Pasi i ftoi në besimin e drejtë dy shokët e burgut që i kërkuan t’u komentojë ëndrrat, Jusufi (a.s.), u tha:

“O shokët e mi të burgut! Njëri prej jush do t’i shërbejë verë pronarit të vet, kurse tjetri do të kryqëzohet, e shpendët do të hanë prej kokës së tij. Kështu është caktuar kjo gjë për të cilën pyetët ju!

Jusufi i tha njërit prej këtyre të dyve, për të cilin e dinte se do të shpëtonte: «Më përmend mua te pronari yt!» Por djalli bëri që ai të harronte ta përmendte te pronari i vet dhe kështu, Jusufi mbeti edhe disa vjet në burg.” (Jusuf, 41-42)

Sipas disa komentuesve të Kuranit, fakti që Jusufi kërkoi ndihmë prej dikujt tjetër veç Zotit, ishte një veprim, që për profetët konsiderohet i gabuar. Për rrjedhojë, pasi kishte bërë pesë vite burg, Jusufi mbeti edhe shtatë vite të tjerë aty!

*

Prej Malik bin Dinarit, transmetohet se, kur Jusufi i tha kujdestarit të verës:

“Më kujto tek pronari yt!”, Allahu i Madhëruar, i tha:

“O Jusuf! Ke gjetur mbrojtës tjetër përveç Meje! Pra, edhe Unë do ta zgjas burgimin tënd!

Pas kësaj, Jusufi (a.s.), filloi të qante dhe tha:

“Zoti im! Për shkak të hidhërimeve dhe fatkeqësive të shumta, duhet të më jetë dobësuar zemra. Me lejen Tënde, këtej e tutje, nga goja ime s’ka për të dalë më një fjalë e tillë!”

Hasan Basriu (Allahu e mëshiroftë!), sa herë që lexonte këtë ajet, qante dhe thoshte:

“Kur hasim ndonjë vështirësi, vrapojmë menjëherë tek njerëzit. Vallë, si do të jetë fundi ynë në këtë gjendje?”

Profeti ynë (a.s.), ka thënë:

“Allahu e mëshiroftë vëllain tim, Jusufin! Po të mos i thoshte kujdestarit të verës: «Më përmend tek pronari yt!» pas pesë viteve në burg, nuk do të mbetej edhe shtatë vite të tjerë aty!” (Bursevi, Ruhu’l-Bejan, IV, 254.)

Mirëpo, fatkeqësitë, vështirësitë dhe vuajtjet e ndryshme që Allahu i Madhëruar u ka dhënë profetëve dhe të dashurve të Tij, nuk kanë qenë ndëshkim, por mirësi për ta!

Në një hadith fisnik, thuhet:

“Kur Allahu e do një rob, atëherë lëshon mbi të bela pas belaje!..” (Ali el-Muttaki, Kenzu’l-Ummal, III, 334.)

Ëndrra e mbretit të Egjiptit

“Dhe tha mbreti: «Kam parë në ëndërr shtatë lopë të majme, të cilat po i hanin shtatë lopë të dobëta dhe shtatë kallinj të gjelbër e shtatë të tjerë të tharë. O paria ime, më shpjegoni ëndrrën time, nëse dini t’i interpretoni ëndrrat!»

Ata thanë: «Këto janë ëndrra të ngatërruara e ne nuk dimë t’i shpjegojmë.»

Njërit nga ata dy që shpëtoi (nga burgu), iu kujtua pas një kohe e tha: «Unë do t’ju njoftoj për shpjegimin e kësaj (ëndrre), vetëm më dërgoni (te Jusufi)

(Shërbëtori) I tha: «O Jusuf, o njeri i drejtë! Na shpjego (ëndrrën) për shtatë lopë të majme, të cilat hahen prej shtatë lopëve të dobëta dhe për shtatë kallinj të gjelbër e shtatë tjerë të tharë, që të kthehem te njerëzit e ta dinë edhe ata.»

