Ebu Said Sa’d Ibni Malik Ibni Sinan el-Hudri (r.anhuma), transmeton se, një pjesë prej myslimanëve të Medinës, kërkuan disa gjëra nga i Dërguari i Allahut (a.s.) dhe ai ua dha. Më pas kërkuan përsëri dhe i Dërguari i Allahut (a.s.), u dha atyre derisa i mbaruan të gjitha ato që kishte. Kur mbaruan gjërat që mund të jepte, ai iu drejtua atyre dhe u tha:

“Nëse do të kisha diçka, nuk do ta kurseja, por do ta jepja. Kush ruhet nga lypja dhe sillet me dinjitet, Allahu do t’ia shtojë dinjitetin. Kush dëshiron të jetë syngopur, Allahu e ruan atë nga të qenit nevojtar ndaj të tjerëve. Kush përpiqet të durojë, Allahu i jep durim. Askujt nuk i është dhënë një dhunti më e mirë dhe më e madhe se sa durimi.”

(Buhari, Zekat 50, Rikak 20; Muslim, Zekat 124. Shih. Ebu Daud, Zekat 28; Tirmidhi, Birr 77; Nesai, Zekat 85.)

Shpjegime

Në Hadithin e mësipërm, theksuam se durimi është “ndriçues”. Ndërsa këtu, tregohet se durimi ndaj nevojave materiale, është më kryesorja ndër të gjitha çështjet për të cilat duhet bërë durim.

Është një realitet historik se, Profeti (a.s.), ishte i vetmi autoritet njerëzor, ku myslimanët drejtoheshin për nevojat e tyre. Kushdo që binte në vështirësi, stresohej, mbetej i uritur, etj., shkonte menjëherë tek Profeti (a.s.) dhe kërkonte zgjidhje prej tij. Ndërsa Profeti (a.s.), nuk ngurronte dhe nuk përtonte kurrë në gjetjen e zgjidhjeve për çështjet e myslimanëve. Siç kuptohet edhe prej Hadithit, ka ndodhur që i Dërguari i Allahut (a.s.), e jepte gjithçka që kishte në dorë. Por, kur ata vazhdonin të kërkonin përsëri, ai u thoshte me mirësjellje: “Nëse do të kisha diçka për të dhënë, nuk do t’jua kurseja kurrë”. Më pas, për t’i mësuar dhe për t’i edukuar myslimanët, u kujtonte atyre se, megjithëse lypja dhe kërkimi nga të tjerët është një mënyrë për të plotësuar nevojat, qëndrimi që duhet të mbajë një mysliman, është të mos i shtrijë dorën askujt dhe të mos e ulë dinjitetin e tij njerëzor, sepse ata që veprojnë kështu, Allahu nuk i bën nevojtarë ndaj të tjerëve. Durimi do ta forcojë edhe më tepër njeriun në përballimin e skamjes dhe vështirësive. Ai mësonte se durimi, është një cilësi që e rinovon vetveten. Shprehja e tij se, “kush përpiqet të bëjë durim, Allahu do t’i japë durim”, tregon qartë se fuqia që siguron durimin, është vetë durimi.

Nuk duhet harruar se, ka edhe nevoja që nuk plotësohen me të lypur. Ngopja e syrit dhe e zemrës, është një rrugë shumë më e shëndetshme dhe më dinjitoze, se sa arritja e diçkaje me ndihmën e të tjerëve. Kjo i ka hije besimtarit. Kjo duhet të jetë edhe arsyeja që i Dërguari i Allahut (a.s.), në pjesën e fundi të Hadithit, ka tërhequr vëmendjen në një të vërtetë absolute: “Askujt nuk i është dhënë një mirësi më e mirë dhe më e madhe se durimi”.

Nga ana tjetër, edhe dhënia e ka një fund e një kufi. Mirëpo, durimi është një mirësi e tillë, që përfshin çdo fazë të jetës dhe i siguron të zotit ruajtjen e nderit dhe dinjitetit në çdo situatë. Në Hadithin e mëparshëm, durimi ishte përkufizuar si “zija / ndriçues”. Ndërsa këtu , është përkufizuar si “një mirësi e madhe që përfshin gjithë jetën” dhe është vënë në pah se si ndikon ndriçimi i tij tek jeta e njeriut. Dhe me të vërtetë që, durimi e bën njeriun të panevojshëm për shtrirjen e dorës, qoftë tek i miri, qoftë tek i ligu… Ai është një mirësi Hyjnore shumë e madhe dhe ndikuese.

Njeriu që nuk di të bëjë durim, qoftë i pasur apo i varfër, ai përherë ndihet i shqetësuar, i pangopur dhe i pakënaqur. Pra, ai është gjithmonë i uritur. Mirëpo, në sajë të durimit, njeriu mund ta frenojë vetveten. Durimi është mburoja më e sigurt e besimtarit përballë rrezikut të varfërisë dhe të pasurisë, të dhimbjes dhe të gëzimit, të fatkeqësisë dhe të mirësisë.

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Profeti Muhame(a.s.), ishte bujar shumë i madh.
  2. Durimi është një mirësi që përfshin gjithë jetën dhe një virtyt shumë i lartë.
  3. Allahu i jep sukses atij që përpiqet të bëjë durim.
  4. Durimi i jep njeriut mundësinë të bëjë një jetë dinjitoze përballë nevojave materiale.
  5. Pasuria e vërtetë, është zemra e ngopur dhe e kënaqur.
Share.

Leave A Reply