I Dërguari i Allahut (s.a.s.) nuk dërgonte vetëm shokët e tij në Qabe për t’u kënduar Kur’an politeistëve, por kohë më kohë shkonte edhe vetë dhe ua këndonte ajetet e Allahut. Në një rast si ky, Ebu Xhehli e teproi shumë në fyerjen kundër Profetit (s.a.s.). Ai qe gati për të shkuar edhe më tej me qëllim që t’u tregonte politeistëve të tjerë, të mbledhur rrotull, forcën e vet, kur një grua vrapoi për te Hz. Hamzai të cilin e takoi tek po kthehej nga gjahu dhe i tha:

“O trim i trimave! Nipin po ta shajnë në Qabe, por kam frikë se kanë për ta munduar, kanë për t’i bërë ndonjë të keqe…”

Hz. Hamzai vrapoi menjëherë për në Qabe dhe i doli para të mallkuarit Ebu Xhehl. E qëlloi në kokë me harkun që mbante në duar ashtu që Ebu Xhehlit nisi t’i rrjedhë gjak. Armiku i besimit, i cili nuk e kishte pandehur një ndërhyrje të tillë, i hutuar e i frikësuar për jetën e vet, u largua me vrap që aty. Edhe politeistët e tjerë që e panë këtë skenë, u shpërndanë një e nga një. Të gjithë ata e njihnin mirë forcën e Hamzait. Askush prej trimave të Kurejshve nuk guxonte t’i dilte përballë atij!

Pastaj, Hz. Hamzai, duke i shkuar pranë të nipit, Hz. Muhammed Mustafait (s.a.s.), i tha:

“Ja, ta mora hakun, o Muhammed, qetësohu tani!”

Kurse Profeti iu përgjegj kështu të ungjit:

“O im ungj! Do të gëzohesha më shumë sikur të bëheshe musliman!”

Perdet e indiferentizmit në zemrën e Hz. Hamzait u ngritën, ai trimi i trimave, duke e kuptuar, më në fund, të vërtetën, pa me buzëqeshje të nipin dhe, pa e hequr vështrimin prej dritës së lartë që reflektonte Profeti, shqiptoi Fjalën e Dëshmisë:

“Esh’hedu en la ilahe il’lallah ve esh’hedu enne Muhammeden abduhu ve resuluhu”, “Dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe dëshmoj se Muhammedi është robi dhe i Dërguari i Tij!”

Hz. Hamzai (r.a.) qe dy vjeç më i madh se Profeti dhe qe edhe ungji, edhe vëllai i qumështit i tij.237

Duke iu shprehur të ungjit “O im ungj! Do të gëzohesha më shumë sikur të bëheshe musliman!”, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) pohonte dhe theksonte se do të bëhej i lumtur jo me shpagimin personal, por me orientimin e tij, për rrjedhojë, se e rëndësishme nuk ishte jeta e kësaj bote të përkohshme, por jeta e pasme e përhershme!

Kjo ngjarje na sugjeron që shërbimet që e lartësojnë Islamin duhet t’i parapëlqejmë gjithmonë ndaj interesave vetiake dhe se duhet që të kënaqemi e të gëzohemi më fort me suksesin në shërbimet dhe përpjekjet për Islamin, sesa me çështjet individuale.

 

Atë ditë kur u bë musliman Hz. Hamzai (r.a.), Hz. Ebu Bekri (r.a.) i tha me këmbëngulje të Dërguarit të Allahut që të shkonin të gjithë së bashku në Qabe dhe t’i ftonin në Islam të atjeshmit. Kurse i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i tha:

“O Ebu Bekr, jemi ende shumë të pakët në numër!”

Por pasi Hz. Ebu Bekri (r.a.) këmbënguli më shumë, Profeti së bashku me shokët dolën nga Shtëpia e Erkamit dhe shkuan në Qabe. Kur arritën në Qabe dhe Ebu Bekri (r.a.) nisi t’i ftonte njerëzit për t’u besuar Allahut dhe të Dërguarit të Tij, politeistët i sulmuan Hz. Ebu Bekrin dhe muslimanët e tjerë dhe filluan t’i rrihnin rëndë. Sidomos mëkatari Utbe e rrëzoi Ebu Bekrin (r.a.), pastaj i hipi sipër dhe filloi ta shkelte në fytyrë me këpucët me pafta hekuri. Hz. Ebu Bekri u përgjak nga të gjitha anët. Fisi i tij, të bijtë Tejm, mezi e shpëtuan Hz. Ebu Bekrin nga duart e politeistëve!

Njerëzit e fisit i çuan në shtëpi të alivanosur. Duke pandehur se do të vdiste, u kthyen menjëherë në Qabe dhe u thanë politeistëve:

“Po qe se Ebu Bekri vdes, vallahi, edhe ne kemi për ta vrarë Utben!”

Hz. Ebu Bekri (r.a.) erdhi në vete vetëm afër mbrëmjes dhe së pari, me një mijë e një mundime, pyeti:

“Si është i Dërguari i Allahut, mirë?”

E ëma, Ummul Hajr, vazhdimisht ngulte këmbë duke i thënë:

“Sikur të haje e të pije diçka!”

Kurse Hz. Ebu Bekri (r.a.), sikur s’e dëgjonte fare atë se ç’thoshte, vazhdonte të pyeste:

“Ç’bën i Dërguari i Allahut, në ç’gjendje është?”

