Mbulesa - Mirësia Islame

Mbulesa

Të mbulohesh, të fshihesh, të kalosh prapa dikujt ose diçkaje… Sipas jurisprudencës  islame mbulesa (vendosja e shamisë) është: mbulimi i pjesëve të domosdoshme të trupit tek gratë. Pjesët e trupit të cilat duhen mbuluar dhe që është e ndaluar të…


Publikuar:

Të mbulohesh, të fshihesh, të kalosh prapa dikujt ose diçkaje… Sipas jurisprudencës  islame mbulesa (vendosja e shamisë) është: mbulimi i pjesëve të domosdoshme të trupit tek gratë. Pjesët e trupit të cilat duhen mbuluar dhe që është e ndaluar të shikohen nga njerëzit e tjerë quhen: ‘pjesë të auretit’. Përsa u përket çështjeve të auretit ekzistojnë disa mendime. Mendimi më i fortë (që ka mbështetje më të madhe nga burimet e fesë sonë) na thotë që njeriu duhet t’i mbulojë pjesët e auretit edhe kur është vetëm. Duke u bazuar në këtë gjë themi se në momentin kur kemi mundësi të gjejmë një veshje të pastër nuk është e lejuar që të falemi pa rroba edhe në qoftë se jemi vetëm në një dhomë të errët. (Ibn Abidin, Reddul- Muhtar, Misir, I, 375.)

Përveç kohës kur bëhet dush apo kryhen nevojat personale, mbulimi i pjesëve të auretit është farz; dëshmi për këtë janë Kurani dhe Suneti.

Nevoja e njeriut për t’u mbuluar

Nevoja e njeriut për të mbuluar ka lindur që me njerëzit e parë, me Hazreti Ademin dhe Havanë. Ja se si e shpjegon ajeti Kuranor se sa gjë e shëmtuar është lakuriqësia:

“O bijtë e Ademit, le të mos ju mashtrojë kurrsesi djalli, ashtu si i nxori prindërit tuaj nga Xheneti, duke ua zhveshur rrobat për t’u dukur vendet e turpshme! Ai dhe shpura e tij ju sheh, prej nga ju nuk i shihni ata. Ne i kemi bërë djajtë roje të atyre që nuk besojnë.” (Araf, 27)

Allahu ka krijuar shumë kushte për të ndihmuar veshjen e njerëzve, edhe leshi i kafshëve është një nga këto.

“Ai ka vendosur male të palëvizshme në Tokë, që ajo të mos tundet bashkë me ju, dhe ka krijuar lumenj e rrugë për të arritur aty ku synoni.” (Nahl, 15)

Gjëja më e mirë për njerëzit është veshja me rroba të përshtatshme për fenë tonë.

“O bijtë e Ademit, Ne ju dërguam rroba që të mbuloni vendet e turpshme, si edhe për zbukurim; por, petku i devotshmërisë është më i miri. Këto janë disa shenja të Allahut, që ju të merrni këshillë.” (Araf, 26)

Ne duhet të jemi të kujdesshëm kur shkojmë në një mesxhid apo diku tjetër ku bëhen adhurime dhe të mundohemi që të vishemi me rroba të bukura. Në qoftë se nuk e bëjmë dot këtë gjë, të paktën duhet të kemi kujdes për të mos veshur rroba që mund t’i shqetësojnë njerëzit e tjerë:

“O bijtë e Ademit, vishuni përshtatshëm kudo dhe kurdo që të faleni! Hani e pini, por mos e teproni, se Ai nuk i do ata që e teprojnë.” (Araf, 31)

Përpjekja për t’u mbuluar (veshur)

Njeriu vishet për t’u mbrojtur nga i ftohti ose nga i nxehti. Ai vishet për të mbuluar defektet e veta dhe për të treguar pjesët e bukura. Për një besimtar, arsyeja kryesore e veshjes (mbulesës) duhet të jetë ruajtja nga shikimet e njerëzve të huaj dhe mbrojtja e trupit dhe shpirtit nga të gjitha llojet e sulmeve.

