Kur vdiq i Dërguari i Allahut (s.a.s.), Hz. Fatime (r.anha) e qau me këto vargje:

Ti që s’ke tjetër më të afërt se veten, o im atë!

Ti që iu përgjigje ftesës së Zotit tënd, o im atë!

Ti që e ke vendin në xhennetin Firdes, o im atë!

Ti, që vdekjen tënde ia thamë Xhebrailit, o im atë!

Dhe pas varrimit të Profetit, i tha kështu Enesit (r.a.):

“O Enes, si ju bëri zemra të hidhni dhé mbi trupin e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.)?” (Buhari, Megazi, 83; Darimi, Mukaddime, 14)

Enesi (r.a.) nuk iu përgjigj kësaj pyetjeje për respekt, por, me qëndrimin e tij, tha: “Jo, Fatime, zemra s’na e deshi aspak, por ne e bëmë këtë punë të detyruar, sipas urdhrit të të Dërguarit të Allahut!” (Kâmil Mîras, Tecrid Tercemesi, XI, 25)

Për shkak të vdekjes së të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), muslimanët në faltore filluan të qajnë. Në këtë mes, ndërhyri Hz Omeri (r.a.) që filloi dhe vazhdoi të flasë si më poshtë, i nervozuar, aq sa filloi t’i dilte shkumë goje:

“Të mos dëgjoj askën të thotë se Muhammedi vdiq, përndryshe, ia këpus qafën me këtë shpatë! I Dërguari i Allahut është mpakur ashtu siç qe mpakur Musai!..”

Me ta marrë lajmin e hidhur, Hz. Ebu Bekri (r.a.) i hipi kalit dhe arriti në Medinë. Ia hapi fytyrën Profetit, ra mbi të, e puthi në ballë duke qarë dhe tha:

“Vallahi, i Dërguari i Allahut paska vdekur! Inna lil’lahi ve inna ilejhi raxhiun, pa dyshim, ne, të Allahut jemi dhe, pa dyshim, te Ai do të kthehemi! Babë e nënë t’u bëfshin fli! Betohem në Allahun se Allahu kurrë s’do të të bëjë të shijosh hidhësirë vdekjeje dy herë! Ti ke vdekur një herë dhe e ke kapërcyer kalimin e pashmangshëm të vdekjes! Pas kësaj, për ty nuk ka më vdekje! Mjerë unë për ty, o profeti im!”

Dhe, duke u përkulur, e puthi në ballë. Pastaj, duke e ngritur kokën, tha sërish: “Mjerë për mua, o miku im!” Dhe sërish e puthi në ballë Zotërinë e Botëve!

Pastaj tha: “Mjerë për mua, o i zgjedhuri im!” Dhe e puthi në ballë!

Pastaj ia mbuloi fytyrën të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) duke thënë: “Edhe i gjallë ishe i bukur, edhe pas vdekjes je i bukur! Edhe jeta, edhe vdekja jote qenë të bukura!” Dhe doli jashtë.

Hz. Omeri (r.a.) vazhdonte të thoshte se Profeti nuk ka vdekur! Kurse Hz. Ebu Bekri i tha:

“Mjaft, ulu tani, Omer!”

Hz. Omeri nuk deshi të ulej. Hz. Ebu Bekri e përsëriti fjalën tri herë dhe filloi të flasë:

“Allahu i Lartë pati njoftuar për vdekjen e Profetit kur ai ndodhej ende mes jush. Ai pati njoftuar se edhe ju keni për të vdekur (kur t’ju vijë vdekja). I Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka vdekur! Edhe nga ju, askush s’ka për të mbetur gjallë! Kush e adhuron Muhammedin, ta dijë se Muhammedi ka vdekur! Dhe kush t’i falet Allahut, ta dijë se, pa asnjë dyshim, Allahu është i gjallë e i pavdekshëm! Allahu i Lartë ka urdhëruar:

 “Muhammedi është vetëm një i dërguar. Shumë të dërguar kanë ardhur e shkuar para tij. E, tani, nëse ai vdes apo vritet, mos vallë ju do të ktheheni në fenë tuaj të vjetër? E kush kthehet pas, nuk i bën dëm aspak Allahut. Allahu do t’i shpërblejë falenderuesit dhe të vendosurit!” (Al-i Imran, 144)

Pasi e dëgjuan këtë ajet, njerëzit e kuptuan mirë, më në fund, se Profeti (s.a.s.) kishte vdekur. Aq ishin turbulluar, saqë dukej sikur s’e dinin se ky ajet kishte zbritur, gjersa Hz. Ebu Bekri (r.a.) e këndoi gjer në fund!

