Në kohën e Ibrahimit (a.s.), në zonën e Mesopotamisë mbizotëronin fetë me shumë zota. Sin-i, perëndia e Hënës, ishte më i madhi. Populli bënte buste dhe statuja që i përfaqësonin këto perëndi dhe i adhuronin ato. Në të majtë, shihet statuja e Sin-it, në kraharorin e të cilit shihet qartë forma e hënës në formë harku. Pranë shihen priftërinjtë të cilët po i çojnë flijimet perëndisë Sin. Në atë kohë, Ziguratat ishin ndërtesat më të përparuara në aspektin teknik, të cilat përdoreshin edhe si tempuj adhurimi edhe si observatorë astronomie. Atëherë adhuroheshin shumë yjet, dielli dhe hëna. Për këtë arsye, qielli kishte rëndësi shumë të madhe për popujt në atë kohë. Në figurë shihet një nga Ziguratat më të rëndësishme të Mesopotamisë.]

Populli keldanias mblidhej një herë në vit e bënte festë. Atë ditë, Azeri i tha Ibrahimit (a.s.):

“Eja edhe ti sot me ne të festosh!”

Ibrahimi (a.s.), u nis me ta, por u kthye nga rruga duke u arsyetuar se ishte sëmurë. Pastaj shkoi në tempullin e idhujve. Atje kishte idhuj të bërë prej argjendi, bakri dhe druri. Para tyre ishin vënë gjellë me qëllim që të begatoheshin. Idhulli më i madh ishte i vendosur mbi një fron të artë. Atë e kishin veshur me argjend dhe në kokë i kishin vënë një kurorë.

Ibrahimi (a.s.), përveç idhullit më të madh, i theu me sëpatë tërë idhujt e tjetër. Pastaj, sëpatën ia vuri në sup idhullit të madh. Kur u bë mbrëmje dhe populli u kthye në tempull, u shtangën nga habia para pamjes që u doli para syve. Më pas thanë, duke hamendësuar:

“Këtë punë vetëm Ibrahimi mund ta ketë bërë!”

Më pas, e gjetën Ibrahimin (a.s.) dhe e pyetën:

“Ti e ke bërë këtë?”

Ibrahimi (a.s.), u përgjigj:

“Idhulli i madh nuk donte që të adhurohej tjetërkush veç tij, prandaj edhe ishte zemëruar me të tjerët. Më në fund, i copëtoi që të gjithë me sëpatë. Pastaj e mori sëpatën dhe e hodhi në sup. Po deshët, shkoni e pyeteni vetë. Le t’ua thotë ai si qëndron puna!”

Idhujtarë thanë:

“Idhujt nuk flasin!”

Atëherë Ibrahimi (a.s.), u tha:

“Atëherë, si është e mundur që këto qenie të mjera t’ju mbrojnë ju, ndërkohë që ato s’e mbrojnë dot as veten dhe nuk mund të flasin? Ende nuk do vini mend?”

Kjo ngjarje, në Kuran tregohet kështu:

“Pastaj, ai (Ibrahimi) u përvodh te idhujt e tyre dhe u tha: «A nuk po hani? Ç’keni, përse nuk flisni?» Iu afrua atyre kalimthi, duke i goditur me dorën e djathtë!” (Saffat, 91-93)

“Dhe i bëri ata copa-copa, përveç idhullit të tyre më të madh, kështu që ata t’i drejtoheshin atij. Disa thanë: «Kush i bëri kështu zotat tanë? Me të vërtetë, ai është keqbërës!» Të tjerët u përgjigjën: «Dëgjuam një djalosh që i përgojonte, quhej Ibrahim. Atëherë silleni atë para syve të botës, që ata të dëshmojnë!» – thanë ata.

Ata e pyetën: «Ti i bëre kështu zotat tanë, o Ibrahim?»

Ai tha: «Jo! Këtë e ka bërë ky i madhi i tyre. Pyesni ata, nëse flasin!»

Atëherë ata i thirrën mendjes dhe i thanë njëri-tjetrit: «Me të vërtetë, ju vetë jeni keqbërësit.» Pastaj ulën kokat dhe i thanë: «Sigurisht që ti e di, se këta nuk flasin!»