Në Kuran urdhërohen si burrat ashtu edhe gratë që të ruajnë sytë dhe trupin nga shikimet haram:

“Thuaju besimtarëve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara) dhe ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme)! Kjo është më mirë për ta!” (Nur, 30) 

“Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme) dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme. Le t’i mbulojnë kraharoret me mbulesat e tyre (të kokës) dhe të mos ua shfaqin stolitë e tyre, përveçse bashkëshortëve të tyre ose baballarëve të tyre, ose vjehërrve të tyre, ose bijve të tyre ose djemve të bashkëshortëve të tyre, ose vëllezërve apo djemve të vëllezërve të tyre, ose djemve të motrave a grave të tyre, ose atyre që i kanë nën zotërim (si skllave), ose shërbëtorëve që nuk kanë epsh ndaj femrave apo fëmijëve që nuk i dinë ngacmimet e femrave. Dhe të mos i rrahin këmbët (për tokë), në mënyrë që të mos duken stolitë e tyre të fshehta. Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!” (Nur, 31)

Gratë kur dalin nga shtëpia (ose kur janë përpara burrave të huaj) duhet që sipër veshjes që mbajnë në shtëpi të hedhin një veshje tjetër më të trashë. Ajeti kuranor thotë:

“O Profet, thuaju grave dhe vajzave të tua, si dhe grave të besimtarëve, që të lëshojnë mbulesën e tyre (të kokës) përreth trupit. Kjo është mënyra më e përshtatshme që ato të njihen e të mos ngacmohen nga të tjerët. Me të vërtetë, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” (Ahzab, 59)

Nga ana tjetër, për sa i përket grave të moshuara të cilat nuk  presin të martohen dhe të cilave u ka humbur tërheqja që mund të kenë ndaj burrave, u janë dhënë disa lehtësira.

“Gratë e vjetra, që nuk shpresojnë më të martohen, nuk është gjynah ta heqin mbulesën e jashtme, por jo duke i treguar stolitë e tyre. E, nëse përmbahen, është edhe më mirë për ato. Allahu i dëgjon dhe i di të gjitha.” (Nur, 60)

Në një ajet tjetër mësojmë se gratë dhe burrat të cilët i mbulojnë dhe i mbrojnë vendet e turpshme do të kenë një shpërblim shumë të madh. (shiko: El- ahzab, 35)

Në periudhën e injorancës

Në kohën e injorancës njerëzit e bënin tavafin e Qabes të zhveshur. Si ditën ashtu dhe natën gratë dhe burrat bënin tavaf të zhveshur dhe për të justifikuar këtë veprim thoshin:

“Nuk mund të bëjmë tavaf duke mbajtur rrobat me të cilat bëjmë gjynahe!”

Islami e ka hequr këtë zakon dhe ka këshilluar që si në tavaf ashtu dhe në të gjitha vendet e tjera ku bëhen adhurime të vishen rrobat më të bukura të mundshme.

“O bijtë e Ademit, vishuni përshtatshëm kudo dhe kurdo që të faleni! Hani e pini, por mos e teproni, se Ai nuk i do ata që e teprojnë.” (A’raf, 31)

Në Islam, falja e namazit me veshje të pastër dhe të bukur është sunet. Njerëzit, edhe në jetën e ahiretit do të veshin rroba të bukura. Në Kuranin Kerim, kur përmendet shpërblimi i njerëzve që bëjnë punë të mira, përdoren këto fjali:

“Pikërisht atyre u përket Xheneti i Adnit, nëpër të cilin rrjedhin lumenj. Ata do të stolisen atje me byzylykë ari dhe do të vishen me rroba të gjelbra prej mëndafshi të hollë dhe armaçi, duke ndenjur të mbështetur në shtretër të lartë. Sa shpërblim i mrekullueshëm dhe sa vendbanim i bukur!” (Kehf, 31)

“S’ka dyshim se ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Allahu i fut në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Ata do të stolisen me byzylykë të artë dhe inxhi e rrobat e tyre do të jenë prej mëndafshi.” (Haxhxh, 23)

“Aty do t’u shërbehet me enë të argjendta dhe kupa kristali.” (Insan, 15)

“Ata do të jenë të veshur me petka të holla mëndafshi të gjelbër dhe me armaç mëndafshi të trashë, të stolisur me byzylykë të argjendtë.” Insan, 15)

Mënyra e veshjes për gruan

Pas zbritjes së ajeteve të tridhjetë dhe tridhjetë e një të sures Nur (ajete të cilat i kemi përmendur më sipër), Resulullahu e ka treguar në praktikë mënyrën e zbatimit të atyre ajeteve.

Sipas transmetimit të Hazreti Aishes, një ditë vajza e Hazreti Ebu Bekrit; pra motra e vetë Hazreti Aishes, Esma kishte hyrë në një dhomë ku ndodhej Resulullahu me një veshje të hollë. Resulullahu salahu alejhi ve selem, e kishte hequr shikimin nga ajo dhe kishte thënë:

“O Esma! Femrës që  arrin moshën e pjekurisë, nuk duhet që t’i dallohet asgjë përveç këtyre dhe këtyre.” Resulullahu, kur ka thënë fjalët: ‘Këto dhe këto’ ka treguar me shenja: fytyrën dhe pëllëmbët e duarve.” (Ebu Davud, Libas, 31.)

Për gratë, të gjitha pjesët e trupit përveç duarve dhe fytyrës,  janë auret. Sipas një pikëpamjeje të fortë, as këmbët nuk janë auret, sepse me këmbë ne ecim dhe njerëzit e varfër mund ta kenë të vështirë që t’i mbulojnë ato. 

Përsëri , sipas një mendimi bindës, gratë e lira duhet të mbulojnë edhe krahët edhe veshët. “…dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme.” (Nur, 31)

Në hadith thuhet:

“Pjesa e trupit që duhet mbuluar nga gruaja është auret. Kur ajo del jashtë, shejtani ia ngul sytë asaj.” (Tirmidhiu, Rada, 18.)

Sipas transmetimit të Hazreti Aishes radiallahu anha: “Allahu Teala nuk e pranon namazin e  falur pa shami, i të vajzës që ka arritur moshën e pjekurisë” (Ibn Maxhe, Tahare, 132; Tirmidhi, Salat, 160; Ahmed b. Hanbel, IV, 151, 218.) Në këtë hadith përfshihen edhe flokët.

Ja se si e shpjegon Hazreti Aishja herën e parë të vendosjes së shamisë:

“Allahu i mëshiroftë gratë muhaxhire; kur zbriti ajeti: “Le t’i mbulojnë kraharoret me mbulesat e tyre (të kokës)(Nur, 31) ato prenë copë nga fundi i tyre dhe nga ajo copë bënë shami (për kokën).”

Safije binti Shejbe tregon.

“Unë isha bashkë me Aishen. Po flsinim për gratë e fisit Kurejsh dhe për veshjet  e tyre. Hazreti Aishja tha: ‘Sigurisht që ka disa gjëra në të cilat gratë kurejshe janë më lart se ne, por unë betohem në Allah se nuk ka gra që i besojnë dhe veprojnë më shumë sipas Kuranit se sa gratë ensare. Kur u zbrit ajeti i sures Nur: “Le t’i mbulojnë kraharoret me mbulesat e tyre (të kokës)” burrat e tyre lexuan këto ajete dhe u kthyen në shtëpi. Këta burra ua lexuan ajetet grave, vajzave dhe motrave. Secila nga këto gra bëri shami nga rrobat që kishte në shtëpi, në mënyrë që të zbatonin ajetet e Librit të Allahut. Mëngjesin pasardhës ato shkuan me shami në kokë për faljen e namazit të sabahut. Sikur në kokat e tyre kishte zorra (ngjyrë të zezë).” (Buhari, Tefsiru Sure, 29/12; Ibn Kesir, Muhtasar, M. Ali, es- Sabuni, Botimi i shtatë, bejrut 1402/ 1981, II, 600.)

