Lidhur me krijimin e nënës sonë Hava prej Ademit (a.s.), Allahu i Madhëruar, urdhëron:

هُوَ الَّذِي خَلَقَكُم مِّن نَّفْسٍ وَاحِدَةٍ وَجَعَلَ مِنْهَا زَوْجَهَا لِيَسْكُنَ إِلَيْهَا

“Është Ai që ju krijoi nga një njeri i vetëm (Ademi), prej të cilit krijoi edhe bashkëshorten e tij (Havanë), që të gjente qetësi tek ajo. (A’raf, 189)

Ashtu siç u parashtrua edhe në fillim e vetmja qenie që ekzistonte në amshim ishte Zoti. Më pas, me dëshirën dhe vullnetin e Allahut, u shtuan qeniet dhe u krijua kjo gjithësi që quhet “bota e shumëllojshmërisë”. Kjo me qëllim që të shfaqet dashuri për njohjen e Zotit. Për rrjedhoje shkaku i krijimit të çdo qenieje është dashuria. Kjo vlen edhe për Ademin (a.s.). Ndërkaq synimi më i lartë i kësaj dëshire dhe dashurie është kthimi në origjinë, domethënë prirja për t’u kthyer tek Zoti. E për këtë nevojitej një fillim i llojit “periudhë përgatitore”.

Allahu i Lartë, i cili e ka bërë unitetin të posaçëm vetëm për Veten e Tij, çdo qenie tjetër e ka krijuar në çift të dy gjinive kontradiktore të cilave u ka frymëzuar një tërheqje ndaj njëri-tjetrit. Kështu, kjo gjithësi, në molekulat, qelizat, bimët, kafshët, njerëzit e gjer në elektronet dhe protonet që përbëjnë atomin, është kushtëzuar ndaj një ligji krijimi çift të çuditshëm e të detajuar  me natyrën e gjërave. Lidhur me këtë Allahu i Madhëruar, urdhëron:

وَمِن كُلِّ شَيْءٍ خَلَقْنَا زَوْجَيْنِ لَعَلَّكُمْ تَذَكَّرُونَ

“Dhe nga çdo gjë, Ne kemi krijuar dy palë, në mënyrë që ju të vini veshin!” (Dharijat, 49)

Prirja e ekzistencës për t’u kthyer nga bota e shumëllojshmërisë, që është kjo botë, tek Allahu, pra andej nga ka ardhur, është edhe e natyrshme, por edhe e domosdoshme. Ja, pra, me qëllim që të bëhet urë për të kaluar tek Allahu, tërheqja e gjinive të kundërta drejt njëra-tjetrës për t’u bashkuar, është një prirje e natyrshme. Njëkohësisht, Zoti e ka bërë këtë prirje pretekst për vazhdimësinë e brezave të qenieve të gjalla.

Nga ana tjetër, njeriu, i cili e ka prejardhjen prej Zotit, do të jetë në kurbet për aq kohë sa ndodhet larg Zotit. Kurbeti karakterizohet nga vetmia, dëshpërimi dhe, si rrjedhojë e këtyre, nga dhimbja. Atëherë, tek njeriu lind nevoja e një ngushëllimi dhe qetësimi. Për shkak se çdo gjë tjetër përveç Allahut ndjen nevojë për ngushëllim dhe qetësim, edhe njeriu që është në kurbet, ka nevojë për dikë që do ta ngushëllojë. Të gjitha këto veçori të natyrshme, bënë  të domosdoshme që Ademi (a.s.), i cili gëzonte mirësi të pafundme në xhenet, të kërkonte një të ngjashëm nga lloji i vet.

Ja pra, me këto arsye Ademi (a.s.), i kërkoi Allahut një shoqe nga lloji i vet. Prandaj, Allahu krijoi Havanë nga lloji i tij. Nga transmetimet që vijnë prej Ibn Abbasit dhe Ibn Mes’udit (r.anhuma), pasi Ademi (a.s.), u vendos në xhenet, shëtiste i vetëm në xhenet. Një ditë kur u zgjua nga gjumi, pranë vetes pa një njeri tjetër që i rrinte tek koka dhe e pyeti:

– Kush je ti?

– Unë jam një grua – tha ajo. Kur Ademi (a.s.), kërkoi të mësonte pse ishte krijuar, ajo i thotë:

– Allahu më krijoi që ti të arrish qetësinë dhe paqen.

Sipas një hadithi të transmetuar në sahihun e Buhariut, Profeti ynë (a.s.), ka thënë:

“Silluni mirë me gratë, sepse gruaja është krijuar nga brinja. Dhe, pjesa më e përkulur e brinjës, është pjesa e sipërme. Nëse përpiqesh ta drejtosh, thyhet. Nëse e lë siç është, do të jetë gjithmonë e shtrembër. Prandaj, silluni mirë me gratë!” (Buhari, Enbija, 1.)

Allahu i Madhëruar, për nga aspekti i ndjenjave, gruan e ka krijuar më të pasur se burri. Në ajetet 5, 6 dhe 7 të sures Tarik, Allahu tregon për mënyrën e krijimit të fëmijës, duke thënë: “Le të meditojë njeriu se prej çfarë është krijuar: është krijuar prej një lëngu që hidhet e që del ndërmjet shtyllës kurrizore dhe brinjëve!” Nga kjo, kuptohet se “sulb” (lëngu i burrit), del nga pjesa e shtyllës kurrizore, ndërsa “teraib”, pjesa që vjen nga gruaja, del prej brinjëve, të cilat janë pranë zemrës. Kjo, është një tregues i pasurisë së botës së ndjenjave që zotëron gruaja. Allahu i Madhëruar, ia ka dhënë gruas këtë pasuri ndjenjash, për shkak se ruajtja dhe edukimi i brezave i takon pikërisht asaj. Për këtë arsye, duhet sjellë mirë me gratë. Babai, nuk mund të kujdeset për fëmijën ashtu siç bën nëna. Nëna çdo çast jeton me vuajtjen e fëmijës dhe jeton me shqetësimin dhe dashurinë për të. Nëse fëmija nuk ha dhe nuk pi, nëna shqetësohet jashtë mase. Për këtë arsye, haku i nënës nuk mund të lahet kurrë.

Pasi Allahu e lidhi personalisht kurorën e Ademit (a.s.) dhe nënës sonë Hava, në prani të melekëve, i urdhëroi:

“O Adem! Bano ti dhe bashkëshortja jote në Xhenet dhe hani ç’të dëshironi, por mos iu afroni kësaj peme, se bëheni keqbërës!” (A’raf, 19)

 

Share.

Leave A Reply