Pas çdo adhurimi që kryhet zemra dhe shpirti i besimtarit fitojnë hijeshi, virtyte dhe vlera shpirtërore të veçanta dhe të rralla, të cilat janë shumë të rëndësishme që njeriu të mund të shpëtojë nga cilësitë bruto të vetvetes në mënyrë që të shndërrohet në një besimtar të përkryer.

Umer bin Abdulaziz ka thënë:

“Namazi të shpie në gjysmë të udhës për tek Zoti, agjërimi të ndihmon të mbërrish tek porta e Tij, ndërsa sadakaja të mundëson të takohesh me Të.”

Po qe se do të analizohet me kujdes kuptimi i fjalës “dhurim”, do të vërehet se një urtësi e këtij adhurimi është superioriteti që i fal ai shpirtit, karakterit dhe personalitetit të njeriut duke e shpëtuar atë nga robëria e materies për ta ngritur drejt botës shpirtërore. Prandaj mund të thuhet se nga ky aspekt dhurimi është në mesin e adhurimeve të tjera që i fal shpirtit njerëzor përfitimin më të madh, “prehjen dhe qetësinë shpirtërore”.

Ali Isfehani e ka shprehur me këto fjalë këtë të vërtetë:

“…Kërkova të mësoja se si mund të mos punoja gjunahe dhe e gjeta zgjidhjen vetëm atëherë kur braktisja pjesën më të madhe të mubaheve me frikën se mos kryej diçka të dyshimtë fetarisht; kërkova rrugën që të jepja leht llogari dhe e gjeta shpëtimin tek heshtja; kërkova prehjen dhe qetësinë dhe e gjeta në dhurimin me bujari.”

Çdo besimtar është përgjegjës ndaj rrethit të tij dhe nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj klithmave të nevojtarëve dhe të shtypurve. Ai duhet të jetë i pushtuar nga emocionet që të falin bujaria, dhurimi, dhembshuria, altruizmi, zemërbutësia.

Allahu e ka shndërruar në shkak për njëritjetrin njerëzit në mënyrë që ata ta sigurojnë rizkun e tyre. Prandaj, të inter­esohesh për nevojtarin dhe të ndash për të pjesë nga begatitë që na ka dhuruar Allahu në këtë jetë është një virtyt sublim dhe një favor hyjnor. Zemra e besimtarit nuk gjen ngushë­llim përderisa ai nuk i fashit me anë të dhurimit klithmat e nevojtarëve.

Mevlana e ka shprehur me këto fjalë këtë të vërtetë:

“Dije mirë se, mbase të duket se pasuria që ke është duke të të dalë duarsh kur ti e dhuron atë, por në të vërtetë jeta shpirtërore e bamirësit fiton mijëra jetë!”

Pasuria e kësaj bote duhet fituar me qëllim fitimin e prehjes shpirtërore dhe lumturisë së ahiretit duke filluar me ndihmën material ndaj të afërmëve për të përfundua tek të ngratët, të papërkrahurit dhe të mjerët e shoqërisë. Po qe se fitimi i pasurisë bëhet me këtë qëllim vendin e ngurtësisë, sëmundjeve, krizave dhe shqetësimeve që i shkaktojnë zemrave kokëçar­jet dhe dyshimet e kësaj jete do ta zenë qetësisa dhe prehja shpirtërore.

Le ta dëgjojmë nga goja e bekuar e profetit ilaçin e shë­rimit të zemrës së ngurtë që përbën një ndër sëmundjet më të mëdha të ditëve.

“Po qe se dëshiron të të zbutet zemra, ushqe të varfërin dhe përkëdhele kokën e një jetimi!..” (Ahmed bin Hanbel, II, 263)

Mevlana shprehet kështu si të ishte duke e shpjeguar këtë hadith:

“Zemrat që mbyten në varfëri ngjasojnë me një shtëpi që e ka mbytur tymi. Në qoftë se dëshiron që t’ia dëgjosh hallin që kanë atëherë hap një dritare nga të dal ai tym dhe kështu shpirti yt të edukohet.”

Shpirtërat dhe zemrat e zbutura dhe të përsosura në sajë të dhurimeve me bujari përjetojnë gëzimin që të fal kundrimi i mbrojtjes hyjnore në këtë jetë në sajë të dhurimeve dhe bamirësive që kryejnë.

Pasuria që dhurohet bën që pjesa e mbetur të mos pakë­sohet, të mos humbasë, përkundrazi të begatohet në masë të sinqeritetit që qëndron pas këtyre dhurimeve. Pasuria që dhurohet në rrugën e Allahut do të begatohet ashtu sikurse një pemë frutore që kur ia krasisim degët bëhet edhe më e frytshme.

“Ata që e shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut, i shëmbëllejnë atij që mbjell një kokërr nga e cila dalin shtatë kallinj, ku secili kalli ka nga njëqind kokrra. Allahu ia shton (shpërblimin) edhe më tepër kujt të dëshi­rojë; Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.” (Bekare, 261)

Pasuria që nuk dhurohet dhe u shpërndahet të varfërve ngjason me ujin që nuk rrjedh dhe i vjen erë.

Zeqati dhe sadakaja e pastrojnë pjesën e pasurisë që mbe­tet dhe shndërrohen në një koracë brojtëse kundër fatkeqsive dhe kokëçarjeve që mund t’i bien në kokë dhuruesit. Në një hadith fisnik thuhet:

“Nxitoni të jepni sadaka, sepse fatkeqësitë nuk kalojnë përpara vendeve ku është dhuruar ajo.” (Hejthemî, Mexhmau’z-Zevâid, III, 110)

Në më shumë se 200 ajete të Kuranit fisnik urdhërohet dhurimi nga pasuria që zotërohet ose inkurajohen besimtarët për një gjë të tillë.

Share.

Leave A Reply