Profeti Muhamed e priste me shumë mall muajin e shenjtë të Ramazanit. Gëzohej kur vinin tre muajt e mëdhenj dhe bënte dua me gjithë zemër:
“Zoti im, begatoje muajin Rexheb e Shaban dhe bëj të mundur ta mbërrijmë me shëndet të plotë muajin e Ramazanit.”

Ai e shtonte agjërimin në muajt Rexheb dhe Shaban, kurse për muajin e madhëruar të Ramazanit thoshte:

“Në Ramazan hapen plotësisht dyert e xhenetit, mbyllen krejtësisht dyert e xhehenemit dhe dobësohen shejtanët.”

“Xheneti ka tetë dyer. Emri i njërës prej tyre është Rejjan, nga e cila do të hyjnë vetëm agjëruesit. Kjo derë do të mbyllet kur të hyjë agjëruesi i fundit. Atyre që hyjnë nga kjo derë, do t’u shërbehet një pije, e cila do t’ua shuajë etjen.”
Syfyri i Profeti (a.s.).

Profeti e vlerësonte së tepërmi vaktin e syfyrit. “Kini kujdes zgjimin në syfyr, sepse ushqimi i syfyrit është i begatshëm!”- thoshte ai. Një ditë profeti ftoi për syfyr Irbaz Ibn Sarijen, të cilit iu drejtua: “Urdhëro në ushqimin e rëndësishëm!” Një herë tjetër, ai u shpreh kështu duke dashur të vinte theksin mbi rëndësinë e zgjimit për të ngrënë syfyrin: “Ushqimi i syfyrit është i bereqetshëm. Mos e lini pas dore! Qoftë edhe me një gllënjkë ujë bëni syfyr. Allahu (xh.sh.) së bashku me melekët e Tij lëshojnë mëshirën e tyre mbi ato që bëjnë syfyr.”
Iftari i Profeti (a.s.).

Allahu lumturohet nga përkushtimi i besimtarit në rrugën e Tij, nga respekti dhe dashuria që ushqen ai për Të. Iftari është koha më e mirë në të cilën shfaqet lidhja me Zotin dhe respekti ndaj Tij. Për këtë arsye, Profeti i kushtonte shumë rëndësi iftarit. Me të hyrë koha e iftarit, ai gëzohej si fëmijë, sepse e dinte që iftari gëzonte edhe Krijuesin e tij dhe besonte se iftari do të sjellë begati. Një ditë ai tha: “Bashkësisë sime nuk do t’i mungojë begatia dhe bollëku përderisa ata të nxitojnë të çelin iftar sa më parë.” (Buhari, Savm, 45)

Ai këshillonte bërjen e duasë para iftarit, sepse plotësimi i saj ishte i sigurt. Ai vetë bënte këtë dua: “ Zoti im! Agjërova për hatrin Tënd. Po e çel iftarin që Ti më dhuron.” Pastaj çelte iftarin me hurma kur i kishte, nëse i mungonin e çelte me ujë.
Bujaria e Profetit Muhamed (a.s.)

Në muajin e Ramazanit Profeti bëhej edhe më bujar. Ai bëhej edhe më bujar se erërat që frynin në tre muajt e madhërishëm. Çdo gjë që i binte në dorë, e shpërndante. Nëse i kërkohej diçka që e kishte, e jepte menjëherë; nëse nuk e kishte, e siguronte nëpërmjet të tjerëve. Kur e pyetën se cila është sadakaja më e pranueshme, ai tha: “Sadakaja që jepet në Ramazan.”
Adhurimi i Profetit në muajin e Ramazanit

Profeti i shtonte adhurimet nafile në muajin e Ramazanit. Ndër këto adhurime më kryesori ishte namazi i teravisë. Ai lexonte më shumë Kuran se herët e tjera gjatë këtij muaji të adhurimit, të duave dhe dhikrit. Çdo natë të këtij muaji profetin e vizitonte Xhebraili dhe së bashku ata të dy lexonin Kuran. Me përjashtim të Ramazanit të vitit të fundit të jetës së profetit Muhamed (a.s.), në të cilin Kuranin e lexuan dy herë nga fillimi deri në fund, në Ramazanet e viteve të tjera ata e lexuan Kuranin vetëm një herë.

Në ditët e fundit të Ramazanit, Profeti i shtonte edhe më shumë adhurimet dhe ibadetet. Mundësia që nata e Kadrit të ishte në 10 ditët e fundit të Ramazanit, e sidomos gjatë netëve të 25, 27 apo 29, e nxiste Profetin të qëndronte gjithë natën duke bërë ibadet me dëshirën që kjo natë të mos kalonte pa lënë gjurmë. Ai tha: “Kush fal namaz në natën e Kadrit duke besuar tek mirësia e saj dhe duke pritur shpërblimin vetëm nga Allahu (xh.sh.), do t’i falen të gjitha mëkatet.”
Në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, Profeti hynte në itikaf. Ai falte namaz, bënte dua, dhikër dhe ibadete të tjera. Të gjitha këto jepnin këtë mesazh: “Zoti im, erdha në portën Tënde! Unë nuk lëviz prej këtu në qoftë se Ti nuk e pranon pendimin tim”.

Share.

Leave A Reply