Hz. Omeri (r.a.) ishte trembëdhjetë vjeç më i vogël se Profeti. Gjaku i tij bashkohej me atë të Profetit në atin e nëntë.

Politeistët qenë grumbulluar në Daru’n-Nedve që e kishin kuvend këshillimi dhe kishin vendosur ta vrisnin Profetin. Dhe, për këtë punë, kishin zgjedhur nga mesi i tyre Omer bin Hattabin që njihej si i guximshëm, trim dhe me natyrë të ashpër, dhe e kishin dërguar. Në një mënyrë krejt indiferente, Omeri doli në rrugë për ta vrarë Profetin. Në rrugë u takua me Nuajm bin Abdullahin (r.a.).

Duke dyshuar për situatën, Nuajmi e pyeti:

“O Omer, ku po shkon?”

“Po shkoj ta vras Muhammedin i cili e ka lënë fenë e etërve dhe ka sjellë një fe të re!” – Iu përgjigj Omeri.

Me qëllim për të fituar kohë, Nuajmi (r.a.) tejpamës i tha:

“O Omer, vallahi, ty të ka mashtruar vetvetja! A mos pandeh se, po ta vrasësh atë, kanë për të të lënë të gjallë të bijtë Abdimenaf? Ti bën mirë sikur të shohësh më parë punën e familjes tënde!”

Duke u zemëruar rëndë, Omeri e pyeti:

“Për kë e ke fjalën?”

“Për kë mund ta kem?” – Iu përgjigj Nuajmi (r.a.). Dhe vazhdoi: “Për tët kunat, Said bin Zejdin dhe tët motër, Fatime! Vallahi, që të dy janë bërë muslimanë!”

Duke e kuptuar qëllimin e shëmtuar të Omerit, Nuajmi (r.a.) e drejtoi atë në shtëpinë e së motrës duke fituar kohë për ta lajmëruar të Dërguarin e Allahut!

Këto fjalë të Nuajmit e zemëruan tepër Omerin. I nevrikosur jashtëzakonisht, ai u kthye drejt për në shtëpinë e së motrës.

Ndërkaq, pranë të motrës dhe kunatit ndodhej Habbab (r.a.), i cili po merrej me mësimin e Kur’anit. Në çastin kur e panë se Omeri po vinte drejt tyre me armiqësi, e fshehën Habbabin në një dhomë të shtëpisë. Kurse zonja Fatime e fshehu menjëherë fletën e Kur’anit.

Sa hyri në shtëpi, Omeri u sokëlliti:

“Ç’ishin ato fjalë që dëgjova?”

I kunati me të motrën i thanë:

“Duhet ta kesh dëgjuar gabim! Këtu s’ka ndonjë gjë të tillë!”

Omeri i kundërshtoi:

“Jo! Vallahi, e mësova se që të dy ju jeni bërë ndjekës të Muhammedit!”

Dhe iu sul të kunatit, kurse të motrën që hyri në mes, e qëlloi në fytyrë. Atëherë, Fatimja, i tha:

“Bëj ç’të duash, Omer! Po deshe, na vrit, por ne kurrë nuk heqim dorë nga të qenët muslimanë!…”

Ndërsa po i thoshte me zë të lartë këto fjalë me guximin e besimit, Fatimes (r.anha) po i rridhte një curril gjaku nëpër fytyrë…

Omeri që s’e priste një përgjigje të tillë nga e motra, u qetësua. Gjithashtu, duke parë gjakun në fytyrën e së motrës, ndjeu dhimbje. I penduar për ç’kishte bërë, u tha:

“Pa m’i jepni ato që po këndonit!”

“Por kemi frikë se mos i bësh ndonjë gjë fletës!” – I tha e motra. “Mos ki frikë!” – Ia ktheu Omeri. Ai u betua në emër të zotave se do t’ua kthente prapë pasi ta lexonte!

Duke shpresur se edhe ai do të bëhej musliman, zonja Fatime i tha:

“O vëlla! Ti nuk je i pastër për sa kohë u falesh idhujve! Mirëpo ai që s’është i pastër nuk mund ta prekë fletën e Kur’anit!”

Pasi Omeri u ngrit dhe bëri gusl, zonja Fatime ia dha fletën dhe ai nisi t’i këndonte ajetet240 që përmbante fleta:

“Ta-Ha. (O Muhammed!) Nuk ta zbritëm Kur’anin që të biesh në vështirësi, por vetëm si këshillë për atë që frikësohet nga Allahu!

(Kur’ani) Eshtë zbritur pjesë-pjesë nga ana e Allahut që ka krijuar tokën dhe qiejt e lartë. (Me fuqinë dhe sundimin e Tij) Ai zotëroi Arshin. Gjithshka ka në qiej, gjithshka ka në tokë, gjithshka ndodhen mes këtyre të dyve si dhe nën tokë, janë të tijët!

Edhe sikur ta shtjellosh (ose të mos e shtjellosh) fjalën ti, (gjë që është e njëllojtë), pa dyshim, Ai e di edhe të fshehtën, edhe atë që është më e fshehta!

Allahu është Ai, veç të cilit nuk ka zot tjetër. Emrat më të bukur janë të tijët!

(I dashuri im!) A të erdhi rrëfimi për Musain ty? Ai kishte parë një zjarr dhe i kishte thënë familjes së vet: “Qëndroni këtu ku jeni se më ra në sy një zjarr; ndoshta ju sjell një prush ose gjej pranë zjarrit një udhërrëfyes.” Kur arriti aty, nga ana jonë i arriti një thirrje: “O Musa, unë jam Zoti yt! Nxirri menjëherë këpucët se aty ku ndodhesh është Tuva, një vend i shenjtë. Unë të zgjodha ty dhe tani dëgjoji ato që do të të thuhen!

Pa dyshim, unë jam Allahu, veç meje s’ka zot tjetër! Prandaj adhuromë vetëm Mua dhe fal namaz për të më përmendur Mua! Sepse kiameti do të vijë patjetër. Kohën e tij e mbaj të fshehtë që secili të marrë shpërblimin e bëmave të veta. Kujdes, të të mos pengojë nga besimi dikushi që nuk i beson kiametit dhe bën sipas dëshirave dhe pasioneve të veta, se pastaj shkatërrohesh!” (Ta-Ha, 1-16)

Omeri që i këndoi këto ajete, ngriu në vend! Ai tha i mahnitur:

“Sa të bukura këto fjalë! Sa të çmuara!”

Oratoria e Kur’anit e kishte bërë gjer në fund për vete! Fjalët që këndoi, ishin plot të vërteta dhe urtësi që kurrë nuk mund t’i thoshte një njeri! Omeri u zhyt për një çast në mendime të thella.

Habbabi (r.a.) që i kishte dëgjuar fjalët e Hz. Omerit, doli nga vendi ku ishte fshehur dhe i tha:

“ O Omer! Vallahi, lutja e të Dërguarit të Allahut do të të bjerë ty në pjesë. Dje ai u lut kështu: “O Zot, forcoje Islamin me Ebul Hakem bin Hishamin ose Omer bin Hattabin!” O Omer, kije frikë Allahun!”

Hz. Omeri i tha Habbabit:

“O Habbab, më ço atje ku ndodhet Muhammedi që të bëhem musliman!”

Dhe menjëherë dolën në rrugë. Hapat e kësaj radhe, mes pasionit dhe emocionit të besimit, ishin të mbushura plot me dashurinë dhe dëshirën e njohjes së të vërtetës së të Dërguarit të Allahut!

Kur Hz. Omeri arriti te shtëpia e Erkamit, e priti Hz. Hamzai që ndodhej i gatshëm me shpatën në brez. Sepse, ndërkaq, Nuajmi (r.a.) i kishte lajmëruar për ç’kishin ndodhur. Kurse për ngjarjet e mëpastajme askush nuk dinte gjë.

