Fryma e qytetërimit bashkëkohor dhe disa specifika të tij
I. Hyrje në perceptimin e frymës së qytetërimit bashkëkohor Sikur që çdo individ përbëhet prej shpirtit dhe trupit, ashtu edhe çdo qytetërim në vete ka frymën (shpirtin) dhe trupin. Frymën e qytetërimit e përbëjnë idetë, pikëpamjet, vlerat morale, mirësjellja dhe…
Publikuar:

I. Hyrje në perceptimin e frymës së qytetërimit bashkëkohor
Sikur që çdo individ përbëhet prej shpirtit dhe trupit, ashtu edhe çdo qytetërim në vete ka frymën (shpirtin) dhe trupin. Frymën e qytetërimit e përbëjnë idetë, pikëpamjet, vlerat morale, mirësjellja dhe traditat të cilat manifestohen në mënyrën e jetës së individit apo bashkësisë, në marrëdhëniet e tyre të ndërsjella, në pikëpamjet mbi fenë, jetën, gjithësinë, njeriun, bashkësinë etj. Trupin e tij e përbëjnë përparimet materiale sikurse janë objektet, infrastruktura, të arriturat tekniko-teknologjike, fabrikat, makinat për transport, prodhim, lukset e ndryshme, dekoret dhe të gjitha kënaqësitë e kësaj bote.
Qytetërimet e shumta, të mëdha e të vogla, që i ka shënuar historia, kanë dalluar ndërmjet veti në pikëpamje të trajtimit të përshpirtësisë dhe materializmit. Disa i kanë dhënë përparësi njërës e disa tjetrës, deri sa disa qytetërime kanë ruajtur njëfarë baraspeshe ndërmjet tyre.
Aktualisht me botën dominon qytetërimi perëndimor. Ky qytetërim, sipas hulumtimeve, ka anët e tij pozitive, siç është liria e njerëzve (sidomos në raportet perëndimor-perëndimor), mospengimi i arritjeve shkencore në shkencat fizike, kimike, antropologjike, gjenetike, kozmike, spirituale etj. Këto janë bërë falë arritjeve në shkencë, duke zbuluar ligjet kozmike, antropologjike dhe duke i vënë nën kontroll në dobi të përparimit njerëzor. Si rezultat i kësaj është ngritja e standardit njerëzor, kështu që njeriu i zakonshëm i sotëm jeton në luksin e një mbreti të dikurshëm.
Përkundër këtyre përparimeve kolosale të pakontestueshme, ky qytetërim nuk i solli njeriut lumturinë dhe qetësinë, që i ka munguar dhe po i mungon.
II. Rrënjët ideore të qytetërimit perëndimor
Në pyetjen se ç’është qytetërimi perëndimor janë dhënë përgjigje të shumta, por ne do të themi se në qasjen tonë qytetërim perëndimor do të thotë “ideologjia teorike e Perëndimit bashkëkohor, Evropës dhe Amerikës, mbi të cilën njerëzit i përcaktojnë pikëpamjet mbi fenë, jetën, kozmosin, njeriun, njohjen dhe vlerat etike, zë fill në Greqinë antike dhe Romë.”[1] Kjo ideologji përfshin filozofinë metafizike, atë negative dhe pozitive, filozofinë e moralit dhe filozofinë e sociologjisë të rrymave, drejtimeve dhe grupeve të ndryshme. Quhet perëndimore edhe pse disa nga këto sisteme janë kapitaliste, liberale, socialiste, komuniste apo moderniste dhe pasmoderniste. Atë e bëjnë perëndimore rrënjët e saj, karakteristikat dhe tiparet e saj, e jo format apo degët, që ndryshojnë njëra prej tjetrës.
Sa i përket mendimit shkencor të qytetërimit perëndimor, ai bazohet në metodën e induksionit. Për lexuesit sipërfaqësor kjo nuk është e ditur, por shkencëtarët e dinë se kjo metodë është marrë nga qytetërimi musliman. Disa dijetarë evropianë e pranojnë këtë fakt, sikurse R. Bekoni, apo më vonë Xhorxh Sartoni, Gustav le Boni etj.[2] Praninë muslimane në Spanjë bukur e ka përshkruar një dijetar evropian: “Shembulli i Spanjës tregon, veç tjerash, që dyqind vjet të dominimit arab mjaftuan për ta vendosur vendin e varfëruar, të braktisur e të robëruar, në krye të Evropës dhe të botës aksidentale, falë edukimit të të gjitha shtresave të shoqërisë, falë zhvillimit të shkencave dhe arteve. Dhe këtë përparësi Spanja e ruajti për pesë shekuj, gjersa arabët u dëbuan prej saj.”[3]
III. Disa specifika të frymës perëndimore
Fryma perëndimore ka specifikat e saj që e bëjnë të ndryshme nga idetë orientale, e sidomos nga idetë orientale islame. Këto veçanti kanë rrënjët e tyre thellë në shtetin e vjetër grek, të cilat pastaj janë përcjellë në Romë, e që më vonë të kalojnë në Evropë dhe së fundi në Amerikë e Australi.