Aureti i burrave

Tek burrat, pjesa e trupit që duhet mbuluar është pjesa nga kërthiza deri tek gjunjët. Sipas një mendimi të fuqishëm edhe gjunjët quhen auret. Dëshmia për këtë çështje është hadithi i Pejgamberit tonë:

“Aureti i burrave është nga kërthiza deri tek gjunjët.” (Ahmed b. Hanbel, II, 187.)

“Gjunjët janë pjesë e auretit.” (Zejlai, Nasbur Raje, I, 297)

Veçoritë e shamisë

Shamia duhet të ketë një trashësi të tillë që të mos e tregojë atë çfarë mbulon. Mbulesa me një copë që ka ngjyrën e mishit nuk quhet e tillë. Një rrobë e cila e tregon ngjyrën e trupit nuk mund të vishet në namaz dhe nuk mund të përdoret për t’u mbuluar. Në qoftë se veshja është e trashë por lejon që të dallohen format e trupit, namazi është i pranueshëm por kjo nuk është diçka e pëlqyeshme dhe e mira është një veshje e tillë të evitohet.

Mënyra e mbulesës e gruas myslimane të lirë

1- Një grua myslimane para burrave të huaj ose grave jo myslimane duhet të mbulojë të gjithë trupin përveç duarve dhe fytyrës. Mbulimi i këtyre pjesëve të trupit si në namaz edhe jashtë tij është farz. Për sa i përket këmbëve ka disa mendime, por sipas mendimit më të pranueshëm, këmbët mund të rrinë të zbuluara.

2- Gratë mund t’i  zbulojnë disa nga pjesët e trupit si: dorën, këmbën, flokët etj.; para burrave me të cilët e kanë të ndaluar që të martohen. (Nur, 31-32)

3- Pjesa e auretit mes grave me njëra- tjetrën është pjesa nga kërthiza deri tek gjunjët. Përveç kësaj pjese të trupit gratë e kanë të lejuar që t’i zbulojnë pjesët e tjera. (El- Mavsili, El- Ihtijar, I, 45.) Kur flasim për auretin mes grave e kemi fjalën për gratë myslimane, sepse një grua myslimane nuk mund të rrijë pranë një gruaje jobesimtare me veshjen që qëndron pranë një gruaje besimtare. Kjo ndalesë është bërë me qëllimin që të mbrohen gratë myslimane nga përshkrimet që mund t’i bëhen tek burrat e huaj. Hazreti Omer në një letër që i ka shkruar Ebu Ubejde (r.a.), i ka thënë: “Më ka ardhur lajmi që gratë myslimane kanë shkuar në hamam me gratë politeiste. Ky është një zakon që ka mbetur nga e kaluara. Një grua e cila beson Allahun dhe Ahiretin nuk e ka të lejuar që t’i tregojë vendet e auretit një gruaje që nuk është e fesë së saj.” (Ibn Kesir, Muhtasarut- Tefsir, II, 600, 601.)

4- Në rastet e kurimit, është e lejuar që doktori, mamia, infermierja apo persona me profesione të ngjashme të shikojnë pjesët e auretit. Është e preferuar  që gratë të zgjedhin gra për t’i kuruar. Në rastet kur diçka e tillë nuk është e mundur ndjekim rregullin: “Domosdoshmëria i bën të lejuara gjërat e pakëndshme.” 

Rukije Gonyly

Copyright © 2026 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim