“Kur t’ju përshëndesin me një selam (përshëndetje), pranojeni më të mirën ose kthejeni

përshëndetjen po me atë që morët!” en-Nisa, 4/86

Njëri nga mjetet e afërsisë, dashurisë dhe respektit reciprok që feja islame përpiqet të formojë mes besimtarëve, është edhe shkëmbimi i selamit ose përshëndetjes. Këtë specifikë, Profeti ynë (s.a.v.s.) e ka shprehur kështu: “Po të mos besoni, nuk hyni dot në xhennet dhe po të mos e doni njëri-tjetrin, do të thotë se nuk besoni. A t’ju tregoj një veprim që, kur ta kryeni, do ta doni njëri-tjetrin? Përhapeni selamin mes jush!” (Muslim, Iman, 93) Fjala “selam” (shpëtim, paqe) do të thotë shpëtim nga shqetësimet e kësaj bote dhe të jetës së pasme, ahiretit, arritje e paqes dhe shëndetit. Kështu që, duke e përshëndetur njëri-tjetrin me selam, besimtarët dëshirojnë dhe kërkojnë lumturinë e kësaj bote dhe të ahiretit. Siç e bën të ditur hadithi i sipërpërmendur, shkëmbimi i përshëndetjes me selam ka të bëjë shumë afër me ekzistencën e dy të vërtetave, siç janë besimi dhe dashuria që konsiderohen burim i qetësisë dhe prehjes. Në të njëjtën kohë, “es- Selam” është një nga emrat e bukur të Allahut, që do të thotë se Allahu s’ka asnjë të metë, se i shpëton robtë e vet nga çdo lloj rreziqesh dhe i nxjerr në paqe, si dhe i përshëndet me selam (paqe) robtë e vet fatbardhë në xhennet.

Përshëndetja me selam bart një cilësi parrulle mes muslimanëve. Për këtë aludohet në ajetin kur’anor ku urdhërohet: “Atij që ju jep selam mos i thoni “ti s’je besimtar”!” (en-Nisa, 4/94) Veç kësaj, kuptohet se selami që i japin në këtë botë besimtarët njëri-tjetrit ose me të cilin e përshëndesin njëri-tjetrin, do të jetë efektiv dhe do të veprojë edhe në jetën e pasme, ahiret, madje, në ahiret, besimtarëve do t’u jepet selam nga ana e Allahut dhe engjëjve. Në disa ajete lidhur me këtë temë, është bërë e ditur kështu:

“Atje (në xhennet) ata nuk do të dëgjojnë ndonjë fjalë të kotë, por vetëm fjalën “selam”!” (Merjem, 19/62)

“Për ta ka selam edhe nga Zoti i tyre shumë mëshirues!” (Jasin, 36/58)

“Engjëjt do të hyjnë pranë tyre nga të gjitha portat dhe do t’u thonë: “Paqe juve që duruat!” (er-Rad, 13/23-24)

Sipas Sunnetit, traditës së të Dërguarit të Allahut, selam jepet me shprehjet “es-selamu alejkum” ose “es-selamu alejke” kurse përgjigjja bëhet me shprehjet “ve alejkumu’s-selam” ose “ve alejke’s-selam”. Veç kësaj, vihet re se, në fund të këtyre shprehjeve bëhet shtesa “ve rahmetullahi ve berekatuhu”. Kurse përshëndetjet e popujve ndjekës të feve të tjera janë, përgjithësisht, disa shenja. Për shembull, përshëndetja e krishterëve është vënia e dorës para goje, përshëndetja e hebrenjve është bërja e një shenje me gisht ose përkulja e mesit dhe e kokës, përshëndetja e zoroastrianëve është përkulja. Arabët e periudhës paraislamike përshëndesnin me shprehjet “mirëmëngjes”, “ju (të) qoftë dita e mbarë”, “mirëmbrëma”, etj.

