Marrëdhënia jonë me të kaluarën - Mirësia Islame

Marrëdhënia jonë me të kaluarën

Çdo qenie njerëzore  ka historinë e saj mbi sipërfaqen e Tokës. Çdo histori ka ngjarjet e saj, autentike, origjinale, të papërsëritshme në përjetim. Historia e qenies  njerëzore nuk mund të jetë tërësisht individuale, pasiqë jetojmë dhe jemi të ekspozuar ndaj…


Publikuar:

Çdo qenie njerëzore  ka historinë e saj mbi sipërfaqen e Tokës. Çdo histori ka ngjarjet e saj, autentike, origjinale, të papërsëritshme në përjetim. Historia e qenies  njerëzore nuk mund të jetë tërësisht individuale, pasiqë jetojmë dhe jemi të ekspozuar ndaj marrëdhënies që mund të krijojmë me historinë e cilësdo qenie, që mund të jetë bashkëkohëse e jona, apo e vendosur në një kohë tjetër. Ngjarjet historike janë të vendosura në kohë dhe hapësirë, qofshin këto individuale ose jo.

Edhe pse të vendosura në kohë të ndryshme dhe  hapësira të ndryshme nisur nga koha dhe hapësira në të cilën jetojmë, ngjarje të veçanta apo histori që diferencohen qartë, i kapërcejnë dhe shpojnë tejpërtej kufijtë e kohës dhe hapësirës në të cilën kanë ndodhur. Kjo është  rrjedhim i pashmangshëm i natyrshmërisë së qenies njerëzore, shqetësimet dhe dilemat ekzistenciale të së cilës mbeten të njënjëjta, pavarësisht kohës dhe hapësirës në të cilën jeton. Çdo njeri, çdo etni, çdo komb, çdo popull, çdo shoqëri, çdo bashkësi, ka një marrëdhënie të veçantë me ngjarje apo histori të diferencuara qartë, pra me të kaluarën, edhe pse është i magnetizuar nga ndërtimi i së ardhmes së panjohur.

Çdo ngjarje e kaluar është histori dhe çdo histori i përket së kaluarës. Natyrisht që historia bazohet tek faktet, datat, emrat  konkretë, vende të caktuara me rrethana historiko-shoqërore të caktuara, me kushte fiziko-gjeografike të caktuara, të cilat shërbejnë si lëndë e parë për përpunimin dhe sjelljen në vëmendje të njerëzve të një kohe dhe hapësire të caktuar, të asaj çfarë ka ndodhur, pra sjelljen në vëmendje të një historie të institucionalizuar.

Përtej këtij prakticiteti në rrëfimin dhe shtjellimin historik të së kaluarës, pra të asaj që na ka paraprirë, hasim dhe një lloj tjetër rrëfimi, i cili më shumë sesa interpreton dhe institucionalizon, kumton për ngjarje dhe histori në të kaluarën. Marrëdhënia jonë me faktet është institucionale, e ngurtë, tipike shkencëriste. Marrëdhënia jonë me kumtimin është e shlirët, e hapur, njerëzore, emocionale, shpirtërore. Marrëdhënia jonë me faktet ndërtohet duke aplikuar metoda të cilat bëjnë që pavarësisht, botëkuptimit, kulturës, identitetit, të përvijohesh, sipas disa kallpeve të caktuara në interpretimin e fakteve, përndryshe nuk mund të jesh shkencor dhe në qoftë se nuk je shkencor, zhvlerësohesh.

Kjo marrëdhënie është problematike për qenien njerëzore, sepse institucionalizimi mund ta keqpërdorë hermeneutikën, “pastërtisht shkencëriste”, mbi faktet, për qëllime dhe interesa të caktuara si dhe ta zhveshë të kaluarën nga njerëzorja, për ta veshur me kostumin e statistikës, tmerrësisht të ftohtë dhe të akullt. Në raport me kumtimin marrëdhënia është e hapur, shpirtërore dhe si e tillë shtrihet thellë në thellësitë e kohëve, duke ngritur një kohezion shpirtëror me të kaluarën. Ky kohezion i brendshëm me të kaluarën, na rikthen vazhdimisht drejt saj, jo për të qenë nostalgjikë të pandreqshëm të një kohe të perënduar tashmë, por na rikthen për të gjetur aty vetveten tonë si njerëz, si komb, si popull, si shoqëri, si bashkësi.

Kësisoj kumtimi na rikthen për ta parë të kaluarën tonë me të gjitha tonalitetet njerëzore të saj, për të mos e harruar të kaluarën tonë në arkivat e heshtjes dhe pluhurit shekullor në emër të së ardhmes së panjohur. Metodat shkencëriste shtyhen drejt së ardhmes, shpeshherë duke parashikuar dhe fundin e historisë njerëzore me këtë apo atë ideologji apo sistem qeverisës, ndërkohë kumtimi duket sikur “nuk shqetësohet” për të ardhmen, meqënëse fton pandalshëm për reflektim ndaj të kaluarës. Ky “mosshqetësim” i hapur ndaj së ardhmes, është një shqetësim ndaj vetëdijes njerëzore për të kaluarën, edhe pse ajo e kaluar është jetuar nga të tjera qenie njerëzore dhe jo nga ne.

Reflektimi për të kaluarën, përmes kumtimit, pra të një historie pa shifra, por mbushur plot me personazhe plot jetë, është reflektim për vlerat dhe antivlerat njerëzore, të cilat qëndrojnë përmbi kohën dhe hapësirën e përcaktuar shkencërisht. Kumtimi na bën me dije, se në çfarë patën sukses dhe në çfarë dështuan, se ku vepruan mirë dhe ku vepruan keq, se ku u treguan njerëzorë dhe ku djallëzorë ata të cilët na paraprinë. Kështu kumtimi mban gjallë vetëdijen tonë për të shkelur atje ku shkelën ata që na paraprinë në vlerat njerëzore dhe për të mos shkelur atje ku shkelën ata që na paraprinë në antivlerat njerëzore.

Sot mund të ngrejmë lavde e të thurim hymne për ngjarje dhe histori të caktuara, ashtu sikundërse mund të mallkojmë dhe shfryjmë urrejtjen ndaj ngjarjeve dhhe historive të caktuara. Marrëdhënia jonë me të kaluarën nuk duhet të jetë marrëdhënie faji e as mbivlerësimi, për vendimet që kanë marrë ata që na paraprinë. Duhet të kuptojmë se çdo kohë dhe çdo ngjarje që ndodh në kohë, mirë apo keq, vendoset në një kohë të caktuar jo pa urtësi, edhe pse logjika e akullt shkencëriste nuk rreh ta kuptojë këtë urtësi.

Marrëdhënia jonë me të kaluarën, përmes kumtimit është marrëdhënie me urtësinë që flet pa urrejtje, pa –izma, dhe na dëfton mësime të thella për ata që mendojnë rreth këtyre ngjarjeve të së kaluarës. Marrëdhënia me të kaluarën nuk duhet të shërbejë si zhvendosje e vëmendjes ndaj problemeve të së tanishmes dhe as si shtrat i ngrohtë i ëndërrimeve, për shkak të dembelizmit dhe përtacisë për të punuar sot, duke harruar ata që ishim dje. Nuk mund të jemi të qartë sot, në qoftë se harrojmë ngjarjet që ndodhën dje. Ata që kaluan fituan atë që merituan, ne do të fitojmë atë që meritojmë.

Nuredin Nazarko

Copyright © 2026 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim