Globalizmi në tehun e globalizmit - Mirësia Islame

Globalizmi në tehun e globalizmit

Nuredin Nazarko Epoka në të cilën jetojmë, është e përmbushur përplot ngjarje, ndodhi, dukuri ashtu sikundërse ishin të përmbushura epokat e mëhershme, trashëgimia e të cilave rrezatohet edhe në kohën tonë. Një prej dukurive që po spikat gjithmonë  e më…


Publikuar:

Nuredin Nazarko

Epoka në të cilën jetojmë, është e përmbushur përplot ngjarje, ndodhi, dukuri ashtu sikundërse ishin të përmbushura epokat e mëhershme, trashëgimia e të cilave rrezatohet edhe në kohën tonë. Një prej dukurive që po spikat gjithmonë  e më tepër me sqimën dhe skrutën që e karakterizojnë përçdoanshëm, është globalizmi. Globalizmi pretendon të ketë referencë kryesore marrëdhëniet ekonomike midis vendeve të ndryshme, për të çuar përpara zhvillimin e shoqërisë njerëzore. Marrëdhëniet ekonomike midis shteteve të ndryshme janë të kushtëzuara nga shpërndarja e pabarabartë e pasurive natyrore. Disa vende zotërojnë pasuri të caktuara, e të tjera zotërojnë pasuri që këto të parat si zotërojnë.

Mirëpo zhvillimi ekonomik mbi bazën e industrializimit të ethshëm, ndihmuar nga sofistikimi i vazhdueshëm teknologjik, është gjithmonë në kërkim të lëndës së parë, e cila nevojitet pashmangshëm. Si rrjedhim  i kësaj nevoje të vazhdueshme vendet e ndryshme janë të kushtëzuara të hyjnë në marrëdhënie me njëra-tjetrën, të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi në këto sfera, me qëllim këmbimin dhe përftimin e ndërsjellë. Madje është shkuar deri aty saqë besohet se zgjerimi i sferave të bashkëpunimit ekonomik do t’i shërbejë edhe afrimit të popujve me njëri-tjetrin duke shkuar kësisoj drejt marrëdhënieve të ekuilibruara dhe të paqtuara.

Ky besim ndezullitës duket se është sfumuar paq nga rrjedha historike e ngjarjeve, veçanërisht kur në skenën e historisë zuri vend dhe jo pa shkak e urtësi, qytetërimi i kohëve moderne, që duke u përkapur tërësisht pas sferës materiale arriti të dominojë mbi qytetërimet e tjera, pikërisht në këtë sferë dhe jo në ndonjë sferë tjetër.

Nën efektin e etjes së ethshme për grumbullim të materies si shenjë domethënëse e fuqisë dhe superioritetit ndaj të tjerëve, Perëndimi i kohëve moderne u lëshua me të gjitha fuqitë për zgjerim të sferave të influencës, duke kolonizuar hapësira të tëra gjeografike të globit tokësor, që rezultoi me luftëra të vazhdueshme dhe sfilitëse mes vetë perëndimorëve të kohëve moderne dhe popujve që kolonizuan. Duke e kuptuar që dominimit të periudhës kolonialiste po i vinte fundi, vetë modernët lançuan se metodat e kontrollit dhe sundimit të të kolonizuarve, të periudhës së kolonializmit ishin demode, dhe nevojitej një strategji e re për dominim të racës së bardhë, e cila shpërfaqej superiore në çdo aspekt.

Kjo nuk do të thoshte aspak që metodat e kolonializmit nuk do të përdoreshin më, por ajo çfarë ishte më primare tashmë, ishte dominimi në sferën ekonomike botërore të më të fuqishmëve jo thjesht dhe vetëm sipas mënyrës së periudhës kolonialiste. Synimi për dominim ndaj gjithë qytetërimeve jomoderne, ka bërë që qytetërimi modern të luajë gjithmonë rolin e “dorës së ngrohtë”, duke u ngritur në nivele superioriteti ndaj gjithë qytetërimeve të tjera, aq sa zgjidhja e çështjeve jo vetëm globale, duhet medoemos të marrë miratim pikërisht të këtij qytetërimi, që shfaqet gjithmonë e më rrëzëllitës përsëjashtmi.

Pikërisht në këtë linjë rend dhe globalizmi, që përskaj aureolës kozmopolitane, synon drejt unifikimit dhe standartizimit kulturor, unifikim dhe standartizim në shërbim të atij qytetërimi që tashmë dominon me fuqinë materiale, skenën e zhvillimeve globale. Unifikimi dhe standartizimi kulturor, nuk balancon dhe ekuilibron marrëdhëniet midis popujve sikundërse besohet, madje i acaron ato edhe më tej, saqë askush nuk mund të parashikojë se çfarë drejtimi mund të marrë rrjedha  e ngjarjeve, sepse ky parashikim është jashtë kompetencave njerëzake.

Unifikimi dhe standartizimi kulturor si qëllim i globalizmit, pavarësisht pretendimeve, janë mjetet mikluese dhe ngashnjyese të bashkëpunimit mes popujve, për t’i përfundur përfundimisht popujt nën hegjemoninë e kulturës moderne, nën hegjemoninë e qytetërimit modern. Kjo do të thotë mpakje deri në sfumim të përplotësishëm të mënyrës së të jetuarit, jashtë kufijve të mënyrës moderne të të jetuarit, e cila do të thotë vdekje kulturore e kulturave jomoderne. Është pikërisht kjo kahje implementuese e globalizmit, që i veshur me petkun perëndimor modern, ka shkaktuar dhe do të shkaktojë reagime të kundërta me pritshmëritë.

Nuk mund të ketë mirëkuptim aty ku dominon ambicia e ethshme e njërit për dominim dhe superioritet ndaj të tjerëve, dominim dhe superioritet që nënkuptojnë kontrollin dhe shfrytëzimin e më të dobëtëve dhe fuqizimin e më të fuqishmëve. Prandaj përsa kohë që globalizmi ka veshur petkun perëndimor modern, është i kërcënuar vetëm nga vetvetja, sepse nuk mund të sillesh mospërfillës dhe moskokëçarës ndaj trashëgimive mijëravjeçare të kulturave të tjera thjesht sepse nuk barabiten me të në sferën materiale, e tek e fundit nuk janë vlerat e materializmit ato që përcaktojnë superioritetin e njërës palë ndaj palëve të tjera.

Çdo popull ka meritat dhe kontributin e vet në atë cep të globit ku është vendosur për të jetuar, merita dhe kontribut që nuk i japin aspak të drejtën e padrejtë qytetërimit modern, për t’i paraqitur të tjerët jashtë vetes së vet aspak të aftë për sens zhvillimor. Në fund të fundit përse duhen detyruar të tjerët medoemos të globalizohen nën petkun modern perëndimor, kur ky petk jo vetëm që nuk iu shkon për shtat, por mund t’i shtërngojë aq shumë me gjerësinë e ngushtësisë së tij, saqë do t’i shtërngojë të shtërnguarit që jo vetëm ta hedhin tej si veshje të padobishme, por as të mos e konsiderojnë më si palë me të cilën mund të mirëkuptohesh. E atëherë në anën e kujt do të jetë përgjegjësia?  

Copyright © 2026 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim