Lëvizjet totalitare
Prirjet totalitariste nuk ishin thjesht simptomë e shek. XX, porse në këtë shekull u kristalizuan në lëvizje me tipare dhe qëllime të qarta. Gjithsesi nuk ndërmendim që lindjen, zhvillimin dhe institucionalizimin e lëvizjeve totalitariste ta përcaktojmë thjesht dhe vetëm në…
Publikuar:

Prirjet totalitariste nuk ishin thjesht simptomë e shek. XX, porse në këtë shekull u kristalizuan në lëvizje me tipare dhe qëllime të qarta. Gjithsesi nuk ndërmendim që lindjen, zhvillimin dhe institucionalizimin e lëvizjeve totalitariste ta përcaktojmë thjesht dhe vetëm në një kontekst të caktuar të rrethanave historike, edhe pse këto të fundit dëshmojnë shumëçka për shfaqjen, organizimin dhe implementimin e lëvizjeve totalitariste.
Shfaqja në skenën e historisë njerëzore të lëvizjeve totalitariste nuk është e lidhur ngushtësisht dhe vetëm me faktorët materialë.
Lëvizjet totalitariste janë të lidhura ngushtësisht me masat, pasiqë pa masat ato as që do të ekzistonin. Interesant është fakti që lëvizjet totalitariste mbështeten nga masat që “…formojnë shumicën e atij numri të madh të njerëzve neutral, politikisht indiferentë që kurrë nuk hyjnë në ndonjë parti dhe vështirë se shkojnë ndonjëherë tek kutitë e votimit.”[1] Por “indiferenca ndaj çështjeve publike,asnjëanësia ndaj problemeve politike nuk janë në vetvete shkak i mjaftueshëm për lindjen e lëvizjeve totalitare.”[2]
Lëvizjet totalitare edhe pse të vendosura gjeografikisht në vende të ndryshme dhe në kontekste të ndryshme të rrethanave historike, shpërfaqin tipare të përbashkëta në mënyrën e funksionimit të strukturës së tyre dhe implementimit të saj, përmes ushtrimit të pushtetit mbi masat, pasi pushteti për lëvizjet totalitariste nuk ishte qëllim në vetvete, por instrument për realizmin e një qëllimi madhor.
Fillet e lëvizjeve totalitare në kontekstin historik, janë të lidhura kryekëput me emra konkretë të udhëheqësve të tyre si B. Musolini, A. Hitleri, Lenini, Stalini, emra përmes të cilëve identifikoheshin këto lëvizje. Fillimisht udhëheqësit e lëvizjeve totalitare pas krijimit të formacioneve politike, pranuan të qenit pjesë e garave elektorale për pushtet. Të qenit pjesë e garës elektorale dhe për më tepër të pakonsoliduara si forca potenciale politike, nuk iu dha kënaqësinë e fitimit të pushtetit përmes konkurencës politike. Udhëheqësit e lëvizjeve totalitare vendosën në veprim mekanizmin e grushtit të shtetit, për marrjen e pushtetit. Në Gjermani Hitleri dështoi për marrjen e pushtetit me grusht shteti dhe u burgos. Gjatë periudhës së burgimit, shkroi veprën e tij “Mein Kampf”, ku shpalosi dhe zbuloi idetë e tij për realizimin e rendit të ri botëror. Në Rusi, Lenini e konkretizoi grushtin e shtetit me përmbysjen e regjimit carist dhe përfshrijen e bolshevikëve në koalicione partiake me partitë e tjera politike të politikës ruse. Mossuksesi i grushteve të shtetit në marrjen e pushtetit, i dha kohën e duhur për reflektim udhëheqësve të lëvizjeve totalitare, në hartimin e strategjisë që do të përdorej për marrjen e pushtetit. Pas dështimit të grushtit të shtetit, u pranua formimi i koalicioneve politike në formimin e kabineteve qeverisëse. Periudha e qëndrimit në koalicion shërbeu në konsolidimin e mëtutjeshëm të strukturave partiake, që do të shërbenin si bazë themelore për implementimin e sistemit totalitarist.
Në Rusi, Lenini pasi siguroi “24 % si të votave ashtu edhe të vendeve në Asamble”[3], në zgjedhjet e fundnëntorit 1917, u bind se kohëzgjatja e qëndrimit në koalicion do të ishte e stërmundimshme për marrjen e pushtetit. Duke shrytëzuar debatet dhe mosmarrveshjet në Asamble përdoroi forcat e armatosura për të shpërndarë Asamblenë dhe për të eleminuar format demokratike të qeverisjes në Rusi. Pas këtyre veprimeve të suksesshme për bolshevikët, Lenini përqëndroi pushtetin politik në duart e tij dhe njësoi shtetin me partinë, duke vulosur triumfin e revolucionit komunist në Rusi dhe ardhjen në pushtet përmes dhunës, ashtu sikundërse e kishte sanksionuar Marksi në veprat e tij. Në Gjermani, Hitleri ngërtheu një sërë elementësh që i përdoroi me efikasitet në ngjitjen drejt pushtetit.
Hitleri përdoroi Traktatin e Paqes së Versajës, me kushte rënduese për Gjermaninë, nënshkruar pas Luftës së Parë Botërore, për të ngacmuar emocionalitetin dhe psikologjinë e gjermanëve si nderhumburit, të nëpërkëmburit e Evropës, që duhej të rivendosnin dinjitetin e kombit gjerman në vendin që iu takonte. Përdoroi antisemitizmin, për të goditur fuqinë ekonomike dhe origjinën racore të popullatës me origjinë hebraike, duke i evokuar hebrenjtë si shkaktarë të fatkeqësive që kishin mbërthyer Gjermaninë. Përdoroi racizmin për të evokuar racën ariane, nordike si racë superiore, që ishte shfaqur si raca më e fortë gjatë seleksionit natyror të evoluimit të racës njerëzore, nën hyqmin e së cilës duhej të ishin të gjitha racat e tjera njerëzore, të etiketuara si të dobëta, inferiore në raport me nordikët darvinianë. Përdoroi antikomunizmin për të ngërthyer pas vetes të gjitha shtresat sociale të shoqërisë gjermane, që i frikësoheshin rrezikut të një modeli ekonomik të centralizuar, veçanërisht industrialistët dhe sipërmarrësit e fuqishëm. Përdoroi evokimin e së shkuarës së lavdishme ushtarake për të përftuar mbështetjen e veteranëve të luftës.
Për të shpalosur idetë e tyre udhëheqësit totalitarë përdoruan mjeshtërsisht oratorinë, duke organizuar mitingje pompoze, duke ligjëruar plot pathos përballë masave, për t’i manipuluar në mënyrë që masat të besonin se ishin pikërisht këta udhëheqës që do t’iu jepnin vendin e merituar në histori kombeve respektive. Nga ana tjetër strukturat partiake shkaktonin turbullira, prishjen e rendit dhe sigurisë, për të goditur kundërshtarët politikë si të paaftë për të zgjidhur problematikat që shqetësonin njerëzit edhe pse ishin në pushtet. Më tipike kjo situatë u shpërfaq në Itali e Gjermani.
Pyetja që na grish mendimin përkundruall lëvizjeve totalitare është se si arritën këto lëvizje të përftonin masat e gjera të popullatave në mbështetje të tyre?
Lëvizjet totalitare kanë karakter gjithëpërfshirës, pasi synojnë të shtrihen në mbarë hapësirën gjeografike që mëtojnë të zotërojnë. Në këtë kontekst përdorojnë teknologjinë, zbulimet e saj, masmediat, për të përçuar nëpërmjet propagandës masive atë çfarë synonin të përçonin, tek çdo individ, madje individi nuk konsiderohet individualitet njerëzor, por pjesë integrale e masës. Lëvizjet totalitare duke përdoruar gjerësisht propagandën masive të ndërthurur me teknologjinë dhe spektaklin, synonin përfshirje sa më të madhe të njerëzve, për të qenë pjesë e masës. Universaliteti i lëvizjes ishte jashtëzakonisht joshës pasi çdokujt të harruari, i jepej mundësia e identifikimit me lëvizjen, e shkrirjes me lëvizjen, për ta ndjerë vetveten pjesë organike të lëvizjes, sipas trillit një për të gjithë dhe të gjithë për një.
Lëvizjet totalitariste u shfaqën dhe gjalluan në një mjedis organik tërësisht të përshtatshëm, ku faktorët materialë dhe gjendja shpirtërore e njerëzve, aspak shpresëdhënëse në kushtet ekzistuese, punonin në favor të tyre. Vështirësitë ekonomike që përjetoi Gjermania dhe për më tepër goditja morale si shtet humbës që iu nënshtrua kushteve të rënda, të vendosura në Versajë, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, goditja nga Depresioni i Madh, ishin elementë pertinentë, në efektshmërinë e premtimeve se nazistët do të rikthenin stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të Gjermanisë. Në Rusi u evokuan vështirësitë dhe prapambetja ekonomike të trashëguara nga regjimi carist, i fajësuar edhe për dështimin me turp të Rusisë në Luftën e Parë Botërore. Evokimi i negativiteteve dhe errësimi i së shkuarës cariste iu shërbeu komunistëve në lançimin e parimeve të Revolucionit Francez, “liri, barazi, vëllazëri”, duke i shtuar edhe premtimin për tokë. Ky i fundit ishte tmerrësisht joshës, për një shoqëri jashtëzakonisht rurale sikurse ishte shoqëria ruse. Në Gjermani dhe Itali ndryshe nga Rusia e kaluara evokohej si e lavdishme. Në thelb evokimi i së shkuarës shërbente si frymëzim i ndryshimit dhe transformimit të rolit që duhej të luanin shtetet respektive, në skenën e historisë botërore.
Paqëndrueshmëria politike dhe mosefektiviteti i qeverive, të koalicioneve qeverisëse, prodhonte pasiguri dhe moszgjidhje të problemeve që lidheshin me rendin, sigurinë, qëndrueshmërinë. Në këto situata të turbullta, të zymta dhe aspak shpresëdhënëse për të ardhmen, duke i shtuar dhe dështimin e përpjekjeve për konsolidim të formave demokratike të qeverisjes, zhgënjimi dhe mosbesimi ndaj aktualitetit politik ishin evidentë. Shfaqja e lëvizjeve totalitare plot grintë dhe energji për ndryshimin e gjendjes, i dha të kuptonte masës së të zhgënjyerve, mosbesuesve dhe apatikëve se drita në fund të tunelit më në fund ishte një realitet që duhej përthithur në çdo qelizë të tyre. Lëvizjet totalitariste në raport ndaj forcave të tjera politike ishin të avantazhuara, sepse asnjëherë më parë nuk ishin konsumuar si alternativa qeverisëse dhe nuk përkonin aspak në mënyrën e organizimit dhe funksionimit me partitë e tjera politike. Në qoftë se partitë e tjera përcaktoheshin përmes konkreteve, këto lëvizje ishin gati-gati magjike, mistike, që vetëm e ardhmja mund t’i zbulonte në lakuriqësinë e të vërtetës së tyre.
Por a ishin tërësisht përcaktues faktorët historikë, materialë në përcaktimin e suksesit të lëvizjeve totalitare në marrjen e pushtetit?
Përtej maksimizimit të shfrytëzimit efiçent, të gjendjes së turbullt dhe plot vështirësi në favor të tyre, lëvizjet totalitariste mbartnin një mision, që nuk mund të kufizohej vetëm me zgjidhjen e problemeve politike, ekonomike, sociale etj. Misioni i tyre i drejtohej së ardhmes, për të cilën njeriu as që mund të zbulojë se çfarë në të vërtetë do të ndodhë. Udhëheqësit e lëvizjeve totalitariste propagandonin vazhdimisht se ishin në rrugën e realizimit të një misioni madhor, ngritjen e një rendi të ri botëror, ku do të zhdukeshin negativitetet dhe paqja do të mbretëronte në botë. “Himleri që e njihte mirë mentalitetin e atyre që ai vetë organizonte, përshkruante jo vetëm trupat e tij SS, por edhe shtresën e madhe prej të cilës ai i rekrutonte, kur thoshte se ata nuk interesoheshin për “problemet e përditshme”, por vetëm për çështjet ideologjike me rëndësi, për dekada dhe shekuj, kështu që njeriu … e di se ai po punon për një detyrë të madhe që realizohet një herë në 2000 vjet.” [4] Pragmatizmi utilitarist i masave ka pushuar së funksionuari dhe tanimë me besimin se janë të privilegjuar, ngaqë janë pikërisht ata që do të realizojnë misionin, udhëheqjen e tyre për këtë çështje më rëndësi për dekada dhe shekuj, ia “delegojnë” udhëheqësit të pagabueshëm. Plotësimi i utilariteteve dhe përmbushja e interesave pragmatiste, nuk mund të shërbenin si inspirim për të besuar pa kushte në mesianizmin e lëvizjeve totalitare. Mesianizmi ishte jo vetëm i nevojshëm, por element qëndror i lëvizjeve totalitariste, në manipulimin e masave dhe suksesit të tyre. Pa mesianizmin, totalitarizmi do të ishte tërësisht pragmatist. Përmbushja e misionit mesianik, të shpëtimit dhe çlirimit të racës njerëzore, realizohej vetëm nëse triumfonte nazizmi apo komunizmi. Mesianizimi i lëvizjeve totalitariste, vendosi në qendër realizimin e parajsës këtu dhe tani, ndryshe nga besimet fetare për të cilët parajsa fitohet në përtejbotë. Premtimet që ushqenin siguri në realizimin e parajsës këtu dhe tani, përkundruall vështirësive dhe zymtësive ishin mjaft të rëndësishme për të mbajtur ndezur besimin pa kushte të masave, në vërtetësinë e misionit që duhej realizuar dhe për të legjitimuar çdo nismë dhe veprim, që i shërbente realizimit të misionit. Besimi në vërtetësinë e lëvizjeve totalitariste, nënkuptonte padyshueshmëri dhe bindje e plotë ndaj asaj që premtohej. Besimi i padyshimtë se një ditë të bukur, këtu dhe tani, do të realizohej parajsa, nxiti sakrifikimin e masave deri në vetmohim, pikërisht vetëm për parajsën tokësore që rezultoi utopi.
Lëvizjet totalitare nuk buruan nga kuturisjet dhe çmenduritë e rastit të njërit apo tjetër udhëheqës. Ato u bazuan në ideologji të mirëpërcaktuara me qëllim të mirëpërcaktuar. Librat mbi fletët e të cilëve janë rreshtuar fjalët e vërteta të udhëheqësve të pagabueshëm, nuk janë abstarktë, por konkretë, të prekshëm, të shikueshëm dhe burim frymëzimi për masat. Lëvizjet totalitare ishin tërësisht të mbështetura vetëm mbi një ideologji, përjashtuese e çfarëdo alternative. Ideologjia e vetme, naziste apo komuniste, ishte e vetmja rrugë për realizimin e misionit mesianik, të shpëtimit të racës njerëzore. Librat mbi të cilët ngrihej ideologjia e vetme, si fjalë e udhëheqësve të pagabueshëm, ishin tërësisht të vërtetë. Kërkohej që të besohej se këta libra përmbanin të vërtetat e përjetshme, të pandryshueshme dhe të patjetërsueshme, të shprehura nga udhëheqësi dhe të zbuluara për masën nga propaganduesit e zellshëm. Besimi në vërtetësinë e të vërtetave të përjetshme, nuk mund të lejonte artikulimin e kritikës ndaj tyre. Masa duhej të besonte dhe jo të diskutonte e të kritikonte, doktrinën ideore të lëvizjeve totalitariste, dhe as që duhej t’i shkonte nëpër mend dyshimi mbi pavërtetësinë e saj, pasi udhëheqësi duhet “të frymëzojë besim tek lëvizja”[5]
Lëvizjet totalitariste identifikoheshin me personalitetin e udhëheqësit. Udhëheqësi zotëronte cilësi të rralla dhe as që mund të barazohej me njerëzit e tjerë. Besohej se ai ishte i pagabueshëm, fjalët e tij ishin çdoherë të vërteta, të pakritikueshme nga masa e paarsye. Ai falte apo dënonte cilindo që dëshironte. Verdikti përfundimtar, për të vendosur, për të gjitha çështjet ishte atribut dhe privilegj vetëm i udhëheqësit. Ai ndriçonte masën me hirin e fjalëve të tij, në rrugën e realizimit të misionit mesianik. Ai nuk mund të artikulojë gabime apo të përçojë të pavërteta. Pushteti ishte i përqendruar në duart e tij. Vetëm udhëheqësi mund t’u jepte masave kuptimin e të qenit mbi botë dhe vetëm tek ai vareshin shpresat për sukses. Lëvizjet totalitariste në tërë strukturën e tyre monolite, edhe pse u mbështetën mbi masën me individë të palidhur me njëri – tjetrin në çfarëdolloj aspekti, ishin imitim i përpiktë i strukturës hierarkike të religjionit. Me të drejtë H. Arendt konstaton se “…tërheqja që Rusia Sovjetike ushtronte barabar mbi bashkëudhëtarët intelektualë nazistë dhe komunistë, qëndronte tamam në faktin se në Rusi “revolucioni ishte një fe dhe një filozofi, jo thjesht një konflikt që lidhej me anën sociale dhe politike të jetës.”[6]
