.a.), pa se myslimanët po shpërndaheshin në luftën e Uhudit, shkoi drejt politeistëve duke thënë: “O Zot! Të kërkoj falje që këta, domethënë myslimanët po shpërndahen kështu. Gjithashtu të kërkoj falje prej krimit që politeistët po bëjnë kundrejt të Dërguarit Tënd!” Në ato momente rastisi në Sa’d ibn Muadhin (r.a.) dhe i tha:

“O Sa’d! Unë dua xhenetin. Betohem në Allahun se erën e xhenetit po e gjej në Uhud.” Në këtë mënyrë shprehu mallëngjimin e tij për të rënë dëshmor.

* * *

Kur Sa’d ibn Muadhi (r.a.), i tregoi të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), për fjalët e Enes ibn Nadrit, e shfaqi mahnitjen dhe admirimin e tij duke u shprehur: “O i Dërguari i Allahut! Ibn Nadri luftoi me mushrikët në atë mënyrë, sa nuk mund ta përshkruaj heroizmin e tij.”

Në luftën e Uhudit ai kaloi në histori me këto fjalë që ishin të mbushura plot me dashurinë ndaj Pejgamberit (s.a.s.). Në një moment përgjatë luftës, u dëgjuan disa zëra që thoshin: “Muhamedi vdiq!” Enes ibn Nadri (r.a.), mori me vete edhe disa sahabë të tjerë dhe së bashku shkuan te Omeri (r.a.). Atij i thanë:

“Përse keni ngrirë këtu?” Ata u përgjigjën:

“I Dërguari i Allahut është vrarë!” Nisur nga kjo përgjigje, Enes ibn Nadri (r.a.), tha këto fjalë historike që nxirrnin në pah dashurinë që kishte në zemër ndaj të Dërguarit të Allahut (s.a.s.):

“Meqë paska vdekur i Dërguari i Allahut, atëherë çfarë do ta bëni jetën pa të? Çohuni dhe vdisni për faktin se ka vdekur edhe i Dërguari i Allahut.” Pastaj nxori shpatën dhe u përfshi në betejë. Pas përplasjeve të ashpra, ra dëshmor.

* * *

Një jetë pa të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), nuk ka asnjë kuptim për besimtarin. Dashuria ndaj Pejgamberit (a.s.), e zbukuron edhe vdekjen. Frika ia lë vendin heroizmit dhe trimërisë. Ai që e do të Dërguarin e Allahut, do Allahun. Pra, Allahun i Cili posedon të gjithë fuqinë. Ai ka fuqi për çdo gjë. Ai di çdo gjë. Ai sheh çdo gjë. Ai është i njoftuar për çdo gjë.

* * *

Enes ibn Maliku (r.a.), e tregon si më poshtë gjendjen e Ibn Nadrit (r.a.), pasi kishte rënë dëshmor:

“Kur e gjetëm Enes ibn Nadrin si dëshmor, pamë se kishte marrë rreth tetëdhjetë goditje shpatash, heshtash dhe shigjetash në trup. Politeistët i kishin prerë atij hundën, veshët dhe organe të tjera. Këtë dëshmor nuk e njohu dot askush përveç motrës së tij, domethënë hallës sime e cila arriti ta njihte nga majat e gishtave.”

* * *

Jeta kalon me luftën ndërmjet besimit dhe mohimit. Një njeri jobesimtar mund ta lërë pas edhe kafshën më të egër në agresivitet, barbarizëm dhe padrejtësi.

Allahu qoftë i kënaqur prej Enes ibn Nadrit (r.a.)!

Lus Zotin (xh.xh.), që të na e forcojë besimin, të na e mundësojë të jetojmë siç kanë jetuar njerëzit yje si Enes ibn Nadri (r.a.) dhe të na japë trimëri, heroizëm, dashuri e bindje ndaj Tij si ajo e Ibn Nadrit (r.a.)! Allahu na bashkoftë me të në Xhenet! Amin!

Share.

Comments are closed.