(Jusufi) Tha: «Do të mbillni shtatë vjet rresht. Prodhimin që do të korrni lëreni në kallinj, përveç një pakice që do t’ju shërbejë për të ngrënë, sepse pastaj do të vijnë shtatë vite të thata, të cilat do t’i harxhojnë ato që i keni ruajtur ju, përveç një pakice që mund të kurseni. Pastaj, pas këtyre do të vijë një vit plot shi për njerëzit, vit në të cilin ata do të shtrydhin (rrush, etj.)

Mbreti tha: «Sillmani atë!» Kur (Jusufit) i erdhi i dërguari, ai i tha: «Kthehu te mbreti yt e pyete: ç’patën ato gra që prenë duart e veta? Me të vërtetë, Zoti im i di dredhitë e tyre!»

Mbreti u tha (grave): «Si qe puna juaj kur deshët ta joshnit Jusufin?» Ato thanë: «Allahu na ruajt! Ne nuk dimë asgjë të keqe për atë.» Gruaja e Azizit (ministrit) tha: «Tani do të dalë në shesh e vërteta! Unë u përpoqa që ta joshja atë; ai është vërtet njeri i drejtë.»

(Jusufi) Tha: «(E kërkova këtë hetim) që ta dijë ai (Azizi), se unë nuk e kam tradhtuar gjatë kohës së mungesës së tij. Vërtet, Allahu nuk u jep fund të mirë dredhive të tradhtarëve.» (Jusuf, 43-52)

Zgjuarsia e  Jusufit            (a.s.)

Jusufi (a.s.), nuk donte të dilte nga burgu pa u njohur mbreti mirë me çështjen dhe para se vetë Azizi të tregonte versionin e vërtetë të çështjes. Kjo, sepse Jusufi (a.s.), dëshironte që kjo çështje të dilte në shesh dhe të gjithë ta dinin se ai ishte hedhur pa të drejtë në burg. Kështu që, duke përdorur mendjen, ai shfaqi një shembull të bukur durimi e maturie dhe i pengoi smirëzinjtë që ta ngatërronin më tepër çështjen. Ai pranoi të dilte nga burgu vetëm atëherë kur u vërtetua se të gjitha akuzat ndaj tij, ishin shpifje dhe të gjitha dyshimet për të u hodhën poshtë.

Diçka e ngjashme me kujdesin që tregoi Jusufi (a.s.), për të mos i lënë vend shpifjeve, i ka ndodhur edhe Profetit tonë (a.s.). Nëna e besimtarëve Safijje binti Hujej (r.anha), tregon:

I Dërguari i Allahut kishte hyrë në itikaf[1]. Një natë, e vizitova dhe bisedova me të. Më vonë, kur u ngrita për t’u kthyer në shtëpi, u ngrit edhe ai për të më dërguar në shtëpi. Në rrugë e sipër, u shkëmbyem me dy persona prej ensarëve (Allahu qoftë i kënaqur me ta!). Sapo e panë Profetin (a.s.), u munduan të largoheshin sa më shpejt prej aty. Mirëpo, i Dërguari i Allahut (a.s.), tha:

“Prisni! Më ngadalë!.. Gruaja që është me mua, është familja ime, Safijje bint-i Hujej.”

Ndërsa ata thanë:

“Allahu është i pastër dhe i Dërguari i Tij nuk mund të veprojë gjëra të papërshtatshme.

Pas këtyre fjalëve, Profeti (a.s.), thotë:

“Shejtani shëtit si gjaku në trupin e njeriut. Prandaj, kisha frikë se mos hidhte ndonjë mendim të keq apo dyshim në zemrën tuaj.” (Buhari, I’tikaf, 11; Muslim, Selam, 23-25.)

