Ebu Hurejre (r.a.), transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë:

“I fortë, nuk është ai që fiton në dyluftim, por ai që përmban veten e tij kur zemërohet.”

-Muttefekun alejhi-

(Buhari, Edeb, 76; Muslim, Birr, 107-108.)

Shpjegime

I forti që lavdëron dhe vlerëson feja jonë, nuk është ai që mund kundërshtarin e tij në garë apo në mundje, por ai që kur është mbushur me urrejtje dhe zemërim, e pengon veten e tij nga fjalët dhe veprat e këqija. Për këtë arsye, në një Hadith , urdhërohet: “Lufta me veten (egon), është më e vështirë se lufta me armikun!”. Ndërsa në një Hadith tjetër thuhet: “Armiku yt më i përbetuar është vetja jote!” (shih. Axhluni, Keshfu’l-Hafa, I, 143.)

Nga një anë, Hadithi ynë vë në pah se lufta me kundërshtarët tanë brenda nesh, është më e vështirë se lufta me kundërshtarët jashtë nesh. Ndërsa nga ana tjetër, e orienton drejt së mirës aftësinë dhe shfaqjen e forcës, pa e mohuar atë. Në këtë mënyrë, besimtarët këshillohen që kur të përballen me rreziqe, të tregohen të duruar në momente zemërimi dhe urrejtjeje. Edhe nëse durimi nuk arrin ta eliminojë komplet urrejtjen dhe zemërimin, në raste të tilla, ai bëhet forcë parandaluese e veprave të këqija dhe të jashtëligjshme.

Ky Hadith , i cili do të përsëritet edhe në atë  me numër 648, paralajmëron në mënyrë të veçantë ata që e pandehin veten të fortë dhe që u pëlqen të duken trima, duke menduar se trimëria ndodhet tek demonstrimi i forcës. Pra, ky Hadith tregon se kush është i forti dhe trimi i vërtetë, duke i ftuar të gjithë besimtarët tek kjo lloj trimërie dhe demonstrimi të forcës. Në këtë kuptim, gara, mundja dhe lufta janë gjithmonë të mundshme. Prandaj, e domosdoshme është të zotërosh këtë forcë dhe trimëri.

Por, çfarë duhet bërë për të qetësuar një person, i cili pavarësisht çdo gjëje, është zemëruar tashmë? Përgjigjen e kësaj pyetje, e gjejmë në Hadithin e radhës.

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Lufta me veten (egon) dhe mbizotërimi i saj, është më e vështirë se lufta me armikun.
  2. Myslimani duhet të përpiqet të mos zemërohet, duke menduar dëmet që mund t’i shkaktojë si vetvetes, ashtu edhe shoqërisë.
Share.

Leave A Reply