Këto janë shprehje ose të njëjta, ose të ngjashme me ato që përdorim edhe ne sot. Në të vërtetë, këto shprehje nuk kanë ndonjë përmbajtje të keqe. Vetëm se nuk mund ta zënë vendin e selamit të urdhëruar nga Islami. Ajo çka i ka hije muslimanit është të veprojë në përputhje me formën dhe etikën e përshëndetjes së sjellë nga Profeti ynë, Krenaria e Gjithësisë. Në fenë tonë është shpjeguar nga Profeti se kush duhet të përshëndesë, kë duhet të përshëndesë dhe si duhet të përshëndesë.

“Më i vogli duhet t’i japë selam më të madhit, ai që ndodhet kaluar duhet t’i japë selam atij që ecën në këmbë, ai që ecën duhet t’i japë selam atij që ndodhet ndenjur, grupi i vogël duhet t’i japë selam grupit të madh!” (Buhari, Isti’zan, 5-6)

Kur përballen njerëz të së njëjtës gradë dhe moshë, kush të japë selam më parë, del më i fituar. Në hadithin profetik është deklaruar kështu se ai që jep selam më parë, do të jetë më i çmuar: “Më i pëlqyeshmi dhe më i afërti i njerëzve pranë Allahut është ai që jep selam më parë!” (Ebu Davud, Edeb, 133)

Personi i cili hyn në një kuvend ku ndodhen muslimanë, duhet t’i përshëndesë me selam ata edhe kur hyn, edhe kur del. I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) porosit:

“Kur dikush nga ju hyn në një kuvend, të japë selam. Edhe kur të dëshirojë të ngrihet nga kuvendi, të japë selam. Selami që jep më parë nuk është më i çmuar se selami që jep më pas!” (Ebu Davud, Edeb, 139)

Siç porositet në sunnetin, traditën e Profetit tonë, personi i cili ndodhet në një zonë banimi muslimane, duhet ta përshëndesë me selam këto që takon pavarësisht nëse e njeh apo jo. Kështu, njohja dhe afrimi reciprok mes dy muslimanëve që nuk e njohin njëri-tjetrin, sigurohet, para së gjithash, me anë të përshëndetjes me selam. Sepse, në sajë të selamit, që të dy takohen në pikën më të madhe të përbashkësisë, në fatbardhësinë e qenies vëllezër muslimanë. Për këtë arsye, përshëndetja me selam e të gjithë muslimanëve është nxitur dhe inkurajuar në shumë hadithe të Profetit. Siç transmeton Abdullah bin Amr bin As-i (r.anhuma.), një njeri e ka pyetur të Dërguarin e Allahut (s.a.v.s.):

“Cila është veçoria më e mbarë dhe më e dobishme e Islamit?” “Të ushqesh dhe t’i japësh selam çdokujt që njeh e që nuk njeh!” – I është përgjigjur Profeti. (Buhari, Iman, 20)

Edhe në një hadith (rivajet) të transmetuar nga Abdullah bin Omeri, Profeti ka porositur: “Përhapeni dhe përgjithësojeni selamin, ushqejini të varfërit dhe, kështu, bëhuni vëllezër siç ju ka urdhëruar Allahu i Madhnueshëm!” (Ibni Maxhe, Et’ime, 1)

Shkëmbimi i përshëndetjeve me selam mund të mos paraqesë vështirësi në vendet me dendësi popullsie të ulët ose ku e tërë popullsia është muslimane. Por në vendet me dendësi të madhe dhe ku jomuslimanët përbëjnë një shumicë të konsiderueshme, duket si e pamundur t’i jepet selam çdokujt. Megjithëkëtë, personi (musliman) duhet të bëjë përpjekje për ta zbatuar traditën profetike të përshëndetjes duke u dhënë selam, sipas mundësive, të gjithë personave me të cilët banon apo punon në të njëjtat mjedise.