Duke u nisur nga rëndësia e madhe që ka ky fakt, Allahu i Madhëruar na e tërheq vëmendjen neve, robërve të Tij, duke thënë:

“Mos shko pas diçkaje për të cilën nuk ke dijeni. Vërtet, dëgjimi, shikimi dhe zemra; të gjitha këto do të merren në përgjegjësi.” (Isra, 36)

*

Jusufi (a.s.), e vërtetoi plotësisht se ishte i pafajshëm dhe u çlirua nga dyshimet që kishin njerëzit në lidhje me të. Megjithatë, për të mos u mashtruar nga dredhitë e egos, ai kërkoi mbrojtjen e Allahut dhe tha:

“Unë nuk e shfajësoj veten, sepse egoja/nefsi (i njeriut) është fort i prirë për të keqe, përveç atij që e mëshiron Zoti im. Me të vërtetë, Zoti im është Falës dhe Mëshirëplotë.” (Jusuf, 53)

Ndërsa një ajet tjetër, në lidhje me faktin se prej dëmeve të “nefsit emmare”, mund të të mbrojë dhe pastrojë vetëm Allahu i Madhëruar, urdhërohet:

“…Allahu pastron atë që dëshiron. Allahu dëgjon dhe di.” (Nur, 21) Dhe, me të vërtetë që, ajo që i takon robit të bëjë, është përgjërimi dhe strehimi tek Allahu me zemër të pastër.

Nëse dëshiron, Allahu e bën skllavin mbret

Si përfundim, mbreti e dalloi diplomacinë e hollë, zgjuarsinë dhe pastërtinë e qëllimit të Jusufit (a.s.) dhe tha:

“«Ma sillni atë, do ta marr pranë vetes.» Pasi bisedoi me të, i tha: «Qysh sot, ti ke pozitë të lartë dhe je i besuar.»” (Jusuf, 54)

Kur erdhi ora për të dalë nga burgu, Jusufi (a.s.), u la, veshi rroba të reja dhe u lut për shokët e tij të qelisë. Dhe, kur po dilte nga qelia, la një shënim në derën e saj:

“Ky është vendi i fatkeqësive, varri i të gjallëve, sheshi i grindjes së armiqve dhe i sprovimit të miqve!”

Më vonë, kur  hyri tek mbreti, u lut me këto fjalë:

“Allahu im! Më parë dhe më tepër se prej këtu, pres mirësi prej Teje! Ndërsa prej të keqes së tij, strehohem tek Madhështia dhe Fuqia Jote!”

Mbreti njihte shumë gjuhë. Mirëpo, Jusufi (a.s.), njihte më shumë gjuhë se ai. Kur e kuptoi këtë, u habit shumë dhe kërkoi që shpjegimin e ëndrrës së tij, ta dëgjonte edhe nga vetë Jusufi. Prandaj, Jusufi (a.s.), përsëriti edhe njëherë ato që i kishte thënë më parë të dërguarit të mbretit.

Mbreti, i mahnitur me interpretimin dhe shprehitë e bukura të Jusufit, e pyeti atë se, çfarë masash duheshin marrë në bazë të këtij interpretimi. Dhe, Jusufi (a.s.), përgjigjet:

“Në vitet e begata, duhet të mbillet më shumë dhe më pas të rezervohen. Në këtë mënyrë, gjatë viteteve të zisë, sigurojmë edhe jetesën tonë, por rrisim edhe eksportin, duke i sjellë fitime thesarit të shtetit.”

Kësaj here, mbreti pyeti:

“Mirë, po kush do ta bëjë këtë punë?” Ndërsa Jusufi (a.s.), u hodh e tha:

“Më cakto mua përgjegjës të depove të vendit, sepse unë jam ruajtës dhe njohës (i mirë i këtyre punëve) (Jusuf, 55)

Siç kuptohet prej këtij ajeti, është e lejueshme që një njeri i aftë në zbatimin e ligjeve dhe të drejtësisë, të kërkojë vetë një detyrë administrative. Mirëpo, nuk mund të pranohet që myslimanët të garojnë mes tyre, duke rendur pas dëshirave dhe ambicieve për pushtet.

Veçanërisht, ky ajet fisnik, lë të kuptohet se, për të vendosur drejtësinë dhe sundimin e ligjeve të Allahut në tokë, është detyrë e atyre që kanë aftësi, që t’ia marrin nga dora pushtetin drejtuesit mizor. Mirëpo, kjo është një detyrë e vështirë dhe me përgjegjësi të madhe. Për rrjedhojë, kjo u përket atyre që e meritojnë.

Pikërisht dhe Jusufi (a.s.), për shkak se i plotësonte maksimalisht të gjitha kushtet e kësaj detyre dhe për shkak se edhe situata e shtyu në këtë vendim, me qëllim që të përmirësonte gjendjen e vendit, ai mori përsipër ministrinë e ekonomisë.

“Dhe kështu, Ne i dhamë Jusufit pozitë në atë vend dhe ai kishte çfarë të dëshironte. Ne e shpërblejmë me mëshirën Tonë kë të duam dhe, punëmirëve nuk ua humbim shpërblimin. Ndërsa shpërblimi i jetës tjetër është më i mirë për ata që besojnë dhe e kanë frikë Allahun.” (Jusuf, 56-57)

Duke i dhënë lejë për të përdorur edhe të gjitha kompetencat e veta, mbreti i la në dorë Jusufit (a.s.), të gjithë administrimin e Egjiptit!

Ndërkohë, si një rob dhe i dërguar i zgjedhur i Allahut, Jusufi (a.s.), filloi t’i ftojë njerëzit në besimin në një Zot. Pas një farë kohe, me udhëzimin e Allahut, mbreti pranon besimin në një Zot, përpara Jusufit (a.s.). Gjithashtu, bashkë me të besuan edhe shumë njerëz të tjerë afër tij.[2]

*

Sapo mori detyrën e menaxhimit të vendit dhe ekonomisë, Jusufi (a.s.), filloi t’i japë rëndësi bujqësisë, duke e shtuar prodhimin. Ndërsa drithërat që tepronin nga përmbushja e nevojave, i vendosi nëpër hambarë. Kur erdhën vitet e zisë, të cilat u parashikuan në komentimin e ëndrrave të mbretit, prodhimet e rezervuara u përdorën edhe për popullin e Egjiptit, por u eksportuan edhe në vendet e tjera përreth Egjiptit, duke i siguruar të ardhura thesarit të shtetit. Njerëzit që vuanin nga uria në vendet e tyre, vinin tek Jusufi dhe blinin drithë.

Martesa me Zulejhanë

Gjatë kësaj kohe, Zulejhaja ia kishte shpërndarë popullit çdo gjë që kishte pasur në dorë dhe s’i kishte mbetur asgjë. Për shkak të dashurisë për Jusufin, lotët e syve i ishin tharë dhe trupi i ishte vyshkur aq shumë, saqë nuk ndryshonte nga një grua plakë. Më në fund, u mbyll në një banesë të braktisur në rrugën nga kalonte Jusufi (a.s.). Duke kujtuar ato që i kishin ndodhur deri atë ditë, e kuptoi të vërtetën dhe, duke i dalë para idhullit që i falej, i tha:

“Turp të kesh ti dhe ajo që të është falur ty! Nuk tregove pikë mëshire për këtë pleqërinë, verbërinë dhe varfërinë time! Prej sot e tutje po të mohoj dhe po i besoj Zotit të Jusufit!..”

Prej asaj dite, Zulejhaja filloi të përmendë mëngjes e mbrëmje Zotin, Krijuesin e gjithçkaje, Atë që nuk ka të ngjashëm dhe ortakë.

