Idhujt e kohëve moderne
DëgjoArtikullin Njerëzimi qysh nga kohërat më të hershme, ka qenë i lidhur me ushtrimin e praktikave religjioze. Sipas hermeneutikës materialiste të historisë, format e hershme të religjiozitetit të njeriut janë praktikat politeiste, të cilat derivuan nga pamundësia e shpjegimit shkencor…
Publikuar:

Dëgjo
Artikullin
Njerëzimi qysh nga kohërat më të hershme, ka qenë i lidhur me ushtrimin e praktikave religjioze. Sipas hermeneutikës materialiste të historisë, format e hershme të religjiozitetit të njeriut janë praktikat politeiste, të cilat derivuan nga pamundësia e shpjegimit shkencor të dukurive e fenomeneve me të cilat përballej njeriu i atyre kohërave. Nisur nga kjo pamundësi shpjeguese e asaj çka ngjante në natyrë apo në qiellin plot yje, njeriu primitiv ia atribuonte këto lëvizje dhe ndryshime fuqive të caktuara, të cilat ndikonin mbi ecurinë e jetës së njeriut dhe ngjarjeve që ndodhnin në tokë e në qiell. Me rrjedhën e kohës, praktikat religjioze filluan t’i përkushtoheshin jo më shumë fuqive përtejnjerëzore apo zotave, por një Zoti të Vetëm. Kësisoj lindi besimi monoteist. Sipas kësaj hermeneutike edhe monoteizmi është produkt i mendjes njerëzore të pandriçuar nga iluminizmi shkencor. Sipas hermeneutikës religjioze të universit, botës, njeriut dhe statusit që ka ky i fundit në botë, njeriu në hershmërinë e tij ka qenë monoteist dhe praktikat politeiste nuk janë gjë tjetër vetëm se devijim dhe shtrembërim i monoteizmit fillestar.
Për t’i rikujtuar njeriut politeist monoteizmin e pastër dhe rikthimin drejt tij, ngrihen dhe shfaqen përballë njerëzve njerëz të caktuar që pranojnë statusin e Profetit. Njeriu Profet, jo i vetëcilësuar i tillë, transmeton dhe kumton atë që i zbulohet nëpërmjet zbulesës. Esencialiteti i kumtimit qëndron në rikthimin drejt monoteizmit të pastër dhe braktisjen tërësore të besimit dhe praktikave politeiste. Nga ky këndvështrim monoteizmi është pamundësisht i derivueshëm nga politeizmi, i cili është derivat i shtrembërimit të monoteizmit nga mendja njerëzore. Në rrjedhën e kohës gjithmonë ka patur një vijë demarkacioni, tërësisht të qartë, midis monoteizmit dhe politeizmit, të cilët kanë kundërshtuar dhe kundërshtojnë paepësisht njëri-tjetrin. Monoteizmi në cilëndo etapë të historisë njerëzore mbi sipërfaqen e tokës, ka qëndruar plotësisht monotesit. Monoteizmi nuk ka as të shkuar e as të ardhme, as forma klasike e as forma bashkëkohore. Ai është i njënjëjtë.
Politeizmi, duke derivuar nga shtrembërimi i monoteizmit prej mendjes njerëzore, ka ndryshuar në rrjedhën e kohës format dhe praktikat e tij, herë në mënyrë eksplicite e herë në mënyrë implicite. Mund të flasim për forma klasike dhe moderne të politeizmit, por edhe në kohët moderne përhasemi me forma klasike të politeizimit. Në klasicitetin e vet politeizmi ngre dhe ndërton tempuj, që iu dedikohen zotave dhe perëndive që kanë kompetenca dhe fuqi për të kontrolluar rrjedhën e ngjarjeve dhe jetën e njeriut. Secili prej zotave është i mëvetësuar në zotërimin dhe fuqitë e tij, shpeshherë në konflikt dhe rivalitet me zotat e tjerë. Për të qëndruar më afër zotave dhe për të qenë më të lidhur me ta njeriu politeist, përmes imagjinatës dhe përfytyrimit, i ktheu imazhet e zotave në vepra konkrete nëpërmjet ndërtimit të statujave. Për të fituar bekimet dhe mëshirën e zotave, apo për të frenuar inatin dhe zemërimin e tyre njeriu politeist iu blatonte sakrifica dhe përnderime, nëpërmjet kryerjes së ritualeve të caktuara në vazhdimësi, apo në ditë dhe sezone të caktuara.
Ritualet marrin kuptim vetëm duke u ngritur përmbi themelin e dashurisë dhe nënshtrimit ndaj zotave. Përulja ndaj zotave, frika ndaj tyre, lutjet drejtuar atyre, sakrificat dhe blatimet të kryera për ta ishin shpërfaqje e dashurisë dhe nënshtrimit të zemrës së njeriut politeist ndaj politeizmit. Në këtë mënyrë adhurimi si fjalë dhe vepër merr kuptim vetëm në qoftë se zemra pranon dashurinë e plotë dhe nënshtrimin e plotë ndaj atij që adhuron. Në monoteizëm dashuria dhe nënshtrimi i plotë me frikë dhe shpresë është vetëm për Një Zot të Vetëm, me emra dhe cilësi absolute, ndërsa në politeizëm është për zotat të përzierë ose jo me cilësi njerëzore. Prej këndej kuptojmë se esenca e adhurimit nuk është rituali, por dashuria dhe nënshtrimi i plotë ndaj atij që adhuron dhe kushdo që gjendet në këtë gjendje, gjendet i implikuar në adhurim.