Duhet përfituar edhe nga mundësitë më të vogla për ta përhapur dhe përgjithësuar përshëndetjen me selam. Nuk duhet treguar përtaci dhe nënvleftësim për ta përsëritur selamin me dikë edhe pas një kohe apo largësie të shkurtër. I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka thënë: “Kur dikush nga ju ta takojë vëllain e fesë, t’i japë selam. Po qe se mes tij dhe tjetrit hyn përkohësisht ndonjë pengesë, si mur, pemë, ose gur (shkëmb) dhe pastaj përsëri takohen, përsëri t’i japë selam!” (Ebu Davud, Edeb, 135)

Kur dikujt i jepet selam, ai duhet t’i përgjigjet përshëndetjes, me sa të ketë mundësi, ose në të njëjtën masë, ose edhe më bukur. Për shembull, në qoftë se dikush e përshëndet “selamun alejkum”, ai ose duhet t’ia kthejë në formë më të gjerë e dashamirëse, “alejkum selam ve rahmetullahi ve berekatuhu”, ose, të paktën, “alejkum selam”! Në ajetin kur’anor urdhërohet:

“Kur të përshëndeteni me selam, përgjigjuni me mënyrën më të bukur ose po aq. Pa dyshim, Allahu e bën çdo gjë ashtu siç duhet!” (en-Nisa, 4/86) Në mënyrë të posaçme, dijetarët fetarë, duke u mbështetur në këtë ajet, kanë konkluduar se dhënia e selamit është sunnet (traditë, respektim me vullnet të lirë i traditës profetike), kurse pranimi dhe kthimi i selamit është farz kifaje / farz i mjaftueshëm për grupin (domethënë detyrim fetar i formës së mjaftueshme me përgjigjen vetëm nga një person në emër të grupit), kurse farz-i ajn / farz identik për individin e vetmuar. Sipas rrëfimit të Ebu Hurejres (r.a.), i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka thënë kështu:

“Allahu i Lartë, pasi e krijoi Ademin (a.s.), e urdhëroi:

“Shko e jepu selam atyre engjëjve që janë duke ndenjur dhe dëgjoje me kujdes se si do t7i përgjigjen selamit tënd, sepse i tillë do të jetë selami yt dhe i brezit tënd!” “es-Selamu alejkum!” – U tha Hz. Ademi engjëjve. “es-Selamu alejke ve rahmetullah!” – Iu përgjigjën engjëjt. Selamit të tij, engjëjt i shtuan “ve rahmetullah”. (Buhari, Enbija, 1)

Aisheja (r.anha) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) më tha: “Ky person është Xhebraili (a.s.), po të jep selam!” “Ve alejhi’s-selam ve rahmetullahi ve berekatuhu!” – I thashë unë. (Buhari, Bed’u’l-halk, 6)

Veç kësaj, për shkëmbimin e përshëndetjes së zgjeruar “selamun alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu” jepet më shumë shpërblim. Imran bin Husajn (r.anhuma.) tregon kështu:

Te i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) erdhi një njeri dhe e përshëndeti: “es-Selamu alejkum!”

Pasi i Dërguari i Allahut ia ktheu përshëndetjen në të njëjtën mënyrë, njeriu u ul. I Dërguari i Allahut tha: “Dhjetë sevape fitoi!” Pastaj erdhi një njeri tjetër që përshëndeti: “es-Selamu alejkum ve rahmetullah!” Edhe i Dërguari i Allahut iu përgjigj me të njëjtën përshëndetje dhe njeriu u ul. I Dërguari i Allahut tha: “Njëzet sevape fitoi!” Pastaj erdhi një njeri tjetër që përshëndeti: “es-Selamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu!” Edhe atë person, i Dërguari i Allahut e përshëndeti me po ato fjalë. Dhe, pasi personi u ul në vend, i Dërguari i Allahut tha: “Tridhjetë sevape fitoi!” (Ebu Davud, Edeb, 131-132) Njeriu duhet të japë selam jo vetëm kur hyn në mjedise dhe shtëpi të tjera, por duhet t’u japë selam patjetër edhe gruas dhe fëmijëve, pra, familjes së tij, kur hyn në shtëpinë e vet. Ai nuk duhet t’i nënvleftësojë njerëzit e vet duke i lënë pa i përshëndetur me selam! Enesi (r.a.) ka thënë kështu:

