Nga martesa e Profetit (s.a.s.) me Hz. Hatixhenë lindën Kasemi, Abdullai, Zejnebi, Rukija, Ummu Gulsumi dhe Fatimeja. Meqë djali i parë quhej Kasem, Profetit iu dha titulli Ebu’l-Kasem (i ati i Kasemit).

Kasemi vdiq kur ishte ende dy vjeç. Meqë djali tjetër i Profetit (s.a.s.) erdhi në botë në periudhën e Islamit, thirrej edhe Tajjib, edhe Tahir. Pasi vdiq edhe ai, As bin Vail nga politeistët mekas u shpreh kështu për Profetin:

“Lëreni atë! Ai është barktharë. Atij s’ka për t’iu vazhduar brezi. Dhe, pasi të vdesë, emri do t’i harrohet. Atëherë edhe ju do të shpëtoni prej tij dhe do të mbeteni të qetë!”

Pas këtyre fjalëve, Allahu i Lartë zbriti suren Keuther:

 “Me të vërtetë, Ne të dhamë ty Keuther106. Prandaj falu dhe ther kurban për hir të Zotit tënd! Pa dyshim, barktharë janë ata që të urrejnë ty!” (el-Keuther, 1-3) (Ibni Sa’d, III, 7; Vahidi, f. 494)

Kur djali i të Dërguarit të Allahut vdiq në moshë të vogël, Hz. Hatixheja (r.anha) i tha:

“O i Dërguari i Allahut! Qumështi i të voglit tim po më derdhet! Sikur Allahu t’ia kishte zgjatur jetën gjersa t’i plotësohej mosha e gjirit!”

Atëherë, Profeti (s.a.s.) i tha kështu:

“Ai do ta plotësojë në xhennet periudhën e gjirit!”

“O i Dërguari i Allahut!” – I tha Hz. Hatixheja. “Po të isha e sigurt për këtë, do të më lehtësohej dhimbja e vdekjes së djalit!”

Profeti (s.a.s.) i tha:

“Po të duash, t’i lutem Allahut që të të japë mundësi t’ia dëgjosh zërin!”

Por Hatixheja e Lartë (r.anha), duke e treguar edhe një herë cilësinë e saj të besnikërisë dhe nënshtrimit ndaj Zotit, i tha:

“Jo, o i Dërguari i Allahut! Unë i vërtetoj Allahun dhe të Dërguarin e Tij!” (Ibni Maxhe, Xhenaiz, 27)

I Dërguari i Allahut kishte edhe katër vajza. Më e madhja qe Hz. Zejnebi. Kur lindi ajo, Profeti (s.a.s.) ishte tridhjetë vjeç. Më vonë lindi Hz. Rukije.107

Pas Rukijes lindi Hz. Ummu Gulsum dhe pas kësaj, Hz. Fatime. Në këtë kohë, Profeti ishte tridhjetë e pesë vjeç dhe Qabja po rindërtohej.

Më në fund, në vitin e tetë të hixhretit, nga bashkëshortja Marije, Profetit i erdhi në botë një djalë që ia vunë emrin Ibrahim. Mamia e Ibrahimit ishte Ummu Rafi. Burri i saj, Ebu Rafi, ia çoi lajmin e gëzuar Profetit. I gëzuar shumë për këtë lajm, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i dha dhurata atij. Kurse të pranishmëve u tha:

“Këtë natë më lindi një djalë që ia vura emrin e të parit tim, Ibrahim!” (Muslim, Fedail, 62)

Kur u bë shtatëmbëdhjetë a tetëmbëdhjetë muajsh, Ibrahimi u sëmur dhe, pa kaluar shumë, vdiq.

Share.

Comments are closed.