Sikundërse e përmendëm politeizmi shfaqet në forma të ndryshme në kohë dhe hapësirë edhe pse në thelbin e tij është shtrembërim i monoteizmit, pavarësisht formave dhe larushive me të cilat shfaqet. Në formën e tij klasike politeizmi shfaqet si adhurim i idhujve qofshin statuja, gurë, drurë, kafshë apo varre të vdekurish. Por çfarë ndryshoi në kohët moderne nga forma klasike e politeizmit dhe idhujtarisë? Me daljen në dritë të modernizmit shpjegimi për universin, botën, njeriun dhe statusin e tij në botë u ngrit mbi themelin e mohimit të shpjegimit tradicional. Modernizmi duke u bazuar tek racionalizmi, individualizmi dhe eksperimentalizmi, tërësisht njerëzake, dhe jo mbi truallin e metafizikës, ndjente neveri jo vetëm ndaj monoteizmit, por edhe ndaj formave klasike të idhujtarisë. Në këtë mënyrë modernizmi synonte çlirimin e arsyes njerëzore ndaj çdolloj forme idhujtarie dhe nga prangat e tradicionalizmit, po nëpërmjet arsyes.
Në këtë betejë të hapur ndaj obskurantizmit mesjetar dhe atij primitiv, modernizmi anashkaloi tërësisht një çështje tejet të rëndësishme tek njeriu, çështjen e zemrës. Esenca e adhurimit është e pamundshme pa hapjen e zemrës me dashuri dhe nënshtrim të plotë ndaj atij apo atyre që adhuron. Sipas këtij përcaktimi, duke qenë se zemra njerëzore gjendet gjithmonë në gjendje adhurimi, konkludojmë se zemra është krijuar posaçërisht për të adhuruar dhe për asnjë çast të vetëm nuk mund të jetojë pa adhurim. Adhurimi është ajri i saj. Në qoftë se nuk adhuron Krijuesin do të adhurojë çdo gjë tjetër. Vërtet modernizmi hodhi poshtë me neveri format klasike të idhujtarisë, por nuk preku thelbin e tyre, shtrembërimin e monoteizmit dhe devijimin prej tij. Format dhe ritualet klasike të idhujtarisë u hodhën poshtë, madje u luftuan ashpër, por idhujtaria mbijetoi duke marrë forma të reja e duke mbetur në thelb po e njëjta.
Format e reja të idhujtarisë janë meritë e modernizmit, që nuk bëri as më shumë e as më pak sesa hutoi njeriun modern me shkëlqimin e jashtëm të gjërave, duke e lënë peng të idhujtarisë edhe pse me të madhe trumbeton suksesin në çrrënjosjen e formave klasike të saj. Duke qenë se esenca e adhurimit është hapja e zemrës me dashuri e nënshtrim të plotë, nuk ka më rëndësi nëse përballë njeriut duhet të qëndrojnë objektet klasike të idhujtarisë. Në shoqërinë moderne ato janë zëvendësuar me narcizmin, paranë, komoditetin material, suksesin, makinat, femrat, meshkujt, paraardhësit, pasardhësit, sportistët, këngëtarët dhe aktorët, pushtetin, fuqinë, shkencën, teknikën,natyrën. Idhujt e kohëve moderne janë më joshës, më rrëzëllitës, më tërheqës për ata që kanë zemra dhe nuk mendojnë. Rrëshqitja drejt formave moderne të idhujtarisë mund të ndodhë në çdo moment dhe askush nuk mund të pohojë me siguri shpëtimin prej tyre, në qoftë se sinqeritetin dhe pastërtinë e zemrës së tij ndaj pranimit të monoteizmit nuk i ka bashkëudhëtarë të pandarë. Simptomat e idhujtarisë së kohëve moderne janë lehtësisht të konstatueshme.
Mjaft të shohësh turma njerëzish që ulërijnë kur shfaqet idhulli i tyre nën fanfarat e spektaklit, njerëz që zalisen e alivanosen në përpjekje për të prekur idhujt e tyre, njerëz që turren si të ndërkryer vetëm e vetëm ta ndjejnë nga afër praninë fizike të idhullit të tyre e të rrëmbejnë diçka prej tyre për ta ruajtur si talisman të shenjtë. Këto dhe plot shembuj të tjerë që mund të na ofrojë përditshmëria jetësore tregojnë qartësisht se modernizmi jo vetëm që nuk e çrrënjosi idhujtarinë klasike, por thjesht e ëmbëlsoi duke i ndryshuar pamjen e jashtme, për ta bërë më të pranueshme për masat e gjera. Kjo rrjedhë zhvillimesh ka sjellë dekadimin e vlerave shpirtërore të gjithësa që i kanë lejuar vetes të zgjedhin implikimin në të tilla rrjedha. Pasojat e zgjedhjes nuk do të jenë asnjëherë në pritje, ato janë të pranishme. “Mos ka ardhur vallë koha për të pushuar polemikat mbi Zotin dhe në vend të kësaj të bashkohemi, për të demaskuar format moderne të idoloadhurimit?” (E. Fromm, “Psikoanaliza dhe feja”, Tiranë 2002, faq. 109)
Nuredin Nazarko