Ummul Hajr i tha:

“O bir, unë s’di gjë për shokun tënd!”

Hz. Ebu Bekri (r.a.) e dërgoi t’ëmën te një zonjë muslimane, Ummu Xhemil238, për të marrë lajme mbi të Dërguarin e Allahut. Ummu Xhemil (r.anha) erdhi dhe, me ta parë Hz. Ebu Bekrin në atë gjendje të dërrmuar, s’e mbajti dot veten dhe bërtiti me të madhe:

“Betohem në Allahun se ata që ta kanë bërë ty këtë, janë mëkatarë dhe heretikë! Allahu mos ua faltë këtë që të kanë bërë!”

Pastaj, duke iu përgjigjur pyetjeve të Hz. Ebu Bekrit, ajo i tha se i Dërguari i Allahut kishte shpëtuar dhe ndodhej në shtëpinë e Erkamit.

Hz. Ebu Bekri (r.a.) tha:

“Betohem në Allahun se, pa e parë të Dërguarin e Allahut, nuk fus asgjë në gojë!”

Kur mjedisi u qetësua dhe të gjithë u tërhoqën nëpër shtëpitë, e ëma dhe Ummu Xhemil e kapër për krahësh Ebu Bekrin (r.a.) dhe e çuan te Profeti (s.a.s.). Një ta parë Profetin, Hz. Ebu Bekri i ra ndër gjunjë! Gjendja e mikut të tij të vyer e preku thellë zemrën e ndjeshme të Mbretit të Botëve! Hz. Ebu Bekri (r.a.) i tha:

“Nënë e babë t’u bëfshin kurban, o i Dërguari i Allahut! Unë s’kam asnjë shqetësim! Ai mëkatar i fëlliqur vetëm sa më goditi pak!”

Dhe pastaj i kërkoi të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) të lutej që e ëma ta gjente rrugën e drejtë.

Me begatinë e lutjes së Profetit, edhe nëna e nderuar e Ebu Bekrit (r.a.) u fut në rrethin e besimit!239

 

Politeistët e kapur nga shqetësimi pas shtimit me shpejtësi të numrit të muslimanëve dhe hyrjes në Islam të trimave të rrallë, si Hz. Hamzai (r.a.), bënë një mbledhje ku diskutuan për mundësitë e pengimit të kësaj ecurie. Ata thanë:

“Gjendja e Muhammedit u bë me të vërtetë serioze, na i bëri punët lëmsh! T’i dërgojmë tek ai dijetarët tanë më të mirë në magji, orakull dhe poezi që të bisedojnë me të!” Duke e parë të përshtatshëm për këtë punë Utbe bin Rebianë, e dërguan te Profeti (s.a.s.). Utbe foli gjatë dhe bëri më shumë propozime se ç’kishin bërë politeistët gjer atëherë. I Dërguari i Allahut e dëgjoi në heshtje gjersa mbaroi. Pastaj e pyeti:

“O Ebu Velid, a i the ç’kishe për të thënë?”

“Po!” – Iu përgjigj Utbe.

Atëherë, i Dërguari i Allahut i tha:

“Tani dëgjomë edhe ti mua!”

Dhe, pasi bëri Besmele, Profeti filloi të këndonte suren Fussilet. Pasi e këndoi edhe ajetin 37 që ishte ajet sexhdeje dhe bëri sexhde, i Dërguari i Allahut i tha:

“O Ebu Velid! I dëgjove ato që këndova. Ja, pra, ti, ja ajo!”

Pasi u ngrit, doli jashtë për t’u kthyer te shokët dhe u afrua pranë tyre, politeistët që e panë, thanë:

“Vallahi, Ebu Velidi po vjen me një fytyrë shumë të ndryshme nga ajo me të cilën shkoi! Duket sikur ka ndryshuar shumë!

Dhe kur arriti, i thanë:

“Ç’ndodhi? Pa na trego!”

Utbe u tha:

“Vallahi, dëgjova një fjalë të tillë që nuk kisha dëgjuar gj të ngjashme me të gjer më sot! Ajo s’ishte as magji, as orakull, as poezi! Kur Muhammedi tha:

 “Po qe se e kthejnë fytyrën mënjanë, thuaju: “Ja ku po ju paralajmëroj me një rrufe të ngjashme me rrufenë që u ra në kokë Adit dhe Themudit!” (Fussilet, 13),

duke ia zënë gojën me dorën time për të mos kënduar më, i bëra be në emër të farefisnisë. Meqë e dija se çdo gjë e thënë nga Muhammedi ndodh po ashtu, u frikësova se mos na binte sipër ndëshkim!

O Kurejshë, dëgjomëni mua! Lëreni atë në punën e vet dhe hiquni mënjanë! Po qe se atë e vrasin arabët, shpëtoni prej tij me dorën e të tjerëve. Po qe se ai vendos sundimin mbi arabët, sundimi i tij është edhe sundimi juaj! Fuqia dhe nderi i tij do të thotë fuqia dhe nderi juaj! Kështu, në sajë të Muhammedit bëheni më të lumturit e njerëzve!”

Kurejshët i thanë:

O Ebul Velid! Ai të paska magjepsur edhe ty me gjuhën e vet!”

Atëherë, Utbe u tha kështu:

“Ky është mendimi im! Ju bëni si të doni!” (Ibni Hisham, I, 313-314; Ibni Kethir, el-Bidaje, III, 111-112)

Share.

Comments are closed.