Lëvizjet totalitare nuk ishin religjioze në plotkuptimin e fjalës, por ato panë tek sistemi religjioz, modelin më të arrirë, që i ishte zbuluar njeriut në realizimin e misionit të mëkëmbësit mbi tokë. Udhëheqësit e lëvizjeve totalitariste adaptuan hierarakinë e religjionit, duke ia përshtatur interesave të tyre. Në mënyrë që udhëheqësi të kishte dorë të lirë në ushtrimin e pushtetit mbi gjithësa ishin nën pushtetin e tij, duhej larguar Zoti për t’u zëvendësuar nga udhëheqësi. Besimi tek Zoti u zëvendësua me besimin tek udhëheqësi që frymëzon besimin tek të tjerët. Arendt thotë: “I vetmi grup i supozuar për të besuar ndershmërisht dhe tekstualisht në fjalët e udhëheqësit, janë simpatizantët, besimi i të cilëve rrethon lëvizjen me një atsmoferë të ndershmërisë dhe mendjethjeshtësisë dhe ndihmon udhëheqësin të plotësojë detyrën e tij, d.m.th të frymëzojë besim tek lëvizja.”[7] Pa besimin se udhëheqësi ka gjithmonë të drejtë, pa besimin tek ajo çfarë do të realizohej në të ardhmen e panjohur, lëvizjet totalitare nuk do të kishin shkuar përtej të qenit një lëvizje politike konkrete, sikurse edhe partitë e tjera politike. Ishte ky besim që nëpërmjet propagandës masive, vështirësive, zymtësisë, mungesës së traditave qeverisëse demokratike, që përjetonin shtetet respektive ku u zhvilluan lëvizjet totalitare, arriti të topisë masën, që pëtej realitetit t’i besojë trillit të parajsës tokësore. Ishte pikërisht ky besim për hir të të cilit njerëzit braktisën lirinë e tyre, duke besuar se udhëheqësi jo vetëm që ka gjithmonë të drejtë, por udhëheqësi e di se çfarë është më mirë për ta, sesa ata për vetveten. Ishte besimi se vendimi final për çfarëdolloj çështje, e rëndësishme apo jo i takon vetëm udhëheqësit, që i bindi njerëzit se liria e tyre për të vendosur ishte bezdisje, dhe ajo i duhej deleguar udhëheqësit të pagabueshëm. Faza institucionale, e implementimit të lëvizjeve totalitare, pasi u arrit marrja e pushtetit, si mjet për realizimin e rendit botëror, provoi se tashmë duheshin vendosur në përdorim mekanizma më konkretë, për të mbajtur të ngërthyer masën me lëvizjen. Mekanizmi themelor ishte policia sekrete, që përmes dhunës, terrorit, eleminimit, goditi dhe eleminoi çdokënd që ndërmendte t’i largohej lëvizjes apo që do të dyshonte në vërtetësinë e premtimeve për parajsën, këtu dhe tani. Faza institucionale ishte thyerje e magjishmërisë dhe misticitetit të lëvizjes dhe prandaj duhej të hynte më fuqishëm në veprim policia sekrete për realizimin e terrorit dhe frikësimit masiv, që masa të mbahej e ngërthyer në vazhdimësi nga frika e eleminimit. Veprimtaria e policive sekrete dhe milionat e viktimave të terrorit dhe frikësimit masiv dëshmuan egërsinë, barbarinë, pamëshirshmërinë, pangopshmërinë për gjak, bishëzimin e njeriut të ri dhe të kultivuar përmes darvinizmit social. Terrori dhe frikësimi masiv dëshmoi se çfarë është i aftë të realizojë njeriu, kur Zoti është zëvendësuar nga vet njeriu që nuk njeh zot më të lartë sesa uni tij, jo vetëm mbi tokë por në gjithë universin.
[1] Arendt. H, Origjina e Totalitarizmit, faq. 402
[2] Po aty: 404-405
[3] Filo. Ll, “Histori e sistemeve politike tw qeverisjes”, faq. 204-205
[4] Arendt. H, vep. cit: 409
[5] Po aty: 489
[6] Po aty: 436
[7] Po aty: 489