III. 1. Perceptimi i mjegulluar i Zotit
Gjëja e parë që bie në sy është perceptimi jo i qartë për Zotin, e përcjellë me panjohuri dhe fantazi, herë-herë me mbështjellë me antropomorfizëm grekë. Këtë karakteristikë Perëndimi e ka qysh prej fillimit të ekzistimit të vet. Duke qenë i vetëdijshëm se Perëndimi nuk ka pasur mision pejgamberik të mirëfilltë (së paku jo kohët e fundit), shpallje të mirëfilltë dhe njoftim të drejtpërdrejtë për fenë, ata kanë gjurmuar rreth shkakut të parë, apo lëvizësit të palëvizshëm, apo qenies së domosdoshme. Në këtë rrugëtim të vështirë ka pasur edhe dështime e rrëzime, kështu që shpesh ka dominuar pasioni dhe imagjinata, fantazia dhe ngatërrimi. Madje, edhe filozofët teozofë, çfarë janë Sokrati, Platoni dhe Aristoteli, nuk kanë pasur koncept të pastër për Zotin.[4]
III. 2. Synimet materialiste
Materializmi është ndër karakteristikat themelore të mendimit perëndimor. Këta janë ata të cilët besojnë në materializëm dhe nëpërmjet tij e shpjegojnë kozmosin, njohjen dhe moralin, duke mohuar metafizikën dhe çdo gjë që nuk mund të perceptohet me shqisa. Ata nuk besojnë në Zotin krijues, në pejgamberin që sjellë shpallje hyjnore, as në botën përtej varrit. Ata, në parim, e urrejnë botën frymore, por e madhërojnë botën seksuale, materiale. Kjo ide dominon në Perëndim, në rrafshin teorik dhe praktik. Me fjalë të tjera, feja e mirëfilltë e Perëndimit sot është materializmi.
Dikush mund ta kontestoj pohimin e shtruar, duke thënë se Perëndimi është kristian dhe kjo është e dukshme nga kishat, besimtarët katolikë dhe protestantë etj. Madje, ekzistojnë edhe parti kristiane, organizata joqeveritare, humanitare etj. Por, nuk duhet harruar se feja në Perëndim është parullë, se kryqi është simbol rreth të cilit bashkohen, se kisha është objekt të cilin e vizitojnë për vikend, por nuk është vlerë morale, as ligj, as doktrinë, sipas të cilës orientojnë jetët e tyre. Thjesht, perëndimori është materialist dhe utilitarist.
Do ta citojmë një njohës origjinal të mendimit dhe frymës perëndimore, një qytetar të saj, që e pranoi edhe Islamin, Leopold Veisin apo Muhamed Asadin:
“Për perëndimorin bashkëkohor me gjysmëmohimin shpërfillës të shpirtit, çështja e qëllimit në jetën njerëzore nuk ka më kurrfarë rëndësie praktike. Ai i ka braktisur të gjitha spekulimet dhe përsiatjet mbinatyrore. Atë që e quajmë qëndrim religjioz, gjithnjë bazohet në besimin se ekziston ligji i gjithëmbarshëm mbinatyror, moral dhe se ne, qeniet njerëzore, jemi të obliguar t’i nënshtrohemi urdhëresave të tij. Mirëpo, qytetërimi bashkëkohor perëndimor nuk pranon domosdoshmërinë e nënshtrimit njerëzor kujtdo qoftë, përveç kërkesave ekonomike, sociale apo nacionale. Hyjnia e tij e vërtetë nuk është e llojit shpirtëror: ajo është Komoditeti… .“[5]
Po ky autor mendon se armiqësia evropiane kundër muslimanëve bëhet kryesisht për dy arsye kryesore:
E para, për shkak se Evropa ka trashëguar qytetërimin bizantin me drejtimin e plotë materialist kur është fjala për jetën njerëzore dhe vlerën e tij dhe;
E dyta, rebelimi i natyrshëm njerëzor kundër minimizimit kristian të kësaj bote dhe asfiksimit të instinktit natyror dhe nevojave njerëzore.[6]
