Për ta sjellë të fshehtën hyjnore në gjendje përceptuese, Allahu i Lartë ia ka hapur disa herë gjoksin Profetit (s.a.s.), ia ka pastruar dhe ia ka mbushur me veti të larta të tilla si prehja, qetësia, mëshira, dhembshuria, besimi dhe urtësia. E para e kësaj ngjarjeje është realizuar kur Profeti ndodhej ende pranë mëndeshës, nënës së qumështit. Ngjarjen e ka treguar vetë Profeti.

Te i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka shkuar dikush dhe e ka pyetur:

“Cilat kanë qenë shenjat e para të profetësisë tënde?”

Dhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i është përgjigjur kështu:

“Mëndesha ime ishte nga të bijtë Sa’d bin Bekr. Bashkë me motrën time të qumështit, kishim marrë dhentë dhe i kishim nxjerrë për kullotë. Por nuk kishim marrë me vete asgjë për të ngrënë. Prandaj i thashë motrës:

“Motër, shko te nëna dhe na sill ndonjë gjë për të ngrënë!”

Ajo shkoi, kurse unë mbeta pranë dhenve. Pa kaluar shumë, erdhën dy engjëj me veshje të bardha. Njëri i tha tjetrit:

“Ky është ai?”

Tjetri iu përgjigj: “Po, ky është!”

Më erdhën menjëherë pranë, më shtrinë në shpinë dhe ma hapën barkun. Pastaj ma nxorën zemrën, ma çanë dhe nxorën prej saj dy copa gjaku të mpiksur. Pastaj njëri i tha tjetrit:

“Shko e më sill ujë bore!”

Me ujë bore ma lanë të brendshmen. Pastaj i tha:

“Shko e ma sill ujin e përgatitur për këtë!”

Engjëlli tjetër e solli ujin dhe me të ma lanë zemrën. Pastaj i tha:

“Tani shko e më sill prehjen dhe qetësinë!”

Dhe m’i vendosën ato në zemër.

Më në fund, i tha:

“Tani mbylle dhe vulose me vulën e profetësisë!”

Dhe engjëlli ma mbylli zemrën dhe ma vulosi me vulën e profetësisë. Pastaj ata ikën. Me të vërtetë, isha frikësuar shumë. Kur u ktheva në shtëpi, ia tregova mëndeshës një për një ç’më kishin ndodhur…” (Ahmed, IV, 184-185; Ibni Kethir, el-Bidaje, II, 280; Hejsemi, VIII, 222)

Me ç’njoftojnë disa burime, kjo ngjarje ka ndodhur kur Profeti ka qenë katër vjeç.68

Enesi (r.a.) ka thënë:

“Unë e shihja gjithmonë atë shenjë plage në gjoksin e të Dërguarit të Allahut!” (Muslim, Iman, 261)

Disa nga urtësitë e hapjes së gjoksit të Profetit janë këto:

Me këtë mënyrë, Allahu i Lartë ua ka njoftuar njerëzve gjendjen dhe famën e të Dërguarit të Tij dhe e ka përgatitur atë qysh në fëmijëri për komunikimin hyjnor. Edhe fakti që ngjarja e hapjes së gjoksit e cila është një pastrim moralo-shpirtëror, ka ndodhur në një mënyrë të vëzhgueshme prej njerëzve, mbështetet në urtësinë e përforcimit të besimit dhe vërtetimit të profetësisë së tij. Me të vërtetë, situata me karakter të jashtëzakonshëm dhe mrekullor si kjo kanë lehtësuar besimin e njerëzve te ai!

Hapja e dytë e gjoksit: mbushja e zemrës profetike me mëshirë e dhembshuri

Ebu Hurejre80 (r.a.), duke u sjellë tejet i guximshëm e kurajoz, i bënte Profetit (s.a.s.) pyetje që s’do të guxonte askush t’ia bënte. Një ditë e pyeti: “O i Dërguari i Allahut! Cila është shenja e parë e profetësisë që ke parë?”

Dhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.), udhëzuesi i lumturisë së të dy botëve, iu përgjigj kështu:

“O Ebu Hurejre! Meqë më pyete, po ta them! Kur isha dhjetë vjeç, një ditë, u ndodha në shkretëtirë. U drodha nga një zë që po më vinte sipër kokës. Dikush e pyeti tjetrin:

“Ky është ai?”

Tjetri iu përgjigj: “Po, ky!”

Dhe më dolën përballë me fytyra që nuk i pata parë gjer atëherë te askush, me shpirtra që nuk i pata gjetur te askush dhe me veshje që nuk i pata vënë re te askush. Secili prej atyre personave që erdhën tek unë duke ecur, më zuri për një krahu, por prekjen nuk e ndjeva fare.

Njëri i tha tjetrit:

“Shtrije përtokë!”

Të dy së bashku më shtrinë përtokë pa ndjerë unë asnjë lloj shtrëngimi e vështirësie. Pastaj përsëri njëri i tha tjetrit:

“Hapja gjoksin!”

Dhe ai ma hapi, por as ndjeva dhimbje, as pashë gjak! Pastaj i tha shokut:

“Hiqja urrejtjen dhe zilinë që aty!”

Dhe ai më nxori nga gjoksi diçka si një copë gjak të mpiksur që e hodhi tutje.

“Dhe tani vendos aty dhembshuri dhe mëshirë!” – I tha shoku. Pashë se gjëja që nxorën dhe ma vendosën në gjoks, i ngjante argjendit. Pastaj, duke ma zënë dhe tundur gishtin e madh të këmbës së djathtë, më tha:

“Shko, tani, të qoftë për mbarë!”

Pasi u ngrita dhe po shkoja, zemrën e kisha të mbushur plot dhembshuri e mëshirë dhe, pas asaj kohe, gjithmonë ndjeva dhembshuri ndaj të vegjëlve dhe mëshirë ndaj të mëdhenjve!” (Ahmed, V, 139; Hejsemi, VIII, 223)

Share.

Comments are closed.