Një ditë Jusufi (a.s.), kaloi në rrugën përpara shtëpisë së Zulejhasë, i hipur mbi kalë, së bashku me shoqëruesit e vet. Zulejhaja doli nga shtëpia dhe thirri nga pas me zë të lartë:

“I madhëruar qoftë Ai, që me fuqinë e Tij, i bën mbretërit skllevër për shkak të gjynaheve, ndërsa skllevërit, i bën mbretër për shkak të devotshmërisë së tyre ndaj të Vërtetit (Zotit)!..”

Me lejen e Allahut, era e çoi këtë zë në veshin e Jusufit (a.s.), i cili ishte goxha larg. Kur e dëgjoi, Jusufi (a.s.), pyeti për hallin e të zotit të këtij zëri që nuk e njohu. Ekipit që shkoi për të marrë vesh këtë çështje, Zulejhaja, u tha se hallin e saj mund ta zgjidhte vetëm Jusufi. Kur doli përpara Jusufit (a.s.), Zulejhaja i kërkoi atij që t’i lutej Allahut, që t’ia kthente përsëri sytë dhe bukurinë e mëparshme. Më pas, kërkoi të martohej me të.

Jusufi (a.s.), iu lut Allahut dhe Zulejhasë iu plotësuan dy dëshirat e para. Pra, me lejen e Allahut, asaj iu dha shikimi dhe bukuria e mëparshme. Mirëpo, në lidhje me dëshirën e tretë të Zulejhasë, Jusufi uli kokën dhe u zhyt në mendime. Atë moment, erdhi Xhebraili (a.s.) dhe në lidhje me Zulejhanë, e cila ishte ende e virgjër, i tha:

“O Jusuf! Zoti yt të çon selam dhe të urdhëron të mos e refuzosh propozimin e kësaj gruaje të gjorë! Martohu me të, sepse ajo është gruaja jote në këtë botë dhe në botën tjetër!”

Pas këtij urdhri hyjnor, Jusufi vuri kurorë me Zulejhanë dhe duke i ngritur duart nga qielli u lut në këtë mënyrë:

“O Allahu im, Mëshiruesi i mëshiruesve që më ke dhuruar gjithë këto të mira!.. Të pafundme qofshin falënderimet dhe lavdërimet për Ty!

O Zot! Të lutem plotësoi mirësitë e Tua mbi mua; më tako me babanë tim Jakubin, ndriçoja sytë duke më parë mua dhe më jep mundësi për t’u takuar me vëllezërit e mi! Ti je Ai që pranon lutjet, Ti ke fuqi për çdo gjë!”

 

 

[1] -itikaf: Ngujimi për disa ditë në një vend të caktuar, për të kryer adhurime të vahzhdueshme. Shembull për këtë, është “itikafi” që bëhet në dhjetë ditët e fundit të muajit të Ramazanit, ku besimtarët që dëshirojnë, ngujohen në një xhami për dhjetë ditë rresht, për të kryer sa më shumë adhurime në këtë muaj të bekuar.

[2] – Sipas të dhënave historike, i vetmi faraon që ka besuar në një Zot të vetëm, ka qenë Akhenatoni, i cili njihet edhe si Amenhotep IV. Ky faraon mendohet të ketë jetuar në kohën e Jusufit (a.s.). Po nga të dhënat historike, mësojmë se në kohën e Perandorisë Osmane, piramidat e Egjiptit, janë njohur me emrin “Hambarët e Jusufit”, gjë e cila tregon se piramidat, ndryshe nga sa thonë disa historianë (që kanë qenë thjesht varre të faraonëve), ato janë përdorur si hambarë drithi. Tashmë është i mirënjohur fakti se, piramidat kanë një veçori të jashtëzakonshme të konservimit të ushqimeve, të cilat në kushtet e motit të nxehtë të Egjiptit, nuk do të mund të ruheshin kurrë jashtë apo në hambarë të thjeshtë.

Share.

Leave A Reply