Enes Ibni Malik (r.a.), transmeton se njëherë, i Dërguari i Allahut (a.s.), kaloi pranë një gruaje e cila po qante (me kujë) në krye të varrit të fëmijës së saj dhe i tha:

“Ki frikë Allahun dhe bëj durim!” Gruaja i tha:

“Largohu prej meje, sepse ty nuk të ka rënë fatkeqësia që më ka rënë mua!”

Në fakt, gruaja nuk e kishte njohur Profetin (a.s.). Por, kur i thanë se ai ishte i Dërguari i Allahut (a.s.), ajo shkoi menjëherë tek dera e shtëpisë së tij. Pasi nuk gjeti asnjë roje tek dera, hyri brenda dhe, (duke dashur t’i kërkojë falje), tha:

“Nuk ju njoha!” I Dërguari i Allahut (a.s.), tha:

“Durim, është ai (që tregohet) në momentin e parë kur përballesh me fatkeqësinë!”

(Buhari, Xhenaiz 32, 43; Ahkam 11; Muslim, Xhenaiz 14-15. Shih. Ebu Daud, Xhenaiz 23; Tirmidhi, Xhenaiz, 13; Nesai, Xhenaiz 22.)

Shpjegime

Në Hadith, nuk është bërë i ditur emri i gruas për të cilën bëhet fjalë. Por, siç kuptohet edhe nga transmetimet, kjo grua ishte duke qarë me kujë për fëmijën që i kishte vdekur. Kjo, kuptohet nga fakti që i Dërguari i Allahut (a.s.), e ftoi atë të tregonte respekt ndaj Allahut të Madhëruar. Mirëpo, për shkak të gjendjes në të cilën ndodhej, ajo grua e shkretë, pa e parë se me kë ishte duke folur, ia ktheu me ashpërsi:

“Largohu prej meje! Ty nuk të ka goditur fatkeqësia që më ka goditur mua.” Përndryshe, është e pamundur që një mysliman të flasë në mënyrë të tillë edhe kur e njeh të Dërguarin e Allahut (a.s.). Pavarësisht kësaj, i Dërguari i Allahut (a.s.), nuk e trazoi më tepër dhe vazhdoi rrugën. Në fakt, nëse do ta kishte përsëritur këshillën e tij, kësaj here, gruaja mund të fliste edhe më ashpër. Dhe kjo, do ta bënte atë grua të binte në një gjendje më të keqe se ajo në të cilën ndodhej.

Më pas, një sahab, identiteti i të cilit nuk i bëhet i ditur, do ketë menduar se veprimi i kësaj gruaje mund të ishte për shkak të paditurisë dhe, për këtë arsye ai e pyeti:

“A e di kush është ai që të këshilloi me durim dhe frikë ndaj Allahut?” Kur gruaja i përgjigjet se nuk e dinte, ai i tregoi se këshilluesi ishte vetë i Dërguari i Allahut (a.s.). Gruaja e gjorë, e cila nuk ishte vetvetja për shkak të hidhërimit të madh, u shokua nga kjo dhe, duke harruar hidhërimin e saj për fëmijën, nxitoi menjëherë për tek i Dërguari i Allahut (a.s.), me qëllim që të kërkonte falje.

Nga shprehjet e Hadithit, kuptohet se gruaja ka menduar se do të gjente roje tek dera e Profetit (a.s.) dhe se mbase nuk do të mund të kishte mundësi të takohej me të. Sipas një transmetimi, gruaja i kërkoi të falur duke u betuar, “unë nuk të njoha!”. Ndërsa Profeti ynë (a.s.), i cili ishte një edukator shembullor, i tregoi asaj dhe për rrjedhojë, edhe gjithë Ummetit, se cili është durimi i vërtetë, duke i thënë: “Durim, është ai (që tregohet) në momentin e parë kur përballesh me fatkeqësinë!” Ai nuk e përmendi fare veprimin dhe fjalët e ashpra të gruas, sepse e rëndësishme, ishte që myslimanët të mësonin të vërtetën.

Dihet se njeriu mësohet dhe bën durim për çdo gjë me kalimin e kohës. E vështirë dhe e rëndësishme, është të bësh durim në momentin e parë që përballesh me fatkeqësinë. Pasi të ketë kaluar momenti parë, ndikimi i fatkeqësisë pakësohet dalëngadalë. Mirëpo, të gjendesh bosh në ato momente, mund të bëhet shkak i përfundimeve shumë të hidhura, si humbja e mendjes, e deri tek vetëvrasja.( Allahu na ruajt!) Për këtë arsye, është e domosdoshme që durimi të tregohet në momentin e parë të përballjes me situata të padëshirueshme, duke i kaluar ato momente me vetëpërmbajtje.

Durimi është i domosdoshëm më tepër në rastet e vdekjeve. Pjekuria e besimit të myslimanit, matet edhe me durimin që ai tregon në rastet e vdekjeve. Qarja e të vdekurit me kujë nga njerëzit, e sidomos nga gratë, nuk është ndonjë aftësi, ashtu siç pandehet. Aftësi e vërtetë, është ta kapërcesh atë moment të hidhur duke iu dorëzuar caktimit të Allahut. Rreziku që e pret njeriun në çaste të tilla, siç shihet edhe në Hadithin tonë, është shprehja e fjalëve që mund të nënkuptojnë refuzimin e Profetit (a.s.), e madje edhe të Allahut të Madhëruar. Kjo, sepse në momentet e hidhërimit, vullneti i njeriut është i dobët dhe, për këtë arsye, është shumë e vështirë që ai t’i kontrollojë fjalët e tij. Në momente të tilla, besimtarët e matur tregojnë dorëzim ndaj caktimit të Allahut, duke thënë: “Inna lil-lahi ue inna ilejhi raxhiun / Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi!”.

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Profeti ynë (a.s.), interesohej për njerëzit përreth, i këshillonte për punë të mira, i ndalonte nga të këqijat dhe sillej gjithmonë me butësi dhe mirësjellje.
  2. Është e domosdoshme të jemi të përgatitur ndaj reagimeve që mund të shfaqen ndaj këshillave që japim.
  3. Qarja e të vdekurit duke bërtitur dhe u çjerrë, është e ndaluar!
  4. Vizita e varreve është e lejuar!
  5. Gratë mund të bëjnë vizita në varreza, sepse i Dërguari i Allahut (a.s.), nuk e ndaloi këtë grua nga vizita e varrezave, por nga qarja me të bërtitur. Në fakt, vizita e varreve i kujton njeriut botën tjetër dhe bëhet shkas që ai të marrë mësim, e të mos jepet shumë pas kësaj bote.
Share.

Leave A Reply