I Dërguari i Allahut (s.a.s.) u ngrit dhe eci drejt Omerit. E takoi në oborr dhe e pyeti pse kishte ardhur. Hz. Omeri e shprehu qëllimin me këtë fjali të lumtur:

“Erdha të bëhem musliman, o i Dërguari i Allahut!”

Pas kësaj, duke shprehur se për çfarë është i aftë Zoti dhe si falenderim ndaj Tij, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) tha:

Allahu Ekber! Allahu është më i Madhi!

Sahabet që e dëgjuan këtë gjë, nisën të bënin tekbir me zë të lartë: “Allahu Ekber! Allahu është më i Madhi!” Kështu, të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) i ishte pranuar edhe një lutje tjetër!

Kur Hz. Omeri nisi për të folur, e para gjë që tha, qe Fjala e Dëshmisë që e shqiptoi me zemrën mbushur plot kënaqësi:

 “Dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe dëshmoj se Muhammedi është robi dhe i Dërguari i Tij!”

Lutja e Profetit i kishte rënë në pjesë Omer bin Hattabit, kurse Ebu’l-Hakem, i njohur me emrin Ebu Xhehl, do të merrte fund në gropën e fatziut ku kishte rënë!241

Pasi Hz. Omeri u bë musliman duke shprehur Fjalën e Dëshmisë në prani të të Dërguarit të Allahut, me propozimin e tij, të gjithë muslimanët dolën së bashku nga shtëpia e Erkamit dhe nisën të ecnin drejt Qabes duke shqiptuar tekbire.

Kjo situatë i dëshpëroi rëndë politeistët. Atëherë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i dha Hz. Omerit atributin “Faruk” (Diferencuesi) sepse ishte bërë shkak të diferencohej, të ndahej përfundimisht e vërteta dhe e drejta nga gënjeshtra dhe e shtrembra!242

Hz. Omeri i përshkruante më vonë ato ditë kështu:

“Nuk kishte kush që të ishte bërë musliman e të mos hiqte vuajtje e mundime, që të mos luftonte. Kurse mua askush nuk mund të më prekte. Thashë me vete:

“Unë s’dua të rri në paqe ndërsa muslimanët pësojnë ngatërresa e fatkeqësi të ndryshme!”

Atë natë që u bëra musliman, u mendova dhe vendosa të shkoja tek më armiku i të Dërguarit të Allahut ndër politeistët dhe t’ia thosha se isha bërë musliman. Kur u bë mëngjes, trokita në portën e Ebu Xhehlit. Ai doli në portë dhe më pyeti:

“Mirë se erdhe, Omer! Ç’të reja na solle?”

“Erdha të të them se u besova Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe se i vërtetova të gjitha gjërat e sjella prej tij!” – I thashë.

Atëherë ma mbylli derën sikur do të ma përplaste syve, duke më mallkuar!” (Ibni Hisham, I, 371)

Më pas, Hz. Omeri (r.a.) shkoi për t’ua dhënë këtë lajm të gëzuar njërit nga politeistët e tërbuar të Kurejshve, dajës së vet, Velid bin Mugires, si dhe dy politeistëve të tjerë armiq të së vërtetës, por asnjëri s’pati guximin t’i bënte gjë, veçse t’ia mbyllte derën syve duke u tërhequr vetë brenda me dëshpërim.

Abdullah b. Mes’udi (r.a.) thotë kështu:

“Bërja e Hz. Omerit musliman ishte një triumf, hixhreti i tij, një ndihmë, dhe kalifati i tij, një mëshirë! Gjersa u bë musliman Omeri (r.a.), ne s’falëm dot namaz hapur pranë Qabes. Pasi u bë musliman, ai u ndesh me politeistët dhe ata na lanë të lirë. Kështu mundëm të falnim namaz atje!” (Hejsemi, IX, 62-63)

Gjer në Hixhret, Hz. Omeri (r.a.) u përpoq me të gjitha forcat në Mekë për Islamin dhe, së bashku me muslimanët e tjerë, përballoi shumë mundime.

Share.

Comments are closed.