Frymën evropiane e ka përshkruar bukur një Gjon Ginter, amerikan në veprën e tij Evropa nga brenda: “Anglezët gjashtë ditë në javë e adhurojnë bankën angleze, ndërsa ditën e shtatë shkojnë në kishë.”[7]
III. 3. Aspiratat shekullariste
Karakteristikë vijuese e mendimit perëndimor është aspirata shekullariste, e cila është rrjedhim i ideve tashmë të theksuara.[8] Shekullarizmi nënkupton ndarjen e fesë nga shteti, përkatësisht nga jeta shoqërore. Pretendimi i ngulshëm i perëndimorëve ishte “oksidentalizimi dhe shekullarizimi” i shteteve dhe shoqërive moderne.[9]
Perëndimi, i mllefosur me fenë e vetë gjatë mesjetës, fenë e sheh brenda mureve të faltoreve. Feja nuk do të imponohet as me ligjet e veta, as me doktrinën e vet. Ata nuk kanë harruar se Kisha në mesjetë kishte organizuar inkuizicionin kundër shkencës, arsyes, risive etj. Në këtë aspekt u vranë shumë dijetarë, shumë shkencëtarë dhe shumë zbulues. Kësaj ideje i ndihmoi edhe vetë Ungjilli, me thënien e njohur “Jepja Perandorit atë që i takon dhe jepja Zotit atë që i takon”, e legalizoi këtë ndarje: shtetërore dhe hyjnore.[10]
III. 4. Konflikti si motiv për ekzistim
Konflikti është në frymën e qytetërimit perëndimor. Mbi të ka zënë fill, mbi të është ndërtuar, mbi të jeton e vepron edhe sot. Perëndimi nuk njeh paqen, as dashurinë, edhe pse shpesh i proklamon publikisht. Ky konflikt kap raportet njeri-shpirt, njeri-natyrë, njeri-njeri dhe njeri-Zot.[11] Nëse njeriu dëshiron të bëjë jetë ideale, ai duhet të luftojë kundër vetvetes. Kristianizmi jetën intime e konsideron të ndryrë dhe jodinjitoze, pasurinë duhet ta braktisë, të durohet padrejtësia etj. Kjo është jeta kundër natyrës njerëzore. Mirëpo, Islami nuk shkon kundër natyrës njerëzore. Ai aprovon mirësitë e Krijuesit:
“A nuk shihni, se si Allahu u ka mundësuar t’i shfrytëzoni të gjitha ato që gjenden në qiej dhe në Tokë dhe ju ka plotësuar dhuntitë e Tij, të jashtme dhe të brendshme? E, ka njerëz që polemizojnë për Allahun pa kurrfarë dijenie, pa kurrfarë rrëfyesi dhe pa libër ndriçues.” (Lukman, 20).
Konflikti më i rëndë ndër të gjitha konfliktet ishte ai ndërmjet njeriut dhe Zotit, si rezultat i dy burimeve kryesore: politeizmit grek dhe Dhiatës së vjetër.[12]
III. 5. Ndjenja e superioritetit
Tipari vijues i qytetërimit perëndimor është ndjenja e superioritetit mbi të tjerët. Këtë ndjenjë e kanë thuajse të gjithë perëndimorët. Ata mendojnë se prejardhja e tyre është e veçantë, më fisnike, me superiore sesa e të tjerëve. Deri sa me muslimanët besojmë se njerëzit janë të barabartë, evropianët mendojnë se raca ariane është më e vlefshme, më inteligjente dhe më e frytshme.[13] Madje, njëfarë M. D. në doktoraturën e tij në Sorbonë, pohon se qelizat e njeriut të zi janë më të pakta ndaj atyre të të bardhit[14], që është pohim tipik racist. Një profesor tjetër universitar, Dr. Zigfrid thotë: “Zoti ka krijuar dy lloje racash në natyrë: shefin i cili duhet të udhëheq, dhe punëtorin i cili duhet të dëgjojë. Cili është më i nevojshëm? Sigurisht, punëtori. Në çdo njëmijë punëtorë ka dy deri në tre shefa. Kështu Zoti e ka krijuar racën evropiane që është shefi dhe atë lindore, që është punëtori.”[15] Kjo ndjenjë perëndimore është edukatë familjare, shkollore, mentalitet qytetar perëndimor, prandaj edhe sloganet nëpër rrugë: Turku duhet të dëbohet nga Evropa, Evropën duhet çliruar nga turqit[16] etj.