Ai u tha: «Mos vallë, ju adhuroni në vend të Allahut gjëra që nuk mund t’ju sjellin kurrfarë dobie e as dëmi?! Mjerë ju dhe mjerë ata që ju i adhuroni në vend të Allahut! A nuk arsyetoni?!»” (Enbija, 58-67)

Pas këtyre fjalëve të Ibrahimit (a.s.), idhujtarët u bindën plotësisht se idhujt i kishte thyer Ibrahimi (a.s.). Mirëpo, këta idhujtarë mendjelehtë, në vend që të mendonin për dobësinë e këtyre copave të mjera të gurit e të ktheheshin tek besimi i Zotit të vërtetë, iu kthyen tërë zemërim Ibrahimit (a.s.), duke i thënë njëri-tjetrit:

“…«Digjeni atë dhe ndihmoni zotat tuaj, nëse doni të bëni ndonjë vepër!»” (Enbija, 68)

Hedhja e Ibrahimit (a.s.) në zjarr

Idhujtarët ia paraqitën çështjen Nemrudit, i cili e thirri Ibrahimin (a.s.). Çdokush që dilte para Nemrudit, në fillim binte në sexhde (vinte ballin në tokë) para tij. Mirëpo, Ibrahimi (a.s.), nuk bëri sexhde. Kur Nemrudi e pyeti për shkakun, Ibrahimi (a.s.), iu përgjigj:

“Unë nuk i bie në sexhde tjetërkujt veç Atij që na ka krijuar mua dhe ty!”

Nemrudi:

“Cili është Zoti yt?”

Ibrahimi (a.s.):

“Zoti im është Allahu që ngjall dhe vdes!..”

Nemrudi:

“Edhe unë ngjall dhe vdes!”

Dhe urdhëroi të sillnin nga burgu dy vetë. Njërin e vrau, kurse tjetrin e la të lirë. Më pas i tha Ibrahimit (a.s.):

“E sheh? Edhe unë e bëj këtë punë!”

Mirëpo, Nemrudi injorant, nuk e dinte se ngjallje do të thoshte të japësh shpirt, kurse vdekje, të marrësh shpirt. Prandaj, Ibrahimi (a.s.), i tha:

“Zoti im e sjell Diellin nga lindja. Po të kesh fuqi, sille ti nga perëndimi!”

Në Kuran, urdhërohet:

“…Ibrahimi i tha: «Allahu e sjell Diellin nga lindja. Sille ti nga perëndimi!» Atëherë, ai (mohuesi) mbeti me gojën hapur. Allahu nuk i udhëzon ata që janë keqbërës.” (Bekare, 258)

*

Komentuesi i Kuranit, Imam Bejdaviu, thotë se Nemrudi është injoranti i parë në botë që ka pretenduar për hyjnitet. Në vend që të falënderonte Allahun për pasurinë që i ishte dhënë, ai bëri të kundërtën dhe e mohoi Atë!

Lidhur me takimin e Ibrahimit (a.s.), me Nemrudin, ka dy transmetime.

I pari; pas thyerjes së idhujve, Ibrahimin (a.s.), e burgosin dhe, para se ta hidhnin në zjarr, e sjellin para Nemrudit.

I dyti; gjatë një viti zie, Nemrudi i shpërndante ushqime popullit. Dhe, çdo person të cilit i jepte ushqime, e pyeste:

“Kush është Zoti yt?”

Kur i erdhi radha Ibrahimit (a.s.), ai u përgjigj:

“Zoti im është Ai që jep jetë, vdes dhe ringjall përsëri!”

Nemrudi u zemërua shumë nga këto fjalë dhe nuk i dha ushqime Ibrahimit (a.s.). Përveç kësaj, ai mblodhi njerëzit e tij për t’u këshilluar se ç’ndëshkim duhej t’i jepnin Ibrahimit (a.s.). Një fatzi me emrin Henun, propozoi:

“Ta djegim në një zjarr të madh!”