Hz. Omeri (r.a.) thotë:

“Vallahi, isha sikur të mos e kisha dëgjuar kurrë më parë këtë ajet gjer atë ditë! Kur e dëgjova nga Ebu Bekri, më zuri tmerri! Nuk po më mbanin këmbët! M’u prenë gjunjët dhe u shemba përtokë aty për aty!” (Ibni Sa’d, II, 266-272; Buhari, Megazi, 83; Hejsemi, IX, 32; Abdurrezzak, V, 436)

Pas fjalëve të Hz. Ebu Bekrit, Hz. Omeri u përkul dhe e puthi të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) në ballë. Dhe, duke qarë, i thoshte kështu:

“Babë e nënë t’u bëfshin fli, o i Dërguari i Allahut! Trungu i hurmës ku mbështeteshe pati nisur të qante kur pate bërë minber për t’u ngjitur dhe pate qenë larguar prej tij, pastaj, pati pushuar së qari kur i pate vënë dorën mbi të! Kurse ummeti yt është më i denjë për të qarë për ndarjen prej teje!

Babë e nënë të qofshin fli, o i Dërguari i Allahut! Duke urdhëruar “Kush i bindet të Dërguarit të Allahut, i është bindur Allahut…” (en-Nisa, 80),

Zoti yt e ka quajtur bindjen ndaj teje si bindjen ndaj atij vetë, duke ta ngjitur gjer në gradën më të lartë epërsinë teje pranë Tij!

Babë e nënë t’u bëfshin fli, o i Dërguari i Allahut! Megjithëse të dërgoi të fundit, Allahu, duke marrë premtim nga pejgamberët e mëparshëm se do të të besonin dhe do të të ndihmonin,405 ta ka ngjitur gjer në gradën më të lartë vlerën tënde pranë Tij!

Babë e nënë t’u bëfshin fli, o i Dërguari i Allahut! Malli për bindjen ndaj teje nga njerëzit e xhehennemit duke thënë:

 “… Mjerë ne! Eh, sikur t’i ishim bindur Allahut, t’i ishim bindur të Dërguarit!” (el-Ahzab, 66),

e ka ngjitur në gradën më të lartë virtytin tënd në lartësinë e Allahut!” (Kastallani, el-Bidaje, V, 256)

Nëna jonë, Ummu Seleme (r.anha) tregon kështu:

Atë ditë kur vdiq i Dërguari i Allahut (s.a.s.), ishim mbledhur rreth tij e po qanim. Atë natë s’kishim fjetur. Të Dërguarin e Allahut e kishim në shtëpi. E shihnim dhe ngushëlloheshim. Por kur në të zbardhur dëgjuam goditjet e kazmave, nisëm të klithnim. Edhe xhemaati në faltore nisën të bërtasin e të klithin. Medina u trondit me një klithje të vetme! Sidomos qarja me ngashërime e Bilalit duke e përmendur emrin e të Dërguarit të Allahut duke thënë “eshhedu enne Muhammede’r-Resulullah”, na e shtoi edhe më shumë dëshpërimin. Kur njerëzit sulmuan nga jashtë për të hyrë brenda ku ndodhej varri, ata që ndodheshin brenda e mbyllën derën. Ç’fatkeqësi e vështirë qe ajo! Mëvonë, çfarëdo e keqe të na ngjiste, nuk i jepnim rëndësi tek kujtonim vdekjen e të Dërguarit të Allahut!” (Ibni Kethir, el-Bidaje, V, 256)

Ndarja e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) u erdhi shumë e rëndë sahabeve. Sepse e donin atë më shumë se çdo gjë dhe më shumë se çdokush. Prandaj, mes sahabeve kishte nga ata që nuk e donin syrin që nuk e shihte Atë, veshin që nuk e dëgjonte Atë, jetën që nuk e jetonte Ai! Këtë gjendje shpirtërore të tyre, Profeti e pati bërë të ditur qysh më parë:

“Betohem në Allahun që ka në dorë frymën e Muhammedit, se do të vijë një ditë që s’keni për të më parë më mua dhe, atëherë, për dikë nga ju do të jetë më e pranueshme dhe më e kënaqshme se familja dhe pasuria e vet, ta shohë veten bashkë me mua!” (Muslim, Fedail, 142; Buhari, Menakib, 25)

Dhe ata e mbyllën jetën duke pritur ditët kur do të bashkoheshin me të Dërguarin e Allahut dhe do ta shihnin përsëri Zotërinë e Botëve!

Share.

Leave A Reply