Edhe pse kjo teori është e paqëndrueshme edhe nga aspekti humanitar, edhe nga aspekti shkencor, ata ende vazhdojnë të mendojnë se janë epiqendër e ngjarjeve botërore. Mirëpo, harrojnë se pishtari i qytetërimit erdhi pikërisht nga Lindja, Fenikia, Babilonia, India, Kina, Lindja islame. Harrohet se sërish trashëgiminë greko-romake e sollën muslimanët, të përkthyer dhe të interpretuar por të përcjellë edhe me krijime të reja, burimore, origjinale, si nga aspekti i tematikës ashtu edhe nga aspekti i metodologjisë.
Përfundim
Karakteristikat më ndikuese të qytetërimit perëndimor, si perceptimi i paqartë për Zotin, aspiratat materialiste, aspiratat shekullariste, natyra konfliktuoze e qytetërimit perëndimor dhe ndjenja e superioritetit ndaj të tjerëve, kanë pasur ndikim dhe kanë lënë gjurmë në mirësjelljen, veprimet dhe raportet me vetveten dhe me të tjerët. Disa dijetarë perëndimorë, duke vërejtur pasojat negative të këtij qytetërimi materialist, gjykuan segmentet e tij shtylla[17] dhe kërkuan kthimin vlerave të besimit. Disa vepruan duke iu kthyer kristianizmit e disa duke kërkuar prehjen e tyre shpirtërore në Islam apo ndonjë religjion tjetër lindor.
Literatura:
- Akbar S. Ahmed, Zbulimi i Islamit, Shkup, 2012.
- Ali Sheriati, Njeriu dhe Islami, Tetovë, 1992.
- Azzam Temimi & Xhon L. Esposito, Islami dhe shekullarizmi në Lindjen e Mesme, Shkup, 2010.
- El-Gazali, Izbavljenje od zablude, Sarajevë, 1409/1989.
- Jusuf el Karadavi, Islam civilizacija budućnosti, Novi Pazar, 2004.
- Muhamed Asad, Islami në udhëkryq, Prizren, 2002.
- Nexhat Ibrahimi, Islami dhe kriza e identitetit,Shkup, 2004
- Nexhat Ibrahimi, Vepra, 10, Shkup, 2009.
- Rozhe Garodi, Islami dhe kultura, Sarajevë, 1990.
- Sigrid Hunke, Dielli i Allahut shkëlqen mbi Perëndimin, Tiranë, 2007
- Tomazh Mastnak, Paqja kryqtare, Shkup, 2012.
- Tomazh Mastnak, Zoti i blasfemuar dhe demokracia perëndimore, Prizren, 2000.
[1] Tomazh Mastnak, Zoti i blasfemuar dhe demokracia perëndimore, Prizren, 2000, fq. 7 e tutje.
[2] Rozhe Garodi, Islami dhe kultura, Sarajevë, 1990.
[3] Sigrid Hunke, Dielli i Allahut shkëlqen mbi Perëndimin, Tiranë, 2007, fq. 415.
[4] Shih mendimin e Gazaliut: El-Gazali, Izbavljenje od zablude, Sarajevë, 1409/1989, fq. 26-30.
[5] Muhamed Asad, Islami në udhëkryq, Prizren, 2002, fq. 34.
[6] Muhamed Asad, po aty, fq. 34-35.
[7] Sipas: Jusuf el Karadavi, Islam civilizacija budućnosti, Novi Pazar, 2004, fq. 22.
[8] Nexhat Ibrahimi, Islami dhe kriza e identitetit, Shkup, 2004, fq. 47-54.
[9] Azzam Temimi & Xhon L. Esposito, Islami dhe shekullarizmi në Lindjen e Mesme, Shkup, 2010, fq. 11.
[10] Akbar S. Ahmed, Zbulimi i Islamit, Shkup, 2012, fq. 40-41.
[11] Jusuf el Karadavi, po aty, fq. 24.
[12] Tomazh Mastnak, Paqja kryqtare, Shkup, 2012, fq. 15 e tutje. Jusuf el Karadavi, po aty, fq. 24-27.
[13] Jusuf el Karadavi, po aty, fq. 27.
[14] Ali Sheriati, Njeriu dhe Islami, Tetovë, 1992, fq. 57.
[15] Nexhat Ibrahimi, Vepra, 10, Shkup, 2009, fq. 245.
[16] Tomazh Mastnak, Zoti i blasfemuar, po aty, fq. 26 e tutje.
[17] T. Mastnaku thotë se në shoqërinë demokratike perëndimore “zëri i idiotit është i barabartë me zërin e intelektualit të madh.” Sipas: Tomazh Mastnak, Zoti i blasfemuar, po aty, fq. 31.