Ky propozim u pranua dhe filluan përgatitjet për të djegur Ibrahimin (a.s.). Sipas transmetimeve, thuhet se për zjarrin që do ndizej, është bartur dru një muaj rresht. Populli injorant dhe kokëtrashë thoshte: “Ky njeri del kundër idhujve tanë!” Dhe, në këtë mënyrë bënin çmos për të mbledhur dru.

Drutë që u mblodhën, u ndezën dhe flakët e zjarrit ngriheshin deri në qiell. Për shkak të nxehtësisë së madhe, as zogjtë nuk mundeshin të fluturonin afër!

Kur mbaruan të gjitha përgatitjet, populli u mblodh pranë zjarrit. Ibrahimi (a.s.), u soll me duar e këmbë lidhur në pranga. Mirëpo, ai profet i madh, për shkak se ishte “Halilurrahman/mik i të Mëshirshmit”, pavarësisht nga zjarri i madh, ishte i qetë sepse i ishte dorëzuar dhe mbështetur plotësisht Zotit. Prandaj edhe në zemrën e tij s’kishte as frikën më të vogël!

Nemrudi dhe njerëzit e tij u këshilluan se si do ta hidhnin në zjarr. Më në fund, vendosën ta hidhnin me katapultë.

Melekët në tokë e në qiell, filluan të luteshin të habitur:

“O Zot! Ibrahimi që të përmend Ty më shumë se kushdo, po hidhet në zjarr! Ai është një profet që nuk të harron Ty as edhe një çast të vetëm! Na jep lejë t’i shkojmë në ndihmë!”

Pasi mori lejë, një melek i shkoi Ibrahimit (a.s.), e i tha:

“Erërat më janë dhënë nën urdhrin tim. Nëse dëshiron, unë e fik zjarrin!”

Një melek tjetër tha:

“Ujërat më janë dhënë nën urdhrin tim. Nëse dëshiron, unë e shuaj zjarrin në çast!”

Një melek tjetër tha:

“Toka më është dhënë nën urdhrin tim. Nëse dëshiron, unë e gëlltis zjarrin poshtë!”

Mirëpo, Ibrahimi (a.s.), u tha kështu melekëve:

“Mos hyni mes mikut dhe mikut. Unë pranoj ç’të dojë Zoti im! Nëse më shpëton, është prej mirësisë së Tij! Por në se më djeg, është për shkak të të metave të mia! Insh’Allah jam prej durimtarëve!”

Kur e kishin vënë në katapultë dhe po bëheshin gati ta hidhnin në zjarr, Ibrahimi (a.s.), thoshte:

“Hasbijallahu ve ni’mel vekil!” Mua më mjafton Allahu! Ç’kujdestar i mirë që është Ai!”

Ndërkohë që po binte mbi zjarr, erdhi Xhebraili (a.s.) dhe e pyet:

“A ke ndonjë dëshirë?”

Ibrahimi (a.s.):

“Po, kam, por jo prej teje!..”

Xhebraili (a.s.), i habitur, e pyet Ibrahimin (a.s.):

“Po pse nuk kërkon shpëtim prej Allahut?”

Ibrahimi (a.s.), u përgjigj:

“Ai e di hallin tim! Pastaj, me urdhrin e kujt digjet zjarri? Punë e kujt është të djegë?”

Lidhur me këtë, Allahu i Madhëruar e përmend Ibrahimin (a.s.), në Kuran duke e lavdëruar:

“dhe të Ibrahimit, i cili qëndroi besnik!” (Nexhm, 37)

Kthimi i  zjarrit në trëndafilishte

Më në fund, për shkak të këtij dorëzimi të plotë të Halilullahut dhe të mbështetjes së tij vetëm tek Allahu, pa rënë ende në zjarr, Allahu i Madhëruar e urdhëroi zjarrin:

يَا نَارُ كُونِي بَرْدًا وَسَلَامًا عَلَىٰ إِبْرَاهِيمَ

“O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin!” (Enbija, 69)

Me këtë urdhër, vendi ku ra Ibrahimi, u kthye menjëherë në trëndafilishte! Aty filloi të rrjedhë edhe një burim uji i ëmbël. Kur e pa këtë, Nemrudi u hutua. Pastaj, i emocionuar i tha Ibrahimit (a.s.):

“Tani do të pres katër mijë qe për hir të Zotit tënd!”

Kurse Ibrahimi (a.s.), tha:

“Në se ti nuk heq dorë prej devijimit dhe nuk kthehesh në besimin e drejtë, ato kurbane nuk kanë asnjë vlerë!”

Mirëpo, Nemrudi i tha:

“Unë s’mund ta sakrifikoj pasurinë dhe sundimin tim! Por prapë, do të pres kurban!..”

Dhe me të vërtetë, Nemrudi preu katër mijë qe. Madje, hoqi dorë edhe prej luftës kundër Ibrahimit (a.s.). Mirëpo për shkak të mendjemadhësisë, krenarisë dhe inatit, nuk besoi dhe mbeti me fatkeqët. Ndërsa një grup idhujtarësh, kur e panë këtë mrekulli të qartë, besuan dhe shpëtuan.

Ndërkaq, Ibrahimi (a.s.), i cili shpëtoi me ndihmën e Zotit prej zjarrit të Nemrudit, ua kujtoi mosbesimtarëve ndëshkimin e Zotit:

“Dhe ai tha: «Ju, në vend të Allahut, keni zgjedhur idhujt, për shkak të dashurisë midis jush në këtë jetë. Por, në Ditën e Kiametit do ta mohoni njëri-tjetrin dhe do ta mallkoni njëri-tjetrin. Streha juaj do të jetë zjarri dhe nuk do të ketë për ju kurrfarë ndihmësi.»” (Ankebut, 25)

*

Pas ngjarjes së hedhjes në zjarr, Allahu (xh.xh), me qëllim që Ibrahimi (a.s.) dhe ata që i kishin besuar, t’i kryenin të qetë adhurimet e tyre, sidomos për t’i mbrojtur prej ndëshkimit që do të binte mbi krye të Nemrudit dhe popullit keldanias, i urdhëroi besimtarët që të emigronin. Në këtë mënyrë, Ai e shpëtoi Mikun i Tij dhe besimtarët. Kjo ndodhi, në Kuranin Fisnik, tregohet kështu:

“Luti i besoi atij (Ibrahimit) dhe tha: «Unë do të mërgoj te Zoti im; me të vërtetë, Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.»” (Ankebut, 26)

Profeti Lut (a.s.), është djali i të vëllait të profetit Ibrahim (a.s.). Ndërkaq, nuk duhet menduar se Luti (a.s.), në fillim ka qenë mohues e pastaj ka besuar. Në ajetin ku bëhet e ditur se Luti (a.s.), i ka besuar Ibrahimit (a.s.), aludohet se ai është i pari që i ka besuar Ibrahimit (a.s.).

Shkatërrimi i Nemrudit dhe i popullit të Keldanit

Pas emigrimit në Babiloni të Ibrahimit (a.s.), mbi keldaniasit mendjemëdhenj e krenarë u lëshuan tufa mushkonjash si re pluhuri. Mushkonjat ua pinë gjakun idhujtarëve. Kështu, ata fatzinj u kthyen në kufoma të thara. Ndërsa një mizë i hyri Nemrudit nga hunda në tru. Për këtë arsye, Nemrudi arrogant, kishte marrë një shërbëtor, i cili i binte kokës së tij me tokmak për shkak të dhimbjes së rëndë. Më në fund, pas një goditje të fortë tokmaku i erdhi fundi edhe atij!

Në Kuran urdhërohet:

“Ata deshën ta lëndonin (Ibrahimin), por Ne i bëmë të dështonin.” (Enbija, 70; shih es-Saffat, 98.)

Si përfundim, Nemrudi dhe populli i tij fatkeq, të rrëmbyer nga pasuria e kësaj bote, krenaria dhe mendjemadhësia, u shndërruan në “kufoma të thata” me anë të mushkonjave që ua pinë gjakun, duke u bërë kështu, shembull për të gjithë njerëzimin!

 

Share.

Leave A Reply