I Dërguari i Allahut më tha: “Vogëlushi im! Kur të hysh te familja jote, jepu selam që ti dhe familja jote të begatoheni!” (Tirmidhi, Isti’zan, 10) Edhe në ajetin kur’anor urdhërohet: “Kur të hyni në shtëpitë tuaja, jepuni vetes tuaj dhe atyre që ndodhen aty selam si urim jete i bekuar dhe i bukur nga ana e Allahut!” (en-Nur, 24/61) Madje, sipas këtij ajeti, edhe sikur në shtëpi të mos ketë njeri, personi duhet ta përshëndesë me selam vetveten. Ndërkaq, selami që duhet dhënë në këto kushte, është kështu: “es-selamu alejna ve ala ibadil’lahi’s-salihin”. (Muvatta, Selam, 8)

Kur muslimani takohet me jomuslimanë, nuk duhet t’u japë selam; në qoftë se ata i japin selam, duhet t’u përgjigjet: “ve alejkum”. I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka porositur: “Hebrenjve dhe krishterëve mos u jepni ju selam më parë!” (Muslim, Selam, 13) Sahabet e kanë pyetur Profetin: “Ndjekësit e Librit na japin selam neve; si ta pranojmë selamin e tyre?”

“U thoni: “Ve alejkum!” – U është përgjigjur Profeti. (Muslim, Selam, 7) Kjo ngjarje e rrëfyer nga Aisheja (r.anha) e parashtron fare qartë shkakun e këtij qëndrimi që duhet mbajtur ndaj mohuesve. Ajo thotë kështu:

“Tek i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) hyri një grup hebrenjsh që e përshëndetën: “es-Samu alejkum / Vdekje ty!” Unë e dallova menjëherë se ç’deshën të thoshin dhe iu përgjigja: “es-Samu alejkum ve’l-lanetu / Vdekja dhe mallkimi rëntë mbi ju!” I Dërguari i Allahut më ndërhyri: “Mos u ngut, Aishe! Allahut i pëlqen të ndërhyhet me butësi në çdo punë!” “O i Dërguari i Allahut! A nuk e dëgjove se ç’thanë?” – I thashë unë. “Edhe unë u thashë: “Ve alejkum / Edhe juve!” – M’u përgjigj i Dërguari i Allahut.” (Buhari, Edeb, 35)

Selam mund t’i jepet vetëm një grupi ku, bashkë me muslimanë, ndodhen edhe jomuslimanë. Sepse Profeti ynë është takuar me një grup të përbërë prej muslimanësh, politeistësh dhe hebrenjsh dhe i ka përshëndetur me selam. (Buhari, Isti’zan, 20) Veç kësaj, është e lejueshme fetarisht (xhaiz) që një grua t’i japë selam një burri dhe një burrë t’i japë selam një gruaje me kusht që në këtë mes të mos ekzistojë frika e keqkuptimit ose e intrigës. Kështu ka ndodhur që Profeti ka përshëndetur me selam një grup grash që po rrinin në faltore (Tirmidhi, Isti’zan, 9). Po kështu, të Dërguarin e Allahut e ka përshëndetur me selam vajza e të ungjit, Ummu Haní. (Muslim, Musafirin, 82) Gjithashtu, vëmë re se disa sahabe i kanë dhënë selam një gruaje që u ka shërbyer. (Buhari, Isti’zan, 16)

Edhe fëmijët duhen përshëndetur me selam. Ndër rivajetet (rrëfimet) e sahabeve, ka të tilla që tregojnë se Profeti u ka dhënë selam fëmijëve dhe se nuk e ka nënvleftësuar këtë gjë. Për shembull, Enesi (r.a.) i cili, duke filluar qysh i vogël, i pati shërbyer për një kohë të gjatë Profetit, kur takohej me fëmijë, i përshëndeste me selam dhe thoshte: “Kështu bënte edhe i Dërguari i Allahut!” (Buhari, Isti’zan, 15)

Përgjithësisht, janë një sërë situatash kur nuk duhet dhënë selam, të cilat mund t’i përshkruajmë kështu:

– Nuk u jepet selam atyre që janë duke kryer nevojën e madhe ose të vogël, atyre që janë duke kryer veprime të shëmtuara, si duke pirë pije alkoolike ose duke luajtur bixhoz. – Veçanërisht nuk është e përshtatshme të merret dhe jepet selam gjatë marrjes së abdestit, gjatë namazit dhe gjatë këndimit të Kur’anit.

Share